
Prof. Bardhosh Gaçe/
Timo Flloko i njohur si artist i shquar i skenës së filmit me disa role të spikatura, tashmë paraqitet edhe si poet, gati në të njëjtën lartësi artistike, si në rolet e figurave që ka mishëruar. Qysh në vitet e shkollës së mesme “Ali Demi” në qytetin e Vlorës”, krahas aktrimit u shfaq tek ai edhe talenti i spikatur si poet, ku i këndoi detit, Vlorës, ullinjve, Sheshit të Kateqit e Sheshit të Flamurit, hapësirave të kaltra që i shfaqeshin në brigjet detare.
Vëllimi poetik “Kërcim në bosh” është një sprovë e suksesshme e vargut poetik, që shpreh njëherit një frymë dhe një përcjellje estetike të saj përmes këtij vargu punuar e latuar me kujdes e në mënyrë fine të poetit. Vargu i poetit dhe mënyra e përpunimit të tij, veçori e sendërtimit të ideve dhe krijimi i imazhit të tij flet për një lirizëm estetik, për një përkryerje të tij në konceptimin modern të mënyrës se si poeti i shikon gjërat, si i shtrin, ndërton dhe injekton imazhet me frymën e së bukurës.
Titulli “Kërcim në bosh” është mjaft i gjetur pasi lexon poezitë e këtij vëllimi dhe ka një domethënie kuptimore, e cila përthekohet drejt mendimit, se sendet apo nocionet mbi jetën janë të paplotësuara në vetvete dhe zbrazëtia e tyre mbushet me kuptimin që u jep njeriu. Kështu, imagjinata e poetit kërcen drejt thelbit të fillesës së gjërave për ta mbushur atë me forcën e fjalës dhe gjeracionin e saj e për ta bërë të bukur. Fjala çelës e imagjinatës “sikur” ndihet në poezinë e Timo Fllokos herë hapur e herë e nënkuptuar dhe poeti kërkon ta mbushë atë me fuqinë kreative të mendimit poetik.
Ky tipar kryesor i stilit të tij si një akt vlerësues i vetvetishëm dhe domethënës, e dallon poetin Timo Flloko, ndonëse në poezi ai vjen pas një përvoje të gjatë dhe të suksesshme me fjalën e aktruar. Në poezinë “Estetikë” poeti shprehet: “Atë që Zoti e krijoi të mangët/mjekësia estetike, tashmë e kthen në hir/rilind krijesa me pamjen e ndryshuar/shndërrohet defekti në përsosmëri”.
A po shkon bota drejt zhdukjes së kontrasteve dhe kjo zhdukje nëse ndodh, mos është një rrafshim dhe rrafshimi, lineariteti, njëtrajtësia, si gjithmonë e bëjnë jetën të mërzitshme? Përkundër kësaj, poeti ngre estetikën e fjalës së tij mbushur me kontraste, me relievime të mendimit, me hije e dritë të objekteve, të sendeve, të pamjeve, me gëzimin, frikërat, dyshimet etj: “Pi e çfarë mbeti/në fundin e gotës/nesër është eklipsi/ndoshta fundi i botës”, shprehet poeti në poezinë “Eklips në fundin e botës”. Në shumë poezi poeti shfaq gjendje ankthioze që vijnë të qarta dhe ankthi në poezinë e tij është transparent, jo i turbullt. “Shpirti im fillim e fund/pambarim di hapësira/dhe kur s’je, të krijon/si oazën shkretëtira”, citojmë këto vargje origjinale të poetit që thuren në vjershën njëstrofshe “Dashurisë”.
Poetin e shqetësojnë ato simptoma të shoqërisë së sotme moderne, janë shenja që ai i pikas në Shqipëri, por edhe në udhëtimet e tij në Evropë apo Amerikë. Këto simptoma shfaqen në përshkrimin e pamjeve të qyteteve metropolitane, në njerëzit që humbin identitetin. siç ndodh te poezia “Nën emrin e tjetrit”, “Në Nju-J-ork pa ty”, “Mbi urën e Bruklinit”: I vetmuar këtë fund dimri/endem Urës së Bruklinit/një oqean na ndan në mes/në prag të Shën Valentinit), “Në Paris (mozaik): “Hije Esmeralda/Kuazimodo, Febysi/botë fshehtësish/është Parisi”. E në këto vjersha poeti është i hapur, konkret, fjalëzgjedhës e me një delir të lehtë të mahnitjes nga bukuria e këtyre vendeve, delir që nuk përfundon në ekstazë. Ai zgjedh me kujdes detajet dhe i transubstancion në gjendje prej ndjesish të holla e vibrante.
