Nga Ilir Levonja-Florida/
”Berisha iku, e bëri si burrat, burri. Me mijra njerëz zevëndësuan cover-up e tyre në fb me portretin e tij. Atëhere fitimtarë, jo për ‘të, por për këta mijra që e duan, shpresuan, panë dhe besuan tek ai liderin apo gjeniun, lëreni të ikurin në shenjtërinë e tij.” Këto radhë i kam shkruar disa ditë pas dorëheqjes tënde publike. Pasi e tillë ishte… Ose kështu mendoj unë, historike. Qoftë edhe për kalendat e brishta të historisë së vendit tonë të vuajtur. Njëzet e dy vite lider?! Kohë e madhe. Por që fatkeqësisht, pavarsisht shijeve të mia, mendjes time. Ka nga ata që të krahasojnë për pushtetin absolut edhe me Enverin. Në fakt është një lloj justifikimi i përvitshëm, që çohet e përçohet nga njëri lider tek tjetri duke ndëshkuar kaq brutalisht shoku-shokun. Veç me fjalë dhe tension situatash. Por asnjëherë ligjërisht. E kështu për të mos u zgjatur, është krijuar një kulturë sharjesh në këtë vend të ”mallkuar” sa ia ka kaluar edhe diktaturës së proletariatit.
Megjithatë t’i mbetesh lideri im. Kam rastisur të ndodhem fare pranë, që nga koha e pardesyve të bardha. Kam ndjerë se si tronditej asfalti nën këmbët tona. Sepse po vije ti. Më shungullojnë akoma fjalë të tilla, si bashkëvuajtës. Apo bizhuteritë e grave do të shesim që të bëjmë rrugën e kombit etj. E sa e sa të tjera. Por ndërkohë kam parë edhe mizëri, urrejtje, vrasje. Dhe konflikte që nuk janë aspak pjesë e reale apo normale e një demokracie. Qoftë kjo e brishtë edhe si kjo e vendit tonë. Edhe pse po ikën treçereku i parë, i kësaj kohe të re. I sistemit të hapur, të ëndërruar. Prapë ka urrejtje, ka mosmarrëveshje të natyrës shekullore, që nga rënia e Perandorisë Osmane. Madje më të forta. Pasi akom kudo, të gjithë ne, demokratë, ballistë, monarkistë, legalistë, socialistë, komunistë. Me dëshmorë të tillë. Me akademikë të tillë. Me shkenctarë, apo intelektualë të tillë. Mëshojnë dhe kërkojnë të na shkojë vetëm e jona. Asnjëherë çështja. Ajo për të cilën ne mendojmë se po i shërbejmë. Akoma kemi armiq dhe luftë klasash.
Një detaj. -Akoma nuk janë hapur dosjet.
Madje kemi politikë klanesh. Ose politikë të marrë peng. Brenda një grupi të përjetshëm njerëzish. Të cilët me dashje ose pa dashje, po i ngjajnë Enverit. Ndërkohë ne i premtuan shoqërisë tonë pastrimin.
Një detaj tjetër. -Kryetarë të përjetshëm. Qofshin këta në parti, në bashki të ndryshme. Emra që zgjidhen me dhunë, me imponim. Përjetësisht pushtetarë, siç është edhe rasti i ishaleatit tënd Ilir Metës. Ndërkohë ne i premtuam shoqërisë tonë promovimin e vlerave.
Unë mund të ndalesha gjërë e gjatë, gjithë këtë ditë të bekuar. Por nuk ia vlen. Për më të thjeshtën arsye. Përfundimin po të njëjtë. Në këtë pengmarrje që i është bërë atij vendi. Qoftë edhe në dëshirën më të vogël, për të thënë mendimin ndryshe. Askush nuk ka kurajo. Nga të gjitha krahët. Përse.? A mund të quhet kjo arritje? A është kjo demokracia? Nuk ia vlen edhe për një përfundim tjetër. Bojkotet. Dhe prapë lufta brenda të njëjtëve personazhe. Pra pengmarrësve. Ndërkohë ne i premtuam shoqërisë tonë filozofinë e rrjedhës së ujit.
Sot në një nga postimet e përditshme të tua. Që më dha edhe shkak të shkruaj këto radhë. Na flisje për kriminelin Ilir Meta. Kupolën e krimit. Kur mendoj se ne qeverisëm më ‘të për kaq vite. Habitem. Trishtohem. Sado nuanca brutale të ketë loja politike. Prapë paska nga këto që nuk u kapërdikan fare. Një kupolë e tillë nuk bëhet për një ditë. Ndërkohë kujtohem se si në një natë dimri, ti shkove befasisht në shtëpinë e Ilirit. Dole vonë dhe në entuziazmin e gjellëve dhe verës na fole se për një farsë të montuar. Për presion, a ku di unë se çfarë. Ndërkohë e gjitha kjo i ngjan atij inati me vajzën që nuk na eci. Ne e kishim në mesin tonë Lirkën. Flirtuam me ‘të. U dashuruam. E mbrojtëm me fanatizëm. Aq sa harruam pemët e kopshtit tonë të bukur.
Sa mirë sikur të na i kishe thënë atë natë, këto që po na thua sot.
Që të besonim në ekzistencën e një lideri.
Megjithatë Lideri im, më duhet ta mbyll me po të njëjtin paragraf që e hapa. Ndofta ato fjalë që ua thashë dikur lexuesve. Më duhet të t’i them edhe ty. ”Berisha iku, e bëri si burrat, burri. Me mijra njerëz zevëndësuan cover-up e tyre në fb me portretin e tij. Atëhere fitimtarë, jo për ‘të, por për këta mijra që e duan, shpresuan, panë dhe besuan tek ai liderin apo gjeniun, lëreni të ikurin në shenjtërinë e tij.”