Ja arsyet e protestës, do jetë paqësore/
2 dite para protestës së thirrur nga Partia Demokratike, kryetari Lulzim Basha ka shtruar një drekë pune për Ambasadorët e akredituar në Tiranë, për ti njohur gjerësisht me shqetësimet që bënë të thirrej kjo protestë, por dhe për ti garantuar ata për mbarëvajtjen e saj.Basha ka njohur Ambasadorët lidhur me shqetësimet e fundit politike dhe sociale në vend, duke filluar nga vendimet e qeverisë, të cilat në syrin e opozitës janë arbitrare dhe jashtë themeleve kushtetuese.
Këtu ai ka përmendur moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Aktin Normativ për Nëpunësin civil, por dhe mbi tentativën e qeverisë për ta ndryshuar në themele atë ligj, ndryshime që sipas Bashës synojnë që në administratë të mos ketë më nëpunës që mbrohet me status.Gjithashtu Ambasadorët janë njohur dhe me vendimin e opozitës për të mos u bërë pjesë e reformës administrative-territoriale, pa u garantuar më parë votimi me konsensus i kësaj reforme.Në drekën e punës me Ambasadorët, jashtë vëmendjes nuk është lënë edhe situata ekonomike në vend, por dhe situata e rendit.Partia Demokratike ka thirrur më 20 shkurt në orën 14:00 një marshim proteste, ku ka ftuar qytetarët të bëhen barrikadë kundër mashtrimeve, varfërisë dhe arbitraritetit.
Basha nga Shkodra: Marshimi ynë për t’i vënë kufij gënjeshtrës, paaftësisë, arbitraritetit
Nga qyteti i Shkodrës, kreu i opozitës, Lulzim Bashka bëri thirrje për pjesëmarrje të rinisë shkodrane dhe shqiptarëve në protestën e 20 shkurtit, kundër çiftit Rama-Meta. Kreu i demokratëve tha se shkodranët duhet të dalin në protestë kundër premtimeve të pambajtura të qeverisë Rama.Lulzim Basha premtoi një protestë paqësore, ashtu siç edhe demokratëve iu ka hije tha ai, ndërsa shtoi se protesta do të jetë një leksion për pushtetarët.Kryetari i opozitës u shpreh gjithashtu se nuk ka qeveri që i bën rezistencë bashkimit të popullit, e cila sipas tij vetëm sa kërkon zbatimin e ligjit.
Fjala e plotë
Dhe ja po takohemi sërish, me një entuziazëm të madh, tipik për Partinë Demokratike këtu në Shkodër por të jashtëzakonshëm, takohemi në atmosferën e një ringjalljeje dhe shpërthimi të fuqishëm të shpresës, si të mos kenë kaluar vetëm katër javë, por shumë me tepër që kur u takuam për herë të fundit. Ju mund ta dini dhe sigurisht e dini më mirë se unë në tërësi të vërtetën e këtij ndryshimi kaq të shpejtë, kaq prekës dhe kaq frymëzues. Më lejoni të them përshtypjen time, mendimin tim, pse jo bindjen time për këtë. Është rinia. Po vjen rinia. Ka ardhur rinia. Ja, kjo rini e bukur, e çiltër, e mësuar, e kultivuar, e vendosur, bashkëkohore, moderne, atdhetare, shqiptare, europiane që shohim në këtë sallë dhe përtej mureve të kësaj salle anembanë Shkodrës, anembanë Shqipërisë.
Brezi i ri po vërshon në dyert e hapura të shtëpisë së madhe të lirisë të Partinë Demokratike. Ky është lajmi më i mirë jo vetëm për demokracinë anembanë vendit, por për demokracinë dhe për shpresën shqiptare në këtë kohë të zymtë kur vendi bombardohet çdo ditë me lajme që flasin vetëm për përkeqësim të gjendjes ekonomike dhe shoqërore, vetëm për rënie të treguesve të punësimit, zhvillimit, konsumit, investimeve, vetëm për rritje në krahun tjetër të treguesve të varfërisë, krimit, trafiqeve, drogës, korrupsionit; vetëm për rritje të rreziqeve që kërcënojnë gjithmonë e më shumë aspiratën mbarëpopullore të integrimit të vendit në Europë dhe vetë demokracinë në kolonat e saj të ligjit, të drejtave dhe lirive.
Prapa këtij realiteti gjithnjë e më dramatik është qeveria Rama-Meta e cila tallet sa bukur ua hodhi shqiptarëve me premtime kallpe. Është qeveria që përzien çdo ditë ngjyrat e bojërave të dala boje për qeverisjen propagandistike. Qeveria që provokon dhe tenton me të gjithë format e paligjshmërisë dhe pandershmërisë të pushtojë administratën publike, të kapë institucionet, të kapë shtetin, të zhbëjë gjithçka kemi arritur këto vite me Kushtetutë, ligj, demokraci dhe konsensus. Qeveria që kërkon të kthejë prapa demokracinë, të vendosë oligarkinë me para të pista dhe vota të blera mes tyre, me deputetë të peshkuar në format më të neveritshme të poshtërimit të votës së lirë dhe dinjitetit të qytetarëve.
