• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“MARTESA E MBRETIT ZOG ME MBRETËRESHËN GERALDINA APPONY, PASQYRIMI NË FAQET E GAZETËS DIELLI 1938”

April 30, 2022 by s p

Sokol Paja/

Lajmi i martesës së Mbretit Shqiptar Ahmet Zogu me hungarezen Geraldina Appony ishte një lajm që për muaj të tërë mbizotëroi shtypin e shkruar shqiptar në Shqipëri dhe mediat e huaja ndërkombëtare. Jehona e kësaj ngjarje mbërriti deri në SHBA te gazeta Dielli- Organ Zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Këtë ngjarje madhështore për Mbretërinë Shqiptare e popullin shqiptar u pasqyrua me detaje dhe me entuziazëm të plotë në gazetën Dielli. Gazeta i kushton në muajin Mars, Prill, Maj dhe Qershor të vitit 1938, hapsirën kryesore të faqes së parë më të rëndësishme, të editorialit të gazetës dhe shkrime e kabllograme që pasqyrojnë detaje nga ceremonia, urime, përshkrime të ndryshme të atmosferës festive, jetëshkrime të Mbretit dhe Mretëreshës dhe ndjesi e përceptime rreth ngjarjes së jashtëzakonshme për Mbretërinë Shqiptare. Gazeta Dielli në shkrimet Editoriale, Mbretëreshën Geraldinë e përshkruan teksa fitoi menjëherë zemrën e popullit shqiptar dhe e cilëson si : “Perëndeshë të dërguar prej qiellit”. Gazeta përshkruan me detaje ardhjen e Mretëreshës Geraldinë në Shqipëri teksa raportohet: “Posa shkeli në tokën shqiptare, Madhështia e saj Mbretëresha Geraldinë u interesua më parë për të varfërit e vendit edhe për ngritjen e një Strehe për pleq”. Gazeta Dielli përshkruan e përpiqet të skicojë edhe personalitetin fizik e shpirtëror të Mbretëreshës teksa kujdeset për detajet: “Veç bukurive të dhurua prej natyrës, Madhështia e saj Mbretëresha Geraldinë ka edhe bukuritë e mëndjes, të karakterit, të virtyteve të larta, dhe është shumë zemërbardhë dhe shpirtmirë”. Gazeta Dielli e quan bashkimin në martesë të Mretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë si fatbardhësi për Shqipërinë e shqiptarët. Është fat, shkruan gazeta Dielli, që Shqipëria drejtohet nga “Dy Sovranë të mençur edhe shumë shpirtmirë që e vështrojnë popullin e tyre me syrin e zemrës dhe jemi më shumë se të sigurtë që kombi shqiptar do të vejë mbarë nën udhëheqjen e Madhështive të tyre” thuhet në editorialin e gazetës Dielli të muajit Maj 1938. Në shkrimin Editorial të Majit, gazeta Dielli përshkruan me detaje kronologjike punën e madhe dhe transformimin që Mreti Zog i kishte bërë Shqipërisë dhe se gëzimi i madh i Mbretit ishte edhe gëzim i popullit. Mbreti Zog thuhet në gazetën Dielli: Ngriti në këmbë një shtet të shkatërruar, zhduku anarkinë, bashkoi popullin e ndarë nga propaganda dhe interest e shteteve të huaja, shpëtoi Shqipërinë nga aventurierët që punonin kundër interesit të Shqipërisë e shqiptarëve, i dhuroi shtetit fuqi, liri kombëtare, përparim e qytetërim. Gazeta Dielli bën një paralele historike të miqësisë që Shqipëria kishte me Hungarinë që në kohë të Skënderbeut dhe kjo martesë e Mbretit e forconte miqësinë dhe nderonte shtetin shqiptar. Kontesha Geraldine Apponyi sipas shkrimit të Gazetës Dielli i lumturonte shumë shqiptarët pasi “ka cilësira të bukura, ka kulturë të gjërë, është tepër fisnike, është zemërbardhë dhe shpirtmadhe. Nga bukuria e saj e rallë, nga virtytet e saj të mira, Kontesha Geraldine Apponyi ka fituar emrin e bukur: Trendafile e Bardhë e Hungarisë. Urojmë me gjithë zemër që kjo Trendafile e Bardhë të lulëzojë në kopshtin e bukur të Shqipërisë, dhe të jetë krahu i djathtë i Mbretit t’onë të Math për mirëvajtjen e Kombit shqipëtar” thuhet në gazetën Dielli të muajit Prill 1938.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mbreti Zog, Sokol Paja

Pse njohja ndërkombëtare e Mbretërisë Shqiptare?

