Prof.Asc.Dr.Gëzim Mustafaj/
Çdo kohë është e ndryshme nga një kohë më përpara dhe është e natyrshme që njeriu, si individ dhe si pjestar i një organizmi të caktuar, do të duhet t’iu përgjigjet në mënyrë të përshtatshme ndryshimeve. Por ndryshimi midis realiteteve nuk është asnjëherë simetrik. Ndyshimet zhvillohen sipas një prirjeje që ndryshimet e sotme janë më të shpeshta në kohë dhe më të thella në cilësi sesa ato të djeshmet dhe ndryshimet e nesërme do të jenë shumë më të shpeshta në kohë dhe shumë më të thella në cilësi sesa ato të sotmet. Ndërkohë, me të njëjtin hap është rritur ndërvarësia. Askush në këtë botë globale nuk mund të operojë e të përfundojë me sukses asgjë i vetëm. Bota është bërë shumë më e vogël dhe shumë më komplekse. Asnjë problem nuk mund të jetë tashmë vetëm ekonomik, vetëm kombëtar etj. Nëqoftëse nuk ndiqen prirjet dhe ritmet e zhvillimit, madje nëqoftëse nuk u paraprihet atyre, atëherë ai e ka vetë përgjegjësinë dhe e ka përgatitur vetë dështimin. Kur është në pozita udhëheqësie që drejton, atëherë përgjegjësia është disafish më e madhe. Përgjegjësia e sotme nuk mund të jetë ajo e djeshme dhe përgjegjësia e nesërme nuk mund të jetë ajo e sotmja. Kemi e duhet të kemi arsyetim tjetër, shpejtësi tjetër. Për më tepër, nuk është më “gjeniu” që zgjidh të gjitha çështjet.
Çështja e çdo epoke është intensiteti i ndryshimit në kohë, thellësia në fushat ku zhvillohet dhe gjerësia në kuptimin e shkallës apo hapësirave të përfshirjes së sotme në raport me dje dhe atyre të nesërme në raport me sot. Në raport me këto ndryshime, njerzit, udhëheqësit e të gjitha fushave ideojnë e duhet të ideojnë strategjitë, politikat dhe qëndrimet, me qëllim që t’i udhëheqin këto zhvillime dhe jo të udhëhiqen prej tyre.
Nisur nga e shkuara historike e njerëzimit mund të shohim dy kategori të mëdha drejtuesish/liderë, atë të udhëheqësit të cilin e nxjerrin rrethanat historike të një populli e shteti, si dhe atë të kategorisë së drejtuesit modern, në kuptimin se në shoqëritë dhe shtetet moderne, përgjithësisht nuk ndihet më nevoja historike e drejtuesve të tipit të parë, por sot, më tepër është fuqia e institucioneve ajo që nxjerr drejtuesit e shoqërisë e të shteteve.
Për sa i përket kategorisë së parë, këto lloj drejtuesish i lind nevoja e brendshme historike e një vendi. Ata kanë dalë në skenat e njerëzimit pas problemesh të mëdha e të papërballueshme të popujve të vet dhe me fuqinë e tyre të vullnetit, të shpirtit e të mendjes së lartë, i kanë dhënë drejtimin e duhur njerëzve të tyre në momentet më të rënda të historisë së popujve të tyre. Kategoria e dytë janë njerëz të formuar nëpër shkollat më të mira të vendeve të tyre dhe më gjërë, në mënyrën më institucionale të mundshme, duke u përshtatur me nevojat e reja të shoqërisë moderne. Në shoqëritë e sotme nuk kërkohen më drejtues që të duhen të shpëtojnë nga vdekja e rreziku popujt e tyre apo gjeneralë që të fitojnë luftëra të jashtëzakonshme, përkundrazi, sot ka nevojë për njerëz, liderë të qetë, drejtues që punojnë e jetojnë nëpërmjet veprimeve të kryera mbi arsyetime të cilat gjithnjë marrin parasysh zhvillimet e botës moderne, ku në qendër të cilave gjendet gjithsesi njeriu dhe shoqëria jonë e shekullit të 21, me vlerat e reja të pranuara botërisht nga të gjithë.