Rinia e ka kuptuar, shqiptarët i madh e i vogël e kanë kuptuar dhe po e kuptojmë: Rilindja doli rrenë! Puna e Rilindjes ishte loja, dhe kjo lojë s’ka të bëjë fare me hallet dhe problemet e shqiptarëve, me dëshirat dhe projektet e shqiptarëve, me të ardhmen e shqiptarëve, me të ardhmen tuaj, por vetëm me interesat e ngushta të atyre që e nxorën në tregun e politikës si Kalin e Trojës.
Prandaj po vërshon rinia në partinë më të madhe të opozitës; prandaj po ngrihet e do ngrihet kudo fryma e protestës së fuqishme qytetare; po ngrihen njerëzit e lirë, po ngrihen populli shqiptar, që në të mirë e në të keqe, e ka bërë shkollën e demokracisë gjatë këtyre dy dekadave. Kanë njohur e shijuar frytet e demokracisë gjatë këtyre viteve dhe nuk pajtohen në asnjë mënyrë as me shartime neoenveriste, as me kthim prapa të demokracisë shqiptarë për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë.
Shkodra, jo vetëm nuk do të mungojë në vërshimin e madh të rinisë shqiptare drejt Partisë Demokratike, në zgjimin e madh të shpirtit të lirë protestues të shqiptarëve, por, më lejoni ta them me bindje dhe zë të lartë:
Shkodra nuk mund të mos jetë e para! E ka detyrë ndaj të parëve, brezave dhe së ardhmes që të jetë e para.
E para për ringritjen, e para për shpresën, e para për të ardhmen, e para, pse jo, edhe në marshin e protestës popullore të përkujtimit dhe protestës që kemi thirrur në Tiranë këtë të enjte, në 23 vjetorin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës si personifikim dhe simbol i diktaturës gjysmëshekullore.
20 shkurti i vitit 1991 është një ngjarje e shënuar në historinë e demokracisë dhe qytetarisë shqiptare. Në këtë ditë rinia, studentët dhe njerëzit e lirë vërshuan në sheshin “Skënderbej” dhe duke sfiduar me trimëri të rrallë dhunën policore, rrëzuan përmendoren hijerëndë të atij që e kishte rrëzuar në mundime, në mjerim dhe izolim të papërshkrueshëm popullin e vetë gjatë sundimit të tij gjakatar. Ishte përmbysja e madhe, ndarja e madhe dhe drejtësia e madhe me diktatorin që vetëm populli i lirë mund ta bëjë dhe e bëri.
Nga Shkodra, përkulemi me nderim dhe respekt të thellë para atyre qytetarëve, para rinisë së Tiranës, para të gjithë atyre burrave dhe grave që u mblodhën në sheshin “Skënderbej” atë ditë, para qytetarëve trima e kurajozë që kanë shënuar emrat e tyre në panteonin e historisë kombëtare si njerëzit që rrëzuan monumentin e Stalinit të Shqipërisë.
“Lirinë e meritojnë vetëm ata që përballen çdo ditë për të”, thotë një sentencë e njohur.
Koha që po jetojmë, me qeverinë Rama-Meta në pushtet që ka tendencën e qartë për t’u instaluar jo si një qeveri normale e përgjegjshme, por si një oligarki antidemokratike, na thërret të ngrihemi, të dalim në shesh, të tregojmë forcën e opozitës dhe të Shqipërisë së lirë për t’u dalë zot lirive të rrezikuara e ligjit të dhunuar, për të mbajtur hapur me çdo kusht rrugën e Europës, për të demaskuar me fuqinë e bashkimit mashtrimet dhe dështimet e qeverisë, për të ndaluar me sa kemi në dorë rrokullisjen dhe krizën e gjithanshme, para se kriza e gjithanshme para se ta këtë zënë vendin dhe qytetarët nën gërmadhat e saj.
Kryeministri nuk është padroni i këtij vendi por një i punësuar i tij. Për ketë do të marshojmë të enjten. Ti tregojmë kufijtë arbitrares, gënjeshtrës dhe paaftësisë. Për ne është i qarte roli i pushtetarit, për vllazninë antishtet jo. Të gjithë në shesh, si europiane te vendosur, ti japim një leksion demokracie oligarkëve të rinj. Protesta do jete paqësore, do të jetë dinjitoze, ashtu siç i ka hije Shqipërisë, siç i ka hije demokratëve, siç i ka hije mijëvjeçarit te ri, Shqipërisë moderne europiane që ne përfaqësojmë e që do të përfaqësojmë gjithmonë.
Si gjithmonë, dua të jem shumë i hapur me ju, zonja dhe zotërinj shkodranë, vëllezër dhe motra demokratë dhe me të gjithë qytetarët shqiptarë. Me premtimet e tij kolosale për vota, të cilat i braktisi sapo hodhi lumin, Edi Rama ka vendosur një rekord që nuk e kemi parë në asnjë demokraci në botë. Ai e bëri këtë duke shkuar me mendimin se ajo që demokracia e quan kontratë vote është një rreckë, se populli ka qejf të gënjehet, se populli harron, por edhe nëse nuk harron, nuk ka çfarë bën se nuk më kap dot në zyrat e mia!
Me marshimin tonë të protestës, ne u krijojmë mundësinë çdo qytetari, gjithë kategorive të qytetarëve shqiptarë që e gjejnë vetën e tyre në serinë e mashtrimeve të njohura elektorale të Edi Ramës të dalin dhe ti thonë atij me zërin e fuqishëm të bashkimit se nuk kemi harruar ne, por ke harruar ti mashtrues, nuk jemi gënjyer ne por ke gënjyer ti gënjeshtar, na ke borxh, duhet të mbash fjalët ose të kthesh votat që ke marrë, që nuk ti kemi dhënë për revansh, por për të na bërë legalizimet falas, shëndetësinë falas, çmime të ulura, vende te reja pune, e tjerë e tjerë premtime me të cilat mori votat.
Marshimi kundër mashtrimeve është një mësim, një leksion që politikanët duhet ta mësojë sot e përgjithmonë, është vendosja e një vije të re, e një raporti të ri midis popullit dhe politikës me qëllim që të marrë fund praktika e shëmtuar e mashtrimeve elektorale për vota. Duke bërë këtë, populli, qytetarët po hapin rrugën e tyre drejt së ardhmes. Ata që nuk e bëjnë i japin qytetari gënjeshtrës , i japin shtetësi mashtrimit, dhe s’kanë pse të presin ditë të mira. Dua të vazhdoj të jem i hapur me ju si kryetari i ri i opozitës, si një politikan i brezit të ri që ka një ëndërr për ta parë Shqipërinë në Europë dhe për të vendosur në vend demokracinë e re, demokracinë pjesëmarrëse si një element i munguar i demokracisë së derisotme.
Opozita është një forcë e madhe, por jo gjithnjë forca në demokraci. Ne kundërshtuam me forcën e argumenteve Aktin Normativ për Nëpunësin Civil, përshembull. Nuk e fituam këtë betejë në Kuvend, ku për fat të keq argumenti vazhdon të jetë bira e fundit e kavallit. E vazhduam betejën në Gjykatën Kushtetuese dhe e fituam. Por Rama-Meta, siç dihet botërisht, siç e dini edhe ju, atë që nuk e morën dot me një akt antikushtetues duan ta marrin me një ligj antikushtetues dhe antikonsensus duke rrezikuar seriozisht marrjen e statusit edhe në qershor. Opozita ka detyrimin tu argumentoje shqiptarëve pasojat e gjithë kësaj arrogance dhe këtij arbitrariteti për jetën dhe ëndrrën e tyre. Opozita ka detyrimin të zhvillojë brenda hapësirave parlamentare gjithë betejat politike në mbrojtje të demokracisë.
Po më tej? Si t’ja bëjmë? Si t’i ndalojmë, kur këta as për parlament nuk pyesin, as për kushtetutë nuk pyesin, as për konsensus nuk pyesin, as për standarde nuk pyesin, as për vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk pyesin. Përgjigja është një dhe vetëm një: sheshi, marshimi, protesta. Kur opozita dhe populli bashkohen në një qëllim për ligjin dhe kushtetutën, për liritë dhe të drejtat nuk ka qeveri arbitrare që t’u rezistojë. Të marshojmë të enjten!
Me rininë e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, me njerëzit e lirë të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, me Partinë Demokratike dhe opozitën që do t’i prij këtij zemërimi popullor, që nuk mund të kthehet prapa, sepse demokracia shqiptare nuk mund ta ulë kokë, por do të lëshohet përpara shumë më e fortë, shumë më e sigurt. Demokracia është fati i popullit në duart e popullit. Këtë na kanë mësuar etërit e saj, këtë na ka mësuar historia, kështu ka qenë e kështu do të jetë.
Të gjithë në sheshin e krenarisë dhe dinjitetit për të shkruar një faqe të re në historinë e qytetërimit tonë, faqen e papajtueshmërisë me mashtrimet, faqen e papajtueshmërisë me dështimet, faqen e papajtueshmërisë më vllazninë antidemokratike, antishtet, faqen e marrjes në mbrojtje si asnjëherë tjetër të demokracisë, që është pasuria e më e madhe e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë.