Nga Mëhill Velaj-Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë/
Poeti dhe vëllai im, Luigj Çekaj, e mori jetën me vete dhe dha shpirt në një nga spitalet e kur një poet vdes, diçka vdes jo vetëm brenda meje, por dhe brenda të gjithë poetëve të tjerë të botës. Luigji nuk ka vdekur, sepse ishte poet dhe, siç e kam thënë diku në një poezi timen, poetët nuk vdesin, por thjesht kalojnë në orën e 25 -të të ditës. Megjithatë, gjithmonë kam qenë i bindur se Luigji nuk e kishte frikë vdekjen. Luigji gjithmonë gëzonte brenda vetes dashurinë e pafundme të Violetës, zonjës së tij të pashembullt për ndershmëri dhe dashuri familjare e bashkëshortore. Askush më mirë se ai nuk e shijonte rëndësinë e dashurisë që vajzat kanë për prindërit, kur Enkolana e Justina bëheshin buqetë dashurie dhe ndjenjë krenarie në prehrin e tij. Luigji e kalonte ditën i fuqizuar në shpirt me dashurinë e djalit të tij të vetëm, Terensit, si babai më i lumtur i botës. Pastaj, dashuria engjëllore e vajzës së Enkolanës, Scarletës së vogël, e bënte me flatra poetin e madh në jetë dhe në penë kur luante me të dhe e këshillonte që “ai të bënte një vizitë te doktori” kur nuk ndihej mirë me shëndet. Apo Ace, djali i sapolindur i Justinës, ndoshta buzëqeshja e fundit në sytë e Luigjit, buzëqeshje për të cilën ai priti deri në ditën e fundit të jetës së tij. Ai gëzonte një dashuri të veçantë edhe nga dy dhëndrit e tij të dashur Kristiani dhe Valmiri. Luigji gjithmonë ndjehej vëlla më vëllezër, ngaqë George, John, Martini dhe Pllumi i gjendeshin gjithmonë pranë. Dhe motrat e tij shumë të dashura, Angjelina, Kristina, Maria, Elizabeta, Palina, Anka, Lucia dhe Magdalena i jepnin atij shumë dashuri. Po ashtu edhe Nikolla, daja i dashur dhe i respektuar i Luigjit, i cili gjithmonë e mësonte “kurrë mos fol keq se vjen e të mësohet goja…” Dashuria e sinqertë e miqve edhe kolegëve të shumtë, nga kudo ku ka shqiptarë në botë, e bënin të çohej e të merrte jetë sa herë që furtunat e jetës e hidhnin përdhe. Veçanërisht Astrit Tota, i cili gjithmonë gjendej në anën tjetër të telefonit me Luigjin. Luigj Çekaj kishte plot dashuri edhe për të dhënë. Ai e donte jetën sepse brenda saj ziente dashuria e pastër dhe e pakufishme që kishte për familjen, miqtë, kolegët, shqiptarët dhe njerëzimin anembanë botës. Ndaj them se vdekja ia kishte frikën Luigj Çekajt, pikërisht sepse e luftonte atë me dashuri të pakufishme të pranuar dhe të dhënë. Mbi të gjitha ia kishte frikën sepse Luigj Çekaj ishte një poet më i dashur, më i mençur, më i thellë, më trim. Ndoshta këshilltari i tij shpirtëror dhe frymëzuesi i devotshëm fetar Dom Pjetër Popaj, që Luigji e donte dhe respektonte aq shumë. Qe të jem i sinqertë me ju, ndonëse gjatë minutave që po shkruaj këtë mesazh lamtumire për vëllanë tim dhe poetin e dashur, nuk po i mbaj dot lotët, unë besoj se nuk është mirë të qajmë apo të pikëllohemi . Shpirti i Luigj Çekajt është aq i madh dhe aq i pastër sa vetë paqja ka plot vend që pa derte të pushojë mbi të dhe të lahet me ar nën dritën e tij. Lamtumirë vëlla! Lamtumirë po te na presësh ashtu siç po të pret ty, babai yt i dashur, Kola dhe nëna jote e dashur, Gjystja, të cilës me aq dashuri i drejtoheshe jo vetëm me fjalën “ Nënë”, por edhe me metaforën e spikatur “Nënë, ti hije e kaltër prej loti”. (Pjesë nga dedikimi i Gjekë Marinajt) Teksas,Janar2020) Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në emrin tim personal dhe të familjes sime, shpreh ngushëllimet më të përzëmërta e të sinqerta familjes Cekaj, për humbjen e babait, bashkëshortit shembullor dhe gjyshit fisnik, i shpreh ngushëllimet komunitetit shqiptaro-amerikan,Federatës Pan-Shqiptare Vatra ,Shoqatës Atdhetare “Rrënjët”për humbjen dhe ikjen në amshim të patriotit, atdhetarit, shkrimtarit veteran ndër breza. Për dekada me radhë Luigj Cekaj ka qenë një ndër figurat më të rëndësishme, shqiptari i respektuar dhe i nderuar, shqiptar dhe patriot i devotshëm, në komunitetin shqiptaro-amerikan, Vec kësaj, Luigj Cekaj është shkrimtar e poet mjaft i njohur për ndjenjat e tij atdhetare e patriotike, poet i dhimbjes e dashurisë të cilën e dëshmojnë më së miri edhe librat e shkruar prej tij. Andaj i shpreh ngushëllimet e ngrohta e të sinqerta edhe komunitetit të shkrimtarëve, poetëve dhe krijuesve brenda e jashtë Shoqatës, kudo në Diasporë, miqve dhe gjithë të dashurve që e rrethonin, për humbjen e njeriut dhe mikut të tyre. Me rastin e 20-Vjetorit te themelimit SHSHSHA,nuk do jen në mesin tone se iken në amshim;Agron Fico,Dedë Elezaj dhe kesaj kolone te heshtjes po i bashkangjitet dhe Luigj ÇEKAJ. Ne sot po i japim Lamtumirën poetit dhe shkrimtarit Luigj Cekaj, Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, qysh prej themelimit të saj. Dhe në mbledhjen e parë të themelimit të Shoqatës u vendos që shkrimtari dhe poeti Luigj Cekaj të zgjedhet Sekretar i saj, detyrë që kreu denjësisht për disa mandate. Poeti Luigj CEKAJ ishte atdhetari i mirë, pasionanti i letërsisë, që ia kishte rrëmbyer zemrën dhe mendjen, qytetari dhe intelektuali që mes lavdisë e penës së tij nuk harroi kurrë të vinte mjeshtërinë e krijimtarisë së tij artistike dhe shpirtërore, por me modestinë e një heroi të heshtur, ngriti urën jetike mes shpirtit dhe ikjes së heshtur në ameshim. Për Luigjin gjatë këtyre ditëve kanë shkruar shumë krijues të SHSHSHA -së dhe dashamires ,e familar si ;Ekolana ÇEKAJ-Mundija(Vajza e te ndjerit),Don Pjeter Popaj,Gjeke Marinaj,Adnan Memeti,Gjeto Turmalaj,Dalip Greca,Keze Zylo,Mark Koliqi Shkreli etj,etj.. Poeti Luigj Cekaj, ishte ai djaloshi shkodran, që në moshë ende të njomë u përball me njollën absurde e të prekurve politikisht, persekutimin dhe arrestimin, si biri i të arratisurit politik, Kolë Cekaj. Pasionant dhe dashamirës i letërsisë, mundësia për të botuar i jepet vetëm me ardhjen e demokracisë. Ka kontribuar si redaktor i poezive në gazetën “Besa”, Shkodër. Emigroi në Amerikë me statusin e emigrantit politik, autor i disa vëllimeve me poezi dhe punoi për revistën “Trojet Tona”, gjithashtu punoi në revistën “Jeta katolike”,organ i Kishës Katolike Shqiptare,”Zoja e Shkodrës. Veprat e botuara të Shkrimtarit e Poetit Luigj Cekaj; “Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998. “Unë vij nga Shkodra”, publicistikë, 2004. “Nënë, ti hije e kaltër prej loti”, poezi, 2010. Lamtumirë mik, patriot, koleg, atdhetar, poeti martir i Demokracisë, Shqiptar i Fismë dhe i Devotshëm. Po e lexoj një poezi; Ndër Sytë e POETIT (Dedikuar Poetit Luigj CEKAJ që u nda nga jeta 5 Janar 2021) Nga Mëhill Velaj Ndër sytë e poetit endet një engjëll i bardhë, Që rri zgjuar dhe flet me gjuhën e hyjnisë, Jashtë errësirë, era fishkëllen e çmendje. Vajton për zemrën e poetit, Që mbytet nga heshtja, Ndërsa nata lexon mijëra fjalë, Me gjuhën e engjujve të lashtë që veç poetët i kuptojnë! Ndër sytë e poetit endet shpirti binjak, Herë shfaqet si simbiozë, herë zhduket, Herë shfaqet i mjegulluar nga lëngimi i plagëve në tokën mëmë, Kroi i lotëve shterri fjalët, Shpirti i poetit gjen prehje në fluturimin hyjnor!
Prehu në PAQE!
Të qoftë dheu i lehtë!
I përjetshëm kujtimi e vepra e tij!
Mëhill Velaj Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Mbajtur ne ceremonine e varrimit, 9 Janar 2021, Hartsdale “Gate of Heaven”