NGA PËLLUMB GORICA/
Një ndenjë e bukur dhe e këndshme kënaqësie e shoqëroi udhëtimin tonë drejt juglindjes, mes një grupi miqsh të penës, me të cilët shpesh jemi të pandarë në takimet letrare. Mëngjesi gëzimdhënës, plot dritë, por edhe me aromë kundërmuese lulesh gjithfarësoj. Udhëtojmë luginës piktoreske të Shkumbinit plak. Malet, me madhështinë e tyre, e rrethojnë luginën e thellë. Thyrjet e relievit, diku me një ashpërsi tërheqëse, e diku të mbytur nga deti i gjelbërimit të drurëve të lartë e të shumëllojshëm me blerimin e harlisur, i japin një bukuri të veçantë. Pa fjalë një natyrë e magjishme shqiptare!
Kalojmë Elbasanin, Librazhdin, Përrenjasin. Makina duket sikur fluturon në peizazhet interesante, që të emocionojnë për çdo metër udhëtim. Herë pas here shfaqen e zhduken vendbanime të vogla, të shtrira në shpate kodrash. Po gjithsesi, me gjarpërimet e saj është një rrugë që ecet shpejt dhe këndshëm. Ajo kalon ngjitur rrjedhës së stërlashtë të lumit Shkumbin, gurgullues e i kaltër si një shirit argjendi, me vërshimin e ujrave drejt detit Adriatik.
Në liqen mahnitja dashuruar
Kur kalon Qafën e Thanës, një ndjesi e këndshme të kaplon si asosacion me malet e hirta në horizont, të mbuluara me qeleshen e bardhë dhe liqenin e Ohrit. Një peizazh magjeps si një poezi a telajo e pikturuar me ngjyra drite. Mes qiellit e tokës, ky liqen, një bukuri që natyra e krijoi, zemër e bukurive të Ballkanit. Re puplore era i lodron në hapësirën qiellore. Dielli, duke i sfiduar ato me ndriçimin vezullues, derdh rreze, të cilat, teksa përthyeheshin në liqen, e reflekton mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Kur vjen këtu në një ditë të tillë, e shijon më bukur prarimin magjik të liqenit, dhe natyrën rrethqark tij. Ndaj me syrin e aparatit fotografik e përjetojmë këtë peizazh të shushurimës së patrajtshëm të gjallesave natyrore, së bashku me freskipuhizën që rrudhos pasqyrën liqenore. Kodrat, malet, vendbanimet, si roje, i shtrohen në gjunjë. Qytetet e Ohrit, Strugës, Pogradecit, por edhe perlat turistikë: Shën Nauni, Lini, Driloni etj, me peizazhet e tyre të mrekullueshme, të mahnitin veçanërisht në ditë të kthejllta qiellore. Natën, dritat e tyre vezullojnë si yje uji në liqen. Lini, me shtëpi të ngjeshura rreth kodrës, të rrethuara me pemë të llojeve të ndryshme, të magjeps me pozicionin e tij tërheqës. I shoqëruar me peisazhin piktoresk buzë liqenit ai ngjason si një vapor i ankoruar prej kohësh. Ecim drejt Pogradecit, qytet i vendosur në skajin jugor të liqenit. Tablotë e natyrës kalojnë me radhë. I soditim këndshëm, duke thithur ajrin e freskët të stinës. Aty këtu shfaqen shtëpi dhe lokale midis mozaikut të kulturave bujqësore, dhe pemëve frutore të gjelbëruara. Buzë liqenit bari mbulon tokën si qylym i blertë. Bregut në ca kallamishte nositët cicërijnë. Valët numërojnë njëra-tjetrën në breg me një shushurimë të lehtë. Tutje ca varka lëkunden në sipërfaqen e pastër të ujit. Peizazhi tërheqës e piktoresk i qytetit të Pogradecit, të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe, kur kthehesh këtu pas shumë vitesh. Kam pasur rastin të vizitoj qytetin e Pogradecit shumë herë në fillim të viteve ’90, ndaj dhe shumëllojshmëria e objekteve të memories me kujtimet e asaj kohe, kaq natyrshëm më rrjedhin si ujëvarë. Godina të pakta disa katëshe, rrugë të shkatërruara, parqe të rrënuara, dritat e venitura… Qyteti sot më shfaqet më i mrekullueshëm e impresionues si një kartolinë shumëngjyrëshe. Ndërtimet e vjetra ndërthuren me simbolet e reja të zhvillimit modern të këtij qyteti. Pallate shumëkatëshe me modele të ndryshme arkitekturore, lokale, skulptura, parku, shatërvanë, rrugë të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë të tjerë dekorativë.