Uni poetik i Timo Fllokos është një un i kulturuar, ku autori e përpunon këtë un me një shije estetike të veçantë, prandaj edhe lirizmi i tij buron e rrjedh natyrshëm përmes këtij formimi. Autori i percepton motivet dhe shtjellimin e tyre në këtë vazhdë, duke zbuluar nga thelbi i dukurive hijeshinë e së bukurës. Ai gjithnjë shqetësohet mbi motive dhe ide që mbartin një peshë të veçantë filozofike dhe atyre nuk u shkon në skaj, por u hyn në thelb, duke zbuluar atë çka është më e epërme: “Priste sërish ditën të shndriste aty/Ç’mëkat, bukuria jeton veç për sy” (poezia “Narcisi” f. 29). Është syri i ndërgjegjes së formuar e një artisti, i cili e shikon botën, motivet dhe e vë shqetësimin e tij poetik pikërisht në tallazitjen e përmbajtur të kësaj ndërgjegjje.
Poetin e intereson shumëçka që ka të bëjë me shqetësimet e një artisti, si artist i dyfishtë i filmit dhe i fjalës së aktruar, si dhe i fjalës poetike dhe këtu duhet shtuar edhe një përmasë tjetër, që është shqetësimi intelektual, tipare që i vëmë re me kënaqësi në muzën e tij dhe që shprehen e materializohen përmes një vargu plot sqimë e me kujdesin e merakun e një artistit për t’i dhënë fjalës forcën dhe ëmbëlsinë e tingëllimit melodioz.
Poeti e zgjeron unin e tij me një thurimë motivesh nga më të ndryshmet, si: motivet e mallit, të dashurisë, largësive, të udhëtimeve, të pandehmave të mëdha, motive të shqetësimit për botën, motive të artit, duke përdorur lirshëm dhe në kontekste të caktuara fjalësh, terma nga bota e artit, e kulturës, e mitit e nga fusha të dijes e të kulturës. Kjo tregon se shqetësimi i tij nuk është i një çasti, përkundrazi, është shqetësimi i një artisti të fjalës së bukur. Këto motive intimizohen prej një brishtësie tërheqëse dhe krijojnë një frymë të ngrohtë në poezitë e tij përkushtuese për nënën, për miqtë apo njerëzit e ndryshëm që kanë sjellë në mendimin e poetit një ngacmim të mirë.
Duke zgjeruar frymëmarrjen tematike-motivore, poezia e Timo Fllokos asnjë çast nuk e humbet rëndësinë e fjalës së bukur dhe të latuar, ajo mbart vetiu një frymë ngrohtësie dhe shqetësimi njerëzor, një ndjeshmëri prekëse që i vjen prej natyrës së tij prej artisti. Ky shqetësim nuk është i stisur, as materializohet prej një vargu pozant, por një vargu që buron nga ndjenja të fuqishme dhe vishet hijshëm me kostumin e mendimit dhe të figurës artistike.
Ligjërimi poetik i ngritur në nivelin e një shprehjeje të kulturuar na sjell një ritëm që nuk ngutet, por që vjen në mënyrë të përpiktë dhe të ngadaltë për ta thelluar edhe më tej në trajtën e tij të të shfaqurit. Këtë e shohim, e ndjejmë dhe e perceptojmë ashtu vetiu në poezinë “Krisht”, f. 49-50 të vëllimit, ku vargjet me gjatësi të ndryshme rrokjesh i ngjajnë një bisede që nuk mbarohet dhe ndalesat shprehin dhembje e mallëngjim ndaj sakrificës së Krishtit. E njëjta mënyrë perceptimi dhe ndërtimi të ritmit vihet re edhe në poezitë “Bisedë me Ajnshtajnin”, “Aty”, “Transgresion”, “Ceni i Davidit”, “Xhelozi e detit”, “Panteoni i një miku”, “Hy i pyllit të heshtjes” (Ali Podrimes), ku te kjo poezi e fundit spikasin vargjet e ndjeshme: “erdh koha, the/më lini këtu në shpirt të pyllit/me nimfat enigma/të fle”.
