
Në këtë kohë të sfidave të reja për kombin tonë, ne duhet ta theksojmë me zë të lartë dhe të qartë: Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë, e ligjshme dhe e domosdoshme për mbijetesën e popullit shqiptar në Kosovë.
UÇK-ja u ngrit nga dheu i Kosovës, nga plagët e dhunës, nga gjaku i derdhur dhe nga dëshira e pashuar për liri. Ajo ishte përgjigjja ndaj një regjimi shtypës, që për dekada të tëra përpiqej të shuante identitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve të Kosovës martire.
Luftëtarët e lirisë mbrojtën vatrat shekullore të kombit, mbrojtën nënat, fëmijët dhe pleqtë që përballeshin me spastrimin etnik. Ata u ngritën për liri dhe dinjitet njerëzor, duke e bërë luftën e tyre pjesë të përpjekjeve të drejta të popujve që kërkojnë liri dhe vetëvendosje.
Kjo luftë e drejtë mori përkrahjen e botës demokratike dhe të aleancës më të fuqishme ushtarake në historinë moderne — NATO-s, e cila me ndërhyrjen e saj ndaloi gjenocidin dhe i hapi rrugë lindjes së shtetit të pavarur të Kosovës.
Sot, kur çlirimtarët përballen me procese të padrejta dhe me përpjekje për të njollosur luftën e shenjtë të popullit tonë, është detyrë kombëtare dhe morale të qëndrojmë krah tyre.
Liria e Kosovës është rezultat i sakrificës sublime të popullit të Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kososovës është vlera dhe krenaria e kësaj sakrifice për liri, shtet dhe dinjitet kombëtar.
Dr. Elmi Berisha,
Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”