NGA Ilir BUÇPAPAJ/ Martinajt e sotëm janë një ndër banimet më të vjetra iliro-shqiptare në pjesën veriore të Alpeve Shqiptare. Kjo falë resurseve natyrore që Zoti u ka dhuruar këtyre viseve.Nga gjurmimet arkeologjike dhe të dhënat historike, dëshmohet se këtu jeta njerëzore zë fill nga mugëtirat historike që dokumentohen në vizatimet e gjetura në shpella dhe rrasa gurësh nëpër bjeshkët e Martinajve, si në malin e Valit, Vizitorit, Zeletinës etj. Trungu i rracës iliro-shqiptare në këto anë nuk ka pasur ndërprerje, megjithë pushtimet dhe invazionet e ndodhura në shekuj.Në kohën e romakëve nëpër këtë krahinë kryqëzoheshin rrugë të rëndësishme tregëtare. Nëpër këtë luginë e konkretisht nëpër Trepçë, (Martinajt e sotëm) kalonin karvanet nga Bosnja, Lugina e Ibrit dhe Kosova për në Guci. Njëra nga këto arterie rrugore kalonte në Vermosh, Shkodër, Podgoricë, Cetinë, Kotorr; ndërsa tjetra varionte nga Vuthajt, Shala, Boga- Shkodër, pasi që Shkodra ishte kryeqendër e Ilirikut. Malësitë e Veriut në të cilat bën pjesë Lugina e Limit janë banuar nga fisi ilir Pirustët, aq zëmadh në periudhën e lashtësisë.
Në vitin 1332 prifti me origjinë nga Franca, Pere Prokhard, raportonte në Vatikan: “Në këto anë jetojnë dy popuj, shqiptarët ( Albanët) dhe Latinët, të cilët i përkasin kishës së Romës. Shqiptarët e kanë një gjuhë plotësisht tjetër nga Latinët. Të dy popujt janë të shtypur nën robërinë shumë të urryer dhe të neveritshme të sllavëve”. Albanologu i madh Gustav Mayer në vitin 1885 shkruante se “shqiptarët duhet të quhen ilir të rinj, ashtu siç quhen sot grekët modern”.
Trepça, që sot thirret Martinaj, pjesë e fisit të Kelmendit, shtrihet në pjesën jugore të Malit të Valit dhe Vizitorit që kufizohen me Vermoshin në perëndim, me Pepajt në lindje, ndërsa në anën jugore me rrjedhën e lumit Luça. Begatia e këtij fshati është e madhe, pasi tokat bujqësore shtrihen poshtë fshatit, nga Gucia në Plavë, ku kultivohen misri, thekra, patatja, perimet: si domatja, speci, kastraveci, qepa etj. Parcelat janë të ndara me drufrutorë si molla, dardha dhe kumbulla e zezë. Rendimentet relativisht janë të larta, falë edhe shërbimeve që u kryhen nga banorët. Martinajt janë një nga fshatrat me urbanistikën më të mirë në mbarë malësitë e veriut. Shtëpitë janë dykatëshe dhe të organizuara nga ana arkitekturore dhe mjaft funksionale për banim, të ndara në mjedise të ndryshme si dhoma e miqve, dhomat e fjetjes, gatimit etj. Në përgjithësi në pesëdhjetë vitet e fundit, martinasit bagëtitë i kanë vendosur larg shtëpisë së banimit dhe në ndryshim nga kullat me frëngji, shtëpitë e sotme janë me dritare të mëdha dhe që u pështaten kushteve natyrore klimatike.
Shtrirja e këtij fshati ka pësuar tkurrje, sidomos në shekullin e 20-të, me zaptimin e tokave nga kolonët e ardhur nga Mali i Zi dhe Serbia. Aktualisht në Martinaj janë njëqind familje me 430 banorë të kombësisë shqiptare. Në të banojnë pasardhësit e Dedë Nishës nga Vukli, që janë Prel Vukajt dhe Gjekë Vukajt (Hasangjekajt) si dhe Balidemajt, që janë të fisit Selcë.
Martinajt janë një fshat që zë fill nga lumi Luça e vazhdon në majat e Vizitorit dhe të Valit, mbi dy mijë metra mbi nivelin e detit me një bimësi të shumëllojshme, që nga shelgjet, lisi, ahu, mështekna, bredhi, pisha e që vazhdon me kullotat e mrekullueshme alpine, që përfundojnë mbi kurrizorët e vargmalit Gerben-Val-Vizitor. Kjo begati bimore e shtazore, është falë përbërjes flishore të tokës që mban rezerva ujore gjatë gjithë vitit. Këtu gjithçka është në perfeksion, që nga lumi e deri në lartësitë e maleve. Brezat klimatik ia lëshojnë vendin njëri tjetrit me një harmoni të paparë; falë diellit, që qëndron në to pothuaj nga mëngjesi deri në darkë, dhe falë pozicionit gjeografik.
Martinajt në fillim të shek. 20-të kanë qenë gjashtëdhjetë shtëpi, por përplasjet me regjimet e Cetinës e Beogradit, me gjithë pasuritë natyrore të kësaj ane, kanë nxitur emigracionin në vazhdimësi për në Shqipëri, Kosovë dhe dyzet vitet e fundit, sidomos në SHBA. Kudo që kanë shkuar bijtë e këtij fshati nuk e kanë harruar vendlindjen e trojet e të parëve.
Kur kalon në këto hapësira njeriu vërtet frymëzohet, rinohet e gjithçka mrekullon dhe sa më lart të ngjitesh në malin e Vizitorit dhe të Valit, shpalosen bukuri që rrallëkund i takon.Ngjitesh në Kodrën e Doçit, poshtë të shfaqet lumi Luça, Kukajt, e Hakajt. Të duket se ta bëjnë me sy Vuthajt, nga Gurrat e Ali Pashë Gucisë e deri në katundin Sirmë. Rruga është e pjerrët, nuk ndjen lodhje, sepse gjithçka është në harmoni dhe perfeksion.Këtu bjeshkëtarët e Valit më fillimin e muajit gusht, vijnë për festën pagane të boronicave,-na thonë bashkëshoqëruesit tanë. Tashmë sheshpamja zgjerohet dhe shpaloset pjesa më e bukur e Alpeve Shqiptare. Në mend na vijnë vargjet e një kënge popullore:
Tufa, tufa djem e çika / dalin, mbledhin boronica!
Ngado që të lëvizësh, shoqërohesh nga flladi bjeshktarë i ahishteve, burimeve, dredhëzave e mjedrave. Në to kullosin bagëtia e këtij fshati.Në një hapësirë të rrethuar me rudina, shfaqet Buni i Valit me disa tbane të reja të ndërtuara kohët e fundit, pjesa më e madhe e të cilave me lëndë drusore, me ambiente dykatëshe dhe në kohët e sotme me ujë të pijshëm në çdo tban.Tymtarët nxjerrin tym. Zërat e vogëlushëve, ndë ta : Anisa, Krenarja dhe Ermali plot nurë e bukuri, i japin gjallëri krejt Bunit. Ata janë të lumtur që në stinën e verës ngjiten në bjeshkë. Me çiltërsinë dhe sinqeritetin fëmijëror shprehin ngazëllimet e tyre të moshës. Edhe këtu me zhdërvjelltësi e ndërtojnë lojëra me njëri tjetrin si kuka-msheftas, gara vrapimi, rrumash etj. Bujaria e bjeshkëtarëve është e madhe. Hyjmë në tbanin e Isë Zymer Prelvukës, i cili na pret me të gjitha të mirat. Kjo familje ka dhjetë fëmijë.Një fakt interesant: Isa ka lindur pikërisht në bjeshkën e Valit.
Vazhdojmë udhën për në lartësitë e Malit të Valit, të shoqëruar nga Isa dhe djali i vogël dhjetë vjeçar Ermali. Kalojmë në Bunin e moçëm, siç i thonë vendasit këtij toponimi, dhe ndalojmë tek një krua me ujë lëngbore. Shlodhemi pak dhe marrim rrugën për në lartësitë e Majës. Gjatë gjithë rrugës na prinë njomëzaku Ermal, që e shoqëronte kudo babain e tij, duke mësuar për këto bjeshkë, emrat e vendeve me ngjarje e histori që kanë ndodhur në to. Xhavit BaliDemaj, ja merr një kënge lirike që këndohet në këto anë:
N’Val t’Martinaje n’ato rudina
Atje hupke ditën çika
N’ortek t’borës, bri nji shpatit
Aty ndihet kumona e dashit
Zani i çikës fort po kndon
/Po vajton për at’djalë të ri
Ka shumë kohë n’gurbet të zi
Por pa pritë e pa kujtue
Me i gur’ t’vogël dadën ma ngjue
Dil prej gurit kush je palue
Po u bje dhenve, po m’vret mue
Ia dha dorën, kënkan falë
N’gryka-ngryka kënkan marrë
Ngryka-ngryka kenkan shtrëngue
Lot për faqe u kanë shkue…
Martinasit janë njerëz artdashës dhe të hijshëm nga pamja fizike, por kanë edhe një botë shpirtërore prej artisti. Këtë e dallon në të folur, në komunikim, në qëndrim e gjithçka që ka të bëjë me personalitetin e njeriut.Pas një udhëtimi prej katër orësh nga Buni i Prelvukajt, arrijmë në Majën e Valit. Sheshpamja nga të katër pikat e horizontit është e magjishme, e mrekullueshme. Në lindje të shfaqet lugina e Plavës e tutje në horizont ngre kapuçin a bardhë Gjerovica e Shkëlzeni, Gusani e dhjetëra maja malesh shoqëruese me to. Gjelbërimi është karakteristik, duke filluar nga lugina e deri në lartësi të thepave. Në krahun perëndimor, si një magji, shpalosen Trojani, Vermoshi dhe Seferça. Bjeshkët e Balidemajve kanë një gjerësi e bukuri që sa herë të shkosh, sikur i prekë, i ndjenë, dhe të mbeten në kujtesë për nga befasitë natyrore dhe ngjarjet që janë zhvilluar në rrjedhat e kohës aty. Ato shtrihen në disa Bune që radhiten në bazë të kohëqëndrimit gjatë stinës së verës. Kudo që të kalosh, nga banorët e këtyre trevave mëson për një ngjarje apo ndodhi, qoftë të këndshme apo të hidhur,siç është jeta e njeriut.
Bjeshkët mbajnë shumë toponime me emra njerëzish e kafshësh, një karakteristikë e kësaj zone. Jemi në kodrën e Ukit, sipër Martinaje. Ahishtet, përroi i zhurmshëm, lulet e cicërimat e zogjve të krijojnë një ndjesi që ke dëshirë ta përjetosh sa më gjatë. Shaban Prelvukaj një djalosh i lidhur përjetësisht me Martinajt dhe bjeshkët, të tregon me saktësi për emra vendesh duke e shoqëruar spjegimin dhe ngjarjet e ndodhite e Martinasve për tokën dhe vatanin e tyre.
Rrugëtojmë drejt Bunit të Gurit, një mjedis befasues me rudina, që gërshetohet me pisha molike e me masive me gurë të mëdhenj. Tbanet kanë një simetri në mes njeri-tjetrit dhe me torishtat e deleve sipër tyre.Na tërhoqi vëmendjen se edhe në këto lartësi, ku lënda drusore është e bollshme, qoftë për ndërtim edhe për ngrohje, prapëseprapë në tbane ishin vendosur panele diellore për ngrohjen e ujit dhe për ndriçim. Ndalojmë në tbanin e Shaban Balidemajt ku na gostisin me të gjitha të mirat. Mësojmë se kjo familje ka njëqind krerë dele dhe pesë lopë, nga të cilat siguron një pjesë të mirë të të ardhurave. Prodhimet e qumështit i përpunojnë në djathë, gjizë e veçanërisht është e njohur maza e famshme, që prodhohet në këto anë. Rregulli dhe pastërtia në mjediset e këtyre tbaneve shfaqen në çdo pjesë të tyre. Mënyra e komunikimit dhe sinqeriteti flasin shumë, tregues i emancipimit dhe shpirtit të tyre të dlirë. Me një lirshmëri të natyrshme Nurie Balidemaj na tregon tërë procesin e përpunimit të qumështit.Kudo që të kalosh, ke bashkëshoqërues burimet ujëbore, të fshehura në pyjet e molikave.Në Majën e Mehit horizonti zgjerohet. Nga këtu dallohen fshatrat, Vuthaj, Dol, Kukaj, Vishnjevë, Gërçare, një pjesë e Martinajve dhe qyteti i bukur i Gucisë, që shtrihet në fushën e gjelbëruar të luginës nga ana perëndimore, ndërsa në anën verilindore të shfaqen Maja e Valit, Tbanishta, Qafa e Gjeto Turkut etj.Udhëtojmë në një rrugë që të nxjerr në pjesën veriore të vargmalit Val-Vizitor. Ndodhemi në një qafë mali. Nga larg të duket se janë me qindra njerëz.Por lëvizja e një tufe kuajsh të bën më të vëmendshëm dhe dallon se në të vërtetë ato janë gurë. Legjenda e krushqve të ngrirë e memorizuar në baladat popullore dhe në poezitë e poetëve, e shprehin më së miri këtë realitet, sa befasues nga bukuria, aq edhe të dhimbshëm nga ngjarjet e ndodhura në këto anë. E na vjen ndër mend balada historike: “N’Dardani bie nji tupan”, një perlë e epikës sonë folklorike, që evokon rrugëtimin e gjatë të popullit tonë në shekuj. Kalojmë Qafën e Gjon Turkut, arrijmë në një luginë ku janë Varret e Malësorëve. Gurët tregues flasin vetë. Nga të dhënat del se pikërisht në këtë vend në shekujt e kaluar ka qenë një kishë katolike françeskane, ku mblidheshin bjeshkëtarët e Valit, Vizitorit, të Gjon Nik Sykut, Tbanishtës, Balidemajve, etj, për të kryer ritet fetare si meshat, festat dhe ritet mortore. Kelmendasit,pjesë e tyre janë edhe Martinajt, kanë zotëruar toka në hapësirat bregdetare nga derdhja e Bunës e deri në Gurëz të Kurbinit, pasi ata ishin blegtorët më në zë në mbarë pjesën perëndimore të Gadishullit të Ballkanit. Verës shtegtonin në lartësitë e maleve, ndërsa dimrit uleshin në fushat buzë detit. Kujtohen si të famshme tufat me dele të Gjon Niksykut e të shumë malësorëve të tjerë. Rudinat dhe pyjet me pisha i lëshojnë vendin njëra-tjetrës sikur të ishin në garë në mes tyre, në të dy anët e kurrizores së majave.
Ngado që të kalosh, ballafaqohesh me objekte kulti që për banorët e tyre janë të shenjta. Ja, ky gur është i ngulur shekuj më parë dhe quhet Guri Kul. Rrotull tij janë gjurmë banimi të moçme me gurë shumë të mëdhenj. Me toponime të tilla takohesh kudo në këto bjeshkë. Ja ky është guri në të cilën është gdhendur një kryq, e sipër tij shtrihen rrënjojat e Tbanit, që banorët e këtyre anëve e thërrasin edhe sot Tbani i Fratit. Janë të njohura pikëpjekjet e bjeshkëtarëve ku zhvilloheshin gara kuajsh,lojra si Gurapeshi, Rrasash, Mundje, gjuajtje në shenjë, si në Zeletinë Rudë, në Qafë Vizitorit etj. Tashmë numri i veruesve në këto bjeshkë është i pakët. Me nostalgji, më të moshuarit, të flasin gjatë për kohët e shkuara, ku zërat buisnin kudo në këto bjeshkë, kur këmborët e deleve dhe zilet e dhive ishin të shumta, kur dëgjohej melodia me fyell shpat më shpat, kur kënga e çikave ashtu si në legjenda, i thërriste zanat e malit të vinin për të shijuar këtë mrekulli njerëzore. Si një simbol, si një këngë e përjetshme vjen edhe kënga e rapsodit Januz Delajt për këto anë. Vetvetiu largohemi në kohë, e si vegim pranë na vijnë vashat si zana që kërcejnë vallen e bukur shqiptare, të veshura me xhubletën aq të bukur, dhe aq fisnike që është pjesë e etnosit iliro-shqiptar. Vërtet këto lugje, këto rudira qenë me pak bjeshkëtarë në ditët që ishim ne, por ato na çojnë në motin e shkuar që buisnin dhe gjallonin nga banorët e këtyre anëve plot bukuri e nure, siç i ka falë zoti, që rrallë kund i gjen. Meditime dhe emocione të sjellin këto hapësira.
Pikëpjekjet në lartësitë e bjeshkëve tani janë zëvendësuar me Logun e Bjeshkëve në Qafën e Përdelecit në Gerlë në Vuthaj, në logun e Kishës së Shna Ndout në Guci,por zanat e malit janë joshëse e ndjellëse që në të ardhmen këto veprimtari të zhvillohen pikërisht në Zeletin Rude, Qafën e Vizitorit, Bunin e Gurit në Tbanishtë, aty ku e kanë burimin e tyre në mijëvjeçarë:shpirti geni nuk shuhet, por në këtë kohë merr furi të reja që e lartësojnë trungun iliro-shqiptar. Dëshira e zanave me siguri do të realizohet. Ato pse jo, do të bëhen njësh me bjeshkëtarët dhe do të shpërfaqin vlerat e virtytet e tyre, qoftë qiellore, qoftë tokësore.
Zeletina Rud është nga befasitë e këtyre bjeshkëve për nga bukuritë dhe begatitë e saj, me rudina ku rrallë tek-tuk ndodhet ndonjë pishë, me barë të butë, boronica, shpella me borë, liqej karstik. Relievi është i sheshtë, rrethuar nga të gjitha anët me lartësi të maleve. Këtu janë të përhapura me shumicë gropat, hinkat, dolinat, uvalat. Hinkat dhe vrimat thithëse shkojnë në diametër shtatëdhjetë metra dhe thellësi dyzetë-pesëdhjetë metra.
Ngjitemi në thepin e Majes në pikën më të lartë të kësaj bjeshke. Sheshpamja është shumë e gjerë, marramendëse. Përballë, nga krahu jugor shpaloset çatia e Alpeve Shqiptare, Blloku i Jezercës me Radohimën e Shnikun në perëndim dhe në lindje Papluka, Rosi e Kollata sikur garojnë me njëra tjetrën në lartësi; bornajat shekullore, krepat e honet e thella:Të duket vetja si në ëndërr. Jo, jo…një mrekulli që e ka falë Zoti…Nga kjo çati nisin rrugën tre lumenj, secili më i bukur se tjetri. Valbona dhe Lumi i Shalës, që derdhen në detin Adriatik, ndërsa Limi derdhet në Detin e Zi.Duke lënë Zeletinen Rude, kalojmë një shteg, ku na shpaloset në këtë buzë mbrëmje Gucia, Vuthajt, Doli e Kukajt, me rrjedhën gjarpëruese të lumit Luça, që krijon një kordele kaltëroshe në mes të luginës aq zëmadhe të Plavës e Gucisë.
Në mendje na vijnë vargjet e një prej perlave të krijimtarisë së melosit popullor:
Ka nisë bjeshka me u vetmue/
Nis çetina me lodrue/
Nis perçuku me fishkllue/
Ka nis gjeja me u afrue/
Shkoi te kroni ku kam pushue
/Shkoi te mrizi ku kam mrizue.
Këtë melankoli e këtë mallë për bjeshkën e provon cilido që largohet prej tyre, veçanërisht me ikjen e stinës së verës.
Buzëmbrëmja po afron, konturet e Alpeve Shqiptare të mrekullojnë dhe të fusin thellë në mendime. E thua: këtu është vendi ku jetojnë perënditë!Kjo është mrekullia dhe magjia e bjeshkëve të Martinajve.