Nga Eugjen Merlika/
“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.” – FIODOR DOSTOJEVSKI
Nga Eugjen Merlika
(vijon nga numuri i kaluar)
Në ngjarjet e atyre muajve të vitit 1944 del në pah roli i Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit, në përpjekjet për të organizuar forcat kombëtariste, për t’i bashkuar ato në një luftë të vendosur kundër “rrezikut komunist, që e ndjejmë rrezik vdekje për Kombin”. Personaliteti i shquar i tij, përfaqësonte ndërgjegjen kritike të kombit, që nuk donte të binte nga pushtimi gjerman në sundimin komunist. Atdhetar i kulluar, kishte kudërshtuar që në ditët e para të pushtimit italian këtë të fundit në mbledhjen e parlamentit shqiptar që do të miratonte “bashkimin e kurorave”, në alternativë të të cilës ai kërkonte vetëm princin italian në funksionin e mbretit të larguar. Madje në muajt e fundit të vitit 1943, së bashku me mikun e tij, Mustafa Krujën, kishte arritur në përfundimin se për të shmangur “rrezikun komunist”, duhej mbështetur mbreti i ligjshëm i Shqipërisë, Ahmet Zogu, tashmë në mërgim e i mbajtur nga anglezët pa lidhje me politikën shqiptare. Në ditët kur Mustafa Kruja ishte mik në shtëpinë e tij në Shkodër, në një bisedë me Imam Sali Myftinë që ishte në lidhje me mbretin Ahmet Zogu të dy i shprehën atij dëshirën për t’i përcjellë mbretit mendimin e tyre se ai ishte, simbas tyre, “i vetmi që mund të shpëtonte Shqipërinë nga rreziku komunist, e Kapidan Gjoni e miku i tij nga Kruja i viheshin në shërbim duke u quajtur thjesht “ushtarë të tij”.
Kapidani dhe Mustafa kishin qënë për vite të gjata kundërshtarë politikë të mbretit e kjo kthesë në bindjet e tyre ishte e diktuar nga gjëndja në buzë të humnerës në të cilën ishte atdheu i tyre. Sigurisht besimi tek “mrekullia” e mbretit të mërguar mbështetej tek konsiderata që ushqenin për të e për aftësitë e tij të veçanta në njohjen e popullit të tyre e në mënyrën e qeverisjes. Por kjo shprehje e hapur e mendimit të ndryshuar, tregonte në rradhë të parë shqetësimin e tyre tejet të fuqishëm për fatet e Shqipërisë, e ndershmërinë e tyre intelektuale për t’i njohur kundërshtarit meritën e “shpëtimit të kombit”, pa përfillur ndonjë zë që mund t’i padiste në skenën politike për kundërthënie të vetvetes. Mustafa Kruja e kishte shprehur shumë vite më parë, në një artikull të botuar në gazetën “Shqipëria e Re” e Kostancës, më 8 dhjetor 1929, të titulluar: “ Ç’po zjen?” me një nëntitull të tillë: “Kur armiku i jashtëm i kërcënohet Atdheut, pasionet reshtin dhe kombi shqiptar paraqitet i bashkuar në një trup”. N’ata çaste armiku i jashtëm kishte arritur të drejtonte lëvizjen Nac.-Çl. e trevat shqiptare, të bashkuara me aq mundim me “dheun amë” rrezikoheshin të shkëputeshin përsëri prej tij.
Në gjithë përpjekjet e Kapidan Gjonit për të organizuar qëndresën kundër-komuniste, pranë tij qëndronin bijtë e tij, kryesisht ish ministri Marku, që kishte një rol parësor edhe në vendimet e babait të tij. Në Arkivin qëndror të Shtetit gjëndet një letër e shkruajtur nga Mustafa Kruja e i drejtohet Mark Gjomarkajt. Letra niset nga Kruja e mban datën 23 korrik 1944 e trajton probleme te çastit politik, pikërisht të asaj qëndrese për të cilën u fol më sipër. Ish kryeministri, që jeton në vëndlindje, kërkon nëpërmjet kësaj letre të japë ndihmesën e vet, sado të vogël, në harmonizimin e përpjekjeve për qëndresë e i drejtohet Kapidan Markut, si një figure qëndrore që vinte duke marrë peshën e tij në ngjarjet e pritëshme:
“I dashuni Mark,
Mbrâmë të prita e s’erdhe. Do të kishem diftue shumë punë t’idhta me gojë, qi në përgjithsí, do t’i marrsh vesht prej letrës së dërgueme Fiqriut. Me Dedë Cokun nuk dij ç’ke bâ ti. Por duket se edhe Kurbîni, me Skurajt në krye, po don me na tradhtue. Ka pasë dhânë fjalën se do t’u niste nesër me bajrakun tradicjonal përpara. Por kishin lajmue Shitën, qi âsht atje, se Skurajt paskan dalë me ruejtë katundin e vet mbasi andej pari qênka pá nji çetë komuniste! E në mos ardhshin Skurajt shthuret krejt ajo anë. Gjithë uzdajën e kemi pasë në Kurbî. Katundet e epra myslimane e kanë dhânë nji farë kontributi.
Tash në mos mujshim me i sigurue krahët Bazit ka me qênë nji katastrofë për ne….”
Kjo letër e thjeshtë pasqyron një realitet të rrethit të Krujës, në të cilin tregohet një pamje aspak inkurajuese e qëndresës që bazohet mbi premtime të pambajtura, e që dëshmojnë një mungesë aftësie për të kuptuar rrezikun që i kanosej pjesës jo komuniste të popullsisë. Kjo gjëndje duket se pasqyron atë që ndodhte në përpjekjet në nivel kombëtar, për të hartuar e zbatuar një strategji të efektëshme në përballimin e sulmeve të pritëshme nga brigadat partizane, që synonin të “lironin“ Vëndin nga pushtuesit e huaj.
“Në fillim të Tetorit 1944, në shtëpinë e Gjon Fushës në Bulgër Kapidani i Mirditës takohej me Mit-hat Frashërin, Abaz Kupin, Abaz Ermenin, Ali Klisurën, Fiqiri Dinen, gjeneral Preng Përvizin, Hysni Demën e tjerë. Shqipnia e Jugut, Dibra, Luma, Mati dhe pjesa ma e madhe e krahinës së Elbasanit, kishin ra në dorë të brigadave komuniste. Sulmi kishte fillue edhe kundër Mirditës.
Mit-hat Frashëri e Abaz Kupi propozuen të shkohej në Lurë e atje të shpallej Qeveria e Përkohshme. Gjon Markagjoni i njoftoi se Lura ishte pushtue nga Mehmet Shehu, e se vendi ma i përshtatëshëm për të formue nji qeveri do t’ishte Shkodra, meqë edhe po të arrihej të pushtohej Lura nga nacionalistët, nuk do të kishte asnji dobi praktike kenia e nji qeverie n’at katund të vogël malsije pa ndërlidhje rrugore; me që prej andej nuk do të ishte e mundun të furnizohen fuqitë luftarake me ushqim e municion, ndërsa nga Shkodra, do t’ishte kjo mundësi për ushqim me që ende rruga Shkodër-Prizren ishte e lirë. Prandej, mendimi im, – tha Kapidani – âsht që Mit-hat Frashëri me njerzit e nevojshëm e me pleqtë të nisen për Shkodër, e në marrëveshje me Sylço begun e tjerë Parsi të Shkodrës të formojnë qeverinë. Na, me fuqitë luftarake të veprojmë këtej e menjëherë të vihemi kundër Mehmet Shehut e brigadave komuniste. Nëse nuk veprojmë, por rrijmë si deri sot, – shtoi Kapidani – sigurisht, që si qeveri, nga ana e aleatëve, ka për t’u njohë ajo e komunistëve, ndërsa ne, do të vazhdojmë të mbesim komitë (ilegal).
Propozimi i Gjon Markagjonit nuk u pranue. Shumica preferoi Lurën e ashtu i u shtrue vendimit të shumicës edhe kapidani….
Bisedimet përfunduen me vendimet që vijojnë:
1.Gjon Markagjoni të nisej për Lumë, për t’u takue e marrë vesh me Muharrem Bajraktarin që të fillohej sulmi nga ajo anë.
2.Abaz Kupi e Abaz Ermeni me fuqitë e tyne të venin në Përlat, për të mësye Lurën në kombinim me fuqitë e Kapidanit, që do të mësynin nga ana e Vjerthit.
Me t’u pushtue Lura, të shpallej qeveria e përkohëshme.
Kapidani i përcjellun prej treqind mirditësve, arrijti në katundin Arrën të Lumës, ku ftoi menjëherë Muharrem Bajraktarin me krenët e Lumës. Mbledhja u ba në shtëpi të Halit Osmanit. Muharrem Bajraktari e krenët aty e pranuen pa ngurim propozimin. Luma e filloi menjëherë sulmin në Kala të Dodës, Luzën e Novosellë e të tjera vende, madje 2-3 ditë parakohe. Në kohën që Kapidani vendosi të dërgojë në ndihmë të lumjanëve një pjesë të fuqisë prej treqind vetësh që kishte me vete, e vetë po nisej për Mirditë, për me veprue simbas planit të paracaktuem, arriti një udhëtar (korier) me letër nga i biri Ndoi, me të cilën e lajmonte se kishin arritë në Sh’Pal Mit-hat Frashëri, Ali Këlcyra, Koço Muka, Vasil Antoni e tjerë, gjithsejt shtatëmbëdhjetë vetë. Ai i tha: se Balli e Legaliteti kishin shpërnda forcat dhe hjekë dorë nga veprimi i kombinuem në marrëveshjen e Bulgërit, se Abaz Kupi kishte marrë drejtim kah Bregu i Matës, gjasa ishte, për t’u ngarkue për Itali së bashkut me oficerë anglez dhe se Abaz Ermeni, nuk dihej ma nga askush se ku gjendej.
Ky lajm e kjo gjendje e papritun, krijue nga paqëndrimi ndaj marrëveshjes e planit të veprimit, siç ishte vendosë në Bulgër, shtërngoi Gjon Markagjonin të këthejë menjëherë nga Arrni me të gjithë njerzit që kishte me vete. Arrijti në Fand, mori vesh se një fuqi komuniste kishte dalë në Nënshejt, e u ra. Si rezultat i kësaj befasije, ky sulm kje nji grusht i mirë kundra të kuqëve, por i përkohshëm.
Kësisoj Luma u muer në qafë e Mirdita mbeti vetëm.
Shpërnda në Bulgër, Mit-hat beu me shokë u nis për Sh’Pal, Fiqiri Dine, Hysni Dema, Selim Damani me shtatdhjetë vetë shkuen në Thkellë në shtëpi të bajraktarit Nikoll Mëlyshi, e prej andej nëpër Mirditë: Spaç e Gojan, ku u takuen me Kapidanin që këthente nga Luma. Simbas kërkesës së tyne Kapidani i përcolli për Naraç të Zadrimës, për t’arrijtë Shkodrën.
Mit-hat Frashëri me shokë, të përcjellun nga njerëzit e Ndue Markagjonit arrijtën në Fushë-Arrës te Dod Ndrec Qafa, ku takohet rruga Shkodër-Prizren, e prej andej arrijtën në Shkodër me automjete gjermane, për të kalue mandej n’Itali.
Ndërkohë, pjestarët e Këshillit të Naltë dhe të qeverisë e lanë pushtetin pa ia dorzue askujt, pa i ba Popullit kumtim, pa dhanë një fjalë këshille, as shprese dhe as dëshprimi, së paku tue e hjedhë në “ettër” me anë të radios se e “la Tiranën e mori udhën për hesapin e vet”.
Kjo gjendje këshilloi formimin e Komitetit Ekzekutiv në Shkodër, të përbamë nga Sylço beg Bushati e Gjon Markagjoni; dhe të Komandës së Përgjithëshme të Fuqive ushtarake të Shkodrës, nën komandën e Mark Gjonmarkagjonit, me nënkomandantë të përgjithshëm Xhelal Bushatin, Halil Alinë, Kol Mirakaj e – në mos gabohem – edhe Isuf Luzaj.
Qëllimi i formimit të Komitetit e të kësaj komande kje:
a)Për të mbajtë rregullin n’ato krahina që ende nuk kishin ra në dorë të komunistëve.
b)Me sigurue strehë, ushqim e mikpritje në Shkodër, njerzve e ushtarëve që kishin fillue të vinin nga viset e tjera të Shqipnisë e sidomos nga Jugu.
c)Me u përpjekë për të mujtë me organizue rezistencën e fundit.”
Kjo histori qe fundi i palavdishëm i Shqipërisë zyrtare kundër-komuniste, një fund i përcaktuar nga mosmarrëveshjet në kohën që ishte urdhëruese marrëveshja e detyruar, sepse në lojë nuk ishte fati vetiak i secilit, por fati i përgjithshëm i atdheut të bashkuar, për të cilin cilido që kishte patur funksione drejtuese në Shtetin shqiptar, duhej të jepte ndihmesën e tij deri në fund. Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Mbledhjet që pasonin njëra tjetrën jepnin përshtypjen se të tjera gjëra diskutoheshin e të tjera vërtiteshin në mëndjet e disa bashkëbiseduesve, se ishin thjesht formale, mbasi pas pak orësh marrëveshjet e nënëshkruara ktheheshin në letra pa vlerë, e një pjesë e atyre që kishin firmosur shqetësoheshin vetëm për rrugët e hapura deri në Shkodër, prej nga do të hipnin në anije apo varka për në Itali, apo do të bashkoheshin me trupat gjermanë drejt Evropës së perëndimit.
Është tepër e vështirë për ne sot të japim gjykime, sepse koha ishte tepër e ndërlikuar e pesha e ngjarjeve paloste vullnete, dëshira e personalitete, duke paralizuar zgjedhjet njerëzore. Kush nuk mund të marrë lëvdata për ato zgjedhje besoj se i ka bërë llogaritë me ndërgjegjen vetiake, në vite të gjata mërgimi e brengash e dhimbjesh pa fund, me familjarët para syve të mëndjes, të dergjur për dhjetëvjeçarë me rradhë duke pritur vdekjen mes jetës së burgjeve e kampeve të internimit të regjimit më barbar që ka njohur historia e Shqipërisë, me një atdhe të rindarë nga lakmitë e fqinjëve dhe vendimet e fituesve, të rihedhur pa mëshirë në botën e Lindjes, madje në atë të komunizmit që përbënte pjesën e saj më johenike…..
Por n’a takon të japim vlerësime, madje të ngremë shtatore në të katër anët e botës shqiptare, me nderimin më të madh, për ata fatosa të kombit, që vazhduan luftën duke u flijuar për t’i u kundërvënë rrymës së fituesve në mbrojtje të atdheut të bashkuar, të Shqipërisë etnike, të shqiptarizmit si ide dhe ideologji, të traditës shqiptare, duke shkruajtur faqet më të ndritura të qëndresës kombëtare për vite të tëra. Shumë prej tyre u flijuan për Shqipërinë e sot nuk kanë as varre ku shqiptarët mirënjohës t’u përulen me nderim duke i stolisur me tufa lulesh të freskëta, ashtu siç i meritojnë plotësisht.
Vijon