September 2, 2020 by dgreca

NGA EKREM SPAHIU- Me rastin e 92 vjetorit, 1 shtator 1928 – 2020Në 92 vjetorin e Mbretërisë Shqiptare dhe në kontekst të zhvillimeve të sotme shqiptare, në mënyrë legjitime mund të shtrohet pyetja: pse Mbretëria Shqiptare u njoh menjëherë nga aleatët natyralë të Shqipërisë?Në këto 108 vjet të shtetit shqiptar, spektri qeverisës i Shqipërisë në momente të veçanta ka qenë i paqëndrueshëm, madje dhe ka munguar plotësisht. Shqipëria provoi një qeverisje rreth njëvjeçare të themeluesit të saj Ismail Qemalit që ndërkombëtarët e pasuan me një qeveri gjashtëmujore të një princi joshqiptar të përzgjedhur prej tyre. Në Luftën e Parë Botërore Shqipëria u gjet krejt pa qeveri kombëtare. Qeveria disa mujore e Fan Nolit pothuajse nuk u njoh ndërkombëtarisht. Në Luftën e Dytë Botërore Shqipëria u gjet përsëri pa qeveri kombëtare. Qeveria e diktaturës komuniste 45 vjeçare u njoh vetëm nga vendet komuniste dhe, formalisht, edhe nga pak vende perëndimore, por asnjëherë nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.Përkundër, qeveria disavjeçare e Ahmet Zogut si kryeministër e president dhe Mbretëria 11 vjeçare Shqiptare u njohën nga të gjitha shtetet perëndimore, më së pari nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Njohja e shteteve është një ndër elementët më të rëndësishëm që përcakton vetē ekzistencën e shtetit si subjekt i njohur i të drejtës ndērkombëtare. Në këtë kuadër, njohja ndërkombëtare e qeverisë plotëson njohjen e shtetit dhe e jetëson atë. Njohja ndërkombëtare e shtetit kushtëzohet nga pranimi i të drejtës së një populli të ketë shtet. Njohja ndërkombëtare e një qeverie kushtëzohet nga shkalla e legjitimitetit të saj për të përfaqësuar shtetin. Shteti mund të funksionojë edhe pa njohje, por një shtet i tillë ose e ka jetën të shkurtër, ose shndërrohet në diktaturë. Përvoja e Shqipërisë e konfirmon plotësisht këtë përfundim.Të gjitha vendet e Ballkanit midis dy luftrave ishin monarki, përveç Shqipërisë. Si të tilla ato përfaqësonin më mirë dhe përcillnin më me efektivitet interesat kombëtare të vendeve të tyre. Mbretërit përfaqësonin gjithë kombin në krahasim me politikanët që përfaqësonin vetëm forcën e tyre politike. Mbretërit ofrojnë përfaqësim afatgjatë, jo interesa afatshkurtra siç përfaqësojnë politikanët. Mbretëritë, duke qëndruar mbi politikën, sigurojnë stabilitet politik duke i dhënë të drejtën një figure qëndrore të ndërhyjë për të mos e lënë vendin të bjerë në kaos politik. Politikanët bëjnë premtime për vendin të cilat të nesërmen i kompromentojnë, ndërsa mbretëria nuk është e interesuar të zhvleftësojë veten.Shqipëria e vitit 1928 kishte ardhur në një domosdoshmëri të tillë. Pas vitit 1914, deri në Kongresin e