Nga Alfons Grishaj/
Zogjtë nuk kanë mure, nuk kanë kufi, nuk kanë dilema. Ata janë të lirë të ulen në tokë, të këndojnë në pemë, të fluturojnë, pra të gëzojnë hapësirën e pafund si asnjë qenie tjetër. Njeriu me xhelozinë që e karakterizon nuk mjaftohet me praninë dhe bukurinë e tyre, me muzikën natyrale, por ka dëshirë t’i izolojë nëpër kafaze (burgje), t’i shfrytëzojë në mënyrë origjinale çfarë tregon traditën e sojit të tij. Ai, pra njeriu, pretendon që përveç zogjve dhe kafshëve të kufizojë lirinë e vetvetes.
Shën Françesku i Asizit, fliste me zogjtë, kafshët dhe me peshqit. Kur fliste me zogjtë, Ai u drejtohej më fjalët: “Vëllezër e motra”. Zogjtë e dëgjonin me ëndje dhe kënaqeshin me praninë e Tij, duke e rrethuar dhe i zbritur mbi krahë, prehër e kudo mbi trupin e Shenjtit. Të njëjtën gjë bënte me kafshët, biles një herë, Ai bindi ujkun që të sillej si njeri (Tranzicioni i shpirtit…). Ujku kishte sjellë shumë telashe në zonën e Gubbios. Shenjti shkoi në atë zonë dhe në prani të një mase populli i doli para kafshës së egërsuar duke bërë shenjën e kryqit! Shën Françesku do t’i drejtohej me këto fjalë: “Hajde tek unë vëlla ujk. Në emër të Zotit dhe Jezu Krishtit, të urdhëroj, mos lëndo askënd më”! Atë moment, ujku i egërsuar, pasi dëgjoi fjalët e Shenjtit, u zbut dhe u shtri buzë këmbëve të Tij. Shën Francesku bëri pakt me popullin e Gubbios, që ujkun ta ushqenin shtëpi për shtëpi me rrallë. Ujku u ushqye nga banorët e Gubbios deri sa vdiq…
Megjithëse kanë kaluar pothuajse 790 vjet, kur Shën Françesku i tregoi botës se frymorët kanë një krijues dhe para krijuesit çdo frymor është i barabartë. Njeriu shpesh herë i kalon kufinjtë, tregohet super frymor, dhe pse jo, “pretendon” për fronin e Zotit!
E kam thënë dhe më parë se fjala e Tomas Hobs, është aktuale dhe sot, “Njeriu është ujk për njeriun”, paçka që Shën Françeskun, ukjun e bëri me arsye për të bashkëpunuar me njeriun-ujk.
Pas 790 vitesh, shfaqet një tjetër Françesk, jo shenjt, por Papë. Ai nuk e gëzon dhuntinë të flasë me zogjtë, me peshqit dhe kafshët, por flet si mos më mirë me njeriun e për njeriun… Ai është brum i përdheshëm siç ishte dhe Shën Françesku i Asizit. Papa i sotëm shkon tek të varfërit tek të burgosurit. Predikon për një botë sa më pak të varfër, të mos ketë luftra, të mos ketë urrejtje ndërfetare dhe etnike, paqe e dashuri midis njerëzve. Papa Françesku, duke njohur historinë e emrit të tij, është i përkushtuar në ekstrem për fatet e njeriut. Ai, kur dëgjoi teorinë e Donald Trump për të ngritur mure …, u shpreh: “Kristianët nuk ngrejnë mure”!
Reagimi i Atit të Shenjtë pati një jehonë të madhe në opionionin botëror. Por, disa media shpesh degjenerojnë për interesa që vetë ato nuk i shpjegojnë dot. Në emër të “profesionalizmit mediatik”, një pjesë e shtypit u përpoq të fuste opinionin botëror nën grackën e sofizmave. Ky kah mediatik e komentoi Papën si Socialist, dhe Donald Trump si kundërshtarin e tij, duke harruar besimi në Zotin tek Amerikanët është parësor në gjthçka, dhe reflektohet gjithandej përfshi edhe dollarin, ku shkruhet: “In God We Trust”. Donald Trump, do të shprehej se Papa Françesku është “Great Guy”. Gjithashtu Trump nuk i kurseu kritikat ndaj medias. Shqetësimi i Tramp është një hallkë e zinxhirit të kohës dhe jo Eureka! Po, për çfarë shqetësohet Papa Françesku dhe pse ai është kundra mureve midis shteteve?! A nuk ishte një mur i tillë që ndante Gjermaninë përgjysëm? Papa Voitila dhe Presidenti Regan, punuan për ta rrënuar atë mur që populli gjerman të bashkohej dhe të gëzonte të drejtat e veta. Atëherë, përse duhen të ngrihen mure të tilla sërish, dhe sidomos kur mendohet se më tepër popull latin ndodhet brenda Amerikës se jashtë saj?
Mure! Në shekullin XXI mure?! Enver Hoxha kishte bërë një mur të madh për t’u mbrojtur nga “armiqtë” e jashtëm, por realisht, ai, ngriti një burg të madh për popullin e vet. Absurditeti, apo paradoksi është manteli i të dobtit, kurse zgjuarsia dhe racionaliteti është fraku i njeriut të fortë.
Tramp, mendon të ngrejë një mur që me kalimin e kohës mbase do ta quaj një mendim të shpejtuar, Po, shembulli i kombit tonë ekziston realisht. A nuk është një mur i tillë që ndan popullin shqiptar midis Tiranës dhe Prishtinës?
Budallenjtë, dhe dashakëqinjtë do të pyesi: “ku është muri që nuk e shohim?”. Po zotërinj! Është muri i njeriut, që ngre mure dhe brenda këtyre mureve, muros frymë njerëzish si inkuizitori Tomas de Torquemada …
Papa Françesku, me frymën e Zotit dhe ndihmën e Shën Françeskut të Asizit, duhet të prononcohet hapur dhe për popullin shqiptar të ndarë në dy pjesë. Liria dhe besimi duhet të jetë kundër mureve dhe “muret” duhen të jenë të barabarta për çdo vend. Raporti i lirisë në krahasim me raportet e tjera është më i larti dhe më i çmuari. Për njeriun, muri është si shall i metaltë rreth qafës dhe perde e errët …
Shpresoj se zëri i të vërtetës do ta zgjojë qenien e njeriut si mision për të rifituar qëllimin dhe jo rastësinë, për të rifituar barazinë frymore dhe jo ngurtësinë materiale. Siguria dhe paqja vjen prej frymës dhe jo prej gurit-murë.
Shpendi është sinonimi i lirisë, prandaj Shën Françesku shkonte midis tyre dhe fliste me ta… Ndjekja e shembullit të shpendëve do ta çlironte njeriun përgjithmonë prej ngurtësisë së objektit të rrethuar…
Asllan Bushati says
Miku im Alfons, pajtohem me Ju.Ne vazhdim te ideve tuaja mund te shtoj se:Liria (ne gjykimin tim), eshte hapsire besimi per fetare e ateiste,eshte mundesi e madhe veprimi,frymezimi per te sotmen dhe te ardhmen.Mundesi per komunikim,bashkpunim, progres, gjenerim energjishe dhe mirqenie.Kurse muret, pengesat e kufijt hermetik jane inversi i lirise.Druaj se, kete qytetrim (civilizim), te ndertuar me kaq mund e sakrifica njerezore, mund ta shkaterrojne ose ndalin zhvillimin e tij perkohesisht,vetem eksrtemizmat e tejskajshem politik dhe fetar.