Ramush Haradinaj shpallet i pafajshëm/
Gjykata për krime lufte në Hagë, shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajn dhe dy ish bashkëluftëtarët e tij për të gjitha akuzat për krime lufte/
Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte. Gjykata ndërkombëtarë për krime lufte shpalli të pafajshëm edhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.
Shpallja e vendimi u ndoq nga shumë qytetarë në qendër të Prishtinës e cila u përfshi nga fishekzjarrët pasi që kryetari i trupit gjykues, Bakone Justice Moloto shpalli se tre te akuzuarit janë të lirë.
Ish kryeministri Haradinaj, i cili qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u nxor sërish në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzoheshin për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte. Akuzat lidheshin me veprimtarinë e zotit Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt. I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj, u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat, për siç thuhet, trajtim mizor dhe torturë.
Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim në korrik të vitit 2010. Vendimi për rigjykim të pjesshëm ishte i pari i këtij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Kosova mirëpret lirimin e Ramush Haradinajt
Vendimi i Gjykatës së Hagës është mirëpritur nga udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një komunikate thekson se vendimi i sotëm “është edhe një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë për krimet që u janë veshur“.
Ajo ka përgëzuar gjithashtu qytetarët e Kosovës “për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës në përpjekje për të kërkuar drejtësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe durimin e tyre gjatë kësaj periudhe“.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke uruar qytetarët e Kosovës thekson se “lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e shenjtë. Kjo u vërtetua nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës sot, dhe do të dëshmohet përsëri me rastin e Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij”.
Në komunikatë thuhet se “ky proces i stërzgjatur kundër zotit Ramush Haradinaj, zotit Idriz Balaj dhe zotit Lahi Brahimaj ka qenë shumë i dhimbshëm për t’u përballuar jo vetëm për ata dhe për familjet e tyre, por ka qenë shumë i vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shtetin tonë. Fatmirësisht, durimi ynë dhe besimi që kishim në drejtësinë ndërkombëtare sot u shpërblye me vendimin e drejtë dhe të merituar”.
Serbia e zemëruar më lirimin e Ramush Haradinajt
Autoritetet në Serbi reaguan me zemërim ndaj vendimit të Gjykatës së Hagës për lirimin e zotit Haradinaj. Në një komunikatë të zyrës së presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, thuhet se ky vendim “nuk është i bazuar në të drejtën dhe drejtësinë” dhe kjo i vështirëson përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon.
“Për krime të tmerrshme ndaj serbëve të Kosovës nuk do të dënohet askush”, thuhet në reagim, në të cilin nënvizohet se “vendimet e këtilla nxisin separatizëm, i vështirësojnë përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon, i dëmtojnë përpjekjet e deritashme për normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit me Prishtinën, dhe e rrisin euro skepticizmin tek populli i Serbisë”.
Ndërsa qeveria e Serbisë, e ka cilësuar siç thuhet, “të turpshëm” vendimin e Gjykatës së Hagës.
Nëpërmjet zëdhënësit të saj ajo vlerëson se “kjo është një goditje e rëndë për drejtësinë dhe një pengesë serioze për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Pakënaqësi është shprehur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Një nga udhëheqësit e Këshillit Kombëtar serb Nebojsha Joviç, tha se zhvillimet në Gjykatën e Hagës kanë dëshmuar se asnjë krim ndaj serbëve nuk do të dënohet.
“Populli serb qoftë në Kroaci apo në Kosovë është shpallur shënjestër e ligjshme“, tha ai.
Ndërkaq ndaj vendimit reagoi edhe organizata Amnesty International, sipas së cilës kjo ngre pyetjen se “nëse të tre ish pjesëtarët e lartë të UÇK-së nuk janë fajtor, atëherë kush i ka kryer këto krime?”
Në reagimin e kësaj organizate thuhet se 800 pjesëtarë të komuniteteve pakicë në Kosovë, ka dyshime se janë rrëmbyer dhe vrarë nga UÇK-ja. Vetëm një numër i vogël i trupave të tyre është gjetur, zhvarrosur dhe kthyer te familjet e tyre për varrim.
Tirana reagon për lirimin e zotit Haradinaj
Tirana zyrtare dhe politike mirëpriti sot shpalljen të pafajshëm dhe lirimin nga Gjykata e Hagës të kryetarit Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani deklaroi se vendimi i Gjykatës së Hagës për të çliruar nga të gjitha akuzat Ramush Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn është një fitore e rëndësishme e drejtësisë dhe shprehje e shkëlqyer e paanësisë së kësaj Gjykate.
Ky vendim ka një dimension human për familjarët dhe të afërmit, është i një dimensioni kombëtar për shqiptarët që mbështetën me përpjekje të pandërprera çlirimin e Kosovës, për të rënët që bënë sakrificën sublime, për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për rolin dhe imazhin e saj në betejat për të mbrojtur qenien shqiptare nga një makineri shfarosëse dhe për të fituar lirinë” – thuhet në deklaratën e presidentit, të shpërndarë enkas për këtë ngjarje. Presidenti Nishani thekson se popujt e rajonit duhet të shikojnë nga e ardhmja e përbashkët duke lënë pas të shkuarën, por pa e harruar atë.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se “ky ishte lajmi më i gëzueshëm që më erdhi mua e të gjithë shqiptarëve”. Zoti Berisha tha se pafajësia e Ramush Haradinajt është triumf i drejtësisë ndërkombëtare e i ligjit ndërkombëtar, dhe se përpjekjet për të simetrizuar gjërat josimetrike kanë marrë përgjigjen e merituar nga Gjykata Ndërkombëtare.
“Nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim tek drejtësia dhe tek pafajësia e zotit Haradinaj” – tha zoti Berisha, duke vlerësuar zotin Haradinaj si ish kryeministër i Kosovës e “komandant legjendar i njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që mbrojtën me qindra e qindra civilë nga barbaritë”. Kryeministri Berisha e ftoi zotin Haradinaj në Shqipëri, të festojnë së bashku këtë ditë të madhe dhe 100 vjetorin e pavarësisë, duke theksuar se një ditë më parë uroi gjeneralit Gotovina, “hero kombëtar i popullit mik kroat”, për pafajësinë që mori nga Gjykata Ndërkombëtare.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se Ramush Haradinaj është “heroi i gjallë i UÇK-së”. Ai ka fituar për herë të dytë pafajësinë dhe “lirimi i tij nga Tribunali i Hagës i ka dhënë edhe një herë të gjithë legjitimitetin dhe krenarinë kësaj lufte të drejtë që bëri populli shqiptar në Kosovë” – tha zoti Meta
Qytetarët përshëndesin vendimin e Hagës
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, i cili të enjten e liroi nga akuzatRamush Haradinajn dhe dy bashkëluftëtarët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, nga qytetarët në Prishtinë është vlerësuar i drejtë dhe si një vendim, i cili jo vetëm se i shpall të pafajshëm të akuzuarit, por që nxjerr në pah edhe vlerësimin për një luftë të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qytetarët e mbledhur pranë ekraneve të mëdha në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, e kanë përcjellë me mjaft emocione, vendimin për lirimin e Ramush Haradinajt.
Shaip Jusufi nga Podujeva, i përlotur, tha se vendimi i Gjykatës në Hagë, lidhur me Haradinajn dhe bashkëluftëtarët e tij, e çoi në vend drejtësinë, ndonëse, sipas tij, pak me vonesë:
“Vendim shumë me vend. Ramushi ka qenë luftëtarë i lirisë… si i tillë nuk është dashur të burgoset. Sot është dita më e bukur në këto 100 vitet e fundit, përveç pavarësisë”.
Zheraldina Çeku theksoi se drejtësia për luftëtarët kosovarë ishte vënë në vend nga Gjykata e Hagës:
“Drejtësi e vonuar apo e pa vonuar… por, kurrë nuk është vonë. Vendim me vend. Normalisht, sepse është vetëmbrojtja dhe mbrojtja e popullit. Mirëpo, këtë moment e përjetuam të gjithë, shumë të gëzuar dhe të lumtur. Ka qenë moment i shumëpritur dhe shpresojmë dhe besojmë se do të ecim përpara”.
Lirimin e Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Mahmut Raxhepie quajti moment shumë të rëndësishëm për Kosovën:
“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën. Është momenti i lirimit të Ramush Haradinajt. Me këtë verdikt, Gjykata e Hagës vërtetoi pafajësinë e Ramushit, si dhe luftën e pastër të UÇK-së për lirim”.
Sadete Vitia tha se lirimi i Haradinajt është një lajm shumë i mirë për Kosovën:
“Nuk po kam shumë fjalë për të komentuar, për arsye se jemi shumë të emocionuar edhe unë, por edhe në përgjithësi qytetarët që po i shoh. Por, me një fjalë, u bë shumë mirë. Më në fund, drejtësia doli në shesh dhe u bë shumë mirë. Dashtë Zoti e kthehen mirë ata”.
Për Idriz Gashin është fitore të drejtësisë lirimi i Haradinajt, Brahimajt dhe Balajt nga akuzat, me të cilat u përballën në Gjykatën e Hagës:
“Mendoj se drejtësia ka fituar. Tribunali i Hagës e ka dhënë atë verdikt që e ka merituar Kosova, çfarë e ka merituar prijësi i luftës. U vërtetua se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë luftë e drejtë, ka qenë luftë mbrojtëse dhe kjo rezultoi me lirimin e sotëm të zotit Haradinaj dhe dy të tjerëve të akuzuar. Është fitore e madhe për popullin e Kosovës, sepse ai do t’i kthehet Kosovës me atë vrullin dhe elanin që e ka lënë në vitin 2005”.
Halit Shabani nga Gjakova, lirimin e Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, e quajti moment të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët:
“Megjithatë, thonë se e vërteta gjithsesi del në shesh dhe kjo korrespondon me atë që edhe vetë Ramushi me shokët e tij u lirua dhe bota e ka parë se ne kemi zhvilluar një luftë të drejtë dhe të pastër. Kështu që, kjo korrespondon me atë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për çlirimin e vendit. Ky është një moment jashtëzakonisht i mirë, jo vetëm për këta luftëtarë, por për krejt kombin shqiptar”.
Arritja e Ramush Haradinajt në Prishtinë, u prit me kremte nga qytetarët. Ata ishin dyndur drejt sheshit “Nëna Terezë” duke ardhur nga rajone të ndryshme të Kosovës.
Demush Mehmeti tha se lirimi i Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, është shkak për të festuar në gjithë Kosovën:
“Kjo për mua dhe besoj se për të gjithë qytetarët e Kosovës është një kënaqësi e madhe, sepse më në fund fitoi drejtësia. U lirua njeriu i pafajshëm, u arsyetua lufta e drejtë e UÇK-së, u vlerësua lufta çlirimtare e popullit të Kosovës me në krye komandant Ramush Haradinaj dhe të gjithë komandantët e tjerë. Populli shqiptar, së paku në aspektin shpirtëror, ndjen një liri dhe kënaqësi”.
Edona Jusufi theksoi se vendimi i Gjykatës së Hagës ka qenë mjaft domethënës për figurën e Haradinajt dhe bashkëluftëtarët e tij:
“Kjo do të thotë shumë. Pas 7 vitesh u pa që përnjëmend ka qenë e drejtë krejt ajo që ka folur ai (Haradinaj) dhe ajo çfarë ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
Miftar Brahimaj, nga Jabllanica e Gjakovës tha se Gjykata e Hagës e vërtetoi atë që, sipas tij, kosovarët e kanë ditur që moti:
“Vlerësojmë që lufta jonë ka qenë e drejtë dhe kjo u vërtetua nga drejtësia e Tribunalit”.
Halit Rexhepi nga Gjilani, vlerësoi se kthimi i Ramush Haradinajt nga Haga do të bëjë kthesë edhe në skenën politike në Kosovë:
“Sigurisht do të jetë një promotor në politikën kosovare, i cili shumë gjëra do t’i shtyjë përpara, sepse ai e ka dëshmuar me aktivitetin dhe punën e tij edhe në periudhën sa ka qenë 100 ditë kryeministër i Kosovës. Prandaj, shpresat e kësaj popullate janë që do të bëhet një kthesë në politikën kosovare”.
(Kortezi Zeri i Amerikes)