Lushnjes, Shqipëria ishte pothuajse pa qeveri dhe kombi pa një shtet amë. Kjo do të sillte pasoja të rënda kombëtare për shtetin dhe kombin shqiptar deri në rrezikun e vënies në pikëpyetje të ekzistencës së tyre. Do të ishte kryesisht për meritë të filozofisë politike të Presidentit amerikan Uillson që Shqipëria shpëtoi pa u goditur deri në shpërbërje.Një Shqipëri e shpërbërë do të ishte goditje fatale për kombin shqiptar. Një Shqipëri e shpërbërë do të ndryshonte gjithashtu të gjitha balancat gjeopolitike në Ballkan. Në këto kushte, Shqipëria e shqiptarët shpëtoheshin vetëm nga një dorë e fortë e centralizuar. Nga një Shqipëri e centralizuar lehtësohej dhe Ballkani, madje edhe Europa nga një konflikt të cilit nuk i dihej fundi. Në funksion të këtyre imperativave gjeopolitikë e kombëtare, si dhe në respekt të vlerave e kritereve për njohje ndërkombëtare, Mbretëria Shqiptare u njoh nga një numër relativisht i madh shtetesh për kohën. Por shumë më e rëndësishme se sa numri, është fakti që Mbretëria Shqiptare u njoh nga të gjitha shtetet me histori të gjatë demokratike të cilat si kriter themelor kanë legjitimitetin. Ndërkohë, Europa ishte shumë e interesuar për një Ballkan të qëndrueshëm dhe, në këtë mes, edhe për një Shqipëri të qëndrueshme. Në këtë kuadër, do të ishte e rrezikshme që një vend me histori dhe përkatësí natyrale europiane siç ishte Shqipëria, të pushtohej nga bolshevizmi. Në këto kushte kombëtare dhe ndërkombëtare, Mbretëria ishte alternativa më e mirë e mundshme për të zgjidhur jo vetëm ngërçin kombëtar shqiptar, por edhe problemin ndërkombëtar që mund të shkaktonte shthurja e Shqipërisë. Ishin pikërisht këto domosdoshmëri të kohës që përbënë bazën e njohjes ndërkombëtare të Mbretërisë. Ajo u njoh menjëherë nga aleatët natyralë të saj. Italia ishte e para që e njohu Mbretërinë Shqiptare. Brenda muajit shtator kur ajo u shpall, u njoh zyrtarisht nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria e Gjermania. Sigurisht ishte një sukses diplomatik që u njoh edhe nga Greqia, Franca, Jugosllavia, Bullgaria, Rumania, Spanja e deri edhe Uruguaji, Japonia, Lituania, etj. Një njohës dhe pjesmarrës aktiv në zhvillimet politike në Shqipërinë të atyre kohëve, Eqrem bej Vlora, vlerësonte se: “Në këtë botë egoiste askush nuk të dhuron gjë badihava. Ahmet Zogu e ka merituar suksesin e tij me vështirësitë, mundimet dhe rreziqet që iu desh të përballojë”.Nga letër këmbimet për njohjet e Mbretërisë Shqiptare, po pasqyrojmë vetëm atë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Mbreti Zog i drejtohet Presidentit të SHBA – Calvin Coolidge dhe të Ministrit të Jashtëm Amerikan Frank B. Kellogg. ___________________________________________________________875.91 /280 : Telegram

