Trojet shqiptare “nuk janë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh/
Nga Frank Shkreli/
Sipas një numri burimesh historike, Kuvendi Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit u hap më 10 qershor 1878, por jo të gjithë pjesëmarrësit e krahinave shqiptare që duhej të ishin aty mundën të arrinin në kohë. Sipas historianëve, nga ata që mungonin ditën e parë ishin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë, njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri, pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Si rrjedhim nuk dihet numri i saktë i delegatëve që morën pjesë ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes së Prizrenit.
Thuhet se në hapjen e Kuvendit morën pjesë rreth 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës, sipas burimeve. Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Shënohen emra të njohur personalitesh të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Perandorisë Osmane ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të vendeve fqinje ballkanike. Objektivi kryesor i pjesëmarësve në Kuvendin e Lidhjes mbarë Shqiptare të Prizrenit ishte përpilimi i një platforme politike me kërkesat e shqiptarëve, që do duhej t’i paraqitej Fuqive të Mëdha para se fillonte punimet Kongresi i Berlinit disa ditë më vonë.
Në këtë përvjetor, po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar, si dhe pjesëmarrsit në atë Kuvend mbarë-kombëtar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit – me ndihmën e Poetit të Kombit, At Gjergj Fishtës, i cili i ka kushtuar Lidhjes së Prizrenit, Këngën e IX të veprës së tij madhështore, “Lahuta e Malcisë”. Në këtë poemë, Fishta fton Zanën e maleve që së bashku me ‘të, të këndojë në “Lahutë”, ngjarjen historike të shqiptarëve, që është Lidhja e Prizrenit. Ai e fillon vjershën me thirrjen e Ali Pashë Gucisë, “Fill me dalun në Prizren, për me ngreh aty kuvend, e si motit për Atdhe, me lidhë besë me lidhun fe”. Ali Pashë Gucia qet kushtrimin anë e mbanë trojeve shqiptare për të mbledhur në Prizren, burrat më në shenjë, “Krenët e Shqyptarisë”, të Gegërisë dhe Toskërisë. Duke iu përgjigjur kushtrimit të Ali Pashë Gucisë, turren kreshnikët e Kombit në qytetin zëmadh të shqiptarëve:
M’ato maje të Prizrenit
Ku kanë ndejun rend pas rendit
Me Ali Pashën në krye të vendit…
…Ai nuk asht, more lum vasha
Tjetërkush veç se Ali Pasha
Që për të drejta të Shqyptarisë
Vet ia jep zjarmin shtëpisë,
E s’i dhimben nanë as djal:
Për to jetën vet e falë.
Në poemën e tij, “Lidhja e Prizrendit” Fishta përmend disa prej krerëve shqiptarë më në zë të asaj kohe, pjesëmarrës në kuvend dhe u këndon atyre si grup i dalluar dhe i zgjedhur ndër shqiptarët e asaj kohe dhe hapësire shqiptare:
“Jo që ka aty burra të tjerë,
Bajraktarë, Krenë e Beglerë
Që për fjalë e për urti
Për trimni, për bujari
Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej
As në Shqipni as ndër të huej…”
Ndër pjesëmarrësit e njohur në Kuvendin e Lidhjs së Prizrenit, në poemën kushtuar Lidhjes së Prizrenit, Fishta i dedikon disa rreshta Vat Marashit, bajraktarit të fisit të Shkrelit:
“E njaj tjetri ma përtej
Me ata dy mustakë të mëdhej
Me i prekë m’shoq që ka për bri vedi,
Ai nuk ashtë, jo Diomedi,
Por ashtë Bajraktari i Shkrelit,
Si njaj pyrgu m’ball të kështjellit,
Që s’e tremb as topi as shpata,
E i thonë emnit Marash Vata…”
Në Epopenë Kombëtare të Fishtës, “Ora e bardhë e Shqipënisë”, i shef krerët e Shqiptarisë, “Trima në za, burra me nderë”, të mbledhur aty në Prizren – nga mrizet e lartësive të malit më të lartë, Lubotenit, ku e Mira ka ndejën e vet , ndërsa gëzohet dhe thërret Zanën e Sharit –
“Në gjuhë të ambël të Shqyptarit,
Thirrë i paska Zanës së Sharit”, dhe e pyet nëse i njihte ata burra të rreshtuar në Kuvendin e Prizrenit. Zana, disi e habitur para asaj pamjeje madhështore të homeridëve të rinj, kujton se Shqiptarët e mbledhur aty, mund të jenë Akejt e vjetër që dikur kishin “kallur” Trojën ose, ndoshta, mund të ishin Dardanët. Ban buzën në gaz Ora e Maleve dhe i shpjegon Zanës motër se ata nuk ishin:
“As Akejë, as s’janë dardanë,
as vigaj, as katallaj”,
Por ishin pjesëmarrësit heronj shqiptare, ndër ta: Ali Pasha, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Toptani, Zogolli, Gjetë Gegë Shllaku, Çun Mula, Mar’ Lula, Dod Preçi, Vrioni, Deralla, Shan Deda, Abdullah Dreni…
Ndërsa Abdyl Frashërit, At Gjergj Fishta i jep atij një vend të veçantë duke portretizuar atë kështu në poemën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit:
“A e she’ ‘i herë njat burrë zeshkan,
Me kollçikë e me fistan,
Që m’ a ka synin si zhgjeta,
Që m’ i bajn t’ gjith t’u ngjatjeta,
E që folka ashtû pa u zé,
Herë tue mâtë, mandej tue pré:
Që prandej njat fjalë që e flet,
Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
Pse edhè e tij bujare
Permendë âsht n’ tokë Shqyptare
Për kah pupla e për kah dija,
Pá të cilat s’ rron Shqypnija?
