Prof.dr. Sylë Ukshini/
Sipas historianit të njohur gjerman, Holm Sundhaiussen, të cilin kisha fatin ta kem profesor dhe mbikqyrës në Freie Universitetit BErlin, një ndër mbështetësit më të vendosur të një intervenimi ushtarak ishte kryeministri britanik Tony Blair, i cili në maj 1997 kishte zëvendësuar paraardhësin e tij konservativ John Major dhe kishte nisur një kthesë në politikën britanike ndaj Ballkanit. Blair ishte i mendimit se politika e nënshtrimit ndaj Milloshevqit kishte dështuar, se nuk duhej lejuar përsëritja e një «Bosnje të dytë» dhe se bashkësia ndërkombëtare ka obligim të mbrojë popullsinë civile në ato shtete, të cilat nuk mund apo nuk duan të garantojnë këtë mbrojtje («përgjegjësia ndërkombëtare për mbrojtje»). Nën presionin e Blair-it NATO vendosi të intervenojë. “
Në këtë luftë të NATO-s kundër caqeve ushtarake mori pjesë edhe Gjermania, pasi qëllimi politik i NATO-s ishte evitimi i një «katastrofe humanitare». Sipas Sundhaussen-t, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Rudolf Scharping e kishte përdorur këtë nocion për herë të parë në një fjalim më 6 shkurt 1999. Edhe Kancelari Gerhard Schröder e arsyetoi pjesëmarrjen e forcave ajrore gjermane në luftën kundër Jugosllavisë me synimin e «pengimit të një katastrofe humanitare në Kosovë».
Por, Milosheviqi nuk hoqi dorë në realizimin e idesë së tij për spastrimin etnik të Kosovës. Si rrjedhojë brenda pak javësh më shumë se 800’000 shqiptarë u dëbuan nga Kosova dhe u strehuan në Shqipëri dhe Maqedoni. Mijëra u vranë dhe u groposën në varre masive. Ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer dhe ministri i mbrojtjes Scharping këtu shihnin dëshminë për ekzistencën e planit serb «Patkoi» për dëbimin sistematik të shqiptarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë. Por, ekzistenca e këtij plani nuk u dëshmua kurrë, edhe pse Scharping i kishte dorëzuar Tribunalit të Hagës dëshmitë e planit “Patkoi”. Lidhur me këtë plan Sundhaussen thotë se “edhe nëse ai nuk ka ekzistuar, veprimi i armatës jugosllave dhe i njësive policore të Ministrisë së Brendshme ndoqi një skemë unike (me ose pa plan të detajuar).”
Foto: Së bashku me prof. Dr. Sylë Ukshini – Freie Universitet Berlin