The Secretary of State to the Minister in Albania (Hart)WASHINGTON, September 12, 1928 – 5 p.m35. Your No. 58, September 6, 11 a.m., and Department’s 30, September 5, 6 p.m. Upon receipt of this telegram please address a note in the following terms to the Minister for Foreign Affairs:”My Government has taken note of the action of the Constituent Assembly of Albania in changing the form of the government of Albania to that of a constitutional monarchy and in proclaiming President Ahmed Zogu ‘Zog First, King of the Albanians.’ I now take pleasure in informing Your Excellency, under instructions from my Government, that the Government of the United States extends recognition to the Kingdom of Albania, it being understood that the exchange of notes of June 22, 1922, between the United States and Albania 7 and the provisions of Albanian law enacted in pursuance therewith will continue in force.” The following telegram is being sent today by the President to the King of the Albanians :”It is with pleasure that I extend to Your Majesty and to the people of Albania congratulations on the occasion of your accession to the throne. The American people join with me in expressing best wishes for Your Majesty’s good health and happiness and for the prosperity of Albania.”The Department will communicate with you later concerning new letters of credence.

KELLOGG__________________________________________________________Sekretari i Shtetit për Ministrin në Shqipëri (Hart)Uashington 12 Shtator 1928Sapo të merrni këtë telegram lutem adresoni një notë për Ministrin e Punëve të Jashtme me përmbajtjen si më poshtë:“Qeveria ime ka marrë shënim veprimin e Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë për ndryshimin e formës së qeverisë së Shqipërisë në atë të një monarkie kushtetuese dhe shpalljen e Presidentit Ahmed Zogu, ‘Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve”. Tani kam kënaqësinë të informoj Shkëlqesinë Tuaj, sipas udhëzimeve nga Qeveria ime, se Qeveria e Shteteve të Bashkuara i jep njohje Mbretërisë së Shqipërisë, duke kuptuar me këtë se shkëmbimi i notave të 22 qershorit 1922, midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe dispozitat e ligjit shqiptar të dekretuara në zbatim të tij, do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.Telegrami i mëposhtëm është dërguar sot nga Presidenti për Mbretin e Shqiptarëve:“Është kënaqësia ime t’ju çoj Madhërisë Tuaj dhe popullit të Shqipërisë urimet me rastin e ardhjes tuaj në fron. Populli Amerikan bashkohet me mua për të shprehur urimet më të mira për shëndet të mirë dhe lumturinë e Madhërisë suaj dhe për prosperitetin e Shqipërisë”.Departamenti do të komunikojë me ju më vonë lidhur me letrat e reja kredenciale. KELLOGG___________________________________________________________875.001Zog/19 :

TelegramKing Zog to President CoolidgeTIRANA, September 14, 1928 – 1 p.m.Deeply moved by the congratulations and the good wishes Your Excellency has so kindly expressed on the occasion of my accession to the throne of Albania, I hasten to present to you the assurance of my most profound gratitude for this act of cordial friendship toward my person and for the Albanian people. On this occasion it is a pleasure for me to convey to you an expression of the sentiments of gratitude which my people continue to cherish toward the noble people of the United States for the humane assistance which they gave through the medium of the American Red Cross to my people at a critical time.Furthermore, the Albanian people are most grateful for the generous hospitality which the great Republic of the United States so liberally extends to the Albanians in the United States, thus bestowing upon them the benefits of American culture and welfare.Please accept, Excellency, my most sincere good wishes for your happiness and for the greater prosperity of the noble people of the United States.ZOG __________________________________________________________Telegrami i Mbretit Zog për Presidentin CoolidgeTiranë, 14 Shtator 1928 Thellësisht i emocionuar nga urimet dhe dëshirat e mira që Shkëlqesia Juaj ka shprehur kaq mirësisht me rastin e ardhjes time në fronin e Shqipërisë, unë nxitem t’ju paraqes sigurimet e mirënjohjes time më të thellë për këtë akt të miqësisë së përzemërt ndaj meje personalisht dhe për popullin shqiptar. Me këtë rast, është kënaqësi për mua t’ju transmetoj shprehjen e ndjenjave të mirënjohjes, të cilat populli im vijon të ushqejë ndaj popullit fisnik të Shteteve të Bashkuara për asistencën humane që dhanë përmes Kryqit të Kuq Amerikan për popullin tim në një kohë kritike. Për më shumë akoma, populli shqiptar është tepër mirënjohës për mikpritjen bujare që Republika madhështore e Shteteve të Bashkuara iu dha kaq lirshëm shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, duke iu ofruar atyre përfitimet e kulturës dhe mirëqënies amerikane. Pranoni, ju lutem, Shkëlqesi, urimet e mija më të sinqerta për lumturinë tuaj dhe për prosperitet më të madh të popullit fisnik të Shteteve të Bashkuara. ZOG

Filed Under: Featured Tagged With: Ekrem Spahiu, Mbreti Zog

SHQIPERIA NE VITET 1920-1939, KOHA E AHMET ZOGUT

April 17, 2020 by dgreca

Ky përshkrim u mor nga Libri “Kujtime” të autorit Eqrem bej Vlora/

Përmbledhje nga Gjon Kadeli/

Historia e Shqipërisë midis1920 dhe 1939 mban vulën e Ahmet Zogut në atë masë, sa unë detyrohem ta quaj kete periudhë “koha e Ahmet Zogut”. 