Të gjithë kemi dëgjuar dhe dëgjojmë të flitet për drejtimin duke dhënë përcaktime të ndryshme rreth këtij problemi, por pavarësisht prej tyre, thelbi i drejtimit qendron në faktin se ai është një proces ndikimi tek njerëzit për të arritur një ose disa synime, objektiva, apo për të përmbushur një mision të caktuar pra, ai është diçka virtuale që duhet jetuar, duhet ndjerë shpirtërisht dhe duhet bërë pronë e drejtuesit, duke e përmirësuar çdo ditë. Parimet kryesore të drejtimit kanë të bëjnë kryesisht me kompetencat profesionale, njohjen e vetvetes, udhëheqja me shëmbullin vetjak, kujdesi për bashkëpuntorët, aftësitë komunikuese, bashkëpunuese, motivuese, krijuese e arsimuese, marrjes së përgjegjësive etj.
Ja si e përkufizon lidershipin Schwarzkopf,(Gjenerali që udhëhoqi luften në Gjirin Persik): “Unë ju them njerëzve se lidershipi është një kombinim i dy gjërave i karakterit dhe kompetencës”. Një drejtues i ri, fillimisht nuk ka shumë rëndësi se sa di, se sa i aftë është ai profesionalisht. Rëndësi kanë në radhë të parë marrëdhëniet që krijon drejtuesi me bashkëpuntorët. Më pas ndikimet vijnë e bëhen të ndërsjellta dhe është pikërisht personaliteti i drejtuesit, karakteri i tij, ai që luan rol vendimtar te bashkëpuntorët, që i orienton ata në aspektet e komunikimit, bashkëpunimit e besimit të ndërsjelltë. Parimisht, në shumicën e rasteve drejtuesit e mirë nuk lindin të tillë por ata formohen dhe bëhen si rezultat i punës së tyre të përditshme. Nëse ju keni dëshirën dhe vullnetin e duhur mund të bëheni një drejtues i suksesshëm.
Drejtuesi i suksesshëm kompletohet nëpërmjet një procesi të pafundëm vetëstudimi, edukimi, arsimimi, trajnimi dhe pa dyshim përvoja jetësore përbën bazën e suksesit. Drejtimi nuk duhet ngatërruar asnjëherë me detyrimin. Të drejtosh, para së gjithash, do të thotë t’i bindësh njerëzit, t’i frymëzosh ata në punë. Bindja dhe frymëzimi nuk mund të arrihen brenda ditës, javës apo muajit. Për të arritur këtë, drejtuesi duhet të ketë krijuar “emrin” e tij, karakterin dhe personalitetin e vet, duhet të ketë fituar njohuri të gjera e të thella për punën me njerëzit, duhet të jetë bërë i pranueshëm për bashkëpuntorët. Pra drejtimi është një proces kompleks me të cilin një person ndikon mbi të tjerët për plotësimin e një objektivi, detyre ose misioni të caktuar dhe drejton grupin, në mënyrë të tillë që e bën realizimin e këtij misioni më tërheqës dhe më koherent për grupin. Drejtuesi vë në jetë këtë proces duke zbatuar atributet e tij të drejtimit (besimin, vlerat, etikën, karakterin, njohuritë dhe aftësitë e tij). Dëgjojmë shpesh të thuhet që “x” drejtues është njeri me personalitet, me karakter të fortë dhe epitete të tjera pozitive, që rrjedhin nga emri i mirë i tij në punë. Sigurisht, kur këto opinione dëgjohen nga vartësit dhe bashkëpunëtorët e tij, pa i imponuar kush,(kjo është shumë e rëndësishme), sepse imponimi i drejtuesit tek vartësit sot është bërë moto e përherëshme, tregojnë se ai me sjelljen e tij me mënyrën e tij të drejtimit, ka lënë gjurmë tek ata. Dhe ky respekt, ky opinion do të ruhet nga vartësit edhe kur ky drejtues të mos jetë më i tillë.
