
Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare Mark Gjonaj (Nderi i Kombit), lider në komunitetin shqiptar në New York e më gjerë bashkoi të gjitha Organizatat Shqiptaro-Amerikane në New York e shtetet përreth, në një takim organizativ e këshillimor në lidhje me organizimet për festën e Flamurit Kombëtar e Samitin e Diasporës ku i pranishëm ishte Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z.Ervin Bushati dhe z.Arbër Hajdari nga fondacioni bamirës “Fundjavë Ndryshe”.
Mark Gjonaj shpalosi për të pranishmit rreth organizimeve dhe festimeve që do të zhvillohen më 27 dhe 28 Nëntor 2023 në New York. Ai u bëri thirrje të gjithë patriotëve që të angazhohen e të marrin pjesë në të gjitha festimet, kudo ku festohet kuq e zi. Më tej z.Gjonaj u bëri thirrje organizatave shqiptare që të marrin pjesë në Samitin e 3-të të Diasporës e sidomos Samitit të Arbëreshëve. “Sa më të bashkuar të jemi, aq më e madhe është shqiptaria” tha Ambasador Bushati. Si përfaqësues i Federatës Vatra ishte Këshilltari për Siguri dhe Inteligjencë z.Paulin Mrnaçaj që ndoqi me vëmëndje të posaçme diskutimet dhe idetë. Përfaqësuesit e organizatave patriotike shqiptaro-amerikane kërkuan në takim votën e diasporës si një të drejtë të panegociueshme dhe të menjëhershme. Përfaqësuesit e shoqatave kërkuan që votimi i diasporës të kryhet në Ambasadat shqiptare kudo në botë. Pati kundërshti dhe diskutime nga shoqatat rreth domosdoshmërisë së pjesëmarrjes së diasporës në Samit me qëllim që zëri i shqiptarëve në diasporë të dëgjohet më shumë. z.Arbër Hajdari nga fondacioni bamirës “Fundjavë Ndryshe” theksoi në fjalën e tij nevojën e bashkimit të diasporës shqiptare dhe bashkëpunimin me projekt konkret mes shtetit shqiptar dhe diasporës. Gjatë gjithë takimit pati shkëmbime idesh dhe diskutime të shumta rreth problematikave që shoqërojnë diasporën shqiptaro-amerikane.
(Dielli).