Është gjë e bukur të jesh mësues…/
Meditime që mi ndolli nga Detroiti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nxënësi im Gjovalin Lumaj nga Vermoshi…/
“… Është gjë e bukur të jesh mësues, të shohësh si lëshojnë shtat fëmijët e thithin dituri, si rriten e ngjiten, si lulëzojnë e piqen…
E kam pasur këtë fat vetëm për pesë vjet, nga shtatori i vitit 1967 në shtatorin e vitit 1972. Kam qenë mësues i lëndëve teknike në Shkollën e Mesme Bujqësore “ Nazmi Rushiti “ të qytetit të Peshkopisë.
Më mungon të qenit mësues. Më ngushëllon fakti se edhe sot, kur udhëtoj drejt të shtatëdhjetave të jetës, e ndjej veten nxënës, njeri të lidhur fort me Mësuesen e Madhe – Jeta Njerëzore .
Është gjë e bukur të jesh mësues, por po kaq bukur është të jesh nxënës. Dy anë të medaljes së madhe të jetës që nuk mund të ndahen kurrë….”
Është ky një shënim në faqen e fundit, në kopertinë të librit tim “Rilindësit e kohës sonë” (2008). Nuk do ta kisha zgjuar, do t’i kisha lënë në skaj të kujtesës ato pesë vjet mësues sikur një ndodhi e javës së fundit mos fuste dorën në shpirtit tim e të ma vente mbi tryezën e mendimit si një tufë me lule.
Po, vërtet kam qenë mësues. Vërtet kam pas nxënës, madje kam pas “Gjovalinin e vogël që merrej me humor, me grupet artistike”.
Kështu më shkruan duke vazhduar:
“Dikur, mbas shumë përpjekjesh në kërkim të atyre që më mbeten në kujtesë u “kap” edhe njeri prej tyre sonte. Faleminderit fb, internet. Mbasi u mbushën 40 vjet edhe një person i shpallur në “kërkim” u gjet.
E gjeta prej SH.B.A, në mërgim Abdurahim Ashikun, profesorin tim. U ktheva mbrapa në kohë, me shumë nostalgji në shkollën e mesme bujqësore, Peshkopi, tek ata njerëz që më mësuan, më deshën si fëmijë, tek ata dibranë, fisnikë, zemër gjanë. Gjithmonë prej shpirtit tim rrjedh një burim, mirënjohje, respekt, nderim…!
Gjovalin Lumaj.
Ish nxansi juaj në shkollën bujqësore Peshkopi 1967-1971.
Nga Vermoshi i Shkodrës. Gjovalini i vogël që merrej me humor, me grupet artistike. 15 vjet me banim ne Detroit SH.B.A.
Ju përqafoj nga larg ju dhe familjen tuaj.
Me konsideratën më të lartë.
Dëshiroj të di diçka më shumë për ju, shëndetin, familjen, aq sa
më takon të di jo si nxënës por shumë… shumë më tepër…!
U emocionova, zgjova një burim loti që duke zbritur brazdave të moshës, ra mbi tastierë. U ndjeva shumë i privilegjuar. I shkrova:
Përshëndetje Gjovalin! Faleminderit për ato që më shkruan. Unë jam në Athinë prej 15 vjetësh me gruan dhe djalin e vogël. Për hollësira le të kontaktojmë në adresën elektronike a_ashiku@yahoo.gr. Do mundohem të kthehem me ty në ditët e bukura kur unë isha mësues për ju, dhe ju për mua.
Më shkruaj për veten tënde.
Me respekt, tashmë, shoku e miku juaj Abdurahim Ashiku
Athinë 24 janar 2010
Do të vijonte më pas një korrespondencë e vazhdueshme, në adresën elektronike dhe në facebook.
Po përcjell përsëri rrjeshta që zgjuan kohët, që përtrinë zemrat. Po përcjell Gjovalinin…
Përshëndetje profesori im i nderuar.
Në shenjë respekti për ju po u përcjell kopertinën e librit tim “Nastradinet”, 100 fabula-poezi, botuar në vitin 2009. Në postën tuaj elektronike do ju përcjell disa prej tyre. Të përqafoj nga larg.
THIRRNI MENDJEN, URTËSINË
Leni mllefet, djallëzinë,
Mbi kolltukët, leverdinë,
Thirrni mendjen, urtësinë,
Uluni në tavolinë,
Mbi pushtetin dhe lavdinë,
Gjeni forcat, burrërinë,
Të veproni për Shqipërinë,
Kthejani popullit qetësinë,
Shmangni sherrin, tollovinë,
Ju e keni përgjegjësinë,
O…Nastradinë…!
I shkrova se ndjehesha krenar që Gjovalini i vogël i kishte kaluar “grupet artistike” të moshës, ishte bërë poet. Më tej vijuan poezi të tjera e të tjera. Vermoshi i largët e kishte përcjellë bukurinë tej Atlantikut, e kishte shkrirë në zemrën e Gjovalinit.
Vijuan letërkëmbimet elektronike. Unë e lexoja atë, ai më lexonte mua. I përcolla në face book një fotografi i sigurt se ai do të ishte në klasë midis nxënësve në një orë mësimi. Nuk isha i sigurt ku ishte. Dyzet vjet larg është vështirë ti mbash mend fytyrat.
Më shkroi:
I nderuar profesor Abdurahimi. Nuk mund të gjej fjalë në fjalorin tim (relativisht të pasur) për të shprehur ato që ndjej në këto momente. Më ktheve shumë mbrapa në kohë, në kujtimet e bukura të jetës rinore.
I tretur diku larg në kurbet, shoh veten, shokët e klasës, Prof, Abdurahimin në kabinet. Edhe kjo foto është pjesë e kujdesit tuaj, është pjesë e fisnikërisë suaj shpirtërore, pjesë e dashurisë suaj prindërore, për ne në bankat shkollore. Vite të pa kthyeshme, mbresa të pashlyeshme..! Ju dhe gjithë kolegët tuaj mbeteni përjetësisht mësuesit e mi të mrekullueshëm dhe unë gjithmonë nxënësi juaj mirënjohës dhe vlerësues i punës suaj aq të vlershme, të përkushtuar e të ndershme. Ju përqafoj nga larg duke ju falënderuar shumë… shumë…!
Fotografia shpejt do të shndërrohej në një konkurs, në një kërkim kush ta gjejë “Gjovalinin e vogël”. Ai e shpalli “konkursin” kështu:
“MIQTE E MI. Sot mora një dhuratë nga profesori im i nderuar, gazetari i njohur Abdurahim Ashiku, i cili si shumë e shumë të tjerë ndodhet në emigracion në Greqi. Kjo foto i takon vitit të tretë në shkollën e mesme bujqësore “Nazmi Rushiti” Peshkopi-Dibër. Para 42 vjetësh, një orë mësimi në kabinetin e zooteknisë me prof. Abdurahimin. Prej miqve që më njohin nga afër, cili mund të gjejë bankën ku jam i ulur, cili prej këtyre nxënësve jam unë..?!
Fituesi ka një kafe në rastin më të parë..!”
Ishte një debat i gjallë, shumë interesant: Blerim Lumaj, i biri shkruan: Faleminderit për interesimin shokë e miq , unë e kam babë e nuk di me e gjet. Atëherë ka qenë me flokë kurse tani është tullac. I lutem Profesorit, në qoftë se ka mundësi me ma gjet babën ”
Përgjigje nga më të ndryshmet, humor i gjallë mes shokësh e miqsh. Dikush e gjeti, por Gjovalini ende nuk e ka shpallur “fituesin e kafesë”.
Ka shpallur nderimin dhe respektin për mësuesit, të gjithë mësuesit, nëpërmjet një poezie të dalë nga zemra.
MESUESVE…
Të kujtoj, të nderoj e respektoj,
Kam mall e nostalgji,
Për atë dorë që mu dha,
Plot dashuri,
Qysh në fëmijëri,
E para mbas prindërve të mi.
Mësues i nderuar!
Për mua mbetesh figurë e shenjtëruar
E shenjtë puna dhe përpjekjet tuaja,
Për t’na hapur sytë,
E shenjtë dashuria,
Dhembshuria e përkujdesja ,
Si prind i dytë..!
Jo vetëm për 7 Marsin
T’i dhuroj këto radhë,
Por sa të jem i gjallë,
Jam mirënjohës pa kufi,
inferior, i vogël, fëmi,
Para mësuesve të mi..!
Për ata që janë ndarë nga kjo jetë,
Një kurorë thurur me lulet e shpirtit,
Me ndjenjën e vërtetë,
Më shkrimin shqip që ma mësuan,
SHKROVA:
– Qoftë për ju dheu i lehtë,
Pushofshi të qetë..!
Për ata që jetojnë,
Në pleqëri,
Uroj ditë të mira,
Lumturi, kënaqësi,
Duke u ndier krenar,
Mësuesit e talentuar,
Aq të përkushtuar,
Mësuesit shqiptarë.
Nga të largëtat udhë,
Përkulem me respekt,
duke u puthur ballin tuaj fisnik,
Plot rrudha..!
Gjovalin Lumaj Detroit, 5 Mars…
Këto radhë i shkrova për vete, për gruan 34 vjet mësuese, për të gjithë mësuesit kudo që janë, për nxënësit që nuk na harrojnë, që na nderojnë.
Faleminderit Gjovalin Lumaj për ndjenjat që më zgjove.
I shkrova për vete, peshë të madhe kanë, peshën që sjell të qenit mësues. Nuk mund ta mbaj, po e përcjell për të gjithë mësuesit si urim, si përkushtim, për 7 Marsin 2015!
Abdurahim Ashiku
Athinë, 5 mars 2015