AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS – GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) – KONFERENCË SHKENCORE – (28 PRILL 2023).
Jusuf Osmani
Abstrakt
Gjenocidit serb ndaj popullatës shqiptare në Kosovë në vitet 1998-1999 i kanë paraprirë dhe nxitur propaganda dhe gjuha fyese, urrejtja dhe diskutimet e shumta të politikanëve serbë në organet më të larta shtetërore e qeveritare në mitingjet e shumta antishqiptare në Kosovë dhe jashtë Kosovës, planet e Akademisë Serbe të Shkencave, shkrimet e gazetave ditore, mediet elektronike, si dhe botimet “shkencore” të dirigjuara një kohë të gjatë, etj. Rol të theksuar ka luajtur Kisha Ortodokse.
Në luftën e fundit të agresorit serb më 1988-1999 ndaj popullatës shqiptare në Kosovë kanë ndodhur krime gjenocidiale barbare aq të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë, që ushtruan pa mëshirë pjesëtarët e forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe, ku nuk kursyen as gratë, gratë shtatzëna, foshnjat, fëmijët, pleqtë, të burgosurit dhe të tjerë.
Masakrimet, vrasjet masive të grave, fëmijëve, pleqve, të burgosurve e të tjerë, dhunimet e vajzave dhe të grave të reja, djegiet dhe shkatërrimet masive të vendbanimeve, të ekonomisë dhe pronës, nuk u mjaftonin forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, por për t’i humbur gjurmët e krimeve hapnin varreza masive dhe individuale akoma të paidentifikuara, në Kosovë dhe jashtë Kosovës, në Serbi. Ka shumë raste kur kufomat janë varrosur, por pas disa ditësh janë zhvarrosur dhe dërguar në vende të panjohura.
Gjenocidi, krimet, masakrat dhe dhuna e ushtruar ndaj popullatës shqiptare, posaçërisht ndaj grave, fëmijëve, pleqve, në Kosovë në periudhën 1998-1999 janë më të rëndat dhe më tragjiket në Evropë. Lufta e fundit në Kosovë ka shënuar përmasat e një tragjedie, e cila la mijëra të vdekur dhe të zhdukur, qindra të plagosur, mijëra objekte të ndryshme të rrënuara, femra të dhunuara, popullatën e dëbuar dhe shumë pasoja të tjera.
Fjalë çelës: gjenocidi, krimet, vrasjet, fëmijët, pleqtë, gratë, të burgosurit, forcat serbe, Kosovë.
Krimet dhe vrasjet në Kosovë
Vitet 1998-1999 ishin vitet e vrasjeve, djegieve dhe të masakrimeve të qindra e të mijëra qytetarëve të pafajshëm e të pambrojtur, përfshirë edhe fëmijë, gra, e pleq. Janë këto vite të zhdukjes së dhjetëra, qindra e mijëra anëtarëve të familjeve shqiptare. Faktet dëshmuan se pikërisht këtë e parashihte faza e fundit e skenarit të çmendur serbomadh kundër shqiptarëve të Kosovës – skenarit për vrasjen dhe zhdukjen e një populli të tërë nga trojet e veta shekullore.
Në luftën e fundit të agresorit serb më 1988-1999 ndaj popullatës shqiptare në Kosovë kanë ndodhur krime gjenocidale aq të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë, që ushtruan pa mëshirë pjesëtarët e forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe, ku nuk kursyen as gratë, gratë shtatzëna, foshnjat, fëmijët, pleqtë, të burgosurit dhe të tjerë. Përveç kësaj, krimet në Kosovë përfshinin dëbimin e popullatës, masakrat, pastrimin etnik, dhunimet, plaçkitjet, helmimin e puseve, fshehjen e kufomave, fshirjen e identitetit, keqpërdorimin e civilëve dhe puna e dhunshme, shkatërrimin e vendbanimeve dhe minimin e terrenit. Krimi në Kosovë ishte masë e paraparë dhe e planifikuar nga Serbia, përkatësisht nga qarqet e saj politike, shkencore, kulturore dhe ushtarake.
Masakrimet, vrasjet masive të grave, fëmijëve, pleqve, të burgosurve e të tjerë, dhunimet e vajzave dhe të grave të reja, djegiet dhe shkatërrimet masive të vendbanimeve, të ekonomisë dhe pronës, nuk u mjaftonin forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, por për t’i humbur gjurmët e krimeve hapnin varreza masive dhe individuale akoma të paidentifikuara, në Kosovë dhe jashtë Kosovës, në Serbi. Ka shumë raste kur kufomat janë varrosur, por pas disa ditësh janë zhvarrosur dhe dërguar në vende të panjohura.
Veprimtaria kriminale e forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe që ushtruan kundër popullsisë shqiptare në Kosovë ishte tërësisht identike, pothuajse në mbarë Kosovën. Vetëm viktimat shqiptare janë të ndryshme e të shumta. Kjo tregon për mënyrën e organizuar të frikësimeve, përndjekjeve, terrorizimeve, burgosjeve, ngritjes së kampeve të përqendrimit, plaçkitjeve, djegieve e shkatërrimeve, krimeve makabre e më në fund edhe zhdukjen e kufomave të të vrarëve, me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimeve. “Nuk kam besuar që njeriu mund t’i bëjë diçka të tillë njeriut, derisa vizitova Kosovën”, deklaroi ish-senatori amerikan, Robert Dol, më 6 shtator 1998, para gazetarëve në Prishtinë, pasi ishte kthyer nga një vizitë që u bëri zonave të përfshira në luftime.
Gjenocidi, krimet, masakrat dhe dhuna e ushtruar ndaj popullatës shqiptare, posaçërisht ndaj grave, fëmijëve, pleqve, në Kosovë në periudhën 1998-1999 janë më të rëndat dhe më tragjiket në Evropë. Lufta e fundit në Kosovë ka shënuar përmasat e një tragjedie, e cila la mijëra të vdekur dhe të zhdukur, qindra të plagosur, mijëra objekte të ndryshme të rrënuara, gra të dhunuara, popullatën e dëbuar dhe shumë pasoja të tjera. Gjenocidi e krimi i tillë në Kosovë i zbatuar nga agresori pushtetar serb, kanë qenë veprime që kanë qenë në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare.
