Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Korrik 2015-Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës nisi me përkujtimin e masakrës së Srebrenicës të para 20 viteve, në Bosnjë e Hercegovinë, po edhe të masakrave në Kosovë në luftën e para mëse 16 viteve të forcave serbe të Slobodan Miloshevicit, i cili më pastaj ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se, “20 vite më parë në verën përvluese të vitit 1995 në qytetin Srebrenica të Bosnjës u bë krimi më i madh në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”.
Ai përkujtoi se në masakrën e Srebrenicës, të gjenocidit e spastrimit etnik, që tronditi botën, mbi 800 burra u masakruan barbarisht nga njësitë ushtarake të gjeneralëve serbë të Miloshevicit dhe se e njëjta barbari e forcave serbe u shfaq pastaj në fshatrat e qytetet e Kosovës.
“20 vite pas krimit në Srebrenicë, e 16 vite pas krimeve të bëra në Prekaz, Izbicë, Suharekë, Mejë, Gjakovë e vende tjera të Kosovës drejtësia nuk është përmbushur akoma. Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend, sepse krimet e padënuara ndjellin vetëm kobe të reja”, u shpreh kryeparlamentari kosovar, Veseli.
“Duke iu bashkuar përkujtimit global që po i bëhet Masakrës së Srebrenicës në 20 vjetorin e saj, në nderim të viktimave ju ftoj për një minutë heshtje”, përmbylli fjalën e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës, në fillimin e seancës plenare.
Pas nderimit me një minutë heshtje, seanca vazhdoi sipas axhendës me deklarime jashtë rendit të ditës dhe të parit fjala iu dha deputetit të partisë boshnjake të Kosovës VAKAT, Qerim Bajrami nga Grupi parlamentar Gjashtë Plus, i komuniteteve pakicë, i cili poashtu përkujtoi masakrën e Srebrenicës, duke u shprehur se ishte dita më e zezë në historinë e popullit boshnjak në Ballkan. “Nuk ka pajtim në Ballkan pa gjykimin e drejtë të krimit”, theksoi ai, ndërsa njoftoi se në qytetin e Prizrenit sot për 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës do të organizohet një marsh nga dy organizata joqeveritare të boshnjakëve përkrahur edhe nga komuna e qytetit më të madh jugor të Kosovës.