Ndryshon ky ritëm në poezitë “Vjena”, “Në Paris”, ku vargu katërrrokësh ka një përshpejtim ritmik, i cili në shpalljen e tij shpreh dinamizmin e jetës në Vjenë ose në Paris, ku poeti ndihet i mrekulluar nga ky dinamizëm dhe ritmin e organizon mjaft mirë.
Motivet e dashurisë në vëllimin “Kërcim në bosh” trajtohen nga autori, duke u dhënë një dimension të thellë mbi shfaqjen dhe realizimin e tyre nga një mendim përgjithësues: “Mirazhe dashurish thërmohen sysh/si të ishin ngrehina gjer te retë/por s’janë të përjetshme edhe pse/të larta kujtesës sa një Everest”. (Poezia “Krahë ëndrrash” f. 40). Në këtë konceptim ideor, dashurisë i këndohet në poezitë: “Flitë e Kleopatrës”, “Pasion”, “Sindroma e dashurisë”. Dashuria për poetin është “Le të ishte ajo iluzore/Si Kulla e Babelit që s’u ngrit asnjëherë”, dhe poeti nuk e shikon atë vetëm si një shfaqje konkrete, por më së shumti si një mister, si një forcë ndjenje të brendshme, e cila ka shumë gjuhë dhe shumë mistere, që sado ta ngresh lart kullën e saj nuk mbërrin dot deri te caku i saj i fundmë.
Poezia e Timo Fllokos në këtë vëllim, ashtu si dhe në mjaft cikle të botuara në shtypin letrar, është një krijim që e bart ëndrrën dhe e pështjellon atë duke ia vërtitur kuptimin me një fill të pashkëputur mendimi. Ëndrra te ky poet merr krahë nga mendimi për artin (“Duke parë operën “Aida”), ku poeti artin e lidh me një largësi dhe me një kujtesë, apo “Krimi i Shekspirit” një poezi tjetër meditative, jo nga më të bukurat në këtë vëllim, por gjithsesi e këndshme.
Poeti si artist i dyfishtë i dy zhanreve të artit është adhurues i së bukurës në jetë dhe në art. Shpesh vargu i tij nga një refleks i ngacmimit konkret kthehet në fluks refleksesh nga ngacmimet që i vijnë nga bota e artit, e historisë, e mitit apo të një rrafshi më të gjerë kulturor: “Plot dëshira të kyçura në vete/ëndërrimet e mbështjella si një vel/dashurova Pushkinin dhe zili ia kisha/gjeninë që e humbi në duel” (Poezia “Ëndrrat në sirtar”). Poeti tregon sa e fuqishme është ëndrra, se si ajo vjen dhe të pushton mendjen dhe shpirtin, se bota e një artisti të vërtetë, (siç është edhe Timo Flloko), bëhet e madhe, duke njohur artistë të tjerë, duke i adhuruar ata, pa smirë, pa ego të sëmurë, pa vetmburrje, sepse siç thotë Kadare “në tempullin e artit hyhet me dashuri”, një shembull i shkëlqyer me antipod me meskinët e vlerësimit të artit. Dhe këtë gjendje dehurie estetike e ndjejmë dhe e perceptojmë natyrshëm në mjaft poezi të këtij vëllimi, të cilat realizohen bukur, me ligjërim të rrjedhshëm e me mendime poetike interesante.
Poezia e Timo Fllokos të tërheq pikërisht për këtë botë ëndërrtare që frymon përmes koncepsionit të artit, si parakusht për të hyrë në një jetë që mbruhet e lartësohet me shijen e artit. Poeti pohon dhe konkludon, ai nuk përshkruan apo nuk vë elementin narrativ, duke i dhënë poezisë një nerv modern. Ai sjell në poezi unin e një artisti, unin e një njeriu që jeton me artin edhe përmes poezisë, edhe përmes kundrimit të tij dhe prirjes së natyrshme të një krijuesi për ta bartur këtë ëndërr me shkëlqimin dhe finesën që i jep arti: “Ngrita sytë, qiellin pashë/ku është skaji i tij, thashë/ai soset fundi vallë?/” (Poezia “Shkallë për qiell”). Një poezi që flet për një aludim të qartë, kështu është edhe arti, i ndryshueshëm dhe i pafundëm në mundësitë krijuese që të afron. E rëndësishme është ta duash dhe të përpiqesh ta njohësh.
Poeti Timo Flloko e përmbyll librin me tri poema, përkatësisht: “Përtej jetës”, “Pandehmë në Nju-Jork” dhe “Trumcaku”, si dhe disa tekste poetike në këngë.
Në poemën e parë “Përtej jetës” (Profondo) poeti ndërton një ligjërim metafizik, ku sjell në vëmendje të këtij ligjërimi koncepte e shtjellime idesh mbi kuptimin e jetës-dhe merr figura nga miti, historia, nga feja, si: Adami, Eva, Ikariusi, Aleksandri i Madh, Çezari etj, etj, deri te djalli. Në këtë poemë është jeta, kaosi i saj, qytetërimi i lashtë dhe modern, një përzierje historish dhe konvencionesh. Përtej një epoke është epoka tjetër që pason, përtej jetës është jeta me atë çka lë pas dhe kështu kjo poemë thuret midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës në një diskurs marramendës midis kuptimit e çkuptimit mbushur me plot paradokse.
Në poemën tjetër “Pandehmë në Nju –Jork” poeti jep një peizazh marramendës të Nju –Jorkut me një përshkrim thurur nga detaje bindëse, ku vizatohen pamje që rrotullohen me shpejtësi. Kjo shpejtësi e ethshme, e zhurmshme, ku “fantazma e lirisë/lartësisë/ofshan” dhe ku “zemra rreh/si një orë mekanike/e kurdisur vetëm një herë në jetë”, pikërisht në këtë qytet dhe përtej këtij qyteti poeti lartëson ritmin dhe të papriturat e Nju-Jorkut me një varg të çlirët dhe dinamik. Poeti i ngre parabolat e një qytetërimi të dukshëm dhe të padukshëm prej misterit të shfaqjes dhe humbjes së imazheve, duke dhënë kështu edhe thjeshtësinë e përzier me delir, aty ku: “kullat fantazmë/mbijnë papritur/qiejsh vetëtitës/nderen lartësitë/nga ankthi i dritës”.
Poemthi “Trumcaku” është ndërtuar mbi një fabul interesante, mbi zogun e plagosur që ngrihet sërish dhe humbet “në shtrojën e heshtjes”. Përmes kësaj fabule të thjeshtë poeti ndërton një paralelizëm figurativ mbi jetën njerëzore. Edhe tekstet e këngëve kanë një dinamizëm lirik të mbushur e të shpërthyer me energjinë e fjalës së poetit.
Ky vëllim poetik, me lirizmin estetik të tij, dëshmon për ndjesitë e holla dhe elegancën e shprehjes, për mprehtësinë e mendimit dhe figuracionin e gjendur në masën e duhur të të shprehurit, pa teprime e pa e ngarkuar vargun me figura për figura, një poet i kultivuar. Timo Flloko si poet me kulturë dhe njohje të jetës, por më shumë me njohje të artit, ngacmimet e tij poetike i ngre në një shqetësim intelektual dhe artistik. Vargu i tij është melodioz dhe rima vjen herë-herë rrallë dhe pa e kërkuar. Melodiciteti i vargut vjen nga fjalët e zgjedhura, sqimatare dhe ruajtja e ritmit, duke e sjellë atë natyrshëm jo si qëllim në vetvete, por që përmbushet mirë dhe të tërheq pikërisht për këtë melodicitet që krijon, duke shpalosur një botë të thellë estetike dhe artistike.