Cili ishte Ahmet Zogu? 

“Mbreti i Shqipërisë” mund të përgjigjen. Po
dhe jo! Sepse vetëm me këtë titull nuk mund të shpjegohet kurrsesi personaliteti i ndërlikuar i këtij njeriu.Thelbi i kësaj dukurie historike mund të shpjegohet vetëm nën një këndvështrim të tillë:Ahmet Zogu ishte prototipi,sinteza e të gjitha vetive të mira e të liga të njeriut në Shqipërinë e re. Ai i kishte të gjitha këto në shkallë të lartë dhe pati sukses të madh. Askush dhe askund nuk mund të këtë sukses nji njeri të nji popull pa qenë vetë kuintesenca e shpirtitit të këtij populli.Ahmet Zogu e kishte këtë dhunti dhe u shfaq në çastin e duhur në skenën politike të Shqipërisë-ndaj ai është më tepër se një mbret,ai është simbol i një epoke.
Ai rridhte nga dera e bejlerëve të Matit, të njohur prej katër shekujsh si bajraktar të fiseve të atjeshme prej tre shekujsh, dhe si kajmekam të trashiguar (mëkëmbësa vendorë) të Sanxhakut të Ohrit.
Sipas gojdhanës së vendit fisi i tyre ka  ardhur në ato anë gjatë inkurzioneve turke nga fundi i shkullit të 15-të  dhe i pari i tyre me emrin Zog si shpërblim për luftën heroike ndaj turqve për mbrojtjen e njerëzve dhe të vendit ndaj turqëve ishte martuar me bijën e vetme të sundimtarit të atëhershëm të krahinës. Pas vdekjes së këtij sundimtari të gjitha fiset zgjodhën atë si pasardhës të tij .
Popullsia si dhe vetë Zogu,ishte e besimit katolik,popull shumë luftarak.
Në burimet historike familja e Zogut del aty nga viti 1600. Kronistët shkruajnë se në vitet 1631/32 fiset e Matit u nisën për luftë, plaçkitën tregun e Shijakut dhe shkuen deri në Durrës, aty u ndalën nga muret e qytetit’ Prijsi i këtj grupi grabitqar quhej Zog dhe pasardhës i të lartpërmedurit,vitin pasardhës1632, Sulltani u dha nji urdhër Sanxhakut të Ohrit,Shkodrës dhe Elbasanit që me ushtritë e tyre të sulmojnë Matin dhe “ta zenë tradhtarin Zog gjallë a të vdekur” Si rrjedhim Zogu në Janar të vitit 1633 dhe dy njerëzve të tij iu pre koka në sheshin e kështjellës së Ohrit.I biri i Zogut u bë mysliman,shpëtoi kështu njerëzit e shtëpisë edhe jetën e antarëve të familjes.
Ahmet Zogu u lind me 8 tetor 1893 në Burgajet të Matit dhe u rrit në Stamboll. Nga natyra tepër inteligjente, përveç vetive udhëheqëse të kultivuara që në fëmijëri ai u pasurua edhe me përvojën e intrigave të politikanëve modern të Turqëve të Rinj dhe mësoi shumë prej tyre.
Në vitin 1912 Ahmet Zogu nuk ishte ndonji i panjohur. Ai kishte ardhur atë vit në Vlorë’, djal fare i ri për të shprehur mbështetjen e tij qeverisë së përkohshme dhe kishte zënë vend në shtëpinë time. Aty pata rast ta vrojtoia mirë. Por doemos, asgjë nuk më lejoi atëherë të hamendsoja se një ditë ai do të ngjitej në majën e piramidës shtetrore, dhe jo me lehtësi, siç kishin bërë shumica e dorës sonë, por përmes vështirësive dhe rreziqeve të cilat ai i kapërceu vetëm falë ambicies së papërmbajtur dhe aftësive të tija të jashtzakonshme.
Në personin e tij,vetitë “natyrore të sundimtarit të zgjedhur nga zoti, ato të udhëheqsit ushtarak, të politikanit dhelpnak dhe të kujdesshëm oriental bashkoheshin, megjithatë, me cilsitë e shqiptarit kokëkrisur.
Të gjitha këto veti, ashtu si edhe gabimet e tij pasqyronin
botkuptimin dhe moralin e mjedisit ku ai u rrit. Vetëzotërimi I habitshëm, paraqitja e sigurtë dhe manierat e tij ishin rezultat i një edukimi të rreptë.
E ashtuqujtura “inteligjencie” e Shqipërisë e ka quajtur dhe e quan Ahmet Zogun injorant, i vesh atij paaftësinë për të hedhur qofte edhe një mendim ne letër pa gabime gramatikore, e qorton rreptë për mungesën e ndjenjës së komikës, e mban për intrigant, për njeri dhënë pas fitimit e shumë e shumë të tjera dhe më të pakëndshme.Për mua të gjitha këto qortime janë shfaqje të urrejtjes.
Inteligjencia natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme, edhe kur iu donte puna të gjykonte dhe të zgjidhte probleme shumë të vështira dhe krejt të huja për të,ai rrallë gabonte.. Por, përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi të gjithë të tjerët, mungesa e çdo ndjesie Ahmet Zogu as nuk ka dashuruar as ka urryar kurr,.Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithmonë një mendje të ftohët e praktike udhëhiqeshin gjithmonë dhe vetëm prej interesave të caktuara. 

              Më mirë nga të gjithë e ka vlerësuar Esat  Pasha.Në Prill  të vitit 1914-të u largua nga shtëpia. Esati më tha a e vure re këtë gjalosh? Do të vijë dita kur ai  do të shkojë shumë larg dhe do të na mënjanojë të gjithëve nëse nuk ja shkurtojmë këmbët në Kohën e duhur”.
Ahmet Zogun mund ta duash apo ta urresh, por nëse do që të jesh i pa anshëm, duhet t’i njohesh atij një meritë: ai qe një “njeri i madh,”jo vetëm për përmasat shqiptare, por edhe në këndvështrimin ballkanik.
         Mund të gjesh plot gabime, lajthitje dhe mangësi në mendimin dhe veprimin e tij,por ai mbetet megjithatë një personalitet i rëndësishëm në historinë shqiptare.
Kur mendon se ky “bej” i rëndomtë shqiptar u bë  mbret  në një vend i cili as nuk mund të quhej shtet, mbi një popull i cili origjinal,i veçantë dhe individualist, si asnji tjetër, e kishte  të vështirë të njihte edhe autoritetin e vet zotit të gjithpushtetshëm, në një kohë kur kurorat e dinastive mijëvjeçare rrëzoheshin për tokë, që ai nga kaosi i një organizimi fisnor dhe feodal farkatoi, jo vetëm një shtet, por edhe një komb, kur i mendon pra,të gjitha këto, nuk mund të mos habitesh me këtë njeri..
Që gaboi në disa synime politike me politikën italiane që ngatërroi dhe i përzjeu mes veti disa probleme financiare shterore me ato private, kjo asht e vërtetë.
Kur më 1919/20 ai doli nga malet amtare të Matit në rolin e nji prijsi fisi me çantën e shpinës plotë me tradita shqiptare dhe shoqërore vendore dhe u fut në skenën politike shqiptare. ai mund ti sillte me veti në çantë të gjitha mjetet e nevojshme për këtë rol që këto mjete ishin të shumanëshme dhe u përdorën me efikasitet, provohet nga rrethana që me anë të tyre u krijua organizimi i brendshëm dhe bashkimi kombëtar..
Përsa kohë ishte fjala për të qeverisur një popull pasueshish me
metodat autoritare të nji beu Ahmet Zogu pati sukses. Por kur
Shqipëria falë përparimit të saj dhe të marrëdhënjeve të ndryshuara ndaj botës,fitoi një fytyrë të re, kur Shqipëria u gjend nën ndikimin e shteteve europiane, dhe mënyrës së tyre krejt të ndryshme të mendimit,mjetet e tij dhe metodat finaciare do të dilnin të pa vlefshme.
Koha, rrethanat dhe fati mund të kenë ndihmuar Zogun,mund të kenë përshpejtuar,madje edhe lehtësuar procesin e përparimit; me githë atë unë jam plotsisht i bindur se vendimtare kanë qenë vullneti i fortë dhe zotesija e këtij njeriu..Ahmet Zogu e ka merituar suksesin e tij, me vëshirësit,mundimet dhe rreziqet  që iu desht të përballojë…Qeveria ku bënte pjesë edhe Zogu, brenda një kohe të shkurtë 30 janar 1920 deri  në 14 nëntor 1920 arriti rezultate të shkëlqyeshme.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mbreti Zog

