Opinion nga Rafael Floqi
Marrëveshja e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë në Shtëpinë e Bardhë nuk është thjesht një akt diplomatik ceremonial — është një pikë kthese historike që përmban shtresa të thella gjeopolitike, ekonomike dhe simbolike.
Pas më shumë se tre dekadash lufte të hapur, përplasjesh të herëpashershme dhe urrejtjes së akumuluar mes dy popujve, fakti që presidenti Ilham Aliyev dhe kryeministri Nikol Pashinyan shtrënguan duart në prani të një presidenti amerikan, është një mesazh i qartë se peizazhi i Kaukazit po hyn në një fazë të re. Kjo nuk ndodh vetëm sepse palët kanë vendosur të mbyllin një konflikt të gjatë, por edhe sepse sponsorimi i marrëveshjes nuk është më Moska, siç ishte për dekada, por Uashingtoni. Në termat e balancës së fuqisë, kjo është një humbje e dukshme për ndikimin rus në Kaukaz dhe një fitore strategjike për SHBA-në.
Nga ana praktike, marrëveshja nuk është vetëm një deklaratë për “paqen e përhershme” — ajo përmban elementë konkretë si hapja e korridoreve të transportit, rivendosja e marrëdhënieve tregtare dhe diplomatike, dhe ndërtimi i një korridori të madh tranzit që do të lidhë Azerbajxhanin me enklavën e Nakhçivanit. Ky korridor, i emërtuar me një gjuhë të qartë propagandistike si “Trump Route for International Peace and Prosperity”, është jo vetëm simbolik, por një instrument i fuqishëm gjeoekonomik që mund të riformësojë zinxhirët e transportit dhe furnizimit në rajon.
Nëse e shohim nga prizmi ballkanik, marrëveshja e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë shërben si një shembull domethënës për marrëdhëniet e ngrira midis Kosovës dhe Serbisë. Edhe aty kemi një konflikt të gjatë historik, trauma të thella kombëtare dhe mosbesim të ndërsjellë, të shoqëruara nga ndërhyrja e fuqive të mëdha për të ndikuar në procesin e negociatave.
Një tjetër element i rëndësishëm është zhvendosja e balancës së fuqisë ndërmjet ndërmjetësuesve. Në Kaukaz, ndikimi tradicional rus u zbeh, duke hapur rrugë për një marrëveshje nën patronazhin e SHBA-së. Në Ballkan, BE-ja ka marrë për vite me radhë rolin kryesor të ndërmjetësimit, por procesi ka ngecur. Një ndërhyrje më e fortë amerikane, ose një format i ri ndërkombëtar, mund të krijojë dinamika të reja dhe të shmangë bllokimet e zakonshme.
Mbi të gjitha, marrëveshja Azerbajxhan–Armeni tregon se vendosmëria politike e udhëheqësve është vendimtare. Aliyev dhe Pashinyan ranë dakord të lënë pas një narrativë të bazuar te armiqësia e përhershme.
Për Kosovën dhe Serbinë, kjo do të thotë se përtej retorikës për konsum të brendshëm, duhet një moment guximi politik ku palët pranojnë se e ardhmja e sigurt dhe prosperuese nuk ndërtohet mbi konfliktin, por mbi bashkëjetesën dhe bashkëpunimin.
Nëse kjo logjikë e Kaukazit do të zbatohej në Ballkan, një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë–Serbi do të duhej të përfshinte jo vetëm çështjet e statusit dhe të sovranitetit, por edhe projekte konkrete infrastrukturore, tregtare dhe energjetike që lidhin dy vendet dhe i bëjnë të varura nga paqja, jo nga tensioni. Vetëm kështu mund të kalohet nga marrëveshjet në letër te realiteti i qëndrueshëm në terren.
Historikisht, Nagorno-Karabakh ka qenë mollë sherri jo vetëm për arsye etnike, por edhe për shkak të pozitës strategjike dhe krenarisë kombëtare të të dyja vendeve. Lufta e parë (1988–1994), lufta e dytë (2020), dhe ofensiva e vitit 2023 kanë prodhuar trauma të thella, dëbime masive dhe akuza reciproke për spastrim etnik. Mijëra familje në të dy anët kanë humbur shtëpitë dhe të dashurit, ndërsa narrativat e viktimizimit janë bërë pjesë e identitetit kombëtar. Pikërisht kjo e bën marrëveshjen e sotme një hap të guximshëm: ajo kërkon të ndryshojë rrëfimin nga “ne dhe ata” në “ne së bashku në të ardhmen”.
Nga këndvështrimi i politikës së jashtme, fakti që marrëveshja vjen në një moment kur Rusia është e angazhuar në luftën e Ukrainës dhe ka humbur kapital politik në Armeni, tregon se SHBA po e shfrytëzon vakumin e krijuar për të vendosur veten si arbitri i ri. Për Armeninë, kjo është një mënyrë për të dalë nga vartësia e plotë nga Moska, ndërsa për Azerbajxhanin — një mundësi për të siguruar një fitore politike të qëndrueshme pa kosto të reja ushtarake.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes historike të paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke e cilësuar atë si një dëshmi të fuqisë së udhëheqjes amerikane.
Në një postim në “X”, Osmani ka falënderuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe administratën e tij për rolin e tyre vendimtar në arritjen e marrëveshjes, si dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, për udhëheqjen e treguar.
Sipas presidentes Osmani, nën udhëheqjen amerikane, bota është më e sigurt, më e fortë dhe më e begatë.
“Kosova është krenare që qëndron krah për krah me SHBA-në në avancimin e paqes në rajon dhe në mbarë botën,” thuhet në reagimin e saj. Rasti i Kaukazit tregon se, pavarësisht historisë së përgjakshme dhe pozicioneve të ngurta, një marrëveshje është e mundur nëse ekziston presion i jashtëm i qëndrueshëm dhe një ofertë konkrete që u sjell përfitime të dyja palëve. Në rastin e Azerbajxhanit dhe Armenisë, ky presion erdhi nga një aktor që u perceptua si më neutral se ndërmjetësuesit tradicionalë – SHBA-ja – dhe u shoqërua me projekte ekonomike që e bënë paqen të prekshme, jo thjesht një koncept politik. Ky është një mësim i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë: procesi nuk mund të mbështetet vetëm te “njohja” ose “mosnjohja”, por duhet të ofrojë edhe mekanizma konkretë bashkëpunimi që prodhojnë përfitime të përditshme për qytetarët.
“Serbia të njohë Kosovën”, dy kongresistet i shkruajnë Trump: Ndërmjetëso marrëveshjen
Dy kongresiste amerikane, Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan u kanë dërguar një letër presidentit amerikan, ku propozojnë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Siç bënte ditur vetë kongresistja republikane Tenney, e cila ka publikuar letrën në rrjetet sociale, ato i bëjnë thirrje Donald Trumpit të ndërmjetësojë një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, që do të përfshinte paqe afatgjatë dhe njohje reciproke.
Dy kongresistet theksojnë se tensionet mes dy vendeve kanë sjellë efekte zinxhir në rajonin e brishtë teksa paralajmërojnë se destabiliteti në Ballkan është pararendës i konflikteve globale. Lëvizja serbe “Ne jemi fuqia e popullit”, teksa njofton lajmin, kujton se kongresistja që ka shkruar letrën është vlerësuar gjatë vizitës në Beograd me urdhrin e flamurit serb, prandaj iniciativa përnjohje reciproke mund të përkthehet si diçka që ka bekimin e Beogradit zyrtar.
Megjithatë, marrëveshja nuk do të jetë magjike. Plagët historike nuk shërohen brenda natës. Mijëra refugjatë armenë nga Karabaku, dhe po aq azerë të dëbuar dekada më parë nga Armenia, mbeten dëshmi e një historie që nuk mund të fshihet me një ceremoni nënshkrimi. Pa një proces të vërtetë pajtimi, pa garanci ndërkombëtare për të drejtat e minoriteteve, dhe pa një angazhim të sinqertë nga të dyja qeveritë për të luftuar narrativat e urrejtjes, ekziston rreziku që paqja të mbetet vetëm në letër.
E megjithatë, ky moment është një dritare e rrallë mundësie. Nëse SHBA arrin të ruajë presionin diplomatik, nëse korridoret e reja ekonomike funksionojnë dhe nëse dy popujt fillojnë të shohin përfitime reale nga paqja — atëherë ndoshta Kaukazi Jugor mund të hyjë në një epokë të re stabiliteti. Marrëveshja e sotme, me gjithë simbolikën dhe interesat e saj të fshehura, është një gur themeli; mbetet të shihet nëse do të bëhet ndërtesa e paqes, apo thjesht një pllakë përkujtimore e një premtimi të pambajtur.