Nga Astrit Lulushi/ T’u kthehesh kujtimeve është si të vizitosh një dhomë muzeu. Pra edhe një herë në të kaluarës, kur njeriu jetonte për një copë bukë të ngjyer thellë në frikën e persekutimit që ofronte diktatura e “proletarëve” të hipur në majën e piramidës.
Kujtesa mund të jetë më e dhimbshme nëse kujtohet e gjitha. Për t’u ngushëlluar ose nga bamirësia, njeriu i arsyeshëm këtë dhimbje mundohet ta shohë të pa-anëshme, megjithëse e di se vetëm e vërteta është e tillë. Kujtesa që përjeton nuk krijon hidhërim ose urrejtje. Tani, i ndodhur në kohë tjetër, ai ndjen mëshirë edhe pse humbësi ende nuk e kupton se ka dështuar, se koha e tij nuk kthehet prapë, se idetë e tij janë të rreme. Kur njeriu shpërfill çdo gjë që është moralisht e drejtë dhe e vërtetë ai synon fuqinë e pushtetin duke mos parë padrejtësitë ndaj të tjerëve, ndaj vendit, bëhet i pamoralshëm.
Pushteti i ngjan piramidës Në majën e saj është vendosur një objekt me shumë vlerë. Për ta arritur atë, njeriu që ngjitet sakrifikon të mirën e emrit të tij dhe përlyen çdo gjë të vyer që ka në vetvete. Duke humbur sensin e drejtësisë dhe nderit, ai transformohet, apo ruan pamjen e jashtme ndërsa përbrenda sundohet nga natyra e kafshës. Nëse e shtrembëra mund të bëhet e drejtë për hir të postit, atëherë ç’mund të thuhet për të vërtetën nëse pushteti sundon me të gjitha gjërat e frikshme. Falë kësaj sjelljeje, personi në pushtet ka shumë armiq dhe miq të vërtetë, por vetëm shumë pak miq të devotshëm, thotë Jul Cezari në shënimet e tij. Dhe kush më mirë se ai do ta bënte këtë klasifikim? Sepse tirani meriton vdekjen për atë që është krimi i tij më i madh, padrejtësia ndaj të tjerëve dhe pandershmëria ndaj vetes, dhe nuk duhet gjykuar për krimet e vogla që i bëjnë veprimet e neveritshme të dukshme, të lavdërueshme.