Prof.dr.Nusret Pllana/
( Në shenjë kujtimi të përjetshëm të 26 martirëve të këtij fshati të lashtë iliro – dardan)
Çdo shqiptar apo i huaj, kudo që do të jetë, brenda hapësirës gjuhësore të gjuhës shqipe, apo në ndonjë gjuhë tjetër të botës, si dhe kurdo që do ta ketë këtë mundësi, ta vizitoj Llashticën e përgjakur dardane të fund shekullit XX-të, sidomos kur të shoh moshën e viktimave të gjenocidit serb, do ta përjetojë një përmasë krejt tjetër të tragjedisë së luftës në Kosovë, një përmasë që aq shpesh nuk e përthekon mendja e njeriut normal në asnjë rrethanë, përveç kur njeriun e mund urrejtja shekullore dhe patologjike, siç ka ndodhur me serbët gjakatarë, kundër popullit shqiptar për më shumë se një shekull. Sepse, vrasja barbare e 26 civilëve duarthatë të këtij fshati të vjetër iliro – dardan, vrasja e e fëmijëve: Lirim Shabanit – foshnjë trijavëshe, që therret pamëshirshëm nga ushtari kriminel serb në duart e Nënës së tij Sevdije Shabanit, djegëja për së gjalli e Fisnik Shabanit në prehrin e Nënës së tij Zijaveres, të vrarë e të djegur për së gjalli, masakrimi që i bëhet nxënësit 11 vjeçar Lulzim Musliut – derisa po ikte thellë në mal për t’i shpëtuar gjelatëve të mizorisë serbe, masakrimi i plakës 90 vjeçare Habibe Ramushi, vajza e kryetrimit Idriz Seferi, është një gjenocid i planifikuar shtetëror nga bandat e uniformuara serbe dhe të ndihmuar edhe nga paramilitarët e fshatit Pisjan, është përpjekje për ta shfaros një popull të tërë nga faqja e dheut.
Nga kjo masakër gjenocidiale mbijetojnë : Deli Hyseni( tashmë i ndjerë), Vlora Shabani, Drita Hyseni, Ymer Hyseni, Blerina Hyseni dhe Leonora Hyseni e Driton Murseli.
Përmes tragjedisë kolektive të Llashticës, ne kujtojmë edhe masakrën e Llovcës, Lladovës, Zhegrës dhe të gjithë të rënët e prillit, majit e qershorit të vitit 1999, anë e kënd Kosovës martire. Rilindjet e këtyre familjeve të martirizuara pas luftës gjenocidiale viteve 1998 /1999, janë shembulli më i mirë se, populli ynë është i përmasava antologjike, sikur feniksi, « njëherë vritet e shtatë herë ngjallet ».
Vrasja dhe viktimizimi sidomos i fëmijëve shqiptarë, kishte marrë përmasat e gjenocidit edhe në vitet e luftës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Vetëm ato pak shënime që kanë mbetur, vetëm ato pak të dhëna që kujtohen herë pas here, mjaftojnë për të parë edhe me fakte, se çka ka ndodhur mbi atë pjesë të popullit shqiptar në vitet 1878- 1881, kur ishin zhbërë Kazaja e Nishit, e Topanicës dhe pjesë të tjera të banuara me shqiptarë, në të cilat sot nuk gjen as varre të shqiptarëve. Por, si për inat të historisë janë ruajtur, aty-këtu toponime, hidronime dhe mikrotoponime të ndryshme shqiptare, që dëshmojnë për faktin se dikur atje kishin jetuar shqiptarët, se dikur atje kishin luajtur fëmijët shqiptarë, deri kur mbi ta kishte rënë pesha e gjenocidit serb. Askush nuk e di sa fëmijë janë vrarë atje dhe në ato vite. Askush nuk e di ku kanë mbetur ata që kanë mundur të shpëtojnë. Askush nuk e di sa nga ata janë asimiluar deri në zhdukje. Sepse, vrasja dhe viktimizimi nga gjenocidi shtetëror serb i fëmijëve, është pjesë e shuarjes së jetës së familjeve të tëra. Sepse, kur janë vrarë dhe janë viktimizuar fëmijët në Kosovë, kur janë zhdukur pa gjurmë viktimat e fëmijëve të Kosovës, në një luftë me përmasa gjenocidi, ku familje të tëra janë shuar fare, ku ka familje që u ka mbetur vetëm një fëmijë, ku ka familje që as sot nuk e di ku e ka varrin e fëmijës së tij, ngase përmasa e viktimizimit ishte gjenocid ndaj fëmijëve dhe ndaj një populli të tërë. Prandaj, sidomos në Luftën e fundit çlirimtare të popullit shqiptar ku janë viktimizuar edhe fëmijët, janë shkelur normat elementare të të Drejtave të Fëmijëve, sipas Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, ku thuhet: “Duke pasur parasysh se domosdoshmëria për t’i dhënë një mbrojtje të posaçme fëmijës është pohuar në Deklaratën e Gjenevës mbi të Drejtat e Fëmijës, të vitit 1924 dhe, në Deklaratën mbi të Drejtat e Fëmijës të miratuar nga Kombet e Bashkuara, më 20 nëntor 1959 dhe, që është njohur në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në Paktin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike (në veçanti në nenet 23 dhe 24), dhe në statutet e instrumentet përkatëse të agjencive të specializuara dhe të organizatave ndërkombëtare, që merren me mirëqenien e fëmijës, duke pasur parasysh se, ashtu siç është thënë në Deklaratën e të Drejtave të Fëmijës “fëmija, për shkak të papjekurisë së tij fizike dhe intelektuale ka nevojë për një mbrojtje dhe kujdes të posaçëm, përfshirë mbrojtjen juridike të përshtatshme, si para ashtu dhe pas lindjes”, (KONVENTA MBI TË DREJTAT E FËMIJËS, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989). Shtrohet pyetja: Kur dihet se në Kosovë viktima të luftës gjenocidiale janë më shumë se 1432 fëmijë, cila organizatë botërore, që u zunë në gojë këtu, ka ngritur zërin kundër këtij gjenocidi dhe viktimizimit të fëmijëve shqiptarë?! Cila organizatë botërore, që u përmenden më sipër ka marrë në shqyrtim, i ka vënë në rend dite dhe ka aprovuar qoftë edhe një rezolutë kundër viktimizimit të fëmijëve shqiptarë nga ushtria dhe policia serbe, nga gjenocidi shtetëror serb mbi fëmijët shqiptarë?! Cila organizatë botërore, nga të gjitha ato që janë radhitur këtu, ka ngritur qoftë një padi të vetme kundër gjenocidit shtetëror serb të ushtruar edhe kundër fëmijëve shqiptarë, qoftë edhe sa për ta arsyetuar emrin e akëcilës organizatë botërore që ka marrë në mbrojtje jetën dhe të drejtën për jetë të fëmijëve, apo, sa shihet e sa dihet, fëmijët shqiptarë, viktima të gjenocidit shtetëror serb, nuk kanë qenë dhe nuk janë në listën e fëmijëve të botës. Kjo përmasë e tragjedisë së luftës në Kosovë është shkaktuar nga armiku shekullor i shqiptarëve, nga Serbia gjakatare e fundshekullit njëzetë( të cilën Serbi për fat të keq, trushpërlarët shqiptarë pa fije turpi e ushqejnë natë e ditë me duart e veta, oa u frikuar fare nga mallkimi i gjakut të fëmijëve të tyre), e cila Serbi edhe gjatë kësaj lufte gjenocidiale ka përdorur të gjitha metodat, mjetet dhe arsenalin shfarosës të nazizmit hitlerian dhe të fashizmit musolinian, jo vetëm nuk është trajtuar asnjëherë në organet e Kombeve të Bashkuara, por as që janë përmendur ndonjëherë. Nuk janë kursyer as nënat shtatzëna, ku aq shpesh fëmijët janë viktimizuar edhe në duart e nënës, kurse rastet kur ata janë nxjerrë nga barku i nënës, mendja e njeriut normal e ka vështirë ta përthekojë dhe ta gjykojë me gjakftohtësi këtë përmasë të gjenocidit shtetëror serb. Viktimizimi i fëmijëve shqiptarë është bërë aq shpesh edhe para syve të anëtarëve të tjerë të familjes, vetëm që të krijohej frikë tmerri, deri në atë shkallë, sa njeriu të nemitet nga pashpirtësia e ushtarakut serb, e policit serb, e kriminelit serb, e paramilitarit serb, andaj njeriu jo vetëm trishtohet, njeriu jo vetëm revoltohet, njeriu jo vetëm reagon, por ai për një çast shtanget, i merret gjuha dhe nuk mund ta thotë asnjë fjalë, i penetrohen këmbët dhe nuk mund ta bëjë asnjë hap. Njeriu, kushdo qoftë ai, lemeriset me ato që kanë ndodhur në jetën e fëmijëve tanë, të cilët janë vrarë dhe janë viktimizuar në mënyrën më çnjerëzore. Mendja e njeriut normal, të atij njeriu, i cili, qoftë vetëm njëherë nëse ka parë fëmijë duke luajtur në oborrin e shtëpisë, në oborrin e kopshtit të fëmijëve, në oborrin e shkollës, apo në rrugë, nëse ka parë fëmijë duke vrapuar pas bagëtisë në secilin nga fshatrat e Kosovës, të djegur, të rrënuar dhe të shkatërruar deri në themel, nuk mund të besojë se ata fëmijë janë viktima të një gjenocidi të paparë në historinë e njerëzimit, sidomos në këtë shekullin e fundit, aq më shumë që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej, gjenocid që ka ndodhur në mes të Evropës, para syve të njerëzimit, para syve të politikës evropiane dhe botërore, kurse shteti që ka bërë gjenocid, Serbia fashiste, as sot e kësaj dite nuk ka fuqi ta pranojë peshën e këtij krimi. Çdo shqiptar dhe çdo njeri në të Evropë