
Uran Butka/
(kumtesë e majtur në Konferencën ndërballkanike të Tivarit, 31 mars 2026)
Masakra e Tivarit e vitit 1945 është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa ndaj shqiptarëve. Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav për motive politike e ushtarake të ripushtimit dhe të spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës e viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi.
Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi kriminal antishqiptar dhe antinjerëzor, ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim qysh gjatë luftës.
Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇ Jugosllave iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë “ (Arkivi historik i Kosovës, F. OKKM k.10/29, 335 nr1)
Ky genocid do të shpërfaqej hapur përmes mashtrimit, dhunës, vrasjeve masive dhe shpërnguljeve masive të shqiptarëve të Kosovës nga forcat e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të OZN-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, duke shkelur të drejtat njerëzore, kombëtare e të konventave ndërkombëtare.
Por, në kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, ripushtimin e nështimin e Kosovës tashmë mund ta arrinin më lehtë e më tinëzisht, me mbështetjen e shtetit komunist vasal të Shqipërisë dhe ndihmesën e forcave të saj ushtarake të Shqipërisë, që ishin thirrur nga ana e Jugosllavisë. T’i nxirrnin gështenjat e nxehta me duart e të tjerëve.
Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar me gjasë kundër “pushtuesve dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër qëndresës shqiptare. Kjo kërkesë e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ Jugosllave u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. Një kërkesë tjetër u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç.
Po në këtë datë, Miladin Popoviç, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH për Korpusin I:
“Lajmëro Pavlen ( Pavle Joviçeviç, shën.im UB) se dy brigadat shqiptare së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet!”
Dërgimi i dy brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë, u mbajt në fshehtësi të plotë, edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I:
“Të mos i tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”
E.Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një puthador i bindur i Jugosllavisë, urdhëronte brigadat e Divizionit I: “ Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë.” Kjo ndodhi edhe me boshnakët e malazezët në Malin e Zi, që ishin kundër pushtetit serb.
Në muajin nëntor 1944, u angazhuan në këtë luftë edhe Divizioni V dhe Divizioni VI pasi u kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve.
Divizionet V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në URDHËRVEPRIMIN e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë. Ja urdhëri:
“Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht…Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhëtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur.T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet..”
Për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim si shpëtimtarë tek brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, ndihmesën e dhanë komandat e këtyre divizioneve të ushtrisë shqiptare. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivorë, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat ( eshalonet) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945.
Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V të si edhe listat emërore të të aratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin te ushtria jugosllave.
Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës:
“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.
Për shoqërimin e tyre ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV.
Të dhënat burimore ushtarake jugosllave, tregojnë se u mobilizuan rreth 18.000 rekrutë shqiptarë në Prizren dhe u dërguan për në Tivar 13.323. Qeveria shqiptare e E.Hoxhes, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër teritorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi.
Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në vitin 1949, pas prishjes me Jugosllavinë, lexojmë:
“Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-ë . Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq , në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”
Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës III (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë , jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin, nga organet shtetit shqiptar, komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen.
Kolona e parë u nis nga Prizreni më 24 mars 1945 me 2.600 shqiptarë të mobilizuar, shoqëruar nga 300 udhëheqës të brigadave dalmatine dhe një batalion i brigades 27 të Serbisë.
Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945`:
“Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetësh. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.
Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës, u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugoslavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Në Shkodër eshaloni iu dorëzua Brigadës X malazeze me komandant Gosha Markoviç.
Në Tivar, 200-300 m. nga ndërtesa e Monopolit të Duhanit, ku u hodhën bomba dhe u mitroluan nga brigada malazeze dhe gjetën vdekjen 420 rekrutë shqiptare të eshalonit të parë. Pjesa tjetër e eshalonit u nis me anije për në Trogil. Atje nisi inbarkimi në kanalin e Çiovës, por trageti ku kishin hipur 150-200 shqiptare, u ça më dysh dhe u mbush kanali me plisa të bardhë mbi ujë. Plisat e bardhë mbi ujë një metafore e vdekjes dhe mbijetesës së shqiptarëve. U identifikuan 29 veta, që u varrosën në Trogil, ku gjendet edhe një pllakë perkujtimore me emrat e tyre.
Po tragjedia më e madhe ndodhi me kolonën e dytë me 2400 shqiptarë, që u nis nga Prizreni më 26 mars 1945. Pjesë e këasj kolone ishte edhe rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi, madje edhe protestoi pranë autoriteteve në Beograd për këtë tragjedi kombëtare, më pas edhe me Letrën e Hapur drejtuar qeverisë së Kosovës së pavarur, 2009.
“Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga shovinistët serbë, malazezë dhe maqedonas. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”
Sipas të dhënave të arkivave jugosllave , në Kukës, Fushë Arrëz, në Pukë, Gomsiqe,Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër, gjetën vdekjen 1315 rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish.
Më 30 mars kolona arriti në Shkodër. At Zef Pllumi, që ndodhej atëkohë në Shkodër, e pershkruan kalimin e kolonës me rekrutë shqiptarë “me zigoma të theksueme mbi faqe, të lodhun e të raskapitun, me uniformat zhele e të shkopsituna, pa armë e që mezi i lëviznin kambët… Mbetëm shtang. Largas, anash reshtit, kishin roje të armatosuna jugosllave, që bërtisnin me kërcënim: “Lëviz, luaj kambët!” Ndërkaq njeni prej tyne pat guxim, para vdekjes, dhe na foli: “Për iza të Zotit, a keni nji copë bukë?”…
Kolona u nis nga Shkodra u nis për në Tivar në të gëdhirë të dates 31 mars `1945 nën shoqërimin e Brigadës X malazeze.
Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, e komanduar nga Gosha Markoviç pikërisht në Tivar, qytet i rrethuar nga deti dhe malet përballë, si një grackë natyrore e mbyllur mirë dhe larg vëzhgimit të ndërkombëtarëve. Krimineli Gosha Markoviç i merrte urdhrat nga Beogradi, për të vrarë shqiptarët.
I mbijetuari Azem Hajdini rrëfen: “Me të arritur në Tivar, diku mes orës 12-13.00 në çdo skutë të qytetit diktohej një mobilizim i madh i ushtrisë që me armë në duar ishin drejtuar nga ne. Diktuam qartë komplotin dhe grackën që na kishin përgatitur. Shpirtrat tanë të virgjër u gjetën në shënjestër të pushkeve dhe mitralozave, q ëishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, nëpër dritrare dhe në taracat e shtëpive, nëpër shkëmbinjtë dhe kodrat për rreth…”
Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, në rrugën që të çonte te oborri i ndërtesës së Monopolit të duhanit,.”Këtu llogariten 430 të vdekur”-raportonte shtabi i Kolonës IV të Armatës Jugosllave.
Ploja arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Oborri dhe tre katet e ndërtesës u mbushën me kufoma të rënë mbi njëri-tjetrin, klitma dhe lumë gjaku….
“Në sulmin e parë rrebeshi i amëve të zjarrit më plandosi për tokë. Mbi trupin tim ranë shumë trupa të vdekur e të plagosur. Derisa qëndroja nën kufoma, vëreja sesi usharakët malazes hetonin të plagosurit dhe sapo i zbulonin, aty pë aty i pushkatonin ose i therrnin me bajoneta e mjete të tjera. Shumë të pagosur, që s’u kishte dale ende shpirti, klithnin, rrënkonin, kërkonin ndihmë: “Ndihmomë vëlla, mos shkel mbi varrën time!…Vëlla, më jep nji pike ujë. Më hiq sopatën, thikën e sfurkun nga shpina.. M’i afro zorrët që më shkojnë zhagas. Më nxirr prej kufomave… Vëllezër, Mos na lini në duar të xhelatëve!” (Azem Hajdini, letër e hapur)
Sipas dokumentave, rezulton se vetëm në Tivar u vranë e u therrën më 31 mars 1945 1560 shqiptarë të Kosovës nga kolona e dytë. Rretih 430 kufoma u varrosën nga shqiptarët e Tivarrit në varrezat myslimane te qytetit. Një pjesë tjetër u hodh në dy shpella të thella në afërsi të fshatit Tugjemil, të tjerët mbetën në mangalle, hendeqe, pyje dhe kodrat, si ushqim i ujqëve apo shpendëve.
Kolona e tretë e marsit 1945 me 2.680 shqiptarë të rekrutuar nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Kumanova, Kërçova etj u nis më datën 27 mars 1945 e percjellë ushtarakisht nga një batalion I Brigadës 27 të Jugosllavisë.Sipas raportit të shtabi te Divizionit 46, gjatë rruges se kalvarit nga Prizreni ku ishin grumbulluar e deri në Shkodër nga Kolona e tretë humbën nga sëmundjet, urija dhe torturat 170 rekrutë shqiptarë. Në kalimin me trap të lumit Buna u vranë nga rojet serbe dhe u mbytën 230 shqiptarë pjesa tjeter u masakrua në Shodër 20 viktima dhe në Tivar e më tej në udhëtimin e mëtejshëm. Në Dubrovnik I mbyllën 800 rekrute shqiptare në një ish-magazine baruti, ku u helmuan dhe gjeten vdekjen 250-300 veta (Rankoviçi raporton për 130 veta)
Luftëtari i Brigades IV, mandej ushtarak i lartë i ushtrisë Jugosllave në Shkup, Bajram Gola, i cili u mor me kurajo me studimin dhe denoncimin e masakres së Tivarit, sjell fakte dhe dëshmi nga kjo plojë e përgjakshme: “Përgjatë rrugës Prizren, Kukës,Shkodër, Ulqin Tivar do të mbesin gjurmët e përgjakshme të gjakut. Të lodhur e të raskapitur nga udha e gjatë, të urritur, të djegur e të përvëluar nga etja, për shkak se nuk ilinin as të pinin ujë as t’i kryenin nevojat fiziologjike. Pasi arritën në Tivar i vendosën në mes të detit dhe mitrolozave të Brigadës X malazeze rekrutët shqiptarë, që i kishin përcjellë nënat shqiptare të luftonin për çlirimin e Jugosllavisë”
Nëse përpiqemi të konkludojmë për numrin e saktë të të vrarëve në këtë tragjedi të përmasave ballkanike, sipas studimeve më të fundit,numrit prej 2933 vetësh të masakruar në Tivar, Trogir, Dubrovnik etj, po t’i shtosh shifrën prej 1315 shqiptarësh të vrarë e të zhdukur në Shqipëri nga të tri eshalonët e marsit 1945, si edhe 211 shqiptarësh nga tri eshalonët e prillit 1945, sipas dokumenteve të Arkivit tw Luftws NÇ të Jugoskkavisë, arkivave të Shqipërisë, të Kosovës e tjera, rezulton shuma prej 4459 shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar e të zhdukur në tragjedinë e quajtur të Tivarit.