• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Geraldina, Kontesha që “krishtëroi” dhe europianizoi Mbretërinë Shqiptare

September 1, 2021 by s p

In memoriam me rastin e 93 vjetorit të vendosjes së mbretërisë shqiptare 01 shtator 1928-01 shtator 2021  

Nga  Ndue  BACAJ

93 Vite më parë , me 01 shtator 1928 Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e 17 gushtit 1928, vendosi që forma qeverisëse në Shqipëri të ishte Mbretëri (Royaume) Demokratike, Parlamentare dhe e Trashëgueshme dhe Mbreti i shqiptarëve ishte Zogu I. Deri atëherë “tradita” qeverisëse e shqiptarëve kishte kaluar rreth  katër shekuj e gjysëm e “mbështjellë” me vellon e errësirës , kerbaçit dhe kulaçit  që serviri sundimi Turko-Osman në Shqipëri, si dhe në kalvarin e intrigave e luftrave që sillte pa prerë grykësia e fqinjëve sllavë që kërkonin të shkyenin sa të mundnin nga trojet shqiptare. Gjithsesi errësira e gjatë kishte qenë mjaft e përshtatshme për punë të zeza, të cilat nuk kishin të mbaruar as mbasi Perandoria e të keqes (Osmane) vdiq, dhe Europa kënaqi jo pak grykësinë e “klyshëve” të Rusisë. Por dhe pas të gjitha këtyre  ajo Shqipëri që “teprojë” nga konferenca e Londres (1913) nuk ra në paqe e qetësi, madje kaloi aq kohë të turbullta sa shpesh shkoi në zgrip edhe ekzistenca e saj, ndonëse për këtë u pagua mjaft shtrenjtë, veçanërisht në viset veriore dhe verilindore të Shqipërisë Etnike. Pas kësaj fature tragjike që paguan shqiptarët ndër të gjitha pushtimet që kaluam, ende Europa nuk shikonte pastërtinë e trojeve tona nga “erërat” e këqia që lanë pushtuesit , e veçanërisht ajo ende pretendonte se era e pushtuesit shumëshekullor turko-osman po “qelbte” vetë Europën. Padyshim shqiptarët këto erëra të këqia (të pushtuesve) herë pas here kërkuan t’i pastrojnë, ku mjerisht për të pastruar një “erë” të keqe sillnin një stuhi tjetër të keqe…  Gjithsesi, duke qenë objekt i shkrimit kontesha Geraldinë, unë po e “lë” me kaq dhe po kaloj te viti 1928 kur në me 01 shtator në Shqipëri u vendos mbretëria. Mbretëri e cila përveç shpresës kishte brenda edhe mjaft element të perandorisë turkoshake, ku spikasin rreth këtij oborri mbretëror shumë përfaqësues në zë të familjeve feudale e të “nderuar” me tituj nga Turqit si ,”beg”, “aga” ,”bajraktar”, “pasha” ,”vezir” e të tjer të “zgjedhur” , kur në fakt këto tituj nuk ishin rrjedhim i formimit historik, por në shumicë i përkisnin atyre familjeve që me zellin shpesh edhe të tepruar i kishin shërbyer lakunisë së pushtuesit Aziatik  turko-osman i cili i kishte shpërblyer ne kohen e tyre , por që mjerisht disa nga këta ende ishin “mina” me sahat për kombin tonë (kujtojmë Esat Pashë Toptanin e tjerë). Mbreti i kurorëzuar ishte në fakt një malësor i shkolluar nga Mati , i cili rrjedhte nga një familje (Zogollëve) që ndonëse kishin kohë që kishin ndërruar fenë (duke u bërë musliman), por që kishin vërtetuar se nuk kishin ndërruar  atdheun e detyrimet ndaj tij. Këtë mund ta ilustrojmë të paktën me vetë mbretin Ahmet Zogu, i cili ishte një ndër pjesëmarrësit aktivë në Kongresin e Lushnjes (1920) dhe qeverinë e saj, por edhe pjesëmarrës në drejtimin e luftërave mbrojtëse të këtyre viteve (kujtojmë luftën e Koplikut 1920). Gjithashtu zhvillimet e mëvonshme, para dhe pas mbretërisë ende “rrezatonin”  çehre të verdhë aziatike, ndërsa armiqtë e ndërgjegjshëm dhe të “pandërgjegjshëm” të Shqipërisë me “furçën” në dorë (në të shumtën sllavo-bolshevike) kërkonin t’ja shtonin ngjyrën e verdhë aziatike mbretërisë, ku edhe në mes kësaj “mjegullnaje” si për inat të armiqve të vjetër e të rinjë të kombit tonë kishte arritur mjaft suksese në krijimin e një shteti jo pak “modern” për kohën. Për të plotësuar këtë ia vlen të theksohet se në Europë kishin filluar të hedhin shtat dy ideologji e sisteme të kundërta në dukje por të përafërta në qeverim e mjerim, Komunizmi dhe “alternativa” e ekstremit tjetër Fashizmi. Natyrisht në këto kushte mbretëria shqiptare ishte më e sulmuar se kurrë, madje pika më e goditur ishte ajo se duke qenë musliman nga besimi mbretin Ahmet Zogu shpesh e akuzonin si Turko-Osman , anadollak dhe epitete të tjera të cilat jo pak e dëmtuan në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare Shqiperinë. Roli i fqinjëve sllavë nuk kishte aq rëndësi sa roli i “ambasadorëve”, disa dhe me orientim Bolshevik që ishin shpërndarë nëpër botë, nën pretekstin e përndjekjes politike nga mbretëria “turkoshake”, “anadollake”, e deri fallsifikime të ndryshme tradhëtishë e shitblerjesh të Shqipërisë e trojeve të saj. tashmë në këto kushte aspak të favorshme, madje kur kishte filluar të fabrikohej edhe justifikimi i pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste (në atë kohë ende ishte sekret i fashistëve…), një ndër “justifikimet” e pushtimit siç do të merrej vesh më vonë kishte qenë edhe pushtimi i trojeve shqiptare për t’i çliruar gjoja nga mbretëria “Anadollake” e Ahmet Zogut , shqiptarët e “robëruar”, ku si çlirimtarë do të “priteshin” fashistët. Pikërisht  në këto ditë të vështira mbretit Zog  I  ju “servirën” tre fotografi të konteshës së re Hungareze me emrin Geraldina nga një gjeneral dashamirës i mbretërisë, ku ju dërgua dhe jetëshkrimi i shkurtër i kësaj konteshe katolike, që pas njohjes reciproke më 10 janar të vitit 1938, Kontesha Geraldine Appony pranoi të bëhej bashkëshortja e Mbretit Shqiptar, ndonëse ai ishte i besimit musliman ,dhe kjo katolike.. Oborri mbretëror e shpalli këtë fejesë më 30 janar 1938, dhe të nesërmen edhe parlamenti shqiptar e miratoi këtë fejesë pa asnjë kundërshtim, duke i dhënë një “leksion” të mirë Europës plakë e cila ende e shihte mbretërinë me syze turkoshake, por pas kësaj jo më kot disa gazeta të Europës fejesën e Konteshës katolike me mbretin musliman e quajtën më shumë se civilizim i mbretërisë…Por përpara se të shkojmë tek martesa po paraqesim një jetëshkrim fare të shkurtër të kësaj konteshe që do të vinte kurorën e mbretërisë sonë:  

Geraldina lindi më 6 gusht 1915 në Gjenevë të Zvicrës, ajo ishte e bija e kontit Hungarez Xhula Appony, dhe e konteshës Gledis Stjuart nga Amerika e largët. I ati i Geraldinës konti Xhula, në fillim të luftës së parë botërore kishte marrë pjesë në forcat Austro-Hungareze duke luftuar kundër Serbëve. Mbarimi i luftës së parë botërore, dhe shpërbërja e perandorisë (Austro-Hungareze) shkaktoi probleme për këtë familje dhe vetë shtetin Hungarez i cili u copëtua jo pak në bazë të traktatit të Trianonit, ku pjesë të bukura të Hungarisë së bashku me tre milion e gjysëm hungarezë u lanë jashtë kufinjve etnikë të Hungarisë (“fat” i përbashkët me shqiptarët). Çifti Appony kishte pasur edhe dy fëmijë të tjerë, një djalë dhe një vajzë. Pas vdekjes së babait të tyre, kontit  Xhula Appony në vitin 1924, “jetimët” shkuan në kolegjin “Sacre Coeur” të Petersburgut, Austri, ku edhe mbretëresha e ardhëshme Geraldina do të arsimohej duke kryer fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare. Për Geraldinën e motrën e saj u kujdes halla e saj (motra e babës), kontesha Karoly, e cila zotëronte një nga kështjellat më të bukura dhe më të famshme të Hungarisë në Zebegeny. Thonë se kjo konteshë e kishte bërë zakon që në periudhën verore të priste të gjitha mbesat e saja, ku për to kishte përgatitur një “fshat” ku kishte të mbjellura të gjitha llojet e luleve e dekoracionet më fantastike të gërshetuara me mjaft fantazi e bukuri. E mbesat e kësaj konteshe që kalonin verën këtu të gjitha kishin marrë një emër luleje. Për shkak të bukurisë të bardhësisë së saj natyrale Geraldina kishte marrë emrin Trëndafili i Bardhë i Hungarisë… Që pa vonuar do të “zbardhte” me ngjyrën e bardhë të krishtërimit, mbretërinë disi të “verdhëcitur” të shqiptarëve. E kjo ndodhi me martesën e Geraldinës me Mbretin shqiptar me datën 27 prill 1938, ku kjo datë koinçidonte me martesën e prijësit legjendar të shqiptarëve dhe europianëve Gjergj Kastriotii, Skënderbeut me Donikën nga Vlora (më 27 prill 1451).. e kjo “koinçidencë” nuk fliste pak për kohën… Kjo date e “njejtë” martese  dhe vetë martesa flasin mjaft po të kujtojmë të gjithë personalitetet e botës që kishin uruar fejesën dhe uruan martesën e Mbretit Zog me konteshën Geraldinë, si Presidenti amerikan Ruzvelti, mbretëria e Italisë, Anglisë, Suedisë, Norvegjisë, Egjyptit e tjerë. “Krishtërimi” i çiftit mbretëror filloi që në mënyrën e organizimit të dasmës, celebrimit të vetë dasmës, si dhe mënyrën origjinale të kalimit të natës së parë të çiftit mbretëror, ku siç kujton bashkëkohësi, gjimnazist që ka marrë pjesë në dasëm, Beqir Ajazi në një shkrim të tij, se atë natë në hotelin që priti çiftin mbretëror nuk qëndruan çehrerëndët e tij për të ruajtur, por u ruajt nga të rinjtë (gjimnazist) që ishin ftuar edhe në dasëm, nga ku filloi një erë e re në lëvizjet e daljet publike të mbretit e mbretëreshës, të cilët u afruan më shumë me popullin e hallet e tij, nga ku do të fillonte një epokë e re e mbretërisë shqiptare. Duhet theksuar se Fan Noli një nga kundërshtarët permanent të mbretërisë e vetë Mbretit në vitin 1937 i kishte shkruar Mbretit  për t’u “pajtuar” , dhe për të fituar një pension , të cilin mbreti si për “rastesi”, që në fillim të vitit 1938 kur ai fejohet me konteshën Geraldinë fillon t’i japë pensionin e kërkuar Nolit, madje dhe shumë kundërshtarëve të tij politikë, çfarë tregon për një shpirt më paqësor, më sentimental, e pse jo më kristian që ka në themel mëshirën e faljen të cilat ishin disi më të kufizuara në të shkuarën. Gjithsesi me këtë martesë kundërshtarëve të mbretërisë (shpesh edhe të Shqipërisë) u iku nga “dora” argumenti “kryesor” se mbretëria shqiptare është një derivat i rëndomtë i perandorisë anadollake, madje fillimi i një jete më moderne europiane i mbretërisë ishin disa nga premisat që rrisnin shpresat që shqiptarët të hynin më shtruar në sofrën europiane, nga ku për hirë të vërtetës duhet thënë se asnjëherë nuk qëndruam të përbuzur e braktisur si shpesh herë sot në shekullin e ri…(Kujtojme se me pasaporten e mbreterisë  shqiptare udhtojë pa vizë (si sot) në Europë , madje edhe në Amerikë, ndërsa leku shqiptar ishte një monedhë e shkembyeshme e me vlerë në të gjithë Europën…). Pas kësaj martese fatlume e të bardhë për mbretërinë e vetë shqiptarët, nuk ishte thënë prej Zotit të zgjaste më shumë se rreth një vit, kur fashizmi (Italian) më 7 prill 1939 ndërmori aktin barbar të pushtimit të Shqipërisë, ndërsa mbretëria si të gjithë shoqet e saja në Europë u detyruan të lënë vendin e tyre, për të mos u bërë “graso” për grasatimin e ingranazheve të shtetit 40 milionësh fashist, e ndërsa Shqipëria kishte  më pak se një-milion banorë. Kujtojmë se kishte dhe shtete të tjera që , për të mos prishur qytetet dhe  historinë e tyre  “lejuan” pushtimin pa luftë, e këtu vlen të përmendim Francën që dorëzoi Parisin… Gjithsesi shqiptarët qëndruan, por qëndresa nuk dha rezultat për arsye që dihen. Por me këtë rast shqiptarët lëshuan toka e troje, por jo shpirtin liridashës e trimërinë e tyre, të cilët e demostruan vazhdimisht në luftën e paprerë, si me fashistët italian  dhe ata gjerman.  Ndersa  në keto kushte  mbretëria u detyrua të marrë rrugët e kurbetit, që nga Greqia, Turqia, Anglia, Franca, Spanja, Egjypti, Afrika e Jugut e gjetkë. Mjerisht për Shqipërinë në këtë luftë që quhet lufta e dytë botërore , Mbretëria nuk arriti të bëhet palë bindëse në agjendat ndërkombëtare, për shumë arsye, por dy janë më kryesoret. E para sepse “ambasadorët” emigrant politik me të filluar lufta trumbetuan me shtypin e miqësinë e tyre antimbretërinë, duke e paraqitur si mbretëri tradhëtare e që kishte shitur vendin. Madje u arrit deri aty sa ti ngjiten të pabëra sikur ka vjedhur thesarin e tjerë e tjerë. Së dyti “Bota” sllavo-ortodokse ku po hidhte shtat komunizmi ishte bërë faktorë në luftë kundër fashizmit, pasi disa grupime anarshiste që dalngadalë Moska e Beogradi do t’i bashkonte e emërtonte si Partia Komuniste Shqiptare, që siç u provua më vonë ishte vegla më e mirë jo vetëm për të shtypur shqiptarët brenda kufirit 1913, por edhe për të ndihmuar në eleminimin e nacionalistëve dhe shpirtit kyrengritës të trevave shqiptare që sllavët i kishin gllabëruar prej vitesh.. Duke realizuar kështu ëndrrën e kahershme që Shqipëria të mos jetë “kurrë” një shtet i bashkuar e i zhvilluar. Gjithsesi Mbretëria në mërgim nuk qëndroi duarkryq, por aktiviteti i saj erdhi duke u zbehur fill pas marrëveshjes së Jaltës e konferences së Teheranit , kur kompromiset politike të forcave fituese e lanë Shqipërinë në duar të Stalinit e Titos, për t’u gllabëruar edhe kjo që kishte mbetur, por edhe për të vazhduar eksperimentet antinjerëzore të komunizmit deri shumë vonë. Natyrisht në kushtet e një emigrimi të pashoq mbretëria shqiptare mbijetoi, edhe pse më 24 maj 1944 komunistët kishin marrë vendimin “historik” të ndalimit të kthimit të Mbretit në Shqipëri. Mbreti Zog u sëmur dhe vdiq në vitin 1961, për t’u trashëguar nga djali i tij Leka i parë i cili u largua nga Shqipëria vetëm dy ditësh. Tashmë kollonisja e Mbretërisë në mërgim bëhej kryesisht nga Mbretëresha Geraldinë, e cila për të mos humbur dinjitetin e saj e të Mbretit sakrifikoi jo vetëm pasurinë që i mugnonte, por edhe kujtimet e fejesës e martesës, si relike, unaza e tjerë. E këto i bënte që edhe djali i saj, mbreti trashëgimtar të shkollohej e aftësohej që një ditë t’i shërbente Shqipërisë… Dinjiteti i Mbretëreshës që tashmë quhej Nëna Mbretëreshë, ishte më i larti i të gjitha mbretërive në mërgim, aq sa shkrimtari i shquar Ismail Kadare do të thoshte:  “Mbretëresha Geraldinë është sovrania e vetme në Botë që pas përmbysjes së të shoqit nuk u përgojua ansjëherë , dhe gjithë jeta e saj është një model për mua…”. E përsëri kjo Mbretëreshë e Bardhë ka tërhequr vëmendjen e Papa Gjon Palit të dytë, i cili i kishte thënë Geraldinës: “Me kontributin tënd, me shpirtin tuaj Kristian do të mbeteni e Nderuar për Brezat”. Dhe për këtë Papa ka të drejtë, pasi kjo mbretëreshë në tërë kalvarin e saj të mërgimit 63 vjeçar, asnjëherë nuk mendoi apo shprehu një fjalë të keqe për shqiptarët e Shqipërinë, përkundrazi ajo mijëra herë i ka “bekuar” dhe është  lutur për ta  në kisha e faltore të ndryshme, duke u dëshmuar jo vetëm mbretëreshë e devotshme, por edhe si kristiane e bindur. Madje ajo asnjëherë nuk kaloi kufijtë njerëzorë e kulturorë në mallkimin apo përgojimin e klyshëve të kuq sllavë që kishin ndaluar jo vetëm mbretërinë, por një popull të tërë… Gjithsesi kur mosha e mbretëreshës po bënte “detyrën”, dhe ajo si çdo qenie njerëzore e tokësore filloi të mendonte për të ndërruar jetë, në shpirtin e saj vlonte dashuria për tja “besuar” trupin e saj  tokës së shenjtë shqiptare për të cilën ishte sakrifikuar pa kursim.. Ketë deshirë të saj të fundit mbreteresha Geraldina do të shprehte me fjalet : “Do të vdes si shqiptare, në tokën shqiptare, në mes të shqiptarëve”. Me sa duket ketë dshirë të saj Zoti bëri emer tja plotësojë, pasi  me 28 qershor 2002 ajo u rikthye përfundimisht në Shqipërinë e ëndërruar e dëshiruar gjatë. Por pa kaluar veçse pak muaj (me 22 tetor 2002) ajo ndërroi jetë, por tashmë e qetë, pasi do të prehet përgjithmonë në tokën që i kushtoi jeten e saj… Në perjetsim të emrit saj  të mirë maternitetit (qendror) të Tiranës i është dhënë  emri i mbretereshes Gelardinë…

Filed Under: Featured Tagged With: Mbreteresha Geraldine, Mbreteria Shqiptare, Ndue Bacaj

Histori- Gjendja e rëndë shëndetësore e Mbretëreshës Geraldine

February 10, 2019 by dgreca

GJENDJA E RËNDË SHËNDETËSORE E MBRETËRESHËS GERALDINË NË GREQI, MBRETI JORGO I DËRGOI NË SHËRBIM GJINEKOLOGUN MË TË TALENTUAR GREK (PARIS-SOIR, 1939)/1 Mbreti Zog

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Shkurt 2019/

“Paris-soir” ka botuar, të mërkurën e 12 prillit 1939, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me gjendjen shëndetësore të mbretëreshës Geraldinë, asokohe e strehuar në Greqi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :1 gazeta paris Mbretëresha Geraldinë seriozisht e sëmurë. Thuhet se e kanë zënë gjatë largimit ethet e lehonisë (puerperale)-

(Nga korrespondenti ynë i veçantë)

Athinë, 11 Prill.

(Nëpërmjet telefonit.)

 Mbreti Zog mbërriti me mbretëreshën Geraldinë, fëmijën dhe të afërmit e tyre, në Portaria, pranë Volos, në Thesali. Sovranët shqiptarë do të qëndrojnë në Portaria derisa të përmirësohet mbretëresha Geraldinë, sepse ajo është sëmurë rëndë për shkak të lëvizjeve të shkaktuara nga largimi i saj prej Tirane, 48 orë pas lindjes. Mbretëreshën Geraldinë e kanë zënë ethet e lehonisë (puerperale).Profesori Luros, gjinekologu më i madh (i talentuar) grek, u dërgua në shërbim të sovranes nga vetë Mbreti Jorgo i Greqisë.Gjendja shëndetësore e mbretëreshës, e cila ishte përkeqësuar natën e kaluar, duket se është përmirësuar lehtësisht këtë mëngjes.Le të shtojmë se Mbreti Zog i ka kërkuar Turqisë një leje qëndrimi.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Mbreteresha Geraldine, Mbreti i Greise Jorgo, Mbreti Zog

Intervista ekskluzive e Mbretereshes Geraldine

February 5, 2019 by dgreca

Ekskluzive/

Intervista ekskluzive e Mbretëreshës Geraldinë për Paris-Midi (1938) : “Unë dëshiroj të kujdesem mbi të gjitha për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri” /

Nga Aurenc Bebja (Francë)/

(Nga korrespondenti ynë i veçantë.)1 Geraldine

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Shkurt 2019/

“Paris-Midi” ka botuar, të martën e 26 prillit 1938, në ballinë, intervistën ekskluzive të korrespondetit të saj me mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :“Unë dëshiroj të kujdesem mbi të gjitha për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri”… na rrëfen kontesha Apponyi, Mbretëresha e ardhshme e Shqipërisë. 

 Tiranë, 26 Prill, 1938./

Në shoqërinë e gazetarëve hungarezë, të vetmit që ishin lejuar ta vizitonin atë, unë u prita nga kontesha Apponyi, e cila, nesër, do të jetë mbretëresha e shqiptarëve. Z. Libohova, Ministër i Punëve të Jashtme, mori pjesë në këtë takim.

Jashtë, para një turme fëmijësh piktoreskë, qindra ushtarë po bënin ushtrime, duke përgatitur kështu paradën e madhe ushtarake që do t’i paraprijë ceremonisë së martesës.

1 zogu Geraldine

Përpara vilës simpatike ku banon kontesha, ushtarë të tjerë qëndronin roje. Mbretëresha e ardhshme na priti në një sallon të ndriçuar nga rrezet e diellit, me muret ngjyrë bezhë, ku kolltuqet e mbuluara nga një pëlhurë e errët blu, ishin të stilit puro anglez.

Me një qasje të lehtë, flokët platin, e qeshur dhe e freskët, pavarësisht lodhjes dhe tensionit të ditëve të fundit – përgatitjet për ceremoninë e dasmës, provat, vizitat, leximi i një sasie të madhe korrieri – kontesha shfaqet :“— Unë jam e lumtur për simpatinë që më kanë manifestuar; populli shqiptar, me të vërtetë, më bën të ndihem mirë; por ajo që më pëlqen më së shumti është të shoh se sa i ngjan popullit hungarez. E njoh historinë e tij shumë mirë…

Puna ime e re si mbretëreshë ? Nuk më frikëson aspak, madje as të gjitha detyrimet që ajo përfshin dhe për të cilat tani jam e përgatitur mirë : dua të punoj për lumturinë e popullit që më mirëpriti me kaq dashuri. Por veprimtaria e një mbretëreshë duhet të jetë veçanërisht femërore : më së shumti dua të kujdesem për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri ; Me pak fjalë, dua të jem për popullin shqiptar, ashtu siç ishte mbretëresha Elizabet për popullin hungarez.” — Aigner

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Interviste, Mbreteresha Geraldine, Paris-Midi

KUR MBRETERESHA SHQIPTARE GERALDINE PERZGJEDHEJ NGA FRANCEZET

December 23, 2018 by dgreca

Géraldine Apponyi, née comtesse Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagy Appony, le 6 août 1915 à Budapest et morte le 22 octobre 2002 à Tirana, a été reine consort d'Albanie entre 1938-1939, par son mariage avec le roi Zog Ier.

LE JOURNAL (1939) / KUR BASHKIMI I GRAVE TË FRANCËS NË VERSAJË ZGJODHI MBRETËRESHËN GERALDINË SI DREJTUESE TË NJË EVENIMENTI BAMIRËSIE/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Dhjetor 2018/

1 Geraldina.

“Le Journal” ka botuar, të premten e 8 dhjetorit 1939, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me drejtimin e një vepre bamirësie në Versajë nga Mbretëresha Geraldinë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Mbretëresha Geraldinë drejton një ankand bamirësie..

Bashkimi i Grave të Francës, komiteti i të cilit në Versajë drejtohet nga znj. Colomb, themeloi në fillim të luftimeve një spital ndihmës ku trajtohen të sëmurët dhe të plagosurit.

Për të mirën e kësaj pune, u organizua një shitje bamirësie në një nga sallat në afërsi të spitalit. Mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë, e cila gjendej në Versajë, me ftesë të komitetit, erdhi për të kryesuar këtë ngjarje.(“Dars (Klos), Mat – Albania”, )

 

Filed Under: Histori Tagged With: : ” Francezët, ankand, Aurel Bebja, Mbreteresha Geraldine

RRËFIMI I RRALLË PËR MBRETËRESHËN GERALDINË…

August 30, 2018 by dgreca

1-Geraldine-RRËFIMI I RRALLË PËR MBRETËRESHËN GERALDINË NGA VAJZA E RRITUR ME TË NË MANASTIRIN E “ZEMRËS SË SHENJTË”, NË PRESSBAUM TË AUSTRISË/1 rrefimi

Nga Aurenc Bebja*, Francë – Gusht 2018/

“Le Journal” ka botuar, të dielën e 9 prillit 1939, në faqen n°3, një intervistë të rrallë me Genevièvën, vajzën që ka jetuar me mbretëreshën Geraldinë në manastirin e Zemrës së Shenjtë, në Pressbaum të Austrisë.Gazeta franceze, duke dashur të di më shumë për mbretëreshën shqiptare, e ka pyetur Genevièvën mbi përshtypjet që ajo i ka lënë gjatë kohës që kanë qenë bashkë.

Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Kujtime në manastirin e Zemrës së Shenjtë, ku Geraldina e Shqipërisë ishte një vajzë e madhe pafundësisht e mirë dhe e urtë.

— Por, meqë e njeh mbretëreshën Geraldinë, na trego përshtypjen që ke ruajtur prej saj.Genevièva e vogël, që intervistova, m’u duk e druajtur.

— Pra, ti je rritur në shoqërinë e saj në manastirin e Zemrës së Shenjtë, në Pressbaum; na trego kujtimet e tua.

— Oh! sidomos, m’u përgjigj Genevièva, ajo më bëri të haja atë që mund të më bënte të ha ! Ajo ishte presidentja (përgjegjësja) e tavolinës sime. Duhet t’ju them se në Zemrën e Shenjtë, vajzat e vogla, kanë gjithmonë një presidente, më të madhe, e cila vrojton mbi to. Kur ajo shfaqej, bisedimet mbaronin, sepse ajo ishte e urtë dhe e ashpër. Ajo e mbante kokën drejt dhe mundohej të drejtonte flokët e saj kaçurrela.

“Fëmijët e mi” – thonte ajo, “nëse nuk hani, ju do të jeni më vonë krimba të vegjël, por kurrë gra.”

— Dhe sidomos jo mbretëresha, përgjigjeshim ne atëherë; sepse e dinim, që një cigane e vjetër i kishte parashikuar Geraldinës se do të martohej me një mbret.

“Kur, për të bërë shaka, e thërrisnim “Mbretëresha Geraldinë”, ajo nuk protestonte, nuk zemërohej, por as nuk qeshte. Vajzave të rritura u dukej e bukur. Ajo ishte gjithashtu shumë e mirë. Kur një vajzë e vogël kishte një problem, Geraldina ishte gjithmonë e gatshme t’a ndihmonte.”

“Kur e morëm vesh në manastir, një vit pas nisjes së saj, që ajo po martohej me Mbretin Zog, nuk qemë të befasuara. Mbretëria e Shqipërisë na u duk paksa e vogël për Geraldinën. Ne menduam se ajo do të ishte së paku një ditë mbretëreshë e Amerikës apo Japonisë.”

“Nënat e shkreta (motrat e manastirit) ishin të pikëlluara dhe të mahnitura. Mendoni vetëm një çast, një nxënëse e Zemrës së Shenjtë që martohet me një mysliman ? Apo gati sa dhe kishin thënë se ajo ishte bërë myslimane ?”

“Kjo nuk ishte e vërtetë. Geraldina erdhi në Austri disa javë para martesës së saj dhe nuk mungoi të shkonte për të parë nënat që e kishin rritur. A i bindi ato ? A e pranuan ato vendimin e saj ?”

“Kur ajo u nis për në Tiranë, mori urimet e mësuesve (edukatorëve) të saj dhe bekimin e rrëfyesit të saj.”

Genevièva nuk më tha asgjë më shumë. Ngjarjet në Shqipëri e trishtojnë atë, sikur të ishte vendi i saj. “E shkreta Geraldinë, përsëriti ajo, e shkreta mbretëreshë Geraldinë !”

Po, e shkreta Geraldinë, fatet mbretërore nuk janë për t’u patur zili sot. — D. A.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Mbreteresha Geraldine, Rrefimi i Jashtzakonshem

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT