
Prof. Dr. Ylli Pango/
Dashur por edhe padashur, mendoj se e ka thënë, prof. Ilia Lëngu i frëngjishtes, atë “shprehjen e lopes”, n’ato kohra: “Më mirë lopë në Zvicër se njeri në Shqipëri…” Do kenë qenë vitet 70 e Prof.Ilia besoj, sapo do jetë kthyer nga ndonjë prej atyre udhëtimeve në Francë. Të rralla e fatlume për ndokënd që i binte fati t’i bënte. Po pse them se “dhe dashur dhe pa dashur”, e lëshoi prof. Ilia, atë tollumbace fryrë me aq ajër ëndrrash të shfryra, aso kohe…
Poooo… mendoj se e tha “dashur, sepse shprehu troç atë që edhe ne turbull e ndjenim…por ai e njihte më mirë si njeri i bredhur. E kësisoj i shkrepi ta çlironte nga burgu i vetëdijes: “Më e lirë e më e përkujdesur me bar e me shëndet, lopa atje, se sa njeriu izoluar a ca edhe flakur burgjeve këtu, pa shpresë e pa të ardhme e me tagji të racionuar…”
Po “pa dashur”, pse i shkau?
Sepse ish koha që të thoje shumë më pak se kjo, fjala vjen qê greku a italianet, bëjnë kepuce pak më të mira, e flakeshe në burg për agjitacion e propagandë.
P.S Aso kohe dhashë provim frëngjishten, gjuhën e parë të huaj që mësova. Pa lëvizur ende një herë të vetme nga vendi im. Prof. Ilia më vlerësoi me 9 ne provim. Sigurisht u ndjeva i kënaqur. Dhjeta duhet tê kish qenë me të drejtë për ndokënd studiuar a së paku jetuar ca kohë në Francë… E unë aso kohe s’e shihja as në ëndrrën më të pacensuruar, këtë…(Duhet tu kujtoj se ëndrrat ishin me censurë…Kohë të bukura vërtet..)
…Gjithsesi pse mu kujtua Ilia e sentenca e tij, që vetëtimthi u bë ndër ne proverbiale e nuk harrohet as sot ndêr brezat e derisotshëm?…Dhe pse sot, tamam sot,..në kohën e lirisë? Të demokracisë…
…Ndofta sepse të paktën, që nga koha e atëhershme, kur prof. Ilia, me sa di unë, i shpëtoi lumtërisht me një vërejtje linćimit…që atëhere pra e deri më sot, lopa vazhdon e kullot e lumtur në Zvicër. E as nuk emigron e as nuk sheh ëndrra të emigrojë në vende të tjera…
…Apo mos vallë, a thënë ndryshe, lopët tona a ata që përkundrazi, ikin së këtejmi…shkojnë andej për të takuar lopën e lumtur të Ilia Lëngut. E për ta pyetur si e qysh…
..Nuk e di…Ndofta për siguri, më duhet të pyes prof. Ilia Lëngun se ç’mendon ai, për këto që mendoj unë…Kam si ndonja 40-50 vjet të shkuara…pa e takuar…që në kohën e atij provimit të frëngjishtes…