Nga Albert Vataj/
I pashoq ishte ai në vlerat e nalta të qytetarisë dhe dijes, kombtarizmës dhe përkushtimit. “Shqiptar i vlefshëm” do të mëtonte kësisoj At Gjergj Fishta. “Pionier i qytetërimit” ishte përcaktimi i klerikut, politikanit dhe veprimtarit të letrave, Fan Noli. Padër Anton Harapi për Gurakuqin do të shtonte: “mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, simbol i bashkimit kombtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni.
Mbremja kobzezë të 2 marsit të vitit 1925, arma e kushëririt të tij Baltjon Stamolla, shtriu pa jetë në derën e Hoteli Cavour, në Bari të Italisë, Luigj Gurakuqin, hartuesin dhe nënshkruesin e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poetin, arsimtarin, tekstologun, gjuhëtarin, diplomatin, deputëtin dhe ministrin e Financave të qëverisë së asokohshme, i gjendun në krye në të gjitha ngjarjet më kulmore të jetës shqiptare në çerekun e parë të shekullit XX, tepër aktiv e në rol udhëheqës.
Ishte mbrëmja, dëshmojnë burimet, në restorantin e hotelit, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Ai kishte kërkuar leje prej tyre që të largohej me arsyen “do t’shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes së tij”. Një vrasës gjakftohtë e priste atë tek hyrja e hotelit. Në xhepat e shqyer të ish-Ministrit të Financave policia italiane, gjatë ekspertizës, gjeti vetëm 350 lira. Nëse mund të thuhet, ministri i Financave që zogistët e akuzuan për korrupsion, ndërroi jetë me çorape të grisura në themër.
Historianët thonë se Stamolla kishte vepruar me nxitje të qeverisë së kryesuar nga president Ahmet Zogu, ose si i paguar nga qeveria për të vrarë një kundërshtar të saj; dhe ata e bazojnë këtë në një letër që Baltjon Stamolla i dërgoi Ahmet Zogut dhe Ceno beg Kryeziut, dy ditë pas vrasjes së Gurakuqit. Letra mban adresën e burgut të Barit, dhe sot ruhet në Muzeun e Shtetit në Shkodër:
“Kerkoj mbrojtje dërgoni të holla ndërmjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane.
Pyetnij Çatin Saraçin ku asht…? “besa” ndihma!…
Baltjon Stamolla – Carceri Giudiziarie Bari.
Shkelqësis Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania)
Shkelqësis Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë)Çatin Saraçit Hotel de la Ville…”
***
Lazër Shantoja, më shkruen nji mik nga Shkodra: «Po më pvetë a po qindron e ama e Gurakuqit? Mos pvet! Per gjith ditë nadje si ajo si goca e Bajram Currit qesin vajin: nji vajë të madh, të mnershëm, zêmbërshkyes qi nuk lên banuer t’atyne lagjevet pa kja.»
Nji plakë dhe nji gocë kjajnë për ditë në Shkoder… nji nanë dhe nji bijë! Nana kjanë djalin mâ të madh dhe bija baben mâ të mirë të Shqipëniës së shkretë. Lotët e plakës shkodrane e të gocës kosovare janë lotët e të tanë Shqipëniës së sotme. Edhè këjo e ndrydhun, e poshtnueme, e vorfnueme, e shitun, e coptueme dneson per ditë per të vdekunit e mëdhaj qi humben dhe për të gjallët e mjerë qi po humbin. Populli âsht në kulmin e deshprimit. I vetmi ngushllim qi i ka mbetë, ne kjoftë se ngushllim mund të quhet, âsht enè vaji: lodja qi kjè per herë shujta e idhët e popullit shqiptar.
Nder shpellat e lagëta të bjeshkëve kreshnike të Krasniqes ky populli i mjerë pat nji babë: i a mbyten!
Nder korridoret e errta të diplomatiës së përjashtme ky populli i vorfën pat nji prîs: i a vrane!
***
Për fatin e tij të keq, e vrau djali i tezes së tij, që një ditë para se të vrasë, i drejtohet Çatin Saraçit, konsullit shqiptar në Bari, mikut të ngushtë të Ahmet Zogut: “Ironia është se vrasësi, një ditë më parë, më takoi në zyrën time duke më thënë se kishte ardhur për të kryer një vepër të madhe patriotike”. ‘Vepra patriotike’ e tij do jetë e pashembullt. Do i ndërronte jetën e derimëatëhershme Luigj Gurakuqit. U pretendua se vrasësi, Balto Stambolla, u ekzekutua më 1944 nga Avdi Kasella dhe Zymber Loshi në Peqin, me vendimin e gjyqit të LNÇ-së, si armik i popullit. Një akt i drejtë, për të treguar se ata që kishin vrarë duhej të vriteshin. Ndërkohë nga Fric Radovani kemi një dëshmi tjetër interesante: “Mbas okupacionit italian të Shqipnisë, me ardhjen Kryeministër të z. Mustafa Kruja, Ky i kërkoi qeverisë italiane, që i dënuemi për vrasje Baltjon Stambolla, me vazhdue dënimin në Shqipni. Qeveria italiane asht kenë dakord dhe e ka sjellë Baltjonin në Durrës, prej ku, një makinë e policisë e ka marrë dhe e ka dërgue në Fieri, gjoja ‘për siguri’, larg Shkodrës. Atje ka ndejë në një shtëpi ku ruhej nga tre-katër policë shqiptar. Një ditë, gjoja se desht me u arratisë, policët e kanë gjuejtë dhe i kanë shprazë një automatik me fishekë në bark. E kanë lanë disa orë pa e çue në spital, mbasi kështu kishte porositë Mustafa Kruja, që Baltjoni mos të vritej në çast, por të vuente nga dhimbjet e mënershme që shkakton arma kur shprazet në bark. Afro 2 – 3 ditë mbas gjuejtjeve Baltjoni ka vdekë nga infeksioni, tue vërritë nga dhimbjet. Atdhetari Mustafa Kruja i ka tregue ngjarjen babës tem Kol Radovanit, se: “Ia bana kështu Baltjonit, se ia kishe kaq e gja borxh mikut tem Luigj Gurakuqit!”. (Këtë dëshmi ma ka tregue Nana eme, Viktoria Radovani dhe Profosor Gasper Ugashi, të cilve, aso kohe, ua ka tregue Kola, Baba i em.)
***
Fjala e Hasan Prishtinës në ceremoninë e varrimit të Luigj Gurakuqit:
“Një atdhetar, idealisti i shquar shqiptar Luigj Gurakuqi ra dëshmor prej dorës së një tradhtari, një krimineli, që është i shtyrë prej shumë tradhtarëve për të kryer një krim kaq të shëmtuar e të dhimbshëm.
Kjo tragjedi helmoi gjithë zemrat e shqiptarëve nacionalistë të vërtetë dhe gëzoi vetëm ca kriminelë, ca asasinë profesionistë, të cilët e quajnë veten shqiptarë vetëm sa për t’u bërë vegla të vërteta të të huajve për dëmin e shtetit dhe të popullit tonë të shkretë.
Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme për ne, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbeten jashtë kufirit të Shqipërisë së sotme dhe që sado që vuajnë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj njëlloj si ata që janë nën hijen e flamurit kombëtarë. O Gurakuq, sot me qindra mijë shqiptarë të vajtojnë dhe hedhin futën e zisë për ty! Qetësohu, se me të shpejtë trupin tënd me një nderim të posaçëm do ta çojmë në atë vend ku je lindur, ku je rritur dhe për të cilin ti re viktimë!
O Gurakuq, me trup me të vërtetë vdiqe, por me emër jo kurrë, se emri yt është shkruar në zemrat e shqiptarëve të vërtetë, dhe historia e Shqipërisë emrin tënd do ta shkruajë me shkronja të arta! Qoftë mallkuar ajo dorë e ndyrë që të vrau! Ndofta edhe prej nesh do të vriten, por të siguroj se idealin tënd asnjë forcë nuk do të mundet të na e shuajë ose të na e pakësojë. Në këtë mënyrë tradhtarët duhet ta dinë se do të na shtojnë e forcojnë parimet e tua të shenjta.
Do të vijë një ditë që monumentin tënd do ta ngrehim në Shqipëri, atë ditë na e tregon gjaku yt i derdhur nër rrugët e huaja. Sot përkulemi me një respekt të madh përpara trupit të shenjtë, e dikur do të përulemi përpara atij monumenti! Eh, lamtumirë, o mik i madh, o ndera e kombit tonë! Të jesh i qetë se shpagën tënde do ta marrim dhe lulëzimin e Shqipërisë…tamam në caqet e idealit tënd do ta realizojmë”
***
Luigj Gurakuq u lind në Shkodër më 19 shkurt 1879 në një familje tregtare me shumë influencë. Studimet e para e të mesme i bëri në shkollat italiane të qytetit e pastaj në kolegjin italo-arbëresh të San Demetrio Korones, në Kalabri, ku qe nxënës i De Radës. Në Napoli, kreu studimet universitare për shkenca të natyrës. Gurakuqi u dha që herët pas Lëvizjes Kombëtare e nisi të shkruajë vjersha e libra shkollorë. Ndër librat e tij ish edhe një metrikë, ,,Vargimi në gjuhën shqype’’, Napoli – 1906. Një nga drejtuesit e Kongresit të Manastirit (1908), që u mbajt për çështjen e alfabetit, ishte edhe Gurakuqi. Ai qe drejtor i shkollës së parë të mesme shqipe, i Normales së Elbasanit, (1909). Mori pjesë në kryengritjen e Kosovës (1910) e në atë të Malësisë së Veriut (1911) kundër sunduesit turk, e bashkëpunoj ngushtë me Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë.
Tani e tutje ai nisi të luajë një rol edhe më me rëndësi në jetën politike të vendit. Si ministër i arsimit në Qeverinë e Vlorës e si drejtor i arsimit në zonën e pushtuar nga trupat austriake gjatë Luftës së I-rë botërore, si pjesëtar i Komisionit Letrar (1917). Ish anëtar i Qeverisë që u formua pas Revolucionit të qershorit e me ardhjen e Zogut në fuqi u arratis tej Adriatikut. Zogu vuri njeri e e vrau në Bari të Italisë, më 1925.
Motivet kryesore të vargjeve të Gurakuqit janë atdheu dhe natyra. Vjershat e tij kanë një influencë të theksuar të poezisë klasike latine dhe asaj italiane, që poeti e njihte mirë. Gurakuqi është zot i vargut dhe ka një gjuhë të punuar e të sigurt. Nuk mund të themi se kish një talent të spikatur por, ndonjë vjershë e tij meriton vëmendjen. Ai tregoi edhe cilësi prozatori.
“Duke bamun ligje moderne -thote Gurakuqi, – do te bajme te mundun zhvillimin arsimuer e permiresimin ekonomik, dy gjana per te cilat ka ma teper nevoje populli i yne”. Kur i thoshte keto fjale, figura e njohur e historise sone, Shqiperia kishte shume pak njerez te njohur dhe anarkia ishte pjese perberese e jetes shqiptare. Por, per Gurakuqin, kjo nuk kishte rendesi te madhe. Ne vizionin e tij, kishte kohe qe trasohej nje Shqiperi moderne dhe e barabarte ne familjen e madhe te vendeve evropiane. Jo me kot, ishte nje nga kryesoret e Kongresit te madh te Manastirit, ku do te vendosej per fatin e shqipes. Ai ishte drejtori i pare i Shkolles Normale te Elbasanit dhe nje nga udheheqesit e kryengritjeve te Veriut (1911-1912). E perkrah Ismail Qemalit realizoi shpalljen e Pavaresise, ngjarjen me te madhe te historise se shtetit shqiptar. Madje, do te mjaftonte, vetem kjo, qe ai te ishte i patrazuar ne panteonin shqiptar. Me 1916, ishte nga themeluesit e Komisise Letrare ne Shkoder. Ishte nje figure, qe ngjallte respekt dhe qe nderohej masivisht ne Shqiperi. Ndersa, ne vitet 1921-1923, Luigj Gurakuqi, si deputet i Shkodres, u gjend vazhdimisht ne opozite me Zogun dhe gjithe perkrahesit e tjere te tij. Ishte bashkepunetor i Fan Nolit dhe patjeter nje nder udheheqesit me veprues te levizjes te Qershorit te vitit 1924. Duket se percaktimin me te madh ndaj tij, e ka dhene vete Noli: Ai “qendronte aq larg fanatizmes fetare te ngushte, sa muhamedanet e Veriut kishin nje besim te pakufishem”, aq sa ne Gegeni, “s’ka patur nje tjeter udheheqes, i cili…bashkonte rreth vehtes se tij, katoliket e muhamedanet gege”…” Ai ka qene aq pak regjionalist sa qe kur lindi çeshtja kombetare s’ka patur nje gege patriot, aq te dashur midis toskeve sa Gurakuqi”.
Veprimtaria e tij krijuese ka qenë e vyer. Ai botoi ne Bukuresht me 1905 librin “Abetar i vogel shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me shenime n’dy dialektet”.
Botoi ne Napoli “Fjalorth shqip-frengjisht e frengjisht-shqip” i fjaleve te reja.
Botoi ne Napoli me 1906 “Vargezimi n’Gjuhen Shqipe”.
Ai ka botuar dhe shume artikuj ne gazetat “Albania”, “Kalendari-kombetar”, “Drita”, “Liria e Shqiperise”, “La nazione Albanese” etj.