Dr. Lulzim Nika/
Në Tropojë, me liderin historik Ali Ahmeti dhe kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin.
Tropoja e Tahir Sinanit, mblodhi shqiptarët nga të gjitha trojet shqiptare, ashtu siç ishte jeta, vepra dhe amaneti i Tahirit, gjithnjë në shërbim të atdheut dhe për Bashkim Kombëtar.
Tahir Sinani, që nga sot do të jetë i vendosur në statujë, për ta kujtuar ndër breza, veprën e lavdishme dhe krenare të tij dhe bashkëluftëtarëve të UÇK-së.
Ai u kthye në vendlindjen e tij, për të jetuar përgjithmonë e gjallë vepra e tij e lavdishme, bashkë me veprimtarinë e tij atdhetare për të bërë Shqipërinë Etnike, ashtu siç e ka falur Zoti.
Qyteti i Bajrami Currit dhe Tropoja krenare, po e kthen birin e vet, aty ku e ka vendin, në përjetësi, ashtu siç e meriton veprimtaria dhe guximi i birit besnik të idealeve të Shqipërisë Etnike.
Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarëve të palodhshëm të luftës së UÇK-së, të prirë nga Adem Jashari, duke marrë parasysh rëndësinë dhe peshën e madhe të kësaj lufte, Tahiri iu bashkua dhe i mbetet besnik idealeve të lirisë së trojeve shqiptare, që u dëmtuan dhe u copëtuan nga vendimet e padrejta të konferencave ndërkombëtare.
Ai e donte lirinë e trojeve shqiptare, me përkushtim dhe flijues, njëkohësisht. Shqipëria Etnike për të ishte një gjeografi e bukur dhe një histori e lavdishme, por lavdia e saj ishte rëndë e cenuar, sepse Kosova ishte e pushtuar dhe e shtypur. Për ta shpëtuar dhe për ta bërë të denjë, për të duhej luftuar për lirinë dhe pavarësinë e saj.
Lavdi Tahiri Sinanit!
Lavdi gjithë të rënëve për lirinë e Shqipërisë Etnike!