Ai âsht trimi Frashër Begu,
Që gjithkund, ku e qiti shtegu,
I la naâm aj Toskënís,
Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.”
Fishta përcjell në poemën e tij mbi Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit se, ndërsa Ora dhe Zana bisedojnë me njëra tjetrën, Abdyl Frashëri hap Kuvendin dhe flet me një gojtari të shquar, si i përket derës së tij letrare, mbi vjetërsinë e fisit shqiptar, kulturën e lashtë të tij, trimërinë e qëndresën gjatë shekujve, dashurinë për Atdhe dhe për luftërat e racës shqiptare për të ruajtur pavarësinë. Abdyl Frashëri vazhdon fjalën e tij duke bërë thirrje për daljen zot të trojeve shqiptare të sakatuara, për shpëtimin e tokave shqiptare, Hotit, Grudës e Plavë e Gucisë nga Mali i Zi. Ndërsa Bajraktari i Shalës, Mar’ Lula, në interpretimin e At Gjergj Fishtës, i thotë Kuvendit se për të dhe për shqiptarët mbarë, si shkjau, si turku, janë armiq të njëjtë. Në fund, sipas vjershtarit të “Lahutës së Malcis”, Ali Pashë Gucia propozon që nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit t’i dërgohej një letër Fuqive të Mëdha të asaj kohe dhe mbretit në Stamboll – “Të shtatë krajlave dhe Mbretit të Stambollës”, duke thekësuar se trojet shqiptare nuk janë as të italianëve, as të ‘hinglizvet, as e francezëvet’, as të gjermanëvet e as e sllavëve, grekëve dhe as otomanëve, këndon Fishta. Ai ka përfunduar vjershën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit, se Mbretit të Stambollit, i cili “do t’ia falë Shkodër e Malci”, Knjazit të Malit të Zi, t’i thuhet se Shqipëria nuk “ashtë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh:
“Por ashtë toka e t’Parvet tanë,
Asht Atdheu, po, i Skanderbegut…
Prandej s’ka as Krajl as Mbret
Që ket tokë e falë a e shet…”
A ka sot burra Shqiptaria, që të frymëzohen nga burrat e Kuvendit Mbarëshqiptar të Prizrenit që — mbi të gjitha — të mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos shesin, as mos të falin tokat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike, për interesa afat shkurtra personale e partiake? Në këtë udhëkryq të historisë së Shqiptarëve dhe në këtë përvjetor të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit,
nga do t’ia mbajnë udhëheqsit e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë. Si e kanë ndër mend të dalin nga ky qorrsokak në të cilin e katandisur Kombin? Nga do ta drejtojnë këta sot timonin e fatit të Kombit? Drejt një rruge pa krye që çon në greminë, në të cilën duket se, me konfliktet aktuale politiko-ekonomike, ata janë nisur sot — apo do të frymëzohen nga bashkimi i burrave të Lidhjes së Prizrenit—duke hequr dorë nga dallimet e thekësuara politike dhe ekonomike drejt horizonteve të reja për shqiptarët, duke rënë dakort për një platformë të re moderne mbarëkombëtare, në përputhje me nevojat dhe interesat madhore të Kombit në shekullin 21. Një prej kërkesave të Lidhjes së Prizrenit ishte edhe shpallja e një Bese të përgjithëshme në bazë të cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha konfliktet që çonin në hakmarrje midis banorëve të krahinave të përfaqësuara në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit. A jeni ju gati të deklaroni një paqe politike midis jush, e të lidheni besa-besë, si burrat e Kuvendit dikur, që nam e nder t’i leni vetes dhe Shqipërisë?!