
Dr. Nikollë Loka/
Homogjeniteti i popullsisë, që synohej të arrihej në shtetet evropiane, ishte relativ, sidomos në Gadishullin Ballkanik, për shkak të përzierjeve të mëdha të popullsisë, që e bënte të pamundur ekzistencën e shteteve tërësisht “të pastra” nga pikëpamja etnike. Pavarësisht vështirësive, disa nga shtetet ballkanike si: Greqia, Jugosllavia dhe Turqia, përpiqeshin vazhdimisht për të arritur një farë homogjenizimi të popullsisë së tyre dhe, në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, u angazhuan në spastrime etnike, ku më së shumti e pësuan shqiptarët. Në përgjithësi, shtetet e reja do të dëshironin t’i mbanin pakicat kombëtare nën kontroll dhe, nëse do të ishte e mundur, t’i inkurajonin të vendoseshin në vendet e tyre amtare (Janjetović, 2012: 67–68).
Të bindur thellësisht mbi të drejtën historike të kombeve të tyre mbi Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, udhëheqësit serbë dhe malazezë kishin për qëllim që t’i deshqiptarizonin territoret e banuara me shqiptarë. Një pjesë e opinionit serb dhe malazez e kërkonte hapur largimin e shpejtë të tyre. Nikolla Pashiq, që ishte Kryeministër i Serbisë në vitet 1909 – 1918 dhe 1918 – 1926, e llogariste këtë projekt të realizueshëm në njëzet vjet, duke u nisur nga praktika e mëparshme e dhunës, pas fitimit të tokave shqiptare nga Kongresi i Berlinit(Roux, 1992: 187–188).
Pas pushtimit të trojeve shqiptare, Qeveria jugosllave ndoqi një politikë që synonte më shumë integrimin e territoreve të fituara sesa të banorëve që jetonin në to. Ajo vendosi nën administrim efektiv rajonet shqiptare; pastaj dërgoi kolonë serbë e malazezë për të forcuar elementin sllav dhe kundërshtoi çdo zhvillim të pavarur kulturor të shqiptarëve(Roux, 1992: 188-189), si dhe ushtroi dhunë e terror, vrasje, burgosje, shpronësime për t’i detyruar shqiptarët të shpënguleshin.
Shtetet e ndryshme lidhën edhe marrëveshje për shpërnguljen e shqiptarëve, pa i pyetur ata. Kështu Turqia lidhi marrëveshje me Greqinë dhe Jugosllavinë për shkëmbimin e popullsisë, ku shqiptarët, të trajtuar arbitrarisht si turq, u zhvendosën me shumicë në Anadoll, duke zëvendësuar popullsinë greke që kaloi në Greqi. Duhet të theksohet se, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Ballkanike, nisi një fluks i konsiderueshëm emigrimi i detyrueshëm i shqiptarëve drejt Turqisë dhe Shqipërisë. Së pari u dëbuan pronarët e çifligjeve me origjinë turke ose shqiptare, të cilët, të zhveshur nga pronat e tyre, u detyruan të largoheshin nga vendi. Sipas Eqrem Libohovës:“Tërheqja e kosovarëve në Turqi ishte interes i Turqisë dhe jugosllavët çdukjen e shqiptarëve duan ta siguronin me çfarëdo mënyre dhe, posaçërisht, në mënyrë paqësore, me anë të dërgimit të kosovarëve në Turqi, pasi kishte përputhje interesash të dy shteteve” (Libohova, 1938: 479).
Informatorët që punonin për llogari të jugosllavëve dhe turqve përpiqeshin t’i bindnin kosovarët myslimanë se “Shqipëria është e krishterë dhe, nëse shkonin atje, do të merrnin fenë e krishterë”. Sipas raporteve të shtypit jugosllav në vitin 1925, Turqia ishte e gatshme të pranonte 30 000 myslimanë nga Serbia dhe 50 000 të tjerë në vitin 1926. Edhe pse këto raporte as nuk u konfirmuan dhe as nuk u mohuan nga pala turke, ato i bënë jugosllavët të besonin se Turqia do të mirëpriste me dëshirë të gjithë refugjatët myslimanë, sapo të kishin shitur pronat e tyre(Schad, 2016: 436).
Shkalla, në të cilën autoritetet jugosllave ishin të etura për të nxitur banorët e padëshiruar që të largoheshin nga vendi, demonstrohet nga praktika administrative në vitin 1933, kur rregullat e vizave të daljes u thjeshtuan deri në pikën, ku as edhe një nënshkrim nuk kërkohej nga personi në fjalë; një nënshkrim i një zyrtari jugosllav ishte i mjaftueshëm për nxjerrjen e letrave dalëse(Schad, 2016: 437–438). Me qëllim që elementi shqiptar të zhdukej nga Kosova, Qeveria u kishte lëshuar pasaporta edhe kaçakëve që kishin dalë nëpër male.
Nga viti 1930, qeveria e Beogradit u përpoq ta bindte Qeverinë e Ankarasë për të rënë dakord për transferimin e 300 – 400 mijë shqiptarëve nga Jugosllavia në Anadoll. Në fillim të viteve 1930, në Jugosllavi ishin gati 550 000 shqiptarë dhe dy të tretat prej tyre jetonin në Kosovë. Qeveritarët turq i morën parasysh propozimet jugosllave, të cilat u bënë shumë tërheqëse kur Beogradi ofroi burime financiare të konsiderueshme për rivendosjen e emigrantëve në Anadoll. Ankaraja e pa këtë rast si mundësi për vendosjen e masës së shqiptarëve në Kurdistanin turk, në mënyrë që të dobësonte dhe kontrollonte më mirë elementin kompakt kurd (Della Rocca, 2015: 34).
Në vitin 1933, në Beograd, filloi puna për përpilimin e një konvente me shtetin turk që kishte si synim shpërnguljen e shqiptarëve të Kosovës, duke i deportuar në viset e Turqisë. Qeveria e Stojadinoviqit themeloi një Komitet Ndërministror, si dhe hartoi një projekt për shpërnguljen e shqiptarëve. Qëllimi jugosllav ishte që shqiptarët të shpërnguleshin në masë drejt Turqisë, kurse pjesa tjetër që mbetej në Jugosllavi të asimilohej nga mbizotërimi i popullsisë sllave, duke filluar menjëherë nga zonat kufitare pranë Shqipërisë e pastaj në brendësi të vendit (Bajrami, 2019: 209).
Numri i shqiptarëve të larguar nga Jugosllavia për në Turqi deri në vitin 1930 kishte arritur në 130 mijë vetë (Loka, 2021: 153). Zyrtarët në Beograd nuk ishin të kënaqur me këtë shifër, prandaj, që ta përshpejtonin procesin, kërkuan ta institucionalizonin me një marrëveshje ndërshtetërore me Turqinë. Që nga viti 1933 e në vijim, pati diskutime serioze ndërmjet Qeverisë Jugosllave dhe asaj Turke për dëbimin në Turqi të një numri shumë të madh të shqiptarëve myslimanë, të cilët zyrtarisht paraqiteshin si “turq”. Kryeministri jugosllav Stojadinoviqi kishte pohuar se “me turqit kishin rënë dakord që emigrimi të zgjaste për një periudhë nëntëvjeçare” (AQSH, F. 251, V. 1939, D. 70, fl. 60–62). Më 1935, Qeveria Turke u ofrua që të pranonte 200 mijë sish, një shifër që në shkallën e synimit të Qeverisë Jugosllave, ishte shumë më e lartë se numri i përgjithshëm i turqishtfolësve të regjistruar në vitin 1921 (Malcolm, 366).
Më 11 korrik të vitit 1938, në Stamboll u përafrua Konventa turko-jugosllave, me të cilën parashihej që, brenda harkut kohor 1939-1944, nga Jugosllavia të shpërnguleshin 40 mijë familje shqiptare myslimane, ose mbi 200 mijë banorë. Sipas asaj Konvente, shpërngulja duhej të fillonte nga 1 korriku i vitit 1939. Palët në bisedime këtë hapësirë kohore e kishin lënë për shkak të kryerjes së të gjitha formaliteteve, si nënshkrimi, përkatësisht ratifikimi i Konventës, hartimi i listave të popullsisë që parashikohej të shpërngulej në vitin e parë, sigurimi i mjeteve, etj.
Por, vdekja e Kryetarit të Turqisë, Mustafa Qemal Ataturkut, më 10 nëntor 1938 dhe rënia e Qeverisë Stojadinoviq në mars të vitit 1939 ishin shkaqet kryesore për vonesën e nënshkrimit të Konventës (Lita, 2019: 90–91).
Pas vizitës së fundit të Ministrit të Jashtëm turk, Ruzhdi Aras, në Beograd, u rrit më shumë prirja e jugosllavëve për të dëbuar popullsinë shqiptare, në mënyrat dhe format nga më të ndryshmet. Ministri turk në Beograd Tefik Ruzhdi fliste për synimin që nga Serbia të pranoheshin 300 – 400 mijë myslimanë, të cilët do të duhej të sistemoheshin në tokat e kurdëve të shpërngulur. Në Turqi tashmë po zhvillohej fushata për të krijuar atmosferën e emigrimit dhe pranimit të “ të gjithë myslimanëve tanë nga Jugosllavia”, – siç shkruante gazeta “Haber” (15 korrik 1935) në një artikull me titullin “Shqiptarët dhe boshnjakët janë nga fisi turk”. Konsulli shqiptar në Stamboll, nga “një mik” i tij në Ankara, u informua se prapa këtij artikulli qëndronte vetë Ataturku (Bakalli, 2021: 142). Në Parlamentin Turk, Kryeministri Ismet Inonu kishte deklaruar se ishte program kombëtar turk që tokat e boshatisura të Turqisë të populloheshin me emigrantë, të cilët “do të turqizohen”, gjë që nënkuptonte edhe myslimanët jo turq (Bakalli, 2021: 141-142).
Përkundër kësaj, diplomacia shqiptare nuk rreshti me demarshet pranë Ankarasë në mënyrë që kjo të hiqte dorë nga kombinimet me Beogradin, të cilat do të rezultonin me spastrimin etnik të Kosovës dhe viseve të tjera të banuara me shumicë shqiptare. Personalitete të shquara shqiptare si Hasan Prishtina, Fan Noli, Kadri Prishtina, tre klerikët katolikë: Shtjefën Kurti, Gjon Bisaku dhe Luigj Gashi, iu drejtuan Lidhjes së Kombeve për mbrojtjen e të drejtave të pakicës shqiptare në Jugosllavi dhe arritën ta ndërkombëtarizojnë këtë problem. Përfaqësuesit diplomatikë shqiptarë të vendosur në Beograd, Ankara, Athinë, Sofje, Bukuresht etj., si dhe konsujt shqiptarë në Shkup dhe në Manastir, përcollën hap pas hapi dhe me shqetësim të theksuar jo vetëm profesional, por edhe kombëtar çdo çështje që lidhej me shpërnguljen. Ajo që e bënte edhe më serioze këtë situatë ishte një fjalim i ministrit të Brendshëm turk, Şükrü Kaya, në Asamblenë e Madhe Kombëtare, i cili kishte deklaruar se nga Jugosllavia do të silleshin në Turqi 800 mijë emigrantë “turq”. Kjo deklaratë i shtoi edhe më shumë dyshimet e autoriteteve shqiptare ndaj qeverisë turke. Sipas Rauf Ficos, kjo mjaftonte për të treguar se deri në ç’pikë do të mbaheshin “premtimet” e Ankarasë(Bello, 2014: 193).
Që të ndërpritej shpërngulja e shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi, në qershor të vitit 1935, veç të tjerash, diplomacia shqiptare ndërmori veprime konkrete. Deputetët Fejzi Ali Bej Dibra, Hysen Vrioni, Maliq Bushati, Eshref Frashëri e Asim Gjakova, nëpërmjet deputetit të mirënjohur Jakup Kadri Beu, bënë protestë të ashpër pranë qeverisë turke në Ankara(Hoti, 1997: 116).
Nga burimet dhe dokumentacioni i kohës vihet re se, me gjithë seriozitetin dhe ndjeshmërinë e madhe që tregohej në këtë drejtim, shteti shqiptar vazhdimisht ndoqi një politikë konstante në raport me këtë çështje, e cila vinte duke u forcuar paralelisht me konsolidimin e vetë këtij shteti (Syla, 2020). Çdo ngjarje që përkonte me problemin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova dhe nga trevat e tjera, ndiqej me mjaft vëmendje e shqetësim profesional, pse jo edhe kombëtar, nga përfaqësuesit diplomatikë shqiptarë në Legatat shqiptare në Beograd, kryekonsullatën në Shkup, konsullatën në Manastir, si dhe në Legatat Shqiptare në Greqi, Turqi, Bullgari, Rumani etj. Ministria e Punëve të Jashtme, Kryeministria, Presidenca, e më vonë Oborri Mbretëror, kishin në çdo moment një tablo të qartë të procesit të të larguarve nga Kosova dhe viset e tjera dhe, krahas kësaj, propozonin ide konkrete në funksion të zgjidhjes, të cilat shpeshherë u realizuan me sukses.