Muç Xhepa/
– Dëshpërim. Vetmia më pushton sa herë që dëgjoj këngën ‘Tombe La Neige’. Prisnim babanë. E kishin rrëmbyer. Torturuar. Të dëshmonte kundër një mikut tij. Ai nuk u thye. Pranë dritares me sy të përlotur ndiqja flokët e dëborës që silleshin rrotull llambës në anën tjetër të rrugës. E zhveshur, në majën e një shtylle të kërrusur, ngjyroste me dhimbje – lotët e bardhë. Ai nuk u kthye atë natë.
– Dëbora lidhet me faljen e mëkateve, thotë libri i shenjtë.
– Duhet të jesh i shenjtë që…
Ka të drejtë Pemka, them me vete. I persekutuan rëndë. Ndonëse të shkëlqyer në mësime, të tre fëmijët i penguan të ndiqnin studimet e larta.
– Por, do të tregoj një lloj falje, tjetër. Falje socialiste.
Qesh. Jemi në mesinxher. Pemka jeton në Kanada.
– Terror në rrugicën tonë në Elbasan. Arrestuan një komshi. Familje e këputur. Me partishmëri. Nuk e dinim për çfarë arsye. Pyetëm gruan e tij, e cila na tha me një të folur të ngutshme, sikur të kish frikë se mos harronte fjalët.
– “Tim shoq nuk e kanë arrestuar për politikë, jo, jo të keqen. E kanë arrestuar për vjedhje. Oh shyqyr, se më ngriu gjaku kur e arrestuan. Thashë se mos i ka marrë koka erë e ka llapur. Por jo, jo. Për vjedhje. Jam e qetë tani”.
Ne s’po dinim si të vepronim. Ishim dy komshijet e saj. Me t’u larguar ajo na zuri një e qeshur. Me lot.