Jeta fetare, sociale dhe historike e Shqipërisë së shek.XVII, botohet dokumenti nën kujdesin e studiuesit Mark Palnikaj
Përgatiti: Eneida Jaçaj
Dorëshkrimi i shekullit të 17-të, i cili përshkruan në mënyrë të detajuar dhe kronologjike jetën fetare, historike, kulturore, gjendjen sociale dhe traditat shqiptare, kryengritjet e shqiptarëve për pavarësi kundër turqve, përpjekjet e klerit katolik për të larguar sunduesit nga trojet e Arbrit dhe hapjen e shkollave shqipe, i zbuluar nga studiuesi i zellshëm dhe shumë i apasionuar pas dokumenteve të vjetra historike për Shqipërinë, Mark Palnikaj, tashmë ka dalë nga errësira 370 vjeçare dhe është publikuar në formën e një libri, për të gjithë studiuesit dhe të interesuarit për historinë e kombit shqiptar. Libri vjen me titullin “GIACINTO P. Da Sospello – Relatione Universale dell’origine, e suçesso della Missione Apostolica de Frati Min.ri Oss.ti Rifor.ti Del serafico P’rè S. Francisco nel Regno d’Albania, në dy gjuhë, shqip dhe italisht, brenda të njëjtit botim, dhe është i ndarë në gjashtë kapituj, ku flet për aktivitetin e 16 misioneve fetare, të kryera në shekullin e 17-të, por hapësirën më të madhe në atë përshkrim e zë jeta kulturore-sociale e shqiptarëve të asaj periudhe.
Autori i dorëshkrimit, që i përket periudhës kohore nga viti 1634 deri në vitin 1650, Fra Giacinto da Sospello, ku tashmë ka dalë në dritë në formën e një libri, është një nga misionarët katolikë të ardhur në Shqipërinë e shekullit të 17-të, me detyrë Vikar Apostolik i Shqipërisë, përshkruan përpjekjet që bënin misionarët katolikë për edukimin fetar dhe social të popullsisë shqiptare. Dorëshkrimi është zbuluar nga Mark Palnikaj, në Bibliotekën e Bashkisë së qytetit të Fermos në Itali, të quajtur Biblioteca Civica “Romolo Spezioli”. Sospello ka lënë edhe disa dokumente dhe relacione të shkruara në Arkivin e Propagandës Fide dhe në Arkivin Sekret në Vatikan, në Arkivin e Shtetit në Modena dhe në disa arkiva të tjerë, të publikuar një pjesë e tyre nga studiuesi shqiptar, Injac Zamputi, dhe nga studiuesi italian, Lorenzo Taçhella.
Në arkivat e shtetit italian gjendet pothuajse e gjithë historia e Shqipërisë; janë dokumente të vjetra 600 vjeçare për historinë, kulturën, shkollat, gjuhën, traditat shqiptare, etj. Historianët që po rishkruajnë historinë e Shqipërisë mund t’i referohen këtij libri, por edhe dokumenteve voluminoze në Vatikan, të cilat duhet të dalin në dritë, duke publikuar shumë të vërteta dhe të pathëna për kombin shqiptar ndër shekuj. Mark Palnikaj është një studiues i palodhur, i cili ka thyer akullin duke hyrë në arkivat italiane, me synimin e qartë dhe të patundur, për të zbuluar në mënyrë të plotë historinë e Shqipërisë. Por z.Palnikaj është i vetëm në këtë mision shumë patriotik, madje, librat që ai ka botuar duke iu referuar pikërisht dokumenteve historike në arkivat italiane, i ka mbuluar me shpenzimet e veta. Mark Palnikaj, krejt i vetëm në këtë detyrë patriotike, ka nevojë për mbështetje financiare për të sjellë të tjera materiale të vjetra historike për Shqipërinë.
Drejtuesit e arkivave italiane janë të gatshëm të lejojnë studiues me kredenciale dhe potenciale, për të hyrë në këto ambiente madhështore, ku fshihet e gjithë historia e Shqipërisë.
Drejtoresha e Bibliotekës, “Romolo Spezioli”, të Fermos, Maria Chiara Leonori, ka lënë një shënim për librin, ku ndër të tjera, shprehet se: “Detyra e çdo bibliotekari është ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë që i është besuar dhe të krijojë kushtet më të mira, që të mund të njihet dhe të shfrytëzohet fondi i saj nga masa e studiuesve, që të bëjnë të aftë të rijetojnë dokumentet, në atë mënyrë që ata të tregojnë historinë”. Kryetari i Bashkisë së Fermos, Paolo Kalçinaro, ka lënë një shënim në libër, ku ndër të tjera shprehet: “Është me kënaqësi të madhe që Bashkia e Fermos e sheh të dalë në dritë këtë libër, një kontribut autoritar për historinë e Shqipërisë. Shpresojmë që bashkëpunimi i nisur do të sjellë fryte të mëtejshme njohurish për të dy partnerët e kësaj nisme botuese, për të cilën ne përsërisim duartrokitjet tona të plota, gjithashtu me sigurinë se kultura është forca e vërtetë lëvizëse për atë rritje globale sociale, ekonomike dhe turistike, të cilët ne e dëshirojmë fort për territoret tona”.
Kleri katolik
Në histori gjithmonë duhet të flitet me fakte të vërteta, e zeza mbi të bardhë, duke mos u ndikuar nga emocionet dhe ndjesitë negative, që me të drejtë ngrejnë krye kundër pushtuesve. Ashtu siç ka patur raste kur është pranuar islami për privilegje, kemi edhe rastet e panumërta të klerit katolik që ka ngritur krye, duke goditur pushtuesit turq. Kleri ka luajtur një rol shumë thelbësor në përpjekjet e tyre për pavarësi, për të larguar osmanët nga trojet shqiptare. Në këtë libër, përshkruhet bashkëpunimi i shqiptarëve katolikë me gjeneralin Dalmat në luftë për çlirim kundra turqve. Ndryshe me besimtarët ortodoksë të cilën ranë në ujdi se nuk do të pranonin islamin por do të paguanin taksa, osmanët kanë kryer vrasje dhe ekzekutime ndaj klerit katolik për të ruajtur pushtetin sundues. Kleri katolik gjithmonë ka trazuar pozitat e sunduesve, të cilët kanë vepruar më pas si kundërpërgjigje.
Në një nga kapitujt përshkruhet se disa individë kishin vjedhur vulën e fretërve dhe kishin vulosur dokumente që i kishin hartuar vetë, për të komprometuar dhe penalizuar fretërit në raport me sundimtarët turq. Kjo bëri që të arrestohen shumë priftërinj dhe të paguheshin shumë para për lirimin e tyre, edhe pse ishin të pafajshëm. Osmanët kanë kryer ekzekutime dhe vrasje jo vetëm ndaj klerit shqiptar, por edhe ndaj misionarëve të huaj. Sa i takon vrasjeve, dy françeskanët e parë që erdhën në vitin 1636 në Shosh, Pader Kerubino ngaa Vallebonas dhe Pader Bonaventura nga Pallazuola, u kërcënuan me vdekje dhe u larguan. Në vitin 1644 janë ngulur në hunj të gjallë dy fretër në Shkodër dhe janë vrarë dy fretër në Kelmend në buzë të lumit Cem. Nga viti 1620 deri në vitin 1750 janë vrarë 11 fretër vetëm në dioqezat e Pultit dhe Shkodrës.
Kryengritjet e shqiptarëve
Në kapitullin e parë të librit përshkruhet qendresa e shqiptarëve kundër pushtuesve të perandorisë së fuqishme të asaj kohe. Aty përshkruhet qartë lufta me 700 burra kundër ushtrisë së Vuçi Pashës në Bosnje me 30 mijë ushtarë, ku pashai turk pëson humbje nga kelmendasit, në Shkodër. Në ushtrinë me Vuçi Pashës pati edhe shqiptarë, por shqiptarët nuk luftuan kundër shqiptarëve. Gjithashtu përshkruhen përpjekjet e misionarëve katolikë për të bindur shqiptarët e konvertuar në ortodoksë të kthehen sërish në katolikë. Misionarët zhvilluan vizita në Deccan, Pejë, etj, ku takuan edhe xhaxhain e Pjetër Bogdanit, Ndre Bogdani, por këto takime përfunduan pa marrëveshje.
Zakonet e shqiptarëve
Libri i Sospellos përshkruan edhe disa zakone të çuditshme shqiptare. Disa gra i kishin akuzuar se kishin ngrënë 32 djem të rinj, pasi i quanin shtriga. Më pas, gratë, i kishin hipur në anije, burrat rrinin në breg, me synimin për t’i mbytur; ato që binin në fund, ishin fajtore. Priftërinjtë i kanë parë duke qarë dhe i kanë ndihmuar, duke thirrur xhandarmërinë e turqve.
Një tjetër rast i zakoneve pagane, ku priftërinjtë i kanë luftuar këto zakone primitive, në Zadrimë dhe në Mirditë, i akuzonin gratë sikur ngriheshin lugat; i vrisnin dhe i ndanin në katër pjesë, ose i varrosnin në katër pjesë ose i hidhnin në lumë. Më pas, zemrën dhe mushkëritë ua digjnin për aromë, që të mos i hante lugati. Janë zakone prapanike primitive që duken si mite, të cilat i përkisnin një shoqërie ende të pazhvilluar.
Hapja e shkollave
Përsëri, kleri katolik ka luajtur rol të veçantë në edukimin e shoqërisë. Shkollat nuk ishin kurse tri mujore, por ishin shkolla që vazhdonin me vite dhe kanë patur program fetar e shkencor. Për të mësuar programin shkencor, në këto shkolla vinin fëmijë nga mosha 7 vjeç deri në 20 vjeç, por edhe më të rritur. Të rinjtë e moshave 20 vjeç, i përgatisnin dhe i çonin në kolegjet italiane të Loretos dhe të Fermos.
Fretërit kur mbërritën në Shqipëri, në pjesën veriore, u përballën me analfabetizmin dhe varfërinë. Ata kishin një shprehje: “Ah shqiptarëve të varfër, gomari ua ka ngrënë gërmat”. Një shprehje shumë e përhapur në atë kohë për kombet që nuk kishin alfabet të tyre. Madje, doktrina e krishterë ishte “mësojuni letra atyre që janë më të aftë, predikoni ato në ditët e festave, dhe festoni mesha gjatë ditëve të javës”.
Gjakmarrja
Misionarët e klerit katolik, të ardhur në Shqipërinë e shekullit të 17-të, kanë luajtur një rol të veçantë në pajtimin e gjaqeve. Psh, janë pajtuar gjaqet mids Krasniqëve dhe Gashërve. Në libër autori tregon se ai vetë e ka kaluar lumin 13 herë në kalë si negociator, duke pajtuar 24 gjaqe. Në ditën e pajtimit shtrohej një drekë, ndërsa fëmijëve të vegjël u qethinin flokët dhe u bëheshin kumbarë. Ndërkaq, në libër tregohet se, një herë në vit në Mirditë bëej panairi kombëtar; vinin njerëzit me mallrat e tyre dhe vinin besë se për 7 ditë nuk do të kishte vrasje apo gjakmarrje. Nëse do të shkelej besa, hakmarrja do ishte kolektive, jo private.
Libri është një thesar për historinë dhe jetën sociale të Shqipërisë së atyre viteve. Ngjarjet përshkruhen në mënyrë të detajuar dhe të qartë, nga vetë autori i cili i ka prekur nga afër. Ky libër është mjaft intrigues dhe interesant për të gjithë ata që do të donin të njihnin Shqipërinë e shekullit të 17-të. Mark Palnikaj është një patriot që meriton çdo lloj vlerësimi, respekti dhe mbështetje financiare, për të vazhduar më gjatë misionin e tij për të nxjerrë në dritën e diellit shumë dokumente të tjera historike për Shqipërinë.