Nga Astrit Lulushi/
Liria është gjëja më e mirë që bota ka njohur ndonjëherë. Por shpesh ajo trajtohet si modë, lihet mënjanë në favor të gjërave që duken më të rëndësishme. Shumica, p.sh., pëlqejnë fjalën e lirë vetëm kur ajo është e lirë, dhe heshtin kur disa flasin me oratori se si të kthejnë vlerat e modës së vjetër. Harrojnë se që të kthehesh prapa është si të kthehesh në ferr me tiranë, kur liria dergjej, si i plagosuri i strehuar në shtëpinë e miqve të vet për të mos rënë në duart e fanatikëve. Ta ndalosh tjetrin për të bërë një gjë është ta bësh të mos e heqë kurrë nga mendja, thotë Michel De Montaigne.
Tirani kur ikën, gjithnjë lë pas birin e tij, autokratin e sotëm, i cili përdor të njëjtën formë qeverisëse, ku fuqia e pakufizuar mbahet nga një individ i vetëm. Fjala autokraci nga shumë fjalorë përcaktohet si bigmanizëm, despotizëm, diktaturë, tirani – të gjitha të njohura, ndërsa shumë të tjerëve u kujtojnë sundimin primitiv të pak dekadave më parë që provoi se socializmi, në fakt, nuk është aspak ideologji, por një metodë për të konsoliduar dhe kontrolluar njerëzit, pasuritë e tyre dhe të të gjithë vendit. Kështu mund të kuptohet pse paradoksi i njerëzve super të pasur që promovojnë socializmin nuk është aspak paradoksal. Socializmi, nuk është, siç pretendon, lëvizje e masave të shtypura, por lëvizje e elitës ekonomike. Kështu ishte më 1944, më 1990, kështu vazhdon të jetë sot.