Vrasjet e qëllimshme dhe të paligjshme të civilëve – ekzekutimet pa gjyq – ishin një pjesë e rëndësishme e fushatës “së spastrimeve”. Në të gjithë Kosovën u vranë nga policia serbe, nga ushtarët dhe nga forcat paramilitare të implikuara në vrasjet e stilit “ekzekutim në vend”, civilë të cilët dihej mirë se nuk ishin luftëtarë dhe ndër të cilët kishte shumë gra dhe fëmijë. Ato ishin masakra të vërteta. Sipas Human Rights Watch, në përgjithësi vrasjet kishin tri motive të qarta. E para ishte përshpejtimi i procesit “të spastrimit” nëpërmjet kërcënimit dhe ngjalljes së frikës. E dyta, ishte eliminimi i individëve që dyshoheshin se luftonin në radhët e UÇK-së apo ndihmonin atë, dy gjëra që shpeshherë ishte vështirë të dalloheshin nga njëra-tjetra. Ndër individët e vënë në shënjestër kishte udhëheqës të shquar politikë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe biznesmenë të pasur. E treta ishte kryerja e vrasjeve për hakmarrje: disa masakra u kryen pasi forcat serbe dhe jugosllave pësuan humbje nga ana e UÇK-së. Vrasjet nuk ishin rezultat i rastësishëm i dhunës së forcave qeveritare, përkundrazi, ato ishin planifikuar me kujdes dhe vinin në jetë operacionet, që i shërbenin qëllimit strategjik të qeverisë.
Një “raport i brendshëm”, i cilësuar “tepër sekret”, i hartuar nga shërbimet sekrete të “Ushtrisë Jugosllave”, në janar/shkurt të vitit 2000, jep një pamje të përmasave të krimeve të tmerrshme që kryen forcat ushtarake serbo-jugosllave gjatë pranverës së vitit 1999 në Kosovë.
Siç del nga ky dokument, për shumë nga oficerët, propaganda që bën Beogradi është e pavërtetë dhe e pabesueshme. Komandanti i një njësie tankiste ka hedhur poshtë pretendimet e pavërteta serbe se fushata e Kosovës kishte për synim shtypjen e “separatistëve” shqiptarë, duke thënë: “Gjatë gjithë kohës sa kam qenë në Kosovë nuk kam parë asnjë ushtar armik dhe njësia ime nuk është përfshirë asnjëherë në luftime apo nuk ka hapur zjarr ndaj objektivave ushtarake. Tanket moderne janë dërguar kundër fshatrave të pambrojtura shqiptare. Tanket, që kushtojnë 2.5 milionë dollarë amerikanë secili, janë përdorur për të masakruar fëmijë shqiptarë”, ka thënë ky oficer, për të përfunduar se për gjithë këtë “më vjen turp!”.
Më 25 janar 2001, në një transmetim radiofonik të një dokumentari në Radion Publike Nacionale të Shteteve të Bashkuara, të titulluar “Fshehja e krimit”, tregohej se forcat serbe e jugosllave transportonin në mënyrë sistematike trupat e shqiptarëve të vrarë në kompleksin e minierave të Trepçës pranë Mitrovicës, ku shndërroheshin në hí. Sipas raportit që citonte luftëtarë serbë dhe “një zyrtar të informuar mirë të shërbimeve sekrete serbe”, në Trepçë ishin kremuar 1 200- 1 500 kufoma… Burra të dyshuar për lidhje me UÇK-në, vriteshin aty për aty. Një dyshim i tillë mund të bazohej ndonjëherë thjesht te fakti, që dikush kishte moshën e një luftëtari.
Për të argumentuar përfshirjen e strukturave më të larta shtetërore në veprimtaritë kriminale dhe si të tilla me përmasa gjenocidale, në vijim po i referohemi një raporti të Organizatës ”Human Rights Watch”. Në raportin e tetorit 2001, kjo organizatë hulumtuese (faktmbledhëse) për krimet në Kosovë, shkruan: „Ushtria jugosllave kishte komandën e përgjithshme gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s. Sipas ligjit, ajo kishte nën varësinë e saj policinë dhe forcat paraushtarake, megjithëse zyrtarët e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe ushtruan dukshëm një influencë të rëndësishme gjatë fushatës. Ushtria kontrollonte rrugët kryesore dhe kufijtë duke koordinuar dhe lehtësuar kështu “spastrimin etnik” (në Kosovë). Policia dhe forcat paraushtarake u përfshinë në mënyrë më të drejtpërdrejtë në dëbimin e civilëve dhe shkatërrimin e fshatrave, për të cilën kishin mbështetjen e artilerisë së ushtrisë (serbe-vërejtja ime). Gjatë këtyre operacioneve burrat veçoheshin nga gratë dhe fëmijët për t’u marrë në pyetje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ekzekutoheshin në vend.”
Ideologu e nacionalisti serb, Dobrica Qosiq, më 12 qershor 1999, në kujtimet e tij në librin “Kosovo”, Beograd, 2004, në mes tjerash tregon për takimin dhe bisedën që ka zhvilluar me patriarkun Pavle. “I kam thënë: “Lartmadhëria e Juaj, më thuani ju lutem, se çka ka ndodhur në Kosovë dhe Metohi”. A kanë bërë serbët vepra të këqija. Dhe ata kanë plaçkitur dhe vrarë në vendet ku janë zhvilluar luftërat me shqiptarët. Dhe i kanë rrënuar disa xhami, që kurrsesi nuk është dashur të ndodhë”. “Patriku ka heshtur dhe duke vështruar në kryqin e tij, me një zë që mezi dëgjohej ka thënë: Po edhe serbët kanë bërë vepra të këqia. Edhe ata kanë plaçkitur dhe kanë vrarë në vendet ku janë zhvilluar luftimet me shqiptarët dhe i kanë rrënuar disa xhami, që kurrsesi nuk është dashur të ndodhë..”.
Në një intervistë në “American Radioworks”, me të ashtuquajturin “Millosh”, pjesëtar i një njësie speciale të policisë sekrete, ky në mes tjerash deklaron përkitazi me grupet paramilitare: “…. Të gjitha këto grupe kishin zonat e tyre, ku kryenin operacione dhe ishin të lejuar të bënin çfarë të donin. Ata viheshin qëllimisht në vende të caktuara, e ndërkohë u thuhej të bënin atë që donin, me kusht që detyra të realizohej. Ishte detyra e tyre të vrisnin, të përdhunonin e të bënin atë që dëshironin….”.
Shumë shqiptarë të vrarë në Kosovë, trupat e pajetë të tyre janë zhvendosur jashtë Kosovës, me qëllim të zhdukjes së shenjave të krimit të kryer. Kjo është vërtetuar në hapjen e varrezave të shumta nëpër Serbi. Përveç kësaj, dyshohet se shumë kufoma të shqiptarëve janë djegur në furra të shkritoreve, siç flitet edhe në atë të Zveçanit.
Vrasjet e fëmijëve
Nataliteti më i lartë te shqiptarët në Kosovë në krahasim me viset tjera të ish Jugosllavisë ishte temë e shkrimeve negative në propagandën zyrtare serbe. Thuhej se ai është pjesë e politikës së paramenduar që të shtohet popullsia shqiptare. Kjo i kishte nxitur shumë paramilitarë serbë që të bënin vrasje edhe në fëmijë. Por, me të gjitha normat ndërkombëtare në botë, si në paqe edhe në luftë fëmijët janë të mbrojtur.
Mirëpo, nga pushteti serb fëmijët konsideroheshin armiq të ardhshëm të Serbisë, andaj edhe këta u vranë e u masakruan në forma të ndryshme. Ata masakroheshin dhe ekzekutoheshin nga forcat serbe po sikur të ishin të rritur. Ka shumë raste kur fëmijët janë vrarë në mënyra më mizore. Madje, janë masakruar edhe foshnjat e palindura, në bark të nënave, ose ata të porsalindurit. Në disa raste, qëllimi i vrasjeve të fëmijëve ishte edhe tmerrimi dhe traumatizimi i prindërve dhe të rriturve të tjerëve. Ata janë marrë dhe vrarë para prindërve ose prindërit janë vrarë para tyre. Kishte raste të shumta kur fëmijët merreshin pengë për përfitime materiale, ndërsa disa fëmijë femra ende të mitura janë dhunuar. Vrasjen e fëmijëve të shumtë e dëshmon numri i madh i fëmijëve të vrarë në regjistrin e personave të vrarë dhe të masakruar nëpër tërë Kosovën. Një dëshmitar serb në mes tjerash tregon: “Në tre muajt e ardhshëm kam parë tmerret – si janë vrarë fëmijët, civilët dhe meshkujt dhe femrat. Se si plaçkitej me të madhe, gjatë natës është bartur malli i vjedhur nëpërmjet kanaleve të caktuara etj.
Vrasjet e fëmijëve, Forcat e armatosura serbe, edhe përkundër Konventës për të drejtat e fëmijëve (1998) dhe Deklaratës botërore për mbijetesën, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve (1990), në fund të shekullit XX në Kosovë, kundër popullit shqiptar, posaçërisht kundër fëmijëve kanë zbatuar kampanjë të koordinuar, afatgjatë, gjithëpërfshirëse dhe të fortë.
Gjatë kohës së eskalimit të luftës në vitin 1998, e posaçërisht në periudhën pas fundit të muajit mars 1999, pësimet e fëmijëve ishin të shpeshta dhe mjaft të mëdha. Ndër aspektet më makabre të konflikteve, janë vrasjet me paramendim të fëmijëve shqiptarë, të cilët i vinin në shënjestër ushtarët serbë.
Fëmijët e tjerë që nuk ishin vrarë, kanë përjetuar lëndime të rënda që ishin në kundërshtim me të drejtën humanitare, duke përfshirë edhe torturën dhe keqtrajtimet. Fëmijët shqiptarë të Kosovës gjatë luftës së agresorit pushtetar serb në mënyrë sistematike dhe masovikisht e individualisht janë vrarë dhe plagosur. Duke u bazuar në numrin e madh të fëmijëve të vrarë, mund të konstatohet se ndaj fëmijëve shqiptarë të Kosovës janë bërë akte të planifikuara, të organizuara dhe sistematike me qëllim të asgjësimit të shqiptarëve, në aspektin nacional, etnik dhe fetar.
Fëmijët shqiptarë jo vetëm që nuk ishin të kursyer nga dhuna shoviniste, por në të kundërtën, ata posaçërisht ishin në shenjestër. Ishin në shënjestër të forcave serbe me motivacion se ata ishin ”armiq të ardhshëm të Serbisë”. Kështu që, “armiqtë e ardhshëm të Serbisë” llogariteshin edhe foshnjat në djep dhe në gji të nënës. Një grua e përshkruan se si ka dëgjuar pjesëtarin e njësive paramilitare i cili ka thënë se duhet të vriten të gjithë fëmijët, sepse këta, nëse rriten, do të hakmerren.
Një “raport i brendshëm”, i cilësuar “tepër sekret”, i hartuar nga shërbimet sekrete të “Ushtrisë jugosllave”, në janar/shkurt të vitit 2000, jep një pamje të përmasave të krimeve të tmerrshme që kryen forcat ushtarake serbo-jugosllave gjatë pranverës së vitit 1999 në Kosovë. Veçanërisht tronditëse ishin dëshmitë për vrasjen e fëmijëve. “Dëshmitë e përbashkëta të oficerëve në terren, tregojnë se njësitë e Ushtrisë jugosllave kanë qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 800 fëmijëve shqiptarë nën moshën 5 vjeç“.