dhe në botë, mund të pyes organet e drejtësisë evropiane, pse jo edhe Gjykatën Speciale të Hagës, se ata luftëtarë të lirisë që po gjykohen nën akuzën për ‘‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’’, a kanë qoftë edhe vetëm një dëshmi se kanë vrarë një fëmijë serb, a kanë qoftë edhe një dëshmi se kanë vrarë, apo e kanë lënë pa bukë qoftë edhe një plak, apo një plakë serbe, pse jo, le të pyetën dhe le të sillen dëshmi se ata ushtarë të lirisë që mbahen në Gjykatën e Hagës, a kanë dhunuar qoftë edhe një femër të vetme serbe. Këto dëshmi është e lehtë të sigurohen, në mënyrë që së paku të mos bëhet përpjekje, qoftë edhe me politikë kundër shqiptare, që të barazohet viktima me pushtuesin, viktima me kriminelin. Dëshmitë mund të sigurohen nga të gjitha anët e mundshme, që do të ishin jo vetëm reale, jo vetëm të besueshme, por se janë dëshmi të asaj aleance që kishte bërë Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me forcat demokratike të Evropës dhe botës, të cilat, një ditë mundësuan edhe ndërhyrjen e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Serbi dhe në Kosovë. Dëshmitë e këtilla, do të mund të siguroheshin nga të gjitha xhirimet satelitore, nga të gjitha xhirimet e televizioneve të botës, nga të gjithë ata dëshmitarë që kanë qenë mbështetës të luftës çlirimtare të shqiptarëve, kundër gjenocidit shtetëror serb. Do të mjaftonin edhe vetëm dëshmitë e Nusret Pllanës dhe Esat Shalës( që i kemi me miliona). Po ashtu, dëshmi të këtilla, do të mund të jepnin të gjitha komandat ushtarake të NATO-s, që kanë punuar drejtpërdrejtë me këta udhëheqës të luftës për liri, të cilët sot Gjykata Speciale e Hagës, i ndjek për vepër penale kundër njerëzimit, e cilësuar si ‘‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, ndërkaq kriminelët e qindra masakrave në Kosovë, por edhe të masakrës së Lashticës i kanë denoncuar me emër e mbiemër, qindra herë, Deli Hyseni tashmë i ndjerë dhe Vlora Shabani – të mbijetuarit me shumë plagë në trup e në zemër, bile, bile, ish prokurorja e Tribunalit të Hagës Luiz Arbur, ishte vet në vendin e krimit në Lllashticë, dhe sot e 25 vite më parë, le që nuk u dënua asnjë kriminel serb, por as që është akuzuar ndonjëri prej tyre. Por, kjo gjykatë e këtillë, jo vetëm nuk po ndodh, por po ndodh e kundërta: luftëtarët e lirisë ndiqen penalisht dhe ngarkohen me akuza për ‘‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’’, kurse në anën tjetër, u thonë shqiptarëve se nuk po dënohet as Lufta e UÇK-së, as populli shqiptarë. Njësoj, sikur të thonë, se vrasja dhe viktimizimi nga gjenocidi shtetëror serb ndaj më shumë se 1432 fëmijëve shqiptarë, nuk është vrasje e popullit shqiptarë. E këtillë është përmasa e tragjedisë shqiptare të Kosovës, kur janë vrarë dhe janë viktimizuar nga gjenocidi shtetëror serb edhe mbi njëmijë e katërqind fëmijë, që nga barku i nënës e deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare. Prandaj, dhimbja jonë kolektive në kujtim të 25 vjetorit të gjenocidit serb mbi shqiptarët e Llalshticës, nuk është vetëm dhimbje për 26 civilët e kësaj masakre me përmasa shfarosëse, por është dhimbje e parezistueshme për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende i kemi plagët e hapura edhe për zhdukjen e më shumë se 1670 shqiptarëve nga Serbia fashiste, e cila nuk ka kërkuar falje asnjëherë për gjenocidin dyshekullor mbi ne, por përkundrazi, edhe sot e kësaj dite e luan rolin e viktimës, dhe për fat të keq edhe më tutje mbetet e përkdhelura e Ballkanit dhe Evropës dyftyrëshe, edhe pse na kërcënon çdo ditë për nisjen e një lufte të re gjenocidiale.
Këto mijëra viktima të gjenocidit shtetëror serb, edhe këto të Llashticës dardane që po i përkujtojmë sot, në 25 vjetorin e rënjes së tyre në Altarin e Lirisë, në të njëjtën kohë, janë kundërshtarët më të besueshëm të gjenocidit rus mbi fëmijët e Ukrainës e të atyre në Gaza, apo kudo që ndodh vrasja e tyre e pafajshme nëpër botë.
Lavdi e përjetshme gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë!