Sokol Paja/
Lajmi i martesës së Mbretit Shqiptar Ahmet Zogu me hungarezen Geraldina Appony ishte një lajm që për muaj të tërë mbizotëroi shtypin e shkruar shqiptar në Shqipëri dhe mediat e huaja ndërkombëtare. Jehona e kësaj ngjarje mbërriti deri në SHBA te gazeta Dielli- Organ Zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Këtë ngjarje madhështore për Mbretërinë Shqiptare e popullin shqiptar u pasqyrua me detaje dhe me entuziazëm të plotë në gazetën Dielli. Gazeta i kushton në muajin Mars, Prill, Maj dhe Qershor të vitit 1938, hapsirën kryesore të faqes së parë më të rëndësishme, të editorialit të gazetës dhe shkrime e kabllograme që pasqyrojnë detaje nga ceremonia, urime, përshkrime të ndryshme të atmosferës festive, jetëshkrime të Mbretit dhe Mretëreshës dhe ndjesi e përceptime rreth ngjarjes së jashtëzakonshme për Mbretërinë Shqiptare. Gazeta Dielli në shkrimet Editoriale, Mbretëreshën Geraldinë e përshkruan teksa fitoi menjëherë zemrën e popullit shqiptar dhe e cilëson si : “Perëndeshë të dërguar prej qiellit”. Gazeta përshkruan me detaje ardhjen e Mretëreshës Geraldinë në Shqipëri teksa raportohet: “Posa shkeli në tokën shqiptare, Madhështia e saj Mbretëresha Geraldinë u interesua më parë për të varfërit e vendit edhe për ngritjen e një Strehe për pleq”. Gazeta Dielli përshkruan e përpiqet të skicojë edhe personalitetin fizik e shpirtëror të Mbretëreshës teksa kujdeset për detajet: “Veç bukurive të dhurua prej natyrës, Madhështia e saj Mbretëresha Geraldinë ka edhe bukuritë e mëndjes, të karakterit, të virtyteve të larta, dhe është shumë zemërbardhë dhe shpirtmirë”. Gazeta Dielli e quan bashkimin në martesë të Mretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë si fatbardhësi për Shqipërinë e shqiptarët. Është fat, shkruan gazeta Dielli, që Shqipëria drejtohet nga “Dy Sovranë të mençur edhe shumë shpirtmirë që e vështrojnë popullin e tyre me syrin e zemrës dhe jemi më shumë se të sigurtë që kombi shqiptar do të vejë mbarë nën udhëheqjen e Madhështive të tyre” thuhet në editorialin e gazetës Dielli të muajit Maj 1938. Në shkrimin Editorial të Majit, gazeta Dielli përshkruan me detaje kronologjike punën e madhe dhe transformimin që Mreti Zog i kishte bërë Shqipërisë dhe se gëzimi i madh i Mbretit ishte edhe gëzim i popullit. Mbreti Zog thuhet në gazetën Dielli: Ngriti në këmbë një shtet të shkatërruar, zhduku anarkinë, bashkoi popullin e ndarë nga propaganda dhe interest e shteteve të huaja, shpëtoi Shqipërinë nga aventurierët që punonin kundër interesit të Shqipërisë e shqiptarëve, i dhuroi shtetit fuqi, liri kombëtare, përparim e qytetërim. Gazeta Dielli bën një paralele historike të miqësisë që Shqipëria kishte me Hungarinë që në kohë të Skënderbeut dhe kjo martesë e Mbretit e forconte miqësinë dhe nderonte shtetin shqiptar. Kontesha Geraldine Apponyi sipas shkrimit të Gazetës Dielli i lumturonte shumë shqiptarët pasi “ka cilësira të bukura, ka kulturë të gjërë, është tepër fisnike, është zemërbardhë dhe shpirtmadhe. Nga bukuria e saj e rallë, nga virtytet e saj të mira, Kontesha Geraldine Apponyi ka fituar emrin e bukur: Trendafile e Bardhë e Hungarisë. Urojmë me gjithë zemër që kjo Trendafile e Bardhë të lulëzojë në kopshtin e bukur të Shqipërisë, dhe të jetë krahu i djathtë i Mbretit t’onë të Math për mirëvajtjen e Kombit shqipëtar” thuhet në gazetën Dielli të muajit Prill 1938.