Nga Eugjen Merlika/
“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.” – FIODOR DOSTOJEVSKI
Këto fjalë të shkrimtarit gjenial rus, njërit ndër më shquarit, në mos më I shquari në studimin e në zbërthimin psikologjik të natyrës njerëzore, duket sikur janë shkruar enkas për jetën dhe veprën e një shqiptari me Sh të madhe, që u flijua në malet e Mirditës së tij legjendare, për idealet e Shqipërisë e të Shqiptarizmit në moshën në të cilën dymijë vite më parë u vu në kryq Jezu Krishti, për të shpëtuar njerëzimin nga mëkatet e tij në gjyqin e fundit.
Sot mbushen plot 77 vite qe u ngjit në amshim shpirti i Komandantit Mark Gjomarkaj që mbeti “theror” i idealit te tij në krye të detyrës për të kundershtuar me çdo mjet te mundshëm rënien e Shqipërisë nën thundrën e regjimit komunist mbas luftës së Dytë botërore.
Kjo e fundit qe një varg provash për vetë shqiptarët. Pushtimi italian i Shqipërisë shkaktoi dhimbje e zhgënjime edhe n’atë pjesë njerëzish që i kishin parë marrëdhëniet me Italinë si një rrugë të drejtë për të hyrë në Perëndim, mbas gati pesë qindvjetorësh të sundimit të perandorisë osmane në Shqipëri. Por pushtimi ushtarak i 7 prillit 1939 tregoi se ajo rrugë nuk ishte e lehtë dhe kishte çmimet e saj. Ndoshta një nga çmimet më të larta për t’u paguar ishte, veç lirisë së rrëmbyer, copëzimi i ideve, projekteve e mendimeve që lindi ndërmjet shqiptarëve para gjëndjes së krijuar.
Tre vitet e para të pushtimit shënuan një farë “qetësie”, në të cilët shqiptarët pothuajse e ndjenë pak peshën e luftës. Mbreti Zog kishte lënë autoritetin e tij politik në Vënd. Opozita kundër-zogiste ishte kthyer në atdhe e kishte filluar veprimtarinë esaj në organizimin e forcave të reja politike. Lufta kundër pushtuesve nuk kishte marrë ende format e saj zyrtare, sepse qëndresa e armatosur, mbas ditëve të para të prillit 1939, ishte zbehur, e përfaqësuar vetëm nga grupe të vogla mbretërorësh.
Kultura ishte ajo pjesë e superstrukturës që shënonte arritje të dobishme nën ndikimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, që kishte mbledhur në gjirin e tij forcat më të shëndosha intelektuale të Vëndit, madje edhe të studjuesve italianë dhe arbëreshë. Komunistët, të ndarë në disa grupe, në sajë të traktatit Ribentrop – Molotov shijonin kohë “qetësie”, duke pritur krijimin e proletariatit për të zhvilluar revolucionin , simbas mësimeve që vinin nga Ndërkombëtarja komuniste dhe nga Kremlini.
Gjëndja ekonomike e popullsisë ishte përmirësuar, mbasi ishte krijuar një farë bollëku nga një prirje e qeverisë italiane për të bindur shqiptarët se “Bashkimi i kurorave” ishte një dobi për ta, e që mbeti në kujtesën e përfytyresën shqiptare, edhe mbas shumë vitesh si “koha e Italisë”. Kjo gjëndje palëvizshmërie e përgjithëshme ndryshoi papritmas në prill 1941, me bashkimin e trojeve me popullsi shqiptare, të mbetura jashtë Shtetit shqiptar në Konferencën e Londrës më 1913. Kjo ngjarje e re elektrizonte gjithë popullin shqiptar brënda e jashtë Shqipërisë zyrtare. Ishte një ngjarje madhore, që kurorëzoi ëndërrat e shqiptarëve për bashkimin kombëtar e krijoi mundësi për të ngritur institucionet e shkollat në gjuhën shqipe në Kosovë e në trojet shqiptare në Maqedoni e në pjesë të Malit të Zi e zonat e Liqejve. Sidomos të rëndësishme qenë hapjet e shkollave, të cilat edhe më vonë, me rikthimin e atyre trevave në zotërim të Jugosllavisë, si pasojë e nënështrimit të fituesve të luftës politikës jugosllave, mbetën të hapura e përcaktuan shkollimin në gjuhën amtare të fëmijëve shqiptarë. Si pasojë e veprimtarisë së palodhur të dy ministrave atdhetarë të atëhershëm të arsimit, prof. Ernest Koliqit e dr. Xhevat Korçës, u vunë në shërbim të shkollave në “Tokat e lirueme” qindra mësues nga “Dheu amë”, me zellin më të madh për t’i shërbyer idealeve kombëtare.
Vera e atij viti shënoi thyerjen e traktatit të mos sulmimit ndërmjet Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik, që pati pasojat e saj edhe në Shqipëri, si në të gjithë Evropën, në të cilën filloi të organizohej qëndresa e të majtëve, të drejtuar nga partitë komuniste. Kështu edhe në Shqipëri, grupet komuniste të Korçës, të Shkodrës e të Tiranës, vendosën të krijonin partinë komuniste, nën mbikqyrjen dhe drejtimin e Miladin Popoviçit e të Dushan Mugoshës, të dërguar të partisë komuniste jugosllave, edhe se në Mërgatën shqiptare kishte mjaft elementë komunistë që kishin qënë në Bashkimin Sovjetik mbas vitit 1927.
Ngjarjet e vitit 1941 polarizuan mendimin politik shqiptar në disa drejtime e krijuan të çara në të, përsa i përkiste qëndrimeve të ndryshme ndaj pushtuesve italianë. Klasa politike kundër-zogiste, që në mërgatën 15-vjeçare ishte organizuar në Bashkimin Kombëtar e në grupin e Zarës, në ata vite përbënin pjesën kombëtariste të politikës, së bashku me Lëvizjen e Legalitetit. Ndërsa Bashkimi Kombëtar krijoi Ballin Kombëtar, grupi i Zarës, i drejtuar nga Mustafa Kruja që, në dhjetor 1941 u bë kryeministër, bashkëpunonte me italianët, në perspektivën e ruajtjes së Tokave të Lirueme, që quhej si arritja më e rëndësishme për interesat shqiptare.
Tashmë çështja e pushtimit ishte parë se, në kuadrin e luftës do të kishte përfundimin e tij jo më në Shqipëri, por në frontet e tjera të mëdha, si ai i Rusisë apo i Evropës Perëndimore. Për Shqipërinë ishte e rëndësishme të fuqizohej Shteti, në kufijtë e tij të rinj e synimi madhor ishte që ai të ruante atë gjëndje kur të mbaronte lufta, cilido të ishte fituesi.
Që nga viti 1943, qëndresa kundër italiane filloi të merrte formën e saj të organizuar. Në të bënin pjesë veç partisë komuniste edhe Lëvizja e Legalitetit e Balli Kombëtar. Që nga konferenca e Pezës më 16 shtator 1942, e deri në mbledhjen e Mukjes (1,2, e 3 gusht 1943) u krijua ideja e luftës së përbashkët kundër pushtimit italian më parë, e atij gjerman që nga vjeshta 1943, me kapitullimin e Italisë zëvendësoi këtë të fundit.
Konferenca e Mukjes, në të cilën morën pjesë Fronti Nacional-Çlirimtar me përfaqësuesit dhe Balli Kombëtar, me një përfaqësi të zgjedhur në nivel të lartë, vendosi bashkërendimin e veprimeve luftarake të qëndresës. Në të u bisedua edhe çështja kombëtare, për të cilën Legaliteti e Balli Kombëtar kërkuan një zotim të përgjithshëm për të ruajtur bashkimin e trojeve shqiptare edhe mbas luftës. Por në atë rast ky problem, më i rëndësishmi që vihej para shqiptarëve, e që kërkonte zotimin e gjithë spektrit politik, pavarësisht nga qëndrimi kundrejt pushtimit italian, nuk gjeti një zgjidhje të vendosur e u shty për më vonë. Kështu edhe marrëveshja e firmosur nga palët pasqyroi atë pavendosmëri. Por vetë fakti i bisedës mbi problemin bëri që të dëguarit e PKJ, që drejtonin Frontin Nac.- Çl., mbas pak ditësh të firmosjes së marrëveshjes t’a hidhnin atë në kosh, duke bërë të qartë se mbarimi i luftës nuk do të kishte asnjë tjetër parti në drejtimin e Shqipërisë, veç partisë komuniste në udhëheqje të Frontit.
Më 8 shtator 1943 Italia kapitulloi. Gjermania e zëvendësoi menjëherë me trupat e saj zbrazësirën politike duke i bërë të ditur shqiptarëve se ajo nuk kishte asnjë projekt pushtimi për Shqipërinë, por nuk do të lejonte hapjen e një fronti të aleatëve në Ballkan. Në këtë mënyrë gjermanët i linin mundësi më të mëdha politikës shqiptare të organizohej për qeverisjen e Vëndit.
Më 18 tetor 1943 u hap “Kuvendi Kombëtar”, i zgjedhur me vota të lira nga të gjitha viset me popullsi shqiptare, të bashkuara nën administrimin e Tiranës. Kjo asamble, e vetmja në gjithë historinë bashkëkohore shqiptare, që përfaqësonte edhe se jo krejtësisht Shqipërinë etnike u gjuajt me top nga ushtria partizane, si për të vërtetuar se për Frontin Nac.-Çl. Ishte më jetike mbështetja e Jugosllavisë se sa Shteti i bashkuar shqiptar.
Në këta çaste, tejet të rëndësishme për qëndrueshmërinë e vetqeverisjes shqiptare shquhet ndihmesa e Mark Gjomarkajt, si garant i zhvillimeve normale të punimeve t’asaj Asambleje kombëtare, me prurjen e treqind mirditësve t’armatosur në roje të institucioneve, duke filluar nga ndërtesa e parlamentit të vetëm të Shtetit shqiptar të bashkuar. Kush ishte Mark Gjomarkaj, të cilin shumë vite më vonë, në një tubim me rastin e krijimit të Bllokut Kombëtar Indipendent, që përkonte me çerek shekullin e vdekjes së tij, më 14 qershor 1971, profesor Ernest Koliqi do t’a përcaktonte “theror i traditës”?
Ai ishte më i madhi i nëntë bijve e bijave të Gjon Markagjonit, pinjollit të më të vjetrës shtëpi princore të aristokracisë shqiptare, prejardhja e së cilës zhytet thellë në humbëtirat e kohëve, në shekullin lavdiplotë të Gjergj Kastriotit e të Nikollë e Lek Dukagjinit, nga të cilët mendohet se është zanafilla e familjes Gjomarkaj. Një gjë është e sigurtë historikisht: në shekuj pjestarët e asaj familjeje, që ka drejtuar Mirditën e pashkelur nga ushtria otomane, kanë qënë gjyqtarët e njohur zyrtarisht jo vetëm në krahinën e tyre, por edhe në gjithë Malësinë veriore shqiptare. Ky nder dhe detyrë të zbatuar prej përfaqësuesve të kësaj familjeje dëshmon jo vetëm për autoritetin e ligjshëm që ajo gëzonte në botën shqiptare, kryesisht veriore, por edhe për aftësinë e pjekurinë e trashëguar që ata kanë treguar në ushtrimin e ofiqit më të lartë të shoqërisë. Përfaqësuesit e asaj dere mbanin titullin “kapedan” e ashtu janë të njohur në historinë e Vëndit tonë, deri në ardhjen e regjimit komunist, që ktheu në hi traditat më të çmuara të kombit e bartësit e tyre.
Për figurën e Markut kanë shkruar, veç të tjerëve, dy nga përfaqësuesit më në zë të politikës dhe kulturës shqiptare. Profesor Ernest Koliqi dhe atdhetari Tahir Kolgjini, që e kanë njohur nga afër. Ja disa fragmente të shkrimeve të tyre. Po filloj me një artikull të të dytit, të botuar nga gazeta “Lajmëtari i të Mërguemit”, organ mujor i Bllokut Kombëtar Indipendent, që dilte në Romë, në numurin e tij të korrikut 1976, në rastin e 30 vjetorit të largimit nga jeta të shtetarit mirditor:
“…. Të gjithë shqiptarët, qi kanë flijue jetën e tyne për nji Shqipní të lirë Etnike, duhet t’i kujtojmë shpesh e me nderime. Duhet t’i kujtojmë me qëllim qi të jemi mirënjoftësa ndaj tyne dhe, në këtë mënyrë, t’inkurajojmë pjesën nacionaliste përgjithësisht. Veç kësaj, na duhet me i kujtue dhe për arsye qi historiani i ardhshëm të ketë burime të vërteta në përshkrimin e ngjarjeve të botës shqiptare gjatë kacafytjes së dytë botërore. E kemi për detyrë…..
Sidomos për Markun, sido qi të jetë shkrue, ato nuk janë të mjaftueshme për personalitetin e tij të vlefshëm. Janë shumë pak. Prandej edhe un, tue u mundue me tregue dishka për këtë HERO dhe tue e kujtue me nji nderim të thellë, po due me dalun përpara lexuesve të mij të dashtun.
Ishte periudha e Shqipnís Mbretnore, atëherë kur e njofta Markun për herë të parë në Tiranë. Vjeti nuk më kujtohet. Do të shkonte për të vazhdue mësimet n’Italí. Rastësisht u përshndeta me tê dhe me disa shokë, qi kishin ardhë me e përcjellun. I hateshëm dhe i pastër në trup; krrik (shik) në veshje dhe i zvillatun e simpatik në ftyrë. Më tërhoq vrejtjen zgjimi dhe sjellja e tij fisnike. Me qëllim qi të përbâj nji mendim, fillova me tê disa bisedime të ndryshme. Përgjigjet e tij ishin të qarta dhe me vênd e mâ tepër në dialektet t’ona. Qysh atëherë, mbeta shum i kënaqun, tue m’u forcue shpresa për ktê student të ri, si djalosh i nji derës së mirë, do të mbërrîjë në gjêndje me i shërbyem Shqipnís në kohën e ardhëshme.
Ai qe nji student shqiptar vërtetë idealist. Mâ vonë e shoh si Nënministër i Punëve të Mbrêndshme në Tiranë, kur erdhi në fuqi qeveria e kryesueme prej të ndiemit Mustafa Krujës në fillim të vjetit 1942…..
Kur ishte fjala për shqiptarë e për Shqipní, atê nuk e lakonte kurrgjâ në ket botë. As vdekja nuk i bânte përshtypje. Mâ vonë, me dorëheqjen e qeveris së Mustafa Krujës, ai, nji herë, kaloi në jetën private. Mbasandej, me kapitullimin e Italís në vjeshtën e vjetit 1943, mori pjesë në Kuvêndin Kombtar në Tiranë. Në kët kohë, elementi komunist, tue përfitue nga mungesa e autoritetit, e kishte mârrun frênin në dhamb dhe bânte atentate djathtas e majtas, tue vramë nacionalistë të shquem , me qëllim qi të mbjellte terrorin në popull dhe në qeverí.
Pikërisht në kët kohë të rrezikshme, Mark Gjomarkaj me treqind miq e dashamirë, qi i kishte sjellun prej Mirdite, i siguroi mbrojtjen parlamentit, tue e ruejtun nga çdo msýmje, ose kërcnim. Në këtë nmëyrë ai, legjislaturën e asaj kohe e vuni në gjêndje me punue me qetësi e me gjak të ftoftë….”
Shkrimtari kombëtarist Tahir Kolgjini, me një stil të përkorët i ka lënë historiografisë shqiptare, nëpërmjet atij shkrimi, jo vetëm një dëshmi të vyer të atij HEROI të kombit, por edhe një portret të përkryer të një djaloshi që, pa mbushur ende të tridhjetat, kishte fituar shtatin e burrit të Shtetit dhe shërbyesit të zellshëm e të vyer të Kombit, në disa nga çastet më të vështira e më të brishta të qënies së tij.
Vijon