Nga Astrit Lulushi/
Njerëzit kundërshtojnë atë që e kanë menduar ose kanë dashur ta bëjnë vetë, ose anasjelltas, “kurrë mos bëni atë që kundërshtari dëshiron, vetëm nga që ai e dëshiron”, u thoshte Bonoparti ushtarëve. Por taktikat kanë ndryshuar. Liria varet sa i guximshëm tregohesh, ose sa frikacak. Çlirimi i rastësishëm, që po rastësisht u sjell njerëzve vetëm fryrje, mburrje a krenari, me kalimin e kohës i bën ata të bien përsëri në skllavëri; liria e falur nuk zgjat shumë pasi nuk është liri e fituar. Prangat pak nga pak shtrëngohen dhe pa pritur kupton se lirinë e ke humbur, ua ke dorëzuat atë të tjetëve, je bërë skllav i tyre. Kjo të jep ty të drejtën vetëm të ankohesh dhe tjetrit të sillet si të dojë me ty.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, e bëri një paralajmërim të tillë kur u kthye në Krujë pas shumë vitesh mbajtjeje peng nga perandoria osmane. Sipas Barletit, ai i tha popullit: “lirinë nuk ua solla unë…”…por përpiquni ta fitoni, sikur donte të thoshte. Kur Skënderbeu vdiq më 1468, pas 25 luftrash pandërprerje, arbnorët u tronditën e u pikëlluan. Vdekja e tij hapte udhën për robëri të dyfishtë; nga pushtuesi dhe nga vetja. Atyre tani do t’u duhej jo vetëm t’i shtroheshin turkut por edhe t’i bashkoheshin atij. Skënderbeu i kishte mbajtur të organizuar e me disiplinë të fortë. Edhe kjo kishte qenë barrë e rëndë. Pa ‘të tani, ata ndjeheshin të çliruar. Por, kjo disiplinë i kishte mbajtur ata të lirë edhe nga pushtimi i huaj.