Mbreti Zog I gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit

April 8, 2020 by dgreca

…, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve /


Me rastin e 59 vjetorit të ndërrimit jetë/
Nga Ekrem SPAHIU*/

Më 9 prill 1961, ndërroi jetë në Paris Mbreti Zog I. Kombi shqiptar humbi burrin e shtetit më të shquar dhe më me ndikim në historinë e tij moderne. Ndërkohë që vdekja e Mbretit Zog u lajmërua në gazetat më të mëdha botërore të kohës, në vendin që e kishte lindur, udhëheqja e lartë komuniste festonte, ndërsa heshtja për popullin shqiptar që kishte nostalgji për Mbretin Zog ishte e plotë. 
Kolonel Hysen Selmani që shërbeu pranë Mbretit Zog I si adjutant i Tij, i ka publikuar momentet e fundit të jetës së Mbretit si më poshtë:  
Më 20 Mars 1961, ai u shtrua në spitalin “Foche”. Nuk ishte edhe aq i lodhur. Gjithmonë ishte me ato shaka, por, pinte shumë duhan e kafe dhe hante shumë pak. Aty u zu një apartament ku Mbretëresha Geraldinë ishte gjithmonë me Mbretin. Edhe ne zumë dy dhoma për dy oficerë të shërbimit. Përditë, e vizitonin Princeshat dhe gjithë personeli i Oborrit. Javën e parë ishte fare mire. Edhe në spital pranonte vizita, e kishte bërë pothuaj si në shtëpi. Kur nisi të ndiejë dhimbje dhe dobësi, menjëherë u thirr profesori Leneger dhe doktorët e spitalit “Foche.” Ata na këshilluan të thërrisnim edhe një profesor prej Gjermanie dhe një prej Zvicrës. Kështu do të bëhej një konsultë e përgjithshme. Më 28 Mars 1961, u bë konsulta në prezencën e 6 profesorëve më kompetentë të Europës. Ata konstatuan se, përveç ulçerit, kishte dhe kancer në mëlçinë e zezë. Profesorët u këshilluan dhe pas ekzaminimesh, vërtetuan se nuk mund t’i bëhej një operacion. E panë të pamundur, sepse kishte arritur në gradën e fundit.
Më 9 prill 1961 ora 15.40, është kjo koha kur Madhënia e Tij, Zog I – Mbret i Shqiptarëve është me një lodhje të madhe. Ai i lëshoi krahun në qafë Princit Leka dhe i tha me një zë të ulët: “Lekë, tani je burrë. T’i mbani porositë që ju kam këshilluar. Pa masë, asgjë mos t’ju dhimbset për të mirën e Atdheut”. Kur mbaroi këto fjalë ngriti kokën dhe na pa të gjithëve. Me dorën tjetër mori dorën e Mbretëreshës e po shikonte të motrat. Ato ishin të këputura. Fytyra e tij ishte në qeshje si gjithmonë. Pas kësaj, nuk bëri asnjë lëvizje dhe mbylli sytë e …
Më 10 prill 1961, trupi i Mbretit Zog I u vu në një arkivol me xhama dhe u vendos për homazhe në një sallon të madh. Për dyzet e tetë orë, natë e ditë, qindra shqiptarë nga e gjithë bota erdhën e u përkulën para trupit të Mbretit duke derdhur lot e duke lutur të madhin zot për shpirtin e Tij. Presidenti i Francës, Gjenerali De Gol kishte dhënë udhëzime që refugjatët që vinin për këtë rast, të hynin në Francë pa viza.
Më 11 Prill 1961, në orën 13.00 është përgatitur ceremonia e varrimit të NMT Zog I – Mbretit të Shqiptarëve. Arkivoli qëndronte përmbi supet e shqiptarëve dhe ishte i mbuluar me Flamurin Kombëtar. Përmbi stemë, dukeshin me shkronja të mëdha shkrime të arit, fjalët që gjithmonë Mbreti Zog, i kishte në zemër: “Atdheu mbi të gjitha.” Lotët e shqiptarëve dhe të gjithë miqve e kishin rrethuar Mbretëreshën dhe Princin Leka. Me një kortezh shumë madhështor u zhvillua edhe ceremonia e përcjelljes së trupit të Madhërisë së Tij Zog I – Mbret i Shqiptarëve për në banimin e përkohshëm në “Thiais Parisien”. 
Në njohje e vlerësim të personalitetit, kontributeve dhe trashëgimisë së Tij historike e kombëtare, mbas 51 viteve më 17 nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarsisë, shteti Shqiptar organizoi një ceremoni madhështore zyrtare për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog I në Atdhe, të cilat u vendosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Tiranë, ndërtuar pasaçërisht për këtë ditë të shënuar. Ky mauzoleum u ngrit pranë themeleve të mauzoleumit të Nënës Mbretëreshë Sadije, i cili u shkatërrua më 17 nëntor 1944. Kjo datë simbolike e ringritjes së tij dëshmon vullnetin e kombit shqiptar për ndreqjen e padrejtësive historike. Në këtë mauzoleum prehen eshtrat e Mbretit Zog I, Mbretëreshës Geraldinë, Mbretit Leka I dhe Mbretëreshës Suzan.
Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani, në këtë ceremoni i ka akorduar Naltmadhnisë së Tij Zog I – Mbretit të Shqiptarëve “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” (pas vdekjes), me motivacionin:
“Figurë madhore e qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.
 
