Nga Frank Shkreli/
Disa javë më parë, ashtu si edhe çdo verë tjetër gjatë 17-viteve të fundit, në Kelmend të Malësisë së Madhe, u organizua një aktivitet kulturor me veshje, muzikë dhe valle tradicionale të Malësisë së Madhe. Në përgjithësi, kjo është një ngjarje për të venë në dukje trashëgiminë historike të kombit shqiptar, si dhe bukurinë natyrore të Alpeve shqiptare, por edhe për të pasqyruar vlerat, traditat dhe bukurinë karakteristike të grave dhe vajzave malësore të asaj treve. Historikisht, kjo traditë mund të rrjedhë qyshë prej kohës së Ilirëve, por në të vërtetë, ky “log” e ka zanafillën në kishat katolike të famullive kryesore anë e mbanë Malësisë së Madhe. E mbaj mend se edhe ndër malësorët e rrethit të Ulqinit, kjo traditë kishte mbijetuar deri aty nga mesi i shekullit të kaluar. Pas meshës, zakonisht Ditën e Pashkëve, organizohej një manifestim ku merrrnin pjesë të gjitha nuset e asaj zone që ishin martuar gjatë vitit, ndërkohë që banorët vendas mblidheshin për të përzgjedhur më të bukurën. Duket se tashti, “logu” i nuseve është shëndërruar në logun e vajzave të reja të moshës 16-25 vjeç, që marrin pjesë në këtë konkurim vjetor, për tu përzgjedhur si më e bukura e Logut të Bjeshkëve.
Organizatorët, me të vërtetë meritojnë lavdërime për këtë nismë vjetore, pasi kur të merren parasyshë rrethanat ekonomike dhe kulturore të asaj zone të shtypur egërsisht gjatë komunizmit dhe të lënë pas dore në periudhën post-komuniste — nuk është lehtë të organizohet një aktivitet i tillë për çdo vit. Si nip i Vermoshit, mua më bëhet zemra mal kur shoh një manifestim të tillë të trashëgimisë historike dhe të kulturës dhe traditave të lashta të Malësisë së Madhe. Është kënaqsi për të parë se “logu” tashti është shumë më i sofistikuar se dikurë dhe se vlera kombëtare e një aktiviteti të tillë në ato treva të harruara ka filluar të tërheq edhe vëmendjen e Tiranës zyrtare, diasporës dhe madje edhe vizitorëve të huaj.
Fatbardhësisht, këtë vit organizuesit kishin gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës në realizimin e sivjetëm të këtij spektakli. Vihej re se e pranishme për herë të parë në këtë manifestim kulturor krahinor dhe kombëtar sivjet ishte edhe Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës, e cila pohoi se vizitonte për herë të parë ato zona të Shqipërisë së Veriut. Dhe shtoi se “ndjehem me fat që Ministria e Kulturës e mbështeti këtë ngjarje të jashtzakonshme që mbahet tani për shumë vite me rradhë në ato troje”.
Ajo u shpreh gjithashtu para të pranishëmve në log, se nga ajo vizitë mbeti e befasuar sepse nuk kishte pritur të shikonte një bukuri aq madhështore të natyrës dhe të ishte njëkohsisht dëshmitare e një kulture “përrallore dhe legjendash”, por aq të dinjitetshme të malësorëve dhe malësoreve vendase. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministrja Kumbaro përshëndeti me ngrohtësi pjesëmarrësit dhe pjesëmarrset që ajo i cilësoi si, “Zanat e Malësisë së Madhe dhe malësorët”.
“Tek shikoja dhe i dëgjoja, më kujtuan që gjithky vend, gjithkjo trevë e jashtzakonshme e Shqipërisë është shumë e mbarsur me legjenda, me gojëdhana, me përralla me të cilat edhe ne që nuk kemi pasur fatin të lindim në Malësi të Madhe, jemi rritë. Dhe gjithmonë kur flasim për legjenda i mendojmë si të pavërteta”, u shpreh Ministrja Shqiptare e Kulturës. “Pohoj që është hera e parë që vi këtu. Por sot që erdha e kuptova që ato që unë i kam ditë si legjenda në fakt qenkan të vërteta. Sepse këto vajza, këto çika të Malësisë janë ato zanat e vërteta me të cilat është ushqyer gjithë imagjinata jonë.” Ministrja Kumbaro shtoi se vizita e saj në Malësi i krijoi asaj një emocion të veçantë dhe se ndihej me të vërtetë me fat se ajo zgjodhi për të vizituar Malësinë.
Për nga natyra, preferoj që në gjithçka të shikoj më së pari anën pozitive. Në këtë frymë edhe e vlersova vizitën e Ministres së Kulturës në aktivitetin në fjalë. Si rrjedhim, më erdhi shumë mirë për pjesëmarrjen e Zonjës Kumbaro në logun e Bjeshkëve të Malësisë së Madhe por edhe për faktin siç pohoi ajo vetë, se gjatë qendrimit atje, ajo zbuloi se “ato që unë kam ditë si legjenda, në fakt qenkan të vërteta.”
Pas zbulimit të këtyre të vërtetave vjen mbrojtja e këtyre vlerave. Por, mbrojtja e këtyre të vërtetave kombëtare – të përdhunuara dhe të harruara për një gjysëm shekulli — nevojitë më shumë se një ushtar dhe më tepër se një vizitë në Logun e Bjeshkëve. Por, sidoqoftë ky është një hap i parë dhe si i tillë duhet të konsiderohet pozitiv.
Por, nëqoftse Ministrja Kumbaro dhe qeveria që ajo përfaqëson me të vërtetë janë serioz që të pasqyrojnë këto vlera arbërore të Malësisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, atëherë ata duhet të bëjnë më shumë se veç të vizitojnë njëherë në 17 vjetë, Logun e Bjeshkëve. Në formë sugjerimi, në këthim e sipër nga Malësia për në Tiranë, Ministrja Kumbaro duhej tu kërkonte shoqëruesve që të ndaloheshin tek “shtëpia” rrënojë e At Gjergj Fishtës — e harruar nga të gjitha qeveritë post-komuniste — në fshatin Fishtë, në Zadrimë të Lezhës. “Shtëpinë” në rënim e sipër të atijj Fishte i cili në veprat e tija interpretoi, si askush tjetër, vlerat dhe traditat stërgjyshore të cilat Ministrja Kumbaro pohoi se i “zbuloi” në logun e Bjeshkëve, vlera këto që me shekuj kanë pasqyruar fisnikërinë dhe tiparet e pavdekshme të malësorit dhe të shqiptarit. Por njëkohsisht të vizitonte “shtëpinë” e atij Fishte i cili gjithnjë edhe sot përndiqet dhe përdhunohet nga vetë institucionet e kombi i tij, atij kombi të cilit ai vetëm nam e lavdi u mundua t’i sillte. Emëri i At Gjergj Fishtës është sinonim me Malësinë e Madhe, një emër që lartëson vlerat, trimëritë dhe traditat shekullore të shqiptarit, një emër i cili me veprat e tija, si Lahuta e Malësisë, edhe sot jep shpresën, ringjallë heroizmin dhe shton dashurinë ndaj Atdheut, veti këto që fatkeqsisht mungojnë sot në radhët e shqiptarëve.
Rasti i “shtëpisë” së At Gjergj Fishtës. Megjithë deklaratat retorike të përfaqsuesve të ndryshëm të qeverive shqiptare post-komuniste se shtëpia e At Gjergj Fishtës do të rindërtohej dhe do të shëndërrohej një një muze, në përputhje me lartësinë e këtij personaliteti të kulturës dhe të politikës kombëtare, deri më sot asgjë nuk është bërë në këtë drejtim megjithë ofertat nga individë privat për të marrë përsipër shpenzimet e projektit. As autoritetet qendrore as ato vendore nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim se pse nuk autorizohet rikonstrukturimi i banesës së dikurshme të poetit. “Shtëpia” e këtij Gjergj Fishte i cili si askush tjetër — me jetën dhe veprat e tija — gjithë jetën kultivoi dhe përjetësoi vlerat e Malësisë së Madhe dhe mbrojti si rrallë kush të drejtat e mbarë kombit shqiptar, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ato “legjenda dhe përralla” për të cilat kishte dëgjuar më heret në jetën e saj e të cilat Ministrja Kumbaro tha se më fund i zbuloi në Logun e Malësisë së Madhe, se “në fakt qenkan të vërteta”, At Gjergj Fishta në epopenë kombëtare, Lahuta e Malësisë i pasqyron me protagonistë të vërtetë shqiptarë, si luftëtarë të lirisë, si mbrojtës të vlerave dhe të vërtetave historike iliro-trake dhe trashëgimtarë të vërtetë të traditave stërgjyshore. Veç duhet të lexohet! Siç ka shkruar edhe At Daniel Gjeçaj, Lahuta e Malësisë e Gjergj Fishtës, “Është kanga që të bën të thithish ajrin e kulluet të maleve arbënore, gjithmonë të lira. Ashtë gurra që dikon nga dejtë e tokës sonë e që kurrë nuk shterret sado tërmeti të trondisë në themel alpet e mbjelluna me kulla-shkamb të Shqiptarit.” Ai vazhdon duke thënë se, Lahuta e Gjergj Fishtës, “Ashtë shkolla e votrës stërgjyshore, ku rreth zjarmit mikëpritës u ruajt deri më sot ndera, burrnija, virtyti, besa, trimnija, dashunija ….me një fjalë bërthama e thalbi i nji kombi që nuk vdes derisa Lahuta të këndohet”, dhe për derisa të ndiqet dhe të mësohet për heroizmin dhe urtësinë e protagonistëve të saj.
Fatkeqsisht, sot Lahuta e Malësisë nuk këndohet dhe as i madhi Gjergj Fishtë nuk njihet as nuk respektohet për meritat e tija si një zë i pashoqtë i ndjenjave dhe vlerave të shqiptarit. Sot Lahuta nuk është e tija, pasi Gjergj Fishta nuk është më. Por duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve kudo, për vlerat kombëtare që përmban për brezat e tashëm dhe të ardhëshëm. Këto vlera nuk janë vetëm të Malësisë së Madhe por të mbarë kombit shqiptar. Si i tillë, At Gjergj Fishta duhet të nderohet dhe të respektohet si i YNI. Duhet t’i jepet fund, njëherë e mirë, përdhunimit historik të kësaj figure kombëtare dhe përjashtimit të tij nga letërsia dhe historia e kombit shqiptar!
Fatbardha Pali says
Vëllai im i madh, megjithëse kishte mbaruar medresenë, kishte të kopjuar në nji fletore, me nji kaligrafi të jashtëzaķonëshme për nga bukuria, të gjitha vargjet e pashoqe të “Lahutës së Malësisë”, të Atë Gjergj Fishtës. Historia e vërtetë ďhe e pashoqe e kombit tonë e shkruar me pathos nga ky Atë, i cili meriton jo vetëm ti rindërtohet shtëpia e tij, por vepra e tij e shkruar të futet e të mësohet në programin shkollor të letërsisë shqipe qysh në shkollën e mesme shqiptare, Nuk thashë asgjë të re. Të gjitha veprat dhè veprimtaritë e tij janë të njohura, prandaj do tu lutesha përulësisht e me nderim veprimtarëve e programatorëve, Ministrive përkatëse të Monumenteve të Kulturës dhe të Arsimit që të realizonin kërkesat e nji mbas njishme dhe herë pas hershme nga njohësit e këtij kollosi, Atit Gjergj Fishta për realizimin e këtyre dy kërkesave. Këto dy punë të bukura do të qetësonin shpirtin e nji kombi. Nga fletorja e vëllait tim të madh, unë kam mësuar përmendësh shumë vargje të Lahutës së Malcis
Ju faleminderit për këtë shkrim të denjë për një komb të denjë, Zotni Frank Shkreli si dhe faleminderit Gazetës DIELLI për publikime kaq domethënëse dhe të kohës për zgjidhje.