Nga ILIR IKONOMI/*
Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, një organizatë lobiste shqiptaro-amerikane, festoi mbrëmë në Nju Jork 25–vjetorin e krijimit, me praninë e qindra njerëzve dhe të disa ligjvënësve të njohur të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve. Lidhja, e drejtuar nga Joe dhe Shirley Dioguardi, pati si temë kryesore të festimit tolerancën fetare mes shqiptarëve.
Ish-kongresmeni Joe Dioguardi, ka shumë gjëra për të treguar në këtë 25-vjetor.
Kur u themelua organizata kohët për shqiptarët ishin të vështira në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Zoti Dioguardi ishte anëtari i parë i Kongresit që solli në vemendje të qeverisë amerikane çështjen e të drejtave për shqiptarët me anë të një rezolute, qysh në vitin 1986.
“Arrita të bind disa njerëz të rëndësishëm, qysh nga fillimi, se shqiptarët kishin nevojë për vemendjen e tyre, pasi ata nuk kishin zërin që u duhej. Arrita të bind ligjvënës të tillë si Hyde, Gilman, Dole, Biden, McCain dhe Schumer. Ne gjithmonë jemi përpjekur që të sensibilizojmë njerëzit kryesorë nga të dyja partitë politike,” tha ish-kongresmeni Dioguardi.
Mbrëmë, i ftuari kryesor ishte senatori nga Arizona, John McCain, ish-kandidat për President.
Ai preku njërën nga temat që e përmend shpesh në fjalimet e tij në Senat – luftrat që bëhen sot në Siri dhe Irak, si dhe krimet e urrejtjes në botë që shpesh kryhen në emër të fesë.
“Në kontrast me këtë sfond është Shqipëria, Shqipëria që dallon nga të tjerët, një vend ku respekti dhe besimi reciprok mes ndjekësve të të gjitha feve, ka prodhuar bashkekzistencë paqësore në popullin e saj. Kudo në botë Shqipëria vlerësohet për toleracën e saj fetare, një burim shprese për t’u ndjekur nga i gjithë rajoni,” tha zoti McCain.
“Shembulli i shqiptarëve, tha senatori McCain, nevojitet më shumë se kurrë sot kur toleranca dhe liritë fetare po sulmohen. Mbrojtja jonë më e mirë është të flitet për atë lloj tolerance dhe bashkekzistence paqësore që shqiptarët demonstrojnë çdo ditë.”
Shirley DioGuardi, këshilltare për Çështjet e Ballkanit në këtë organizatë, thotë se kjo ishte pikërisht arsyeja që Lidhja zgjodhi temën e tolerancës fetare për të festuar 25-vjetorin:
“Ne të gjithë e dimë: bota shqiptare në Evropën Juglindore është në një gjendje të vështirë, e kam fjalën për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. Ne e dimë se ka probleme mjaft të mëdha në nivelin ekonomik, politik dhe shoqëror. Ajo që ne deshëm të theksojmë sonte ishte elementi që i ngre shqiptarët në të gjithë botën dhe kjo është toleranca fetare shqiptare. Ata janë në fillim shqiptarë, pastaj vjen feja,” tha zonja DioGuardi.
Jerry Nadler, kongresmen nga Nju Jorku, e ka njohur Joe dhe Shirley Dioguardin shumë vite më parë dhe, përmes tyre, ka krijuar mjaft afërsi me shqiptaro-amerikanët.
“Shumë hebrej në Luftën e Dytë Botërore u masakruan nga nazistët dhe pjesa më e madhe e botës nuk ndihmoi, sepse ose kishin frikë ose ishin antisemitë. Por shumë shqiptarë ndihmuan dhe kjo nuk duhet harruar, sepse njerëzit në rrezik duhen ndihmuar,” tha kongresmeni.
Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka një bord të përbërë nga njerëz, shumica e të cilëve kanë bizneset e tyre dhe kontribuojnë me çdo mundësi për të ndihmuar shqiptarët në Ballkan.
Anëtari i Bordit, Marash Nuculaj, tha:
“Ne shqiptarët e dimë se kush jemi, por është me shumë rëndësi që ta dijë gjithë bota. Dhe, po ta dijë Amerika kuptohet që do ta dijë gjithë bota. Toleranca fetare te shqiptarët është vërtetë një shenjtërim, një bukuri.”
Senatori nga Nju Jorku, Charles Schumer është njëri prej ligjvënësve që ka paraqitur në Kongres një projektligj për imigracionin.
“Një nga gjërat që do të bënte projektligji për imigracionin është se do të lejonte më shumë shqiptarë të vinin në Amerikë. Dhe, a e dini pse e bëra këtë? Sepse unë e dua vendin tim dhe sa më shumë shqiptarë të ketë në Amerikë, aq më më e mirë do të jetë ajo,” tha senatori.
Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka premtuar se do ta vazhdojë punën si organizatë lobiste për të mobilizuar më tepër mbështetje në Kongresin amerikan në favor të shqiptarëve në Ballkan.(Zeri i Amerikes)