Në Kërçovë nuk do të ketë raund të dytë, për shkak se atje garuan vetëm dy kandidatë, njëri shqiptar dhe tjetri maqedonas. Ne Diber ka konkuruar anetari i Keshillit te Vatres, biznesmeni Ibrahim Kolari./
Nga Isak Ramadani/
Në Maqedoni janë mbyllur qendrat e votimit, ndërkohë që sonte para mesnate do të dihen rezultatet e zgjedhjeve vendore që u mbajtën sot atje. Megjithatë, mendohet se do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve në më shumë komuna. Procesi sot ka kaluar i qetë, ndërsa janë shënuar parregullsi, të cilat, sipas autoriteteve të vendit dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nuk pritet të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.
Janë mbyllur qendrat e votimit në Maqedoni, ku sot u mbajën zgjedhjet e pesta vendore që nga pavarësia e këtij vendi. Dalja e votuesve në zgjedhje vlerësohet të ketë qenë e kënaqshme. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe shoqatat e vëshguesve pritet të japin shifrat, ndërsa mendohet se rreth 70% e elektoratit të ketë shfrytëzuar të drejtën e votës, që paraqet një shkallë të lartë të daljes në zgjedhje.
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve janë shprehur se procesi ka kaluar në një atmosferë mjaft të qetë dhe se nuk janë shënuar incidente serioze, përveç disa parregullsive të vogla. Por nga ana tjetër, duket se është një numër jo i vogël i atyre të cilët kanë mbetur pa votuar për shkak të mungesës së dokumentave biometrike. Një nga ta është vetë kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi. Zoti Thaçi thotë se ka pasaportë diplomatike, biometrike.
Por nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se pasaporta diplomatike nuk ka adresë të individit dhe se ajo nuk është një mjet i vlefshëm për të votuar.
Edhe nga Rilindja Demokratrike Kombëtare janë ankuar lidhur me parregullsi në procesin e votimit, përkatësisht persona të tjerë të kenë votuar në emër të të tjerëve.
Mbrëmë ka pasur një incident në lagjen Nerez të Shkupit, ku sulmues maqedonas kanë thyer xhama të dyqaneve dhe kanë dëmtuar makina pronë të shqiptarëve. Kjo mendohet të jetë bërë si trysni për t’i penguar ata të dalin në votime.
Vëshguesit ndërkombëtarë pritet t’i bëjnë komentet e para gjatë ditës së hënë. Janë 420 pjesëtarë të misioneve të huaja diplomatike dhe të OSBE-së e ODIHR-it të përfshirë në mbikqyrjen e këtyre zgjedhjeve. Numri i vëzhguesve vendas është shumë herë më i lartë.
Zyrtarë e përkrahës të partive kanë nisur të mblidhen para shtabeve partiake prej nga presin të mësojnë rezultatet e para. Drejtuesit politikë e shtetërorë kanë shprehur dëshirën për një proces të qetë, të drejtë dhe të ndershëm.
Zgjedhjet vendore në Maqedoni janë jashtë mase të politizuara. Maqedonia ka tetëdhjetë komuna dhe qytetin e Shkupit si njësi e veçantë administrative me nëntë komuna.
Në Kërçovë nuk do të ketë raund të dytë, për shkak se atje garuan vetëm dy kandidatë, njëri shqiptar dhe tjetri maqedonas.
Shqiptarët, ndërkohë, pritet të fitojnë postet e prefektëve në Tetovë, Gostivar, Dibër të Madhe, në Çair të Shkupit, me gjasa të mëdha edhe në Strugë e në Kërçovë, ku këto ditë janë kthyer qindra emigrantë nga vende perëndimore për të votuar.
Po ashtu, një duzinë komunash rurale në veriperëndim dhe perëndim të Maqedonisë do të drejtohen nga shqiptarët. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mund të shpallë rezultatet e para, jozyrtare, nesër ose pasnesër.
Që një kandidat të fitojë postin e prefektit qysh në raundin e parë, duhet të ketë marrë mbi pesëdhjetë përqind të votave të atyre që kanë dalë për të votuar. Për kandidatët për anëtarë të Këshillave Komunalë nuk do të ketë një raund të dytë zgjedhjesh. Ne Diber ka konkuruar anetari i Keshillit te Vatres, biznesmeni Ibrahim Kolari.(kortezi:VOA)