
Nga Elton Shametaj/
Në vazhdën e takimeve në Washingon, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë z. Gledis Nano u takua me përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Zbatuesve të Ligjit (Albanian American Law Enforcement Association – AALEA USA).
Z. Nano ishte në një vizitë zyrtare në kryeqytetin amerikan ku është takuar me përfaqësuesit më të rëndësishëm të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), si dhe Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Drejtësisë. Niveli i lartë i këtyre takimeve dhe tematikat e gjera të diskutuara tregojnë një bashkëpunim si kurrë më parë ndërmjet policisë shqiptare dhe partnerëve amerikanë.
Drejtori i Përgjithshëm Nano ka padyshim merita të jashtëzakonshme për thellimin e këtyre marrëdhënieve me autoritetet amerikane dhe intensifikimin e shkëmbimeve që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në forcimin e pozitave të Policisë së Shtetit Shqiptar. Kjo vizitë kaq e rëndësishme në Washington DC përbën një hap shumë të rëndësishëm në këtë drejtim dhe të gjithë shqiptarët – si në Shqipëri, ashtu edhe në diasporë – duhet të mbështesin në çdo formë përpjekjet e Policisë së Shtetit për të ndërtuar një model të ri në luftën ndaj padrejtësisë, krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Përgjatë takimit me përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane e Zbatuesve të Ligjit, Drejtori Nano shprehu konsideratën e lartë për rolin e organizatës në përbashkimin e zbatuesve të ligjit me origjinë shqiptare anë e mbanë Shteteve të Bashkuara. Ai theksoi potencialin e organizatës për të shërbyer gjithmonë e më shumë si një urë lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, veçanërisht ndërmjet forcave të ruajtjes së rendit.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e AALEA shprehën gatishmërinë e plotë për të ndihmuar Policinë e Shtetit, jo vetëm si një urë ndërlidhëse, por edhe si një faktor i rëndësishëm për të kanalizuar drejt Shqipërisë metodat dhe formatet më të mira profesionale. Ata shprehën mbështetjen e tyre të plotë për përpjekjet e Drejtorit Nano dhe të ekipit të tij, si dhe i dorëzuan një simbol vlerësues për Policinë e Shtetit në emër të të gjithë organizatës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tregoi një interes të veçantë për policin shqiptaro-amerikan Ervis Onuzi. Oficeri Onuzi u qëllua në detyrë në muajin prill teksa po përpiqej të ndihmonte një koleg të tij gjatë një shkëmbimi zjarri me një të dyshuar të armatosur në qytetin e Philadelphias dhe së fundmi u vlerësua me çmim të posaçëm nga AALEA për profesionalizmin dhe trimërinë e treguar në krye të detyrës. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e AALEA i shprehën Drejtorit Nano vlerësimet e tyre për suksesin në mbarëvajtjen e eventit madhor të 25 majit – finalen e mbajtur në Tiranë të UEFA Conference League. Profesionalizmi i policisë shqiptare spikati jo vetëm brenda vendit, por edhe u vlerësua nga partnerë të ndryshëm ndërkombëtare të fushës.
Me ftesë të z. Nano, AALEA do të organizojë së shpejti një delegacion për një vizitë zyrtare në Tiranë, vizitë e cila do të zgjerohet edhe me takime të nivelit të lartë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Tashmë aktiviteti i shoqatës më të rëndësishme profesionale shqiptare në SHBA ka hyrë në një fazë të re dhe tejet intensive në bashkëpunimin me autoritetet policore dhe ligjzbatuese në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trojet e tjera të banuara nga shqiptarët.