Nga Albert HABAZAJ*)/
Luan Nazëraj është një emër i respektuar në shoqërinë krijuese të qytetit të Vlorës, ku shfaqet dukshëm profili serioz i mallakastriotit të zjarrtë, i cakranjotit të devotshëm, i birit të nderuar të Vreshtazit me diell e ullinj. L. Nazëraj u lind më 26 prill 1961, në fshatin Vreshtaz të Mallakastrës, në një familje patriotike. Autori ka përfunduar studimete larta në Universitetin “ Ismail Qemali” të Vlorës, ku është diplomuar në degën Gjuhë – Letërsi. Pasioni dhe dëshira për të shkruar kanë qenë të hershme dhe me një frymëzim kritik për kohën. Fillimet e tij kanë qenë poezitë e viteve ’80, të botuara në organet e shtypit të kohës, një pjesë nga të cilat, duke u pasuruar, u botuan në librin me poezi “ dhembje”, më vitin 2009 nga shtëpia botuese “ Nereida”, Tiranë. Libri “I bukur apo i pasur”, me prozë dhe rrëfenja, botuar nga “Pavarësia” në Vlorë, 2010, është sprova e dytë e autorit, në krijimtarinë e tij artistike, e cila u pasua nga libri monografik “Vreshtazi ynë”, ku mendojmë, se tashmë autori e ka gjetur fushën e duhur, se aty ndihet vërtet zot. Vlerë e padiskutueshme e kësaj monografie modeste është se do të ngelet në kujtesën sociale, si botim i parë, në llojin e vetë, për vendlindjen. Në vijim po ravijëzoj disa tipare të krijimtarisë letrare – atdhetare të autorit L. Nazëraj, nëpërmjet revistës së nderuar “CAKRANI”:
Me një shtjellim të thjeshtë të ndodhive jep mesazhe fisnikërie
– Dy fjalë për librin me prozë e rrëfenja “I bukur apo i pasur” të autorit Luan Nazëraj –
Libri “I bukur apo i pasur” që merr në dorë lexuesi është i dyti, që boton autori mallakastriot nga Vreshtazi, mësuesi i Gjuhë – Letërsisë, që sot punon ndërtues, njeriu i pastër dhe i sakrificave, z. Luan Nazëraj. Unë pata rastin të jem redaktor i librit “I bukur apo i pasur”. Libri i parë i tij është me poezi, mban titullin “Dhimbje” dhe është botuar nga shtëpia botuese serioze ‘Neraida” në Tiranë. Me vargje të brishta, shpreh botën e brendshme të tij, që është shumë e ndjeshme dhe të bën të prekesh shpejt. Ai di ta jetojë jetën bukur, të mos mbytet nëpër dallgët e egra të halleve, di t’i sfidojë ato, ta mposhtë dhembjen e të ngrihet mbi dheun e vendlindjes, me dhembshurimin e nënës, me ideal për Atdhenë, me mirësi për zjarrin e oxhakut, duke lartësuar personalitetin me vargjet që thur natyrshëm, në mënyrën e tij origjinale, pa pretenduar se është ndonjë korife( si këta që u pollën me shumicë e pa indeksim). Kënga e tij kumbon që të thotë: “Jam dhe unë e dua që në Kopshtin e Lulëzuar të Letrave të sjell aromën e freskët të lule lofatës ”. Po përmend vetëm vjershën “Truri në mërgim” të Luanit, e cila ka si fabul bisedën dertembushur të vëllait Durrës me motrën Tiranë e na fut në mendim të mirë e të qartë.
Ndërsa me këtë libër me prozë e rrëfenja autori sikur e ka gjetur veten në shtrat të tij, atje ku ndihet më lirshëm, më i çlirët, burimor siç ka natyrën. Janë disa tregime të shkurtëra për ndodhi të vërteta apo të trillit artistik apo rrëfenja më të shtrira, të shtruara e pak më të gjata, që të bëjnë përshtypje e të ngelen në mend, nëpërmjet shtjellimit të thjeshtë dhe mesazheve fisnike që emeton ndër njerëz.
Rrëfenja e parë, e titulluar “I bukur apo i pasur” është një tregim mbi një ndodhi të vërtetë, e përjetuar qysh nga vitet 1860, e cila na vjen si legjendë, sepse autori me gjuhë të pastër e të pasur di ta shkruajë atë në një trajtë që të shkaktojë mbresa e emocione të fuqishme tek lexuesi, ta fus në atmosferën konkrete natyrshëm, duke e bërë lexuesin pjesëtar pa pjesë të atij mjedisi familjar, të zakoneve e traditave të trevave anë Vjosës, të psikologjisë e temperamentit të shtresëzimeve njerëzore atje, të virtyteve, veseve dhe mbartësve të tyre. Është një melodramë flladitëse me personazhe të gjetur (edhe pse të skicuar), që të ngelen në mendje, sepse Luan Nazëraj i ka gdhendur me vërtetësi e kjo ndoshta dhe për faktin se autori ka patur fatin të jetojë shumë kohë në vendlindjen e tij, në Vreshtaz të Mallakastrës dhe i ka bërë pronë të penës së tij tiparet dalluese të njerëzve, veçoritë e personalitetit të tyre, të sjelljes se si veprojnë; ka njohur mirë zhargonin tradicional dhe të tëra këto i ka ngritur në art me hapësirat që i lejon kjo gjini letërsie dhe formimi i tij letrar. Melodrama rrjedh këndshëm në shtratin e vetë dhe personazhet janë të besueshëm që nga Demo Agai, Esmaja, Hasan beu-Çalamani, Kamberi, Fatimeja, Begua, Hamitja e deri te Isai i Vogël. Edhe pse kjo panoramë romantike, e ngjyruar jetësisht, ka një kulm të hidhur me tragjedinë që solli fatkeqësia e papritur e vjekjes së Begos idealist, ëndërrimtar, burrë i pjekur para kohe në gjykim dhe shpresë fisnike e kulturore për përmirësimin e jetesës- nuk na dëshpëron, sepse JETA VAZHDON.
Na bën përshtypje në këtë rrëfenjë shfrytëzimi që i bën autori burimit popullor të të folmes dialektore në funksion të misionit jo vetëm letrar që Nazëraj i ka vënë vetes. Frazeologjinë e trevës ai e përdor ku dhe kur duhet, si stoli të rëndë, jo si mjakiznak. Patjetër që plotësimi i tij arsimor në universitetin e Vlorës “Ismail Qemali” për mësues gjuhe dhe letërsie, përveç talentit natyror, i ka dhënë refleksionet e veta.
Nuk mund të mos lënë mbresa tek lexuesi, fjala vjen, portreti i dajos, që me një skicim të thjeshtë, autori e vizaton si burrë i moçëm i legjendave të kohës; nuk mund të harrohet një figurë origjinale nga fjalët popullore të trevës, ku autori Hamiten e bukur e cilëson mollë për të sëmurë; apo kur thotë për Esmanë që hahej me ngyrat e ylberit për nga bukuria, sikur e kishte bërë Perëndia me porosi!… E veçantë dhe origjinale similituda, kur cilëson intuitën dhe trimërinë e qenëve të Demos, sikur të ishin asqerë turq. Melodia e zileve të stanit ishte një orkestër muzikore vetëm te njerëz fisnikë, të lindur nga rrënja e tokës si Demua, që me djersë e me nder, ruajti patriakalicitetin, doli mbi të dhe u bë emër në krahinë. Çobanëve, ysmeqarëve që i shërbenin, atyre që punonin për të u fliste njerëzisht, prindërisht e fisnikërisht: Djemtë e punës. Ky fakt i rrit vlerat edukative, etike dhe morale rrëfenjës, duke na i prurë të freskëta mesazhet dhe ekzotikën e viseve nga vjen: me natyrën, kulturën, traditat e zakonet përkatëse.