Shijojmë me ecjaket tona pastërtinë, ngjyrat, flladin e liqenit. Koloriti i ngjyrave të stinës i jep një tjetër hijeshi Pogradecit. Rugët e qytetit gumëzhijnë nga lëvizjet e vizitorëve. Pogradecarët, banorë të dashur e mikpritës ndjehen të lumtur që janë nga ky vend kaq i bukur, e me trashëgimi të pashtershme kulturore, historike dhe fisnikëri vlerash, që meritojnë pa dyshim respekt. Ata krenohen me qytetin e tyre, dhe figurat e njohura të tij. Liqeni, jo vetëm për forcë të zakonit, që nuk shprehet me fjalë, por, është një lloj pasqyre për Pogradecin dhe bukurinë e tij. Duke shkuar përtej pikëpamjeve nacionaliste, atyre u pëlqen ta emërtojnë liqenin me emrin e qytetit të tyre. Monumenti i Lasgushit, i ngritur fare pranë liqenit me vështrimin nga ai, plot hir dhe pak metra më tutje i Mitrush Kutelit, dy korifejve të penës, bij të këtij qyteti, përbëjnë simbolet e Pogradecit. U ndala pak çaste, buzë liqenit, atje ku valët e tij e flladitin fytyrën time të emocionuar, por edhe Lasgush Paradecin me Cucin, qenin e tij. Liqeni dhe Lasgush Poradeci identifikojnë njëri-tjetrin. Duke e kundëruar Pogradecin, malin e Thatë, liqenin, që llokoçit valët lehtë në breg, të kumbojnë vargjet e Lasgushit, kur derdh dhëmbjen për plagët e nositit:
“Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:
Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari.
Liqeni i shkretë e rrit tallazi porsi det
E shpirtin duke më përcjellë më thotë se
Ah! Shih sa është i thellë
Ky gjiri em që të patë pjellë”
Magjia ka zbritur në Drilon
Të shkosh në Pogradec e të mos vizitosh Drilonin është sikur të mos kesh ardhur fare aty. Kjo sepse Driloni është një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare. Ky vend, që dikur quhej një “mollë e ndaluar”, sot është një mrekulli për t’u shijuar nga gjithkush. Ai ka një panoramë qetësuese të parkut të vogël, i mbushur me drurë të lartë, dhe me shtrirje përgjatë ujrave të kristalta e të qeta. Të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja është ë vështirë, sepse imazhet të rrëmbejnë befasishëm. Kundërmimi i luleve, romantika mahnitëse sa reale, dhe e ëndërrt, mërmërima e lehtë e flladit, shto këtu përjetimin e pllaquritjes së pulëbardhave, të peshqve të veçantë, që marrnin shikimin e vizitorëve të shumtë, dhe varkave të vogla, apo simfoninë e cicërimave të zogjve nëpër pemë, të bëjnë të ndjehesh i dehur nga kënaqësia. Ajo të pushton aq shumë mes këtij pejzazhi tërheqës, duke të bërë gati të dalldisur me ngjyrat, aromat, freskinë… Nën rrezet shëndritëse të diellit ujrat e freskëta dhe hijeshia e natyrës të jep kënaqësi ripërtëritëse. Është peisazh i bukur, por, që e humbet atë kur dëmtohet. Përballë këtij peizazhi të bukur e të mirëmbajtur spikatin ndërtimet e vjetra, por e trishtuar është ajo që vështron buzë liqenit në Tushemisht. Një përzierje e vorbullës, të asaj që ne i themi zhvillim me ndërtime të reja, e betonizim pa kriter buzë liqenit, duke e ngushtuar hapësirën e plazhit. Edhe pse me nota jete në zhvillim, ndërtimet e zbukurojnë këndshëm këtë vend, por vlerat nuk mund të kthehen kurrë në antivlera duke i shkatërruar.
E padyshim krahas të tjerave këtu nuk mungojnë bar kafetë, restorantet dhe hotelet me shije të ndryshme, të cilat ofrojnë pushime, por dhe zbavitje të këndshme. Kryesisht aty gjen një shërbim të kulturuar, dhe ajo që është me rëndësi, përkujdesjen e veçantë. Driloni është i preferuar edhe për gatimet tradicionale, sidomos të koranit, peshkut që gjendet vetëm në liqenin e tij.
Në Drilon, në çdo stinë të vitit shijohet freskia e mëngjezeve, puhiza e mbrëmjeve,por mbi të gjitha mikpritja pogradecare.
– Driloni i mbushur me aromë natyre, të jep një ndjesi mjaft pozitive si një privilegj i së bukurës,- të thotë Besniku, bashkëbiseduesi dhe miku ynë pogradecar.
Driloni është një poezi që meriton të interpretohet. Këtu natyra të përkëdhel aq bukur, edhe kur qielli është gri, apo në ditët e dimrit me borë është më fantastik, aq sa të josh ta vizitosh atë përherë. Se ska si të ndodh ndryshe, në këtë perlë magjepse të natyrës shqiptare gjithkush që e viziton e gjen parajsën e shpirtit të munguar.