Akademiku Mark Krasniqi, qe u shua ne Kosove, me 28 Gusht 2015, ishte dhe nje mik i shquar i Federates Panshqiptare te Amerikes”VATRA”. Ai ishte i ftuari i Vatres edhe ne pervjetorin e Pavaresise se Kosoves me 2011 dhe folesi i darkes. Bashkepunimi ka qene edhe me i hershem mes Vatres dhe akademikut Krasniqi. Te gjithe vatranet ndjehen te prekur nga ikja e akademikut Krasniqi dhe ngushellojne familjen dhe te gjithe miqte e te ndjerit. Ndiqeni kroniken qe dergoi bashkepunetori i Diellit nga Prishtina, gazetari Behlul Jashari me 28 Gusht 2015.
***
Kosovë-Shuhet Akademik Mark Krasniqi/
-Akademik Mark Krasniqi, nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare, njëri prej njerëzve më të mëdhenj të Kosovës që ka punuar për lirinë dhe pavarësinë, kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, një jetë në shërbim të atdheut…
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Gusht 2015/ Akademik Mark Krasniqi ndërroi jetë në moshën 95 vjeçare sot pas mesnate rreth orës 00:35 minuta në Qendrën Intensive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku u shtri dy ditë më parë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton në një deklaratë se, sot në ora 00:35 minuta të mëngjesit, në spitalin e Prishtinës, vdiq njëri nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dijetari, intelektuali, profesori dhe veprimtari i spikatur i kauzës sonë kombëtare, akademik Mark Krasniqi. Është kjo një humbje e madhe për familjen, shkencën, Akademinë, për kulturën shqiptare, për kolegët dhe miqtë nga Kosova dhe e gjithë bota shqiptare.
Mark Krasniqi lindi më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon) afër Pejës, ku e kreu shkollën fillore, kurse gjimnazin e mbaroi në Prizren në vitin 1941. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), ndërsa në vitet 1946-l950 gjeografinë dhe etnografinë në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua më 1950. Në vitet 1945-1946 punoi gazetar-redaktor në gazetën “Rilindja” në Prizren, ndërsa në vitet 1947-l949 gazetar-redaktor në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe).
Në vitet 1950-1961 ka punuar fillimisht si asistent e pastaj bashkëpunëtor shkencor në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd. Në vitin 1960 mbrojti doktoratën në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Lubjanës. Në vitet 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, deri atëherë kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ushtroi disa herë detyrën e prodekanit dhe të dekanit të Fakultetit Juridik-Ekonomik, ishte nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Ka botuar dhjetra libra shkencorë e letrarë dhe shumë tekste publicistike e shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezishë.
Me punën e tij shkencore, para së gjithash në fushën gjeoetnografike, të mbështetur në fuqinë e argumenteve shkencore, arriti ta studiojë dhe pasqyrojë realitetin kompleks hapësinor e shoqëror të Kosovës dhe ta gjurmojë thellë kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve, duke bërë emër përtej suazave të Kosovës dhe atyre kombëtare. Të gjitha këto angazhime të tij ishin pashmangshmërisht të lidhura me luftën për barazi, çlirim dhe afirmim kombëtar.
Për punën shkencore dhe angazhimin e tij në planin shoqëror, politik dhe kombëtar mori shumë mirënjohje dhe dekorata, ndër të cilat edhe “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” nga Presidenti historik I. Rugova në vitin 2003 dhe çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, B. Nishani në vitin 2014.
Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi, miqve dhe dashamirëve të tij gjithandej Kosovës dhe mbarë botës shqiptare.
Mbledhja komemorative dhe homazhet do të mbahen në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Për ditën e komemoracionit dhe ceremoninë e varrimit ju njoftojmë në ndërkohë, përfundon deklarata e Akademisë.
JAHJAGA: AKADEMIK MARK KRASNIQI, NJËRI PREJ NJERËZVE MË TË MËDHENJ TË KOSOVËS QË KA PUNUAR PËR LIRINË DHE PAVARËSINË
Me rastin e vdekjes së Akademik Mark Krasniqit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Krasniqi.
“Me pikëllim dhe dhimbje të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Mark Krasniqit, njërit prejpersonaliteteve më të njohura të shkencës dhe të politikës në vendin tonë, që gjithë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. E ndaj me Ju, e nderuara familja Krasniqi, këtë dhimbje të madhe për humbjen e njeriut më të dashur, duke e kujtuar përherë punën dhe angazhimin e palodhshëm për dekada me radhë të Akademik Mark Krasniqit”, shprehet ajo.
Akademik Mark Krasniqi, vijon Jahjaga, do të përkujtohet ndër gjenerata për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e shkencës, publicistikës letrare dhe si autor i teksteve shkollore dhe njëri prej njerëzve më të mëdhenj të Kosovës që ka punuar për lirinë dhe pavarësinë e saj.
“Ndarja nga jeta e Akademik Mark Krasniqit është humbje e madhe për familjen, për miqtë, për bashkëpunëtorët, për të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Është humbje e madhe për gjithë Kosovën. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në emër të Institucioneve dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e Presidentes Jahjaga.
MUSTAFA:MARK KRASNIQI, KONTRIBUT TË JASHTËZAKONSHËM PËR KOSOVËN
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi familjen Krasniqi dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar, anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Akademik Mark Krasniqi.
“Me dhembje dhe pikëllim të madh e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Mark Krasniqit, personalitet i shquar në fushën e shkencës dhe kulturës shqiptare. Akademik Mark Krasniqi me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin, shkencën, kulturën dhe botën akademike të Kosovës”, thuhet në telegramin e kryeministrit Mustafa.
Kryeministri Mustafa po ashtu thekson se Akademik Mark Krasniqi, do të përkujtohet përherë si një personalitet i shquar frymëzues për kosovarët, për kontributin e dhënë në shumë fusha të shkencës në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, thekson se vdekja e Akademik Mark Krasniqit është humbje shumë e madhe për familjen, për kolegët dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
HARADINAJ: AKADEMIK MARK KRASNIQI, NJË JETË NË SHËRBIM TË ATDHEUT
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj,
e ka ngushëlluar familjen Krasniqi dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me rastin e vdekjes së Akademik Mark Krasniqit
“E nderuara Familje Krasniqi dhe gjithë Komuniteti shkencor dhe letrar mbarëshqiptar:
Vdekja e Akademik Krasniqit, është një humbje e madhe për familjen e tij, shkencën dhe dijen si dhe për gjithë popullin shqiptar!
Akademik Krasniqi, e harxhoi një jetë në shërbim të atdheut. Një njëri i urtë e me vlera të jashtëzakonshme, Akademik Krasniqi, do të mbetet një nga ikonat e luftës për lirinë e Kosovës, një studiues i shkëlqyer si dhe njëri prej krijuesve më origjinal në historiografinë dhe letërsinë shqiptare.
Përherë shembull në rrugëtimin tonë të mëtutjeshëm!
Ju lutem që të pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta të cilat i shpreh edhe në emër të anëtarësisë së AAK-së dhe të familjës sime”, thuhet në telegramin e Haradinajt.
AKADEMIK MARK KRASNIQI NË 28 TETOR 2010: SOVRANITETI I KOSOVËS NUK ËSHTË I PLOTË
Në 28 tetor 2010, Akademikut Mark Krasniqi, deputetit më të vjetër kosovar të të gjitha mandateve të pasluftës, iu urua 90-vjetori i lindjes në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Unë do ta shfrytëzoj rastin që edhe në emerin tim edhe të deputetëve t’ju uroj 90-vjetorin e lindjes”, iu drejtua kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniq, akademikut Mark Krasniqi, duke e falënderuar në përfundimin e fjalës së tij në deklarimet e deputetëve jashtë rendit të ditës.
Urimi i kryeparlamentarit për akademikun dhe deputetin që kishte hyrë në dhjetëvjetëshin e dhjetë të jetës u përcoll përshëndet me duartrokitje.
Akademik Mark Krasniqi në deklaratën e tij në seancën plenare të Kuvendit shpreh shqetësimin se “sovraniteti i Kosovës nuk është i plotë”, duke u angazhuar që të bëhet i plotë dhe duke tëhequr vëmendjen edhe për veprimin e stukturatve të Serbisë në disa pjesë të Kosovës.
Ai shprehu shqetësimin edhe për “harrimin e veriut të Mitrovicës” dhe bëri thirrje që mbi të gjithë të jetë interesi i shtetit të pavarur të Kosovës, mbi të gjitha interesat partiake, personale e të tjera.
Ai tha edhe se “eksterritorialiteti është heqje dorë nga pjesë të territorit të Kosovës dhe dhënie tjetërkujt që t’i administrojë”.
“Këto janë gjera që nuk duhet t’i pranojmë në asnjë mënyrë…Kur është interesi i Kosovës, i territorit, i sovranitetit, aty nuk duhet të pranojë askush asnjë gjë. Madje, këto gjëra duhet t’i vendosë Parlamenti, e jo Qeveria”, theksoi akademik Krasniqi.
Ai theksoi mbështetjen për komunitetin serb dhe të gjitha komunitetet në Kosovë dhe u angazhua edhe që “të drejtat e bartabarta të jenë për të gjitha komunitetet e jo vetëm për komunitetin serb”.
“Ne jemi për komunitetin serb dhe për të gjithë që t’i kenë të drejtat maksimale të Evropës Perëndimore, por jo edhe të jenë në dallime shumë të mëdha me të drejtat e komuniteve tjera”, tha akademik Krasniqi. Ai foli edhe për rëndësinë e madhe të regjistrimit të popullisë, të munguar gjatë 30 vjetëve, e që do të bëhej në vitin 2011, për domosdonë e luftës kundër korrupsionit dhe për angazhime të tjera për të mirën e Kosovës, duke u angazhuar për më shumë suksese në të gjitha fushat në shtetin e ri.