Me shkrimin “Ngjarje e vitit 1997”, që është botuar dhe në revistën “Cakrani”, autori nderon punonjësin e policisë, njeriun e tij, njeriun tonë Demir Jakup Nazëraj, i cili humbi jetën denjësisht, por padrejtësisht nga hordhitë e territ dhe tronditi gjithë zonën, e cila e lau me lotët e dhembjes dhe do ta kujtojë me mall e respekt.
Shumë interesante dhe e guximshme shfaqet pena e autorit te proza e shkurtër “Tregimi i një ushtari”, me personazhe realë, me dialogë të bërë drejtpërdrejt, ku rrëfimi i Hakiut vlerësohet, sepse vjen nga burimi. Këtu del edhe zemra e madhe dhe e pastër e autorit si një mallakastriot i vërtetë. Ndërsa në tregimin” I pushtuar nga veset” jepet një mjedis fshataresk, si i prerë me thikë nga realiteti i kohës së kooperativave. Viktimën Tanë e sidomos Meten autori e ka realizuar mirë si personazh, aq sa ne na duket se e njohim, aq sa edhe ne e urrejmë atë palo burrë e pusht të pangopur që shkëlqeu nga lavdia farsë, i pushtuar nga imoraliteti, sa që përfundoi në incest dhe… kur ngordhi u katandis 20 kg gjallesë e u hodh në arqe si plehrat.
Te rrëfimi “ Tre të marta – tre fishekë”, më shumë se zhvillimi i ngjarjeve, ku vërej dhe një farë turbullire strukturore, me gjithë efektet simbolike që paraqet, më tërhoqi dhe më pëlqeu mesazhi fisnikërsisht njerëzor që përcjell autori L. Nazëraj te lexuesi: Bujqit myzeqarë, të tronditur nga gjëma, atje ku vëllai i beut vrau të mjerin Hito realizuan një përkujtimore të veçantë e kuptimplote. Në një gur të varrit të Hitos u gdhend një parmendë. Po kështu, ecuria e Tanit, përmbushja e amanetit dhe qëndrimi i tij përbëjnë vërtet një sjellje të bukur që e zbukuron atë djalë si njeri e fiton respekt. Këtu autori shpalos dhe botën e tij të pasur dhe tendencën për t’u përmirësuar në jetë.
Te “Dinua” kultura letrare, që autori asimiloi gjatë studimeve universitare, bëhet më e shfaqshme dhe, duke u njësuar me përvojën jetësore e kulturën popullore të kultivuar në vendlindje, materiali i paraqitur na vjen i besueshëm, emocionues deri në tronditje. Shpirti i pastër i Dinos së varfër qeshte si vesë prilli e mbushej me frymëzime, sepse në tabelë të nderit e ngriti sakrifica, zotësia dhe vendosmëria e tij. Por jo, s’qe e thënë; ai s’kishte krahë të fitonte atë që meritonte. Moti i pranverës me sythe u prish; ngryset shpirti i Dinos, erret, nxihet deri në urrejtje. Shfrytëzimi i fjalëve të urta nga miniera e pasur popullore e trevës e ka ndihmuar autorin për ta bërë më tërheqës materialin, deri në atë shkallë sa që atij, natyrshëm, vetvetiu t’i lindin edhe shprehje proverbiale të tijat.
Duke stigmatizuar veset e disa kapedanëve të kohës, që nxinin për turp moralin të tyre, autori , me penën e tij rrëfen në këto fillesa prozaike ndodhi reale dhe mëshon me forcë shëndetin e bukur moral të njerëzve të thjeshtë, të të mirit popull. “Të rrojë xha Meçua, se u dogja!”dhe “Ëndrra e Vjosës” sidomos mbetet një prozë mbresëlënëse, që, penën e tij autori e ngjyen në kulturën popullore të trevave anës Vjosës dhe na shpalos faqe tëra sa të vërteta, aq trishtuese e mallëngjyese, me mesazhin e qartë se dashurinë e pastër të Dinos me Oltën, nuk ka bir nëne që ta tronditë e ta lëkundë. Jo një kapedan, po 100 derra si ai, apo 100 dhelpra fustanshqyera si ajo kryetarka, s’e infektojnë dot atë ndjenjë aq të kthjellët si ujët e kulluar të Mallakastrës e Tepelenës, sepse bejka e bardhë dhe dreri i Mallakastrës gjetën tek njëri-tjetri bërthamën e dashurisë, nga ku do të çelte sythet familja e shëndetshme. Është vërtetë e çuditshme ndodhia e fundit tek tregimi “Engjëlli i Mandit”, por s’ke ç’të bësh. Ajo ka ndodhur. Autori zbukuron ndonjë element, në funksion të trajtimit artistik të materialit, por nuk gënjen. Një realitet i përshtirë, që ende nuk po shkulet nga mentaliteti dhe praktika e njerërzve, nga të cilët ne presim drejtësinë, po e katandis shoqërinë tonë të lëngojë keq nga sëmundja e korrupsionit. Prindin e shkretë e shpie halli i fëmijve të tij, si thotë populli, edhe në dorë të të ligut, edhe në derë të hasmit. Edhe mbas gjithë asaj odiseje, edhe mbas gjithë atyre zhgënjimeve, përsëri Mania nuk tërhiqet, derisa më në fund Ina fiton pafajësinë. Ndoshta ishte dhe ëngjëlli i vogëlushit që i dha krahë! Nuk mundi metastaza e marifeteve të poshtra të Pallatit të Drejtësisë ta infektonte të drejtën e nuses së re, të familjes së re, që ndërtohet e rron me ndershmëri e me djersën e ballit. Dhe dufi i Manes arrin kulmin, kur i mallkon ata qafirë që tallen e sorollaten me njerëzit, të cilët kërkojnë të drejtën e tyre jetësore me dinjitet.
Ky libër është një sprovë e guximshme e autorit Luan Nazëraj në gjininë e prozës. Këtu ai ka gjetur veten si një kopështar i mirë në kopshtin e tij, ku ka mbjellë pemë nga treva e begatë e Anësvjosës, të cilin do ta pasurojë e lulëzojë me botime të tjera.
Urimet më të mira për historikun e vërtetë që po shkruani për vendlinjden tuaj me diell, o miku im i mirë, Luan Nazëraj!
Si recensues më duhet të bëj vlerësimin kritik të monografisë “Vreshtazi ynë”, që autori Luan Nazëraj po i paraqet lexuesit, pas një përvoje tashmë të shtruar mirë me librin poetik “Dhimbje”, botuar në Tiranë më vitin 2009 nga shtëpia botuese “Neraida”, si dhe me librin “I bukur apo i pasur” prozë e rrëfenja , shtypur nga “Pavarësia”, Vlorë, 2010. Duke njohur e dhënë përmbajtjen e librit, duke vënë në dukje anët e mira dhe të metat apo pamundësitë e realizimit sipëror të këtij punimi, së pari dua të shkruaj për punëtorin serioz dhe të përkushtuar të fjalës Luan Nazëraj ato mendime që në mënyrë lakonike ia kam shprehur gojarisht autorit dhe miqve të tjerë, kur ka rënë rasti: Urimet më të mira për historikun e vërtetë që po shkruani, zotëri, për vendlindjen tuaj me diell!
Të qenit poet, të qenit ndërtues, plus arsimimi i lartë dhe pikërisht për gjuhë-letërsi përbëjnë platformën (rastis numri fatik 3?!) ku autori guxoi e lëroi në tokën e vështrirë të prozës dhe rrëfenjës. Në atë lëmë prodhimi letrar, korri se pat’ mbjellë (siç thonë edhe të tjerë njerëz të vlerësimit dhe kritikës apo edhe lexues të thjeshtë, që e kërkojnë dhe e lexojnë me kërshëri librin “I bukur apo i pasur”). Një fjalë e urtë thotë: “Koha është e guximtarëve”. I mbushur me përvojën e jetës së vetë mëse gjysmë shekullore, duke e njohur të vërtetën në sy e në vijimësi të pandërprerë lineare, i ngarkuar me thesaret që prindërit trashëguan nga të parët e tyre dhe ia lanë djalit, ballafaquar me të tjerët se ç’bënin e ç’ bëjnë për vendlindjet apo vendorigjinën e tyre, i detyruar dhe i nderuar nga dashuria për atë pëllëmbë vend ku i bëri koka “dënk”, Luan Nazëraj evidentohet si autori i parë i të parit historik për Vreshtazin e Mallakastrës, vendlindjen e tij të dashur, që meriton më shumë nga të tjerët për kontributin, për emrin që u ka dhënë kur iu është dashur. Vetëm me kaq për autorin Nazëraj vlen të thuhen fjalë të mira nga komuniteti, të cilit i përket, të cilit i shërben, të cilin e do shumë me shpirt, me penë, me të vërtetë. Ndërkohë Luani ka bërë goxha punë të lavdërueshme me këtë historik që paraqet për lexuesin dhe konkretisht:
Luan Nazëraj me durim, qetësi, përkushtim, pa përtuar për grumbullimin e materialit të duhur ka bërë punë të vyer, sepse fshati Vreshtaz ka një origjinë të lashtë, por nuk kemi të dhëna të bollshme, të sakta nëpër muzeume. Pikëshisht ishte këmbëngulja e autorit , dashuria konkrete për vendlindjen ajo që i dha impuls shpirtit të vërtetë atdhetar të Luanit për të plotësuar ,aqsa maksimalisht, sipas mundësisë ,mungesën arkivale me dëshmi, dokumente tekst dhe materiale. Krenarinë për vendlindjen autori e ka shprehur me shembullin e tij të duhur të merituar, duke plotësuar një detyrim fisnik me barrën e rëndë që mori mbi supet e ndërgjegjes dhe të intelektit sociohistorik të komunitetit, të cilit i përket. Dëshira për të bërë diçka për vendlindjen, studimi, kultura, realizimi i ravijëzimit të trungut të pemës së jetës së Vreshtazit është platforma e punës kërkimore-studimore e autorit L. Nazëraj. Ai diti të vjelë përvojën njerëzore, sa filozofike, aq me mesazhe të qarta nderimi për rrënjën e dashurinë për gjakun, jo thjesht si koncept kulturor, por për prejardhjen e përbashkët të njerëzve nga një emër i parë simbolik për të pasmit, që nuk mund të mohohet, se nuk mund të zhduken lidhjet e përafërta. Ky libër është një punim modest, por i vërtetë, sepse mbështetet mbi dëshmi të gjalla të atyre 12 burrave të vjetër, të 12 pleqve të urtë të Vreshtazit, të cilët për fatin e së vërtetës dëshmitare autori ka ditë fisnikërisht t’i vjelë dhe tua dhurojë sot bashkëfshatarëve të tij, miqve e dashamirësve të shumtë të historisë , aq më tepër të asaj historie që ka ndodhur, por s’ka lënë gjurmë të shkruara. Të dymbëdhjetë ata lisa të moçëm të Vreshtazit, që natyrshëm po i rrëzon e do t’i rrëzojë koha, patën mundësinë t’i japin autorit informacion origjinal, burimor, që, edhe nëpërmjet metodës krahasimtare, nuk kanë përplasje, por rezonim të dhënash. E ,ja, pikërisht kjo përpjekje e Luanit është kryepuna e tij, sot për sot, sepse ato dëshmi, me shkrimin e tyre origjinal, me firmën e njomë të secilit janë përgjegjësi për vërtetësinë e ngjarjeve, dukurive që kanë ndodhur dhe të pjesëmarrësve një këto ngjarje- pjesë e jetës së gjallë të Vreshtazit. Ato dëshmi të pleqve kanë gati vlerën e një arkivi. Ato të dhëna janë dokument muzeal, që brezat nesër do t’i vlerësojnë e do t’i thonë Luan Nazërajt: “Faleminderit që na e përcolle këtë stafetë të kujtesës historike të Vreshtazit tonë!”
Duke studjuar materialin, vërejmë emancipimin qytetar të autorit, sepse jep edhe profilin e femrave patriote, që kontribun nëpër udhët e luftës për jetë krahas vëllezërve, burrave e baballarëve të tyre. Kjo është pozitive, aq më tepër kur bëhet fjalë për zona të tilla tradicionale, që vijnë nga një shoqëri patriakale, ku dhe familja ishte patrilineare patriakale. Autori, që shtjellon një prejardhje lineare, përdor prejardhjen e demonstruar, ku anëtarët mund të thonë emrat e paraardhësve të tyre në çdo gjeneratë, që nga stërgjyshi apikal ,që mbahet mend deri tek të sotmit. Nëpërmjet toponimisë vendëse lexuesi njihet me vertikalitetin gjenealogjik dhe pse jo edhe me popullsinë e komunitetit të Vreshtazit, që siç del nga ky botim, vetëm duke llogaritur emrat e njerëzve që na sjell onomastika e qëmtuar nga L. Nazëraj në këtë libër, duhet të ketë qenë një vendbanim jo i vogël, por i njohur dhe i populluar. Relievi, ulliri, vreshtat, dielli etj. janë dokumenta të patundshme, të pamohueshme e të palëvishme jo vetëm për një popullsi të konsiderueshme, por edhe për një origjinë të lashtë ilirike. Në të ardhmen autori do të qëmtojë më ngulmueshëm dhe me një përvojë kërkimore – studimore më të kualifikuar , duke ditur që ilirët, paraardhësit e shqiptarëve dhe patjetër, si pjesëz e së tërës, edhe të vreshtasakëve përdornin për të pirë verën, thonë edhe si ushqim me bukë, duke e bërë përshesh. Dhe në këtë konteks, rrushi, vreshtat e Vreshtazit janë në linjë të drejtpërdrejtë kuptimore dhe komunikimi brezor.
Autori dëshiron e guxon të futet në analet e vëllazërisë, të fisit, të mëhallës, të fshatit të tij Vreshtaz mbi baza hipotetike deri sa merr saktësisht stafetën e memores një deri në dy shekullore nëpërmjet kujtesës sociale të lisave të moçëm e të rëndë Namik Haxhiaj,Tajar Hoxhaj, Kujtim Muçaj, Xhelal Merkaj, Neim Nazëraj, Hajdër Nazëraj, Jakup Nazëraj, Faik Nazëraj, Sefer Merkaj, Ahmet Ahmetaj, Vebi Vreshtazi dhe padiskutim bashkëbisedimi me Tasho Petovën. Edhe një herë, urimet më të mira për këtë kontribut me vlera që po i dhuron historiografisë lokale punëtori serioz i fjalës së vërtetë historike, që me ndërgjegjen kombëtare që ka është një ogur i mirë se si duhet shkruar ajo që mungon, se e vërteta duhet të shkruhet ashtu siç ka ndodhur e ashtu siç është, pa shtuar e pa retushuar, sepse nga punëtor i dobishëm i penës shndërrohesh fatalisht në një person që bën dëm dhe e fut jo vetëm lexuesin, por sidomos historinë nëpër qorrsokakër.
*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor,
Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.
Sekretar i Shoqatës Atdhetare – Kulturore ‘Labëria” për Vlorën.