Drejtuesi nuk duhet ta njehësojë veten me postin që i jepet. Ai lypset të ketë egon dhe personalitetin e tij si njeri. Mund të përmendim shumë emra drejtuesish të cilët, megjithëse janë në pension ose nuk janë më në poste drejtuese, ende kujtohen me respekt. Kjo ndodh sepse drejtuesi me personalitet është i prirur të krijojë marrëdhënie të tilla me vartësit e bashkëpunëtorët, që ata ta pranojnë atë jo vetëm si “autoritet zyrtar”, por edhe si “autoritet shoqëror”. Megjithse pozicioni si drejtues, të jep autoritetin të realizosh një sërë detyrash dhe objektivash, kjo fuqi nuk ju bën një drejtues të mirëfilltë, kjo ju jep ju vetëm pozicionin zyrtar shtetëror, duke ju bërë thjesht, udhëheqësin e nje populli, grupi, etj.
Kur një person është duke gjykuar në se ai ju respekton si një udhëheqës, ai nuk mendon rreth atributeve tuaja. Ai vështron çfarë ju bëni dhe kështu ai mund të njohë kush jeni në të vërtetë. Ai e përdor këtë vështrim për të treguar nëse ju jeni një udhëheqës i nderuar dhe i besuar ose, nëse ju jeni një person që i shërbeni vetes duke keqpërdorur autoritetin për t’u dukur dhe për të bërë karrierë. Udhëheqësit që i shërbejnë vetvetes nuk janë shumë efektivë sepse, vartësit e tyre u binden por nuk i ndjekin ata. Ata kanë sukses të përkohshëm në të shumtën e rasteve, sepse paraqesin një imazh pozitiv tek eprorët e tyre në kurriz të njerëzve që ata drejtojnë. Fatkeqësisht ky model po vërehet sot dhe është modeli më i shëmtuar i një udhëheqësi. Baza e një drejtimi të suksesshëm është ndershmëria e karakterit. Në sytë e bashkëpunëtorëve tuaj, efektet e të drejtuarit janë kudo, dhe ndikojnë jo vetëm në realizimin e objektivave por dhe në anën shpirtërore të tyre. Një udhëheqës i respektuar përqendrohet në atë se çfarë është në fakt, (besimi dhe karakteri) sa dhe si e njeh (punën, detyrat, natyrën njerëzore etj.) dhe çfarë ai bën (zbaton, motivon, siguron drejtimin etj). Çfarë e bën një njeri që të ndjekë një udhëheqës? Njerëzit duhet të jenë të udhërëfyer nga ata të cilët ata i respektojnë dhe të cilët kanë një ndjenjë të qartë drejtimi. Ndjenja e drejtimit është arritje e një vizioni të vazhdueshëm e të qendrueshëm për të ardhmen.
Lidhjet njerëzore përbëjnë pa dyshim aspektin më të besueshëm të një drejtuesi të suksesshëm. Sipas studjuesit Donald Klark i cili klasifikon si një aspekt shumë të rëndësishëm reagimin e drejtuesit ndaj vartësve të tij, ai arrin në përfundimin se: Gjashtë fjalët më të rëndësishme për një lider janë: “Unë e pranoj bëra një gabim”, pesë fjalët më të rëndësishme: “Ju bëtë një punë të mirë”, katër fjalët më të rëndësishme: “Kush është mendimi juaj”, tre fjalët më të rëndësishme: “Të lutem nëse”, dy fjalët më të rëndësishme: “Shumë faleminderit”, fjala më e rëndësishme: “Ne”, fjala më pak e rëndësishme: “Unë”. Kjo duhet të jetë motoja e një udhëheqësi apo drejtuesi të sotem me karakter dhe vision të qartë për të ardhmen e vendit të tij dhe popullit të tij.