*Ish – deputet &, ish kryetar i PLL

Filed Under: Analiza Tagged With: Mbreti Zog

Histori- Gjendja e rëndë shëndetësore e Mbretëreshës Geraldine

February 10, 2019 by dgreca

GJENDJA E RËNDË SHËNDETËSORE E MBRETËRESHËS GERALDINË NË GREQI, MBRETI JORGO I DËRGOI NË SHËRBIM GJINEKOLOGUN MË TË TALENTUAR GREK (PARIS-SOIR, 1939)/1 Mbreti Zog

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Shkurt 2019/

“Paris-soir” ka botuar, të mërkurën e 12 prillit 1939, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me gjendjen shëndetësore të mbretëreshës Geraldinë, asokohe e strehuar në Greqi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :1 gazeta paris Mbretëresha Geraldinë seriozisht e sëmurë. Thuhet se e kanë zënë gjatë largimit ethet e lehonisë (puerperale)-

(Nga korrespondenti ynë i veçantë)

Athinë, 11 Prill.

(Nëpërmjet telefonit.)

 Mbreti Zog mbërriti me mbretëreshën Geraldinë, fëmijën dhe të afërmit e tyre, në Portaria, pranë Volos, në Thesali. Sovranët shqiptarë do të qëndrojnë në Portaria derisa të përmirësohet mbretëresha Geraldinë, sepse ajo është sëmurë rëndë për shkak të lëvizjeve të shkaktuara nga largimi i saj prej Tirane, 48 orë pas lindjes. Mbretëreshën Geraldinë e kanë zënë ethet e lehonisë (puerperale).Profesori Luros, gjinekologu më i madh (i talentuar) grek, u dërgua në shërbim të sovranes nga vetë Mbreti Jorgo i Greqisë.Gjendja shëndetësore e mbretëreshës, e cila ishte përkeqësuar natën e kaluar, duket se është përmirësuar lehtësisht këtë mëngjes.Le të shtojmë se Mbreti Zog i ka kërkuar Turqisë një leje qëndrimi.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Mbreteresha Geraldine, Mbreti i Greise Jorgo, Mbreti Zog

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT