
Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Masakra e Reçakut përfaqëson një nga krimet më të rënda të kryera kundër civilëve shqiptarë të Kosovës gjatë konfliktit të armatosur të viteve 1998–1999 dhe zë një vend qendror në Aktakuzën e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY). Sipas të dhënave të Tribunalit, kjo masakër nuk përbënte një incident të izoluar, por ishte pjesë e një fushate të gjerë, të përhapur dhe sistematike dhune, të ushtruar nga forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe të Serbisë kundër popullsisë civile shqiptare në Kosovë.
Duke filluar nga 1 janari 1999 dhe deri në datën e ngritjes së aktakuzës, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë, sipas Tribunalit, vepruan me urdhër, inkurajim ose mbështetje të drejtpërdrejtë të figurave më të larta shtetërore dhe ushtarake: Slobodan Millosheviq, Milan Millutinoviq, Nikola Sainoviq, Dragoljub Ojdaniq dhe Vlajko Stojilkoviq. Ky fakt dëshmon se dhuna e ushtruar ndaj civilëve shqiptarë nuk ishte spontane apo e rastësishme, por e lidhur ngushtë me struktura vendimmarrëse shtetërore dhe mekanizma të organizuar të pushtetit.
Megjithëse dhjetëra verifikues të OSBE-së ishin të pranishëm në Kosovë për të monitoruar situatën e sigurisë, armiqësitë nuk u ndalën. Përkundrazi, organizatat ndërkombëtare dhe ato për të drejtat e njeriut dokumentuan vrasje të shumta të civilëve shqiptarë, duke konfirmuar përmasat dhe natyrën sistematike të krimeve të kryera.
Ngjarjet e 15 janarit 1999 në Reçak
Sipas Aktakuzës së Tribunalit, më 15 janar 1999, në orët e hershme të mëngjesit, fshati Reçak, në komunën e Shtimes, u sulmua nga forcat e RFJ-së dhe të Serbisë. Sulmi filloi me granatime nga njësitë e Ushtrisë Jugosllave (VJ), duke krijuar një gjendje terrori dhe pasigurie të skajshme për popullsinë civile. Më pas, policia serbe hyri në fshat dhe filloi kontrolle sistematike shtëpi më shtëpi, një metodë e përdorur gjerësisht në operacionet represive kundër civilëve.
Banorët e fshatit që tentuan të largoheshin për t’i shpëtuar policisë u qëlluan në vende të ndryshme të Reçakut. Një grup prej rreth 25 burrash të paarmatosur u përpoqën të fshiheshin në një ndërtesë, por u zbuluan nga forcat policore. Ata u rrahën brutalisht, u nxorën nga ndërtesa dhe u dërguan në një kodër aty pranë, ku u ekzekutuan me armë zjarri. Në total, rreth 45 shqiptarë të Kosovës u vranë në dhe përreth Reçakut, çka përbën një vrasje masive të civilëve.
Kualifikimi juridik i krimit
Tribunali e përfshiu Masakrën e Reçakut në kuadër të krimeve kundër njerëzimit dhe shkeljeve të ligjeve ose zakoneve të luftës. Elementet kryesore që mbështesin këtë kualifikim juridik janë:
statusi civil dhe i paarmatosur i viktimave;
natyra e organizuar dhe sistematike e operacionit;
përfshirja direkte e forcave shtetërore, policore dhe ushtarake;
dhe lidhja e qartë e kësaj masakre me një fushatë më të gjerë dhune në Kosovë.
Pasojat dhe dimensioni i drejtësisë ndërkombëtare
Masakra e Reçakut pati ndikim të drejtpërdrejtë në reagimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe shërbeu si një moment kyç që çoi në organizimin e Konferencës së Paqes në Rambuje në shkurt 1999. Megjithëse bisedimet përfshinë përfaqësuesit më të lartë të Serbisë dhe RFJ-së, si dhe delegacionin shqiptar të Kosovës, ato dështuan në mesin e marsit 1999, duke hapur rrugën për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Megjithatë, pavarësisht përfshirjes së Masakrës së Reçakut në aktakuzat e ICTY-së, Tribunali i Hagës nuk dënoi asnjë udhëheqës serb drejtpërdrejt për këtë krim, ndonëse faktet, dëshmitë dhe hierarkia komanduese policore dhe ushtarake ishin të njohura dhe të dokumentuara. Kjo krijon një hendek të dukshëm mes të vërtetës faktike dhe rezultatit juridik.
Kur kjo situatë krahasohet me proceset e zhvilluara para Gjykatës Speciale në Hagë, ku në masë të madhe janë ricikluar dëshmitarë dhe materiale nga proceset e mëparshme gjyqësore të UNMIK-ut, bëhet e qartë se ekziston një tendencë për të krijuar një baraspeshë artificiale midis krimit shtetëror serb dhe krimeve sporadike individuale që kanë ndodhur në Kosovë gjatë ose pas luftës. Krime të tilla, në forma të ndryshme, janë evidentuar edhe në shoqëri të tjera pas konflikteve të armatosura, përfshirë Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe në shumë vende që kanë dalë nga lufta.