Gazeta, DIE ZEIT e Hamburg-ut ka botuar një shkrim tronditës mbi shtazëritë e kriminelëve serbë në Kosovën e kësaj pranvere të përgjakur, ku në mes tjerash shkruan: “… Gjatë ngrënies Mirko ka rrëfyer për shokun e tij Josipin, për luftën në Kosovë dhe mbi atë se si kishte qëndruar aty pranë kur Josipi kishte vrarë fëmijën. Josipi dhe Mirko nuk e dinin se prej nga vinte fëmija, nuk e dinin si quhej, nuk e dinin se sa vjet kishte. Por, kjo aq u bënte, sepse e vetmja që i interesonte Josipit, ai e shihte me sy: ishte shqiptar. Ishte një “shiptar”. Andaj Josipi në orët e para të pasditës së 6 prillit 1999 mori një çekan dhe me shtatë goditje copëtoi kafkën e fëmijës. Ishte rreth tetë vjeçar. E tërë kjo nuk kishte zgjatur më shumë se dhjetë sekonda. Pastaj, thotë Mirko, “përbindëshi i vogël më në fund vdiq”. Mirko kishte parë se si shokun e tij, Josipin, e kishte shkundur neveria. Diç nga truri i djaloshit kishte përlyer uniformën. Josipi kishte marrë një leckë dhe ishte përpjekur ta fshijë masën me ngjyrë të përhime në të verdhë. Por, truri nuk po fshihej. “Mut i mallkuar”, kishte dëgjuar Mirko shokun e tij Josipin duke u çjerrë. Ky ia kishte dhënë një shqelm trupit të fëmijës së vdekur. Pastaj kishte marrë kufomën, e kishte futur në një valixhe, e kishte “stolisur” me gjashtë granata dore përreth dhe e kishte lidhur atë me një spagë me kyçin e valixhes…”.
Një oficer i quajtur Drazhen, i cili ka marrë pjesë në luftë në Kosovë, kujton: ”Kam parë me sytë e mi se si një rezervist rreshtoi para një muri rreth 30 gra dhe fëmijë shqiptarë. Mendova se ai donte vetëm t’i frikësonte ata, por pastaj shkoi pas një mitralozi të rëndë kundërajror dhe tërhoqi këmbëzën. Plumbat 12 milimetërsh i këputnin në mes trupat e tyre. Më dukej si një skenë e ndonjë filmi aksion, por në fakt ajo ndodhi me të vërtetë”. Drazheni përfundon: “Nuk e di se si do të jetoj me këto kujtime, se si mund t’i rris fëmijët e mi. Unë dëshiroj t’i shoh para gjykatës ata që kanë kryer këto krime.”
Një epror i ushtrisë jugosllave, i quajtur Mirosllav Filipoviç, i cili kishte folur për gazetën “Danas”, në mes tjerash kishte deklaruar se ushtria jugosllave është përgjegjëse për vrasjen e së paku 800 fëmijëve shqiptarë. “Tanket serbe janë përdorur për të masakruar fëmijët shqiptarë…”.
Në bazë të ekspertizave mjekësore është konstatuar se shumica e viktimave ishin ekzekutuar nga afër, ndërsa një numër jo i vogël janë masakruar edhe me armë të ndryshme të ftohta. Në mesin e trupave të shqiptarëve të gjetur në varrezat masive në Batajnicë, një numër i madh i trupave ishte i grave dhe fëmijëve.
Një dëshmitar tjetër serb tregon edhe për vrasjen e fëmijëve në djep. “Në shtator të vitit 1998 kemi luftuar në fshatrat mbi Prizren, si në Lez, Lybiçevë, Hoçë e Qytetit, në të ashtuquajturën pastrim i terrenit. Nuk do ta përmendi emrin e policit, edhe sot është gjallë, është pensionist, në rrethana të qeta në djep e vrau fëmijën, i cili nuk ishte më i vjetër se katër muaj. Me thënien se “Më mirë shqiptar i vdekur, sesa shqiptar i gjallë”. Kam dashur që ta vrasë. E kuptova se nuk kam shkuar në Kosovë me grup të policëve, por me grupin të cilin nuk mund ta definoj, se ata nuk ishin as kriminelë. Isha me sadistët, të sëmurit, maltene më kanibalët, vetëm se nuk i kanë hëngër ata njerëz. Raste të tilla të vrasjeve të fëmijëve dhe të tjerëve ka pasur shumë në Kosovë.
Shumë fëmijë për shkak të kushteve të vështira gjatë qëndrimit ose lëvizjeve e dëbimit kanë vdekur nëpër male. Kanë vdekur edhe fëmijët e porsalindur.
Gjatë luftës në Kosovë (1998- 1999), nga hulumtimet e bëra në terren dhe regjistrimin e viktimave të luftës është konstatuar se më shumë se 11% e viktimave të luftës janë fëmijët. Sipas të dhënave të grumbulluara për numrin e fëmijëve të vrarë dhe të pagjetur, por të rënë edhe dëshmorë në Kosovë në periudhën janar 1998 – 12 qershor 1999 janë gjithsej 1.396 fëmijë (1011 meshkuj dhe 385 femra) të moshës deri 18 vjeç. Ndërsa, të nacionalitetit serb kanë pësuar 14 fëmijë. Gjithsej 1300 fëmijë të vrarë dhe të pagjetur. Ndërsa, deri në moshën 5 -vjeçare kanë pësuar 299 fëmijë, duke mos llogaritur ata që kanë vdekur menjëherë pas lindjes dhe nuk ishin të pagëzuar, si dhe ata në bark të nënës së vrarë. Duhet përmendur se më 12 dhjetor të vitit 1998 nga shërbimi sekret serb, në kafenenë e quajtur “Panda” në Pejë janë vrarë 6 persona serbë, prej tyre 5 fëmijë, me qëllim që të akuzohen pjesëtarët e UÇK-së se kinse ata po bëjnë krime edhe ndaj fëmijëve.
Shumë fëmijë për shkak të kushteve të vështira gjatë qëndrimit ose lëvizjeve e dëbimit kanë vdekur nëpër male. Kanë vdekur edhe fëmijët e porsalindur. Statistikat e organizatave humanitare ndërkombëtare, që kanë vepruar në Kosovë, në fund të vitit 1999, kanë publikuar të dhënat e tyre se si pasojë e luftës 27.000 fëmijë kanë mbetur jetimë, 12.000 prej të cilëve pa asnjërin prind. Gjatë luftës në Kosovë (1998- 1999), nga organizatat e ndryshme humanitare është konstatuar se 20% e viktimave të luftës janë fëmijët dhe se 5% e viktimave të fëmijëve në Kosovë është më e lartë se ajo e të gjitha vendeve të pushtuara nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Numri i përmendur i fëmijëve të vrarë gjatë gjatë luftës në një vit e gjysmë, vendet dhe mënyrat e vrasjeve, qartë tregojnë që vrasjet nuk ishin të rastësishme, që fëmijët nuk ishin viktima kolaterale, por qëllim i sulmuesve. Vrasja e fëmijëve të pafajshëm e të paaftë për vetëmbrojtje, dëshmon për urrejtjen e sulmuesit. Kjo statistikë për dhunën ndaj fëmijëve është më tragjikja në historinë e re të Evropës.
Fëmijët janë vrarë në regjione të ndryshme të Kosovës dhe se janë vrarë në mënyra të ndryshme nga armët e zjarrit apo armë të ftohta dhe se trupat e tyre janë gjetur nëpër vende të ndryshme (në shtëpi, në rrugë, nëpër pyje, nëpër strehimore të improvizuara, në automjete transporti).
Vrasjet e femrave shqiptare
Femra shqiptare që ngaherë ishte në shënjestër të propagandës shoviniste serbe. E njohur ishte thënia e Vasa Çubriloviçit për gruan shqiptare në vitin 1937, e cila me lindshmërinë e saj e mundi projektin serb për shpërngulje të shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës me elementin serb. Një propagandë e ashpër serbe kundër nënës shqiptare u zhvillua në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë të shek. XX. Pas vitit 1981 në shënjestër të propagandës nacionaliste serbe u gjet nataliteti i madh i shqiptarëve, që u manifestua përmes dhunës ndaj shqiptarëve që atëherë (policët godisnin femrat shqiptare, studentët në gjenitalet e me kërcënimin morbid: “më s’do të lindësh separatistë” (1981); pastaj serbët tentuan që “shkencëtarisht” ta vërtetonin këtë tezë morbide, se kinse, shqiptarët i shfrytëzojnë gratë për numër enorm lindjesh (gratë lavartiçe) për synimet e tyre separatiste pa vullnetin e tyre. Gruan shqiptare e paraqitnin si injorante që nuk di asgjë tjetër, pos të prodhojë fëmijë. Kjo i çoi serbët drejt verbërisë nacionaliste, për të arritur deri te shqyerja e barkut të nënave shqiptare (madje edhe shtatzënave dhe vrasja në fund e pjellës së tyre. Kjo urrejtje ndaj femrës shqiptare u reflektua edhe në vrasje të shumta në luftën e vitit 1998-1999. Vrasjet e femrave shqiptare ishin një atak vrastar, jo vetëm në jetën dhe në integritetin fizik të femrës shqiptare, por edhe në nderin dhe dinjitetin moral e shpirtëror të saj dhe jo vetëm të saj, por edhe të burrit e të fëmijëve të saj, të të afërmve dhe të të njohurve të saj.
Gratë gjatë luftës ishin të rrezikuara në një formë tjetër nga meshkujt. Ato, përveç që në shumë raste janë vrarë, ato ishin dhunuar ose seksualisht keqtrajtuar. Në gjendje më të vështirë ishin gratë shtatzëna. Ato në shumë raste lindin në kushte të pazakonshme, në pyll, në stacion të trenit, duke pritur gjatë rrugës, në kalimet kufitare, etj. Kështu që shumë foshnje të porsalindura vdisnin. Në disa raste për shkak të urrejtjes së madhe, gratë shtatzëna goditeshin në bark, ose ushtarët i vritnin ose ua nxirrnin frytin. Gratë në luftë u bënë një grup potencial i madh i frikës, kërcënimit, urisë, sakrificës, vrasjeve, dhunimeve dhe spastrimit etnik.
Sipas shënimeve me të cilat posedojmë në periudhën janar 1998 deri më 12 qershor 1999 në Kosovë janë vrarë apo zhdukur 1.776 femra, të moshave të ndryshme, duke përfshirë edhe 52 femra të kombësisë serbe që u vranë ose janë zhdukur. Disa prej atyre femrave shqiptare kanë rënë edhe dëshmor.
Vrasjet e të rinjve
Në shënjestër të forcave serbe ishin vënë edhe të rinjtë shqiptarë. Vrasjet e tyre bëheshin në forma të ndryshme. Vriteshin vetëm se ishin meshkuj dhe të rinj dhe me mundësi potenciale të inkuadrohen në UÇK. Më të rrezikuarit ishin të rinjtë, të cilët pësonin më së shumti, duke ikur dhe ziheshin meqë vinin nga zonat, të cilat ishin çerdhe të UÇK-së. Kishte raste kur ndonjë i ri apo edhe i moshuar është vrarë se e kishte mbiemrin e njëjtë me luftëtarët e njohur të UÇK-së. Të rinjtë merreshin dhe ndaheshin nga konvojet, merreshin në fshat me rastin e rrethimit. Ata ose vriteshin menjëherë, madje edhe para familjeve, ose torturoheshin ose merreshin dhe për fatin e tyre nuk dihej më kurrë.
Të rinjtë para se të vriteshin provokoheshin nga forcat serbe duke i detyruar të thoshin “Rroftë Serbia”, të ngrinin tre gishtërinjtë etj. Si motiv merrnin kinse në duart e tyre po u vjen era barut, sepse kanë luftuar në radhët e UÇK-së.
Vrasjet e familjeve të tëra
Ndër modalitetet e posaçme të gjenocidit të ushtruar është vrasja e anëtarëve të shumë familjeve dhe zhbërja e institucionit më të nderuar dhe më të mbrojtur të shqiptarëve. U bënë vrasje e masakrime të familjeve të tëra shqiptare. Të vrarë ishin me dhjetëra e dhjetëra banorë. Karakteristikë e këtyre dhe shumë rasteve të tjera si këto është fakti se vrasjet kanë qenë të qëllimta dhe janë kryer, pothuajse në të gjitha rastet, brenda shtëpisë. Shkak i sulmit ishte qenia e tyre shqiptare. Objekt i sulmit ishte familja shqiptare si bërthamë e entitetit shqiptar të Kosovës, kurse viktima të dhunës e të gjenocidit në të shumtën e rasteve ishin, fëmijët e të rinjtë, gratë dhe të moshuarit.
Këtu duhen përmendur familjet Jashari në Prekaz të Poshtëm, Deliu e Ahmetaj në Abri, Bogujevci nga Podujeva, Muçolli në Poklek, Hoti në Krushë të Madhe, Berisha në Suharekë, Krasniqi në Carallukë, Gashi nga Tërnja, Krasniqi në Pastasel, Morina në Astrazub, Gërxhaliu nga Studimja e Poshtme dhe shumë të tjera.
