
Nga Kristina Nano
Doktorante, James Madison University, SHBA/
Në skenën e tejngopur me retorikë të politikës shqiptare, Kryeministri Edi Rama u shfaq sërish me një premtim të vjetër të ricikluar si ofertë e re: “Ma jepni mandatin e katërt, që t’ju fus në Europë deri në vitin 2027 ose 2030.” Edi Rama, mjeshtër i narrativës personale, kërkon të përkufizojë veten jo si thjesht një Kryeministër i përkohshëm, por si i vetmi çelës që hap portën e Europës për shqiptarët.
Por le të ndalemi. Jo për të debatuar afatet, ato janë si valët e propagandës që i heq dhe i sjell sipas erës së sondazheve, por për të shqyrtuar thelbin e kësaj motoje: a mund të jetë integrimi europian pronë e një njeriu? A mund të jetë objektiv elektoral ajo që duhet të jetë projekt i përbashkët kombëtar?
Në këtë çast, lind pyetja themelore:
Kush është lideri i vërtetë i një kombi?
Ai që ofron rrugën drejt qytetërimit, apo ai që e përvetëson atë rrugë për të zgjatur pushtetin e vet?
Që nga antikiteti, figura e Liderit-Shpëtimtar (Soter në greqisht) ka përndjekur popujt në kriza.
Populli i zhgënjyer, i lodhur nga rraskapitja e përditshme, kërkon një “Mesia politik” që premton të jetë ura drejt një bote më të mirë.
Por siç shkruante Max Weber, “karizma e liderit është gjithmonë një monedhë që inflacionohet shpejt kur bie në grackën e rutinës së pushtetit.”
Një lider që e përdor karizmën për të konsumuar një ideal të përbashkët në funksion të mbijetesës së vet politike, nuk është më prijës, por manipulator i ndërgjegjes kombëtare.
Edi Rama nuk premton thjesht reforma.
Ai premton shpëtimin.
Por shpëtimi që lidhet me emrin e një njeriu të vetëm, nuk është më shpëtim, është fushatë.
Ai shfaqet si mbret i padukshëm i qytetërimit europian, që vetëm po i dhamë “besën e mandatit të katërt”, do të na çojë në përqafimin e Brukselit.
Por në këtë rrëfim, ndodh një perversitet konceptual: Europianizimi kthehet në monedhë pushteti, jo në proces emancipimi kombëtar.
Kjo është blasfemi politike.
Integrimi europian është aspirata e çdo shqiptari, është projekti më i rëndësishëm i përbashkët i kombit tonë pas pluralizmit, dhe jo bileta e radhës në lotarinë e pushtetit personal të një lideri.
“Unë ose kaos!”, “Unë ose izolimi!”, “Unë ose dështimi!”, këto janë formulat e shekujve të errësirës, jo të një shoqërie që synon të jetë pjesë e familjes europiane të demokracive të zhvilluara.
Kur lidershipi reduktohet në imazh, kur programet bëhen spote, dhe kur votuesi trajtohet si konsumator, atëherë politika shndërrohet në teatër shitjeje, jo në akt shërbimi.
Guy Debord, në veprën “Shoqëria e Spektaklit”, shkruante se në botën moderne realiteti zëvendësohet nga imazhi dhe spektri i spektaklit e përthith substancën e të vërtetës.
Edi Rama është artist i këtij spektakli.
Ai e pikturon vetveten si misionar, ndërkohë që rrënon besimin në institucionalitet, në bashkëpunim politik dhe në shoqëri civile.
Në këtë logjikë, çdo kundërshtar i integrimit të pronësuar prej tij, cilësohet si anti-europian, pengues, sabotues.
Ai nuk sheh më kundërshtarë politikë, por heretikë apo pamundësues të Europës.
Jean Monnet, një nga etërit themelues të Bashkimit Europian, thoshte:
“Ne nuk bashkojmë shtete, por bashkojmë njerëz.”
Kjo do të thotë se integrimi nuk është një lojë me një fitues dhe shumë humbës. Është një rrugëtim kolektiv që kërkon ndërtimin e institucioneve, konsensusin e shoqërisë, reformimin e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit, mediat e lira dhe konkurrencën politike reale.
Asgjë nga këto nuk mund të arrihet përmes një lideri që përdor BE-në si dekori i skenës së vet personale.
Përkundrazi, kjo i largon shqiptarët nga Europa.
Kur lideri bëhet më i rëndësishëm se procesi, atëherë nuk kemi më udhëheqje, por kult personaliteti.
Kur lideri kërkon të bëhet historia, atëherë historia ndalon së ecuri.
Shqipëria nuk ka nevojë për liderë të përjetshëm.
Ka nevojë për institucione që i mbijetojnë liderëve.
Ky është thelbi i republikës demokratike.
Këtë e shkroi Montesquieu, e shpërtheu John Locke, e jetësuan etërit themelues amerikanë.
Asnjë vend nuk u bë i qytetëruar duke besuar se shpëtimi vjen nga një lider që “i di të gjitha, bën të gjitha dhe vendos për të gjitha”.
Demokracia është ndërtim kolektiv, jo teatër me një protagonist absolut.
Nëse Edi Rama e do integrimin vërtet, ai duhet të punojë për të forcuar institucionet, jo për të zbehur opozitën.
Të krijojë garë reale, jo lojë me kukulla.
Të lejojë kundërshtimin, jo të blejë pëlqimin.
Lideri i Kombit nuk është ai që fiton më shumë mandate.
Është ai që mbjell kulturën e bashkëpunimit politik, që lë pas një shtet të fortë, dhe që është i zëvendësueshëm sepse ka krijuar një sistem që nuk varet nga ai.
Edi Rama e ka bërë të kundërtën.
Ai ka ndërthurur qeverisjen me arrogancën, reformat me propagandën, drejtësinë me kontrollin.
Dhe tani, kërkon edhe një mandat, që të përfundojë rrugën europiane që e ka kthyer në autostradë private.
Shqipëria nuk ka nevojë për një Lider të Ofertës Europiane.
Ka nevojë për një lidership që shërben dhe largohet.
Që ndërton dhe nuk kthehet më.
Që hap rrugën dhe s’e zë për vete.
Që shikon Europën si destinacion të një populli, jo si shenjë triumfi personale.
Prandaj, përballë këtij marketingu të lodhshëm elektoral, le t’i themi me zë të qartë:
Jo, zoti Kryeministër.
Integrimi europian nuk është monedhë për mandatin e katërt.
Është destinacion i një kombi që s’mund ta përfaqësojë vetëm një emër.
Është rrugëtim i një shoqërie që meriton të ecë edhe pa ju.
Në vitin 2025, Shqipëria ka nevojë për më shumë vetëdije, jo për më shumë retorikë.
Për më shumë institucione që ecin vetë, jo për liderë që s’i lënë vend askujt tjetër.
Ka ardhur koha ta ndajmë liderin e kombit nga lideri i ofertës së rradhës.
Europa nuk pret më.
Ajo kërkon dinjitet, seriozitet dhe bashkëpunim, jo anëtarësim me spektakël dhe selfie.