Përkitazi me vrasjen e familjes së Selatin Gërxhaliut në Studime të Poshtme të komunës së Vushtrrisë, më datën 31 maj 1999 ku pothuajse të gjithë ishin fëmijë, një i afërm i tij, që kishte shkuar për ta thirrë policinë në Vushtrri dhe kishte ardhur të hetonte në vendngjarje kishte deklaruar: “Policët dhe gjykatësi hetues erdhën e bënë fotografi. Na thanë që do të na japin kopje të fotove, gjë që nuk ndodhi. Kur hyra brenda, gjykatësi hetues, një grua nga Mali i Zi, ia plasi të qarës. Njëri nga policët e pyeti, pse po qante. Gruaja tha: “Po fëmijët, çfarë kanë bërë?”. Njëri nga policët, Dragan Petroviç ia ktheu: “Kjo është luftë, shoqe”. Unë i thashë atij: “Lufta është burrat me burra, kështu që po ua mbajti shko në pyll dhe lufto me UÇK-në. Këta janë fëmijë që i kanë vrarë në gjumë”. Petroviçi pa nga unë, por nuk më foli. Pasi bënë fotografitë, thanë se do t’i varrosnin të vrarët, sepse do të sillnin njerëz nga Mitrovica. Ata shkuan në Vushtrri me veturë, por më pas u kthyen dhe na thanë neve që t’i varrosim të vrarët”.
Vrasjet e pleqve dhe të invalidëve
Edhe pleqtë e shumtë dhe invalidët në Kosovë rënë viktima të luftës. Shumë prej tyre në pamundësi për të ikur ose duke e konsideruar vetën të moshuar, nuk u larguan nga shtëpia, me gjithë insistimin anëtarëve të familjes që së bashku të largohen. Ata që janë gjetur në shtëpi, armiku i ka vrarë ata në mënyrë më mizore duke i djegur, masakruar madje, edhe duke i hedhur në puse, siç është rasti në fshatin Dragaçinë të Suharekës, ku 11 pleq të fshatit i kanë hedhur në një pus. Shumë pleq në aspektin tradicional bartin plisat e bardhë, pikërisht ata ishin në shënjestër për shkak të plisit dhe pësonin duke u vrarë ose duke u keqtrajtuar në mënyrën më barbare. Ky sulm në ta konsiderohej si sulm në kulturën dhe në traditën shqiptare
Pleqtë dhe invalidët, duke mos pasur mundësi të lëviznin në mënyrë të pavarur, ata barteshin në forma të ndryshme nga të afërmit, si bartje në shpinë, në karroca të dorës dhe të tjera. Ka pasur raste kur pleqtë janë fshehur nëpër male me ndonjë të afërm dhe kanë qëndruar me muaj të tërë.
Shumë pleq gjatë qëndrimit nëpër male dhe lëvizjes prej një vendi në vendin tjetër, për shkak të kushteve të vështira jetësore, vdisnin. Vdekje të tilla ka pasur edhe në kampin e Bllacës.
Një dëshmitar serb në Gjykatën e Beogradit dëshmon për shumë vrasje. Përkitazi me vrasjen e një plaku thekson: “Më kujtohet edhe një vrasje që Luçica e ka kryer në fshatin Pagarushë, jo larg Rahovecit. Pas marrjes së fshatit, një grup i policëve, në mesin e të cilëve isha edhe unë, shkaku i shiut u strehuam në një shitore buzë rrugës në qendër të fshatit. Papritur u paraqit një njeri me shkop në dorë dhe me plis në kokë. Ishte shqiptar në moshë mbi 80 -vjeçare, shkonte qetë, me kokë të ulur. Kur kaloi afër shitores, Luçica e ngriti pushkën dhe e mori në shenjë, ne të gjithë e shikonim me habi, duke mos besuar që ai do të shtijë në plakun e paarmatosur. Por, ai e vrau me gjakftohtësi, duke shtirë në të nga një afërsi e vogël…”.
Në luftë pësuan edhe shumë të moshuar dhe invalidë. Në bazë të të dhënave që kemi arritur t’i grumbullojmë në Kosovë janë vrarë apo zhdukur 1.843 persona mbi moshën 65 -vjeçare, që mund të konsiderohen pleq. Disa persona të moshuar kanë rënë si dëshmorë në altarin e lirisë.
Vrasjet në burgje
Në burgjet e Serbisë, por edhe në Kosovë para dhe gjatë luftës mbaheshin me mijëra shqiptarë të arrestuar në mënyra të ndryshme, nën akuzat “bashkim për veprimtari armiqësore” dhe “terrorizëm”. Disa prej tyre janë vrarë në burgje që para lufte. Mirëpo, gjatë luftës u bë vrasja masive e të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, më 22-24 maj 1999. Duhet theksuar se gjatë luftës më se 2.000 shqiptarë ishin marrë peng dhe burgosur në burgjet e ndryshme të Serbisë, disa prej të cilëve më vonë janë liruar.
Vrasjet e intelektualëve e
veprimtarëve politikë e humanitarë
Individët apo grupet, të cilat në një farë mënyre kanë luajtur rol të rëndësishëm në jetën publike të shqiptarëve të Kosovës, në masë të madhe ishin keqtrajtuar, burgosur, bastisur, madje edhe vrarë. Të rrezikuar ishin grupe të ndryshme: politikanët dhe individët e tjerë të shquar, liderët fetarë, mjekët, gazetarët, profesorët, studentët, veprimtarët e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ata që punonin në organizatat e huaja joqeveritare që deri më atëherë vepronin në Kosovë, si dhe personat e pasur. Ata konsideroheshin “armiq” ose elementë subverzivë. Andaj, në Kosovë, objekt i dhunës dhe i terrorit serb u bënë edhe intelektualët e veprimtarët politikë e humanitarë.
Vrasjet e inskenuara dhe mburoja njerëzore
Mbrojtja e civilëve dhe joluftëtarëve në konfliktet e armatosura shtrihet edhe në ndalimin e shfrytëzimit të atyre personave me qëllim që të ndikojnë në rrjedhën e operacioneve të luftës. Ky parim sidomos është definuar në të drejtën humanitare ndërkombëtare, e cila rregullon konfliktin e armatosur ndërkombëtar, ku ndalon shfrytëzimin e popullatës civile ose të individëve që në ndonjë vend ose territor për „mbrojtje të operacioneve ushtarake”. Palëve në konflikt gjithashtu u ndalohet që të largojnë individët ose grupet me qëllim që të fshehin qëllimet ushtarake nga sulmet.
Ky ndalim i shfrytëzimit të „mburojës njerëzore” është e lidhur ngushtë me dy parimet e tjera të përbashkëta me konfliktet e armatosura ndërkombëtare dhe të brendshme. Njëri ndalon marrjen e pengjeve, tjetri ndalon shkaktimin e dëmit „atyre që nuk janë të ndërlidhur drejtpërdrejt në veprimet armiqësore”. Shfrytëzimi i këtyre “mburojave njerëzore” është e ndaluar me nenin 28 të Konventës së Gjenevës, në të thuhet: “Pjesëmarrja e personit për mbrojtje nuk guxon të shfrytëzohet që pikat ose trevat e caktuara të mbrohen nga operacionet ushtarake”.
Mirëpo, forcat ushtarake e policore serbe vepruan në të kundërtën. Civilët dhe të burgosurit shqiptarë në Kosovë janë shfrytëzuar që të mbrojnë forcat e armatosura nga sulmet e NATO-s.
Mburojat njerëzore nuk janë shfrytëzuar vetëm për mbrojtje kundër sulmeve të NATO-s. Ato shfrytëzoheshin për fitim të epërsisë në terren gjatë kohës së operacioneve ushtarake. Civilët dhe të burgosurit viheshin para ushtarëve serbë në sulm kundër njësive të UÇK-së dhe shërbenin si mburojë. Ata deklaronin se nëse një ushtar serb vritet, ata që ishin si mburojë do të vriteshin të gjithë. Në shumë raste njësitë ushtarake i detyronin civilët të shkonin para me qëllim që ato lokalitete mund të ishin të minuara. Kishte raste kur popullata nuk lejohej të largohej nga fshati, ku qëndronin njësitë ushtarake serbe me qëllim të mbrojtjes nga sulmet e anës kundërshtare. Popullata që qëndronte aty ishte e detyruar që të kryente punë të ndryshme për njësitë ushtarake. Ka edhe raste të tjera, sidomos të burgosurit shqiptarë shfrytëzoheshin për kryerjen e punëve të rrezikshme në dobi të forcave të armatosura serbe.
Të dy strategjitë janë paramenduar me qëllim të krijimit të mbrojtjes njerëzore të forcave serbe ndaj sulmeve të NATO-s dhe të UÇK-së. Raste të tilla të mburojës njerëzore dhe të pësimit të civilëve apo të zënëve peng në Kosovë ka shumë, siç ishin rastet në Korishë të Prizrenit e në Lluzhan të Podujevës, në Bishtazhin të Gjakovës, etj.
Vdekjet nga pasojat e luftës
Gjatë asaj kohe në Kosovë pati edhe vdekje të shumta si pasojë e luftës. Shumë banorë ishin detyruar t’i lëshojnë shtëpitë dhe banesat e tyre dhe të strehohen nëpër male, të vendosur nëpër tenda ose në qiellin e hapur që ishin rrezik i përhershëm, jo vetëm nga granatimet serbe, por edhe nga të ftohtit, uria, etja, mungesa e barnave etj. Disa kalonin edhe kilometra të shumta prej një vendi në tjetrin për strehim. Si pasojë e të gjitha këtyre shumë veta kanë vdekur, sidomos fëmijë, pleq, të sëmurë, të hendikepuar dhe të tjerë.
Pësimet nga minat
Armët dhe armatosja, përdorimi i të cilave është i përkufizuar ose posaçërisht janë të sanksionuara me të drejtën humanitare janë: armët dhe armatosja biologjike, kimike, ato për djegie, laserike, minat etj. Këto të fundit janë vendosur në një pjesë të madhe të territorit të Kosovës. Minat ishin vrasësit e padukshëm.
Gjatë gjithë vitit 1998 e gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 1999, forcat serbe e jugosllave vendosën në Kosovë afro 50.000 mina antitank dhe antipersonel, sidomos gjatë kufirit me Maqedoninë e Shqipërinë. Minat paraqesin mjetet më vdekjeprurëse të luftës në Kosovë. Sipas të dhënave të “Kosova Live”, të datës 20 nëntor 2000, në Kosovë janë të vrarë 103 persona dhe 394 të gjymtuar nga minat. Pak a shumë e njëjta gjë thuhet edhe në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në korrik 2000, ku nënvizohej se nga 12 qershor 1999 deri në korrik 2000, si pasojë e minave dhe predhave të paplasura, u vranë 101 vetë e u plagosën 395 të tjerë. Minat ishin vendosur edhe nëpër shkolla. Sipas një raporti të një Agjencie Amerikane të Zhvillimit Ndërkombëtar, më shumë se 900 shkolla kishin nevojë të pastroheshin nga minat.
Kështu, përveç formës së vrasjes, njësitë ushtarake minuan një pjesë të madhe të tokës së Kosovës, kryesisht në pjesët kufitare të Kosovës me Maqedoninë dhe me Shqipërinë, dhe si pasojë e kësaj shumë persona, kryesisht fëmijë gjatë dhe pas luftës e humbën jetën ose pjesë të trupit. Të dëbuarit gjatë tërheqjes nuk guxonin të largoheshin jashtë rrugës së trasuar. Nëse vepronin ndryshe, pësonin. Duhet përmendur rasti i minimit të tërë territorit të fshatit Milaj në Hasin e Prizrenit.
Të dëbuarit gjatë tërheqjes nuk guxonin të largoheshin jashtë rrugës së trasuar. Nëse vepronin ndryshe, pësonin. Përkitazi me këtë duhet përmendur rasti i familjes Berisha nga Bardhi i Madh, e cila më 15 prill 1999 në pjesën kufitare me Shqipërinë, vetëm se e lëshoi dy-tri metra trasenë e rrugës për të kaluar më shpejt në kufi, nga minimi i asaj pjese u vranë 5 anëtarë, kryesisht fëmijë.
Qendra MACC pranë KB (Mine Action Coordination Center), e cila pas luftës është formuar në Kosovë, ka raportuar se deri nga mesi i muajit korrik 2000 nga minat dhe mjetet e tjera të paeksploduara janë pastruar 1,1 milionë metra katrorë të tokës. Raporti i Sekretarit gjeneral gjithashtu thekson se ekipet të cilat i ka koordinuar MASS kanë demontuar 3.405 mina kundër këmbësorisë dhe 3.768 mina kundër tankeve, 3.066 kasetë bomba. Përveç kësaj, KFOR–i në periudhën e njëjtë ka pastruar 16.000 shtëpi, 1.165 shkolla dhe më shumë se 2.000 kilometra rrugë.
Edhe pas mbarimit të luftës, nga minat e vendosura, pësonin sidomos fëmijët duke lozur apo duke ruajtur bagëtinë. Rreziku më i madh ishte në prag të pranverës dhe gjatë verës, pra, në kohën e përmirësimit të motit kur njerëzit janë më të angazhuar në punët e tjera, me çka shtohet edhe rreziku nga pësimi prej minave, bombave dhe mjeteve të tjera shpërthyese të paeksploduara. Karakteristikë tjetër është se një pjesë e konsiderueshme e viktimave ishin të miturit (shumica nën moshën 14 -vjeçare). Ata përbënin 50% të të vrarëve nga minat dhe 58% të të plagosurve.
Ndotja e ujit si formë e vrasjes
Një prej formave të krimeve, përkatësisht formë e hapur e vrasjes së civilëve, gjatë vitit 1998 dhe 1999 në Kosovë ishte praktika e përhapur e ndotjes së puseve të ujit, e cila është e ndaluar nga ligjet e luftës. Protokolli II, Neni 14 i Konventës së Gjenevës thotë: “Është e ndaluar të sulmosh, shkatërrosh, zhvendosësh ose të nxjerrësh jashtë përdorimit, për atë qëllim, objekte të domosdoshme për mbijetesën e popullsisë civile, të tilla, si produktet ushqimore, zonat bujqësore për prodhimin e artikujve ushqimorë, drithërave, gjësë së gjallë, instalimeve të ujit të pijshëm, si dhe të strukturave ujitëse.”
Në disa pjesë të Kosovës, forcat serbe e jugosllave i bënin qellimisht të papërdorshme burimet e ujit – puset, duke vendosur kemikale, kafshë të ngordhura, madje edhe kufoma njerëzish në ujë. Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), i cili drejtoi një operacion për higjienizimin e ujit në Kosovë, “besohet se më nga 20 mijë puse të Kosovës, me shumë se gjysma u ndotën me kufoma kafshësh apo njerëzish, me plehra, ose thjesht u shndërruan në ujë i ndotur për mospërdorim. Nga janari – në shtator 1999, ICRC pastroi më shumë se 1.700 puse.
Numri i përgjithshëm i të vrarëve
Për të konstatuar numrin e të vrarëve dhe personave të pagjetur në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 së pari është dashur të caktohen disa kritere. Së pari periudha kohore që personat janë vrarë apo janë zhdukur. Gjatë periudhës kohore janar 1998 deri më 12 qershor 1999 kur forcat e NATO-s hyjnë në Kosovë.
Për çdo viktimë është shënuar emri, emri i prindit dhe mbiemri, vendi i lindjes (emri i vendbanimit dhe komuna), data e lindjes ose mosha, vendi i lindjes, gjinia (meshkull ose femër), data kur është vrarë ose data kur është parë për herë të fundit (për të zhdukurit) dhe vendi ku ka pësuar.
Viktimat në Kosovë gjatë luftës, janar 1998 – 12 qershor 1999
(Numri i viktimave sipas komunave)
Nga rezultatet e hulumtimit për periudhën janar 1998 deri më 12 qershor janë regjistruar këto të dhëna për çdo viktimë me shënimet e theksuara më lart: Gjithsej të vrarë dhe të pagjetur – shqiptarë dhe ndonjë tjetër i nacionalitetit turk, boshnjak e romë: 11.507 persona (9.793 meshkuj dhe 1.714 femra). Prej tyre të vrarë 8.162 persona (6.667 meshkuj dhe 1.495 femra); të pagjetur gjithsej 1.137 persona (954 meshkuj, 183 femra); dëshmorë: gjithsej 2.208 (2.172 meshkuj dhe 36 femra). Ndërsa, të vrarë dhe të pagjetur të nacionalitetit serb dhe malazezë, në periudhën janar-12 qershor 1999, të bazuar në të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe disa të dhënave të marra nga faqja e internetit, në Kosovë, përkatësisht banorë të Kosovës janë vrarë apo janë zhdukur 595 persona (543 meshkuj dhe 52 femra), prej tyre janë vrarë 192 persona (161 meshkuj dhe 31 femra), të pagjetur janë gjithsej 116 persona (96 meshkuj dhe 21 femra), ndërsa të angazhuar në forcat e armatosura janë 287 persona.
Gjithsej, sipas hulumtimeve kam arritur që t’i regjistroj këto viktima në luftën në Kosovë në vitet 1998 – 1999: gjithsej të vrarë e të pagjetur të të gjitha nacionaliteteve: 12.102 persona (10.366 meshkuj dhe 1.766 femra). Nga këta të vrarë: 8.354 persona (6.828 meshkuj dhe 1.526 femra); të pagjetur: 1.253 persona (1.049 meshkuj dhe 204 femra); Të rënit në uniformë janë gjithsej 2.495 persona (2.459 meshkuj dhe 204 femra).
Përveç këtyre mënyrave të vrasjeve të popullatës shqiptare në luftën e agresorit serb në vitet 1998-1999, janë bërë dhunime ndaj femrave shqiptare, është bërë dëbimi masiv nga vendlindja e popullatës shqiptare, u shkatërruan shumë objekte banimi dhe ndihmëse, shkolla, xhami dhe shumë objekte të tjera ekonomike dhe infrastrukturore. Shumë persona ende janë të zhdukur dhe shumë forma të tjera të gjenocidit dhe krimit, por nuk janë objekt trajtimi në këtë temë, andaj nuk do të ndalemi në shqyrtimin e këtyre temave.