Mbërrin në Kosovë i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani/
-Nesër shugurimi i Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë/
PRISHTINË, 4 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/ Për shugurimin nesër të Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, mbërrin sot në Kosovë.
Axhenda e e ditës së parë të qëndrimit treditor, e njoftuar nga Ipeshkvia e Kosovës, është kjo:Ora 10:00,do të mbërrijë në Katedralen e Prizrenit “Zoja Ndihmëtare” , ku do të vizitojë e do të njoftohet me restaurimin e Katedrales dhe të Shkollës Fillore Loyola.
Ora 12:00, pritet të mbërrijë në Prishtinë, në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, ku do të pritet prej Imzot Dodë Gjergjit, Ipeshkëv i Kosovës.
Pastaj, Kardinali do të mbajë një konferencë për media në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, pranë Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, e cila mendohet të zgjatë jo më shumë se 15 min.
Pastaj rreth orës 12:30 do të drejtohet tek Menza e të varfërve, që gjendet te Kisha e Shën Ndout në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ku do ta ketë një drekë me të varfër që ushqehen në ketë menzë.
Kardinali do të jetë i shoqëruar nga Don Lush Gjergji dhe Don Shan Zefi, të përcaktuar nga Selia e Shenjtë si shoqërues zyrtarë për qëndrimin e tij në Kosovë./b.j/
Kur fillon shugurimi i Katedrales?
Shugurimi i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë do të jetë me 5 shtator 2017, në ora 11:00, të cilën do ta prijë i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali Shqiptar Ernest Troshani, në bashkëmeshim me (argj)ipeshkvij, meshtarë e rregulltarë nga Kosova dhe jashtë saj.
Kush mund të merr pjesë në këtë kremtim?
Mund të marrin pjesë të gjithë njerëzit vullnetmirë. Festa është e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe atyre jashtë saj, e atyre që duan të bashkëngjiten kremtimit të bijve dhe bijave të Nënë Terezës.
Si mund të arrijë te Katedralja?
Katedralja e Shën Nënë Terezës, ku do të zhvillohet kremtimi, gjendet në qendër të qytetit të Prishtinë, në trekëndëshin rrugëve: Bill Clinton – Xhorxh Bush – Perandori Justinian.
Shtegtarët me autobus, të organizuar dhe ata me makina?
Pjesa e rrugës Xhorxh Bush dhe së paku një kursi e rrugës Bill Clinton, që kufizohen me objektin e Katedrales, do të jenë të mbyllura për çdo autobus dhe makinë. Qasja nuk do të jetë e mundur në këto pjesë, për asnjë makinë. Që të jetë sa më e përshtatshme, posaçërisht për autobusët me shtegtarë, po ashtu edhe një shtegtim i besimtarëve këmbë, i kemi caktuar si propozim dy pika ku do të mund të zbresin shtegtarët:
- Parkingu afër Stadiumit të qytetit: për autobusët që vijnë nga Peja, Prizreni, .. Ky parking gjendet pas stadiumit të Prishtinës dhe përball ndërtesës ku gjendet RTV21
- Stacioni i autobusit te Rrethi i Madh i Prishtinës:për Dekanatin e Prishtinës. Stacion i autobusëve lokalë, gjendet në fillim të rrethit të madh, posa të zbritet nga Veterniku, i përshtatshëm për t’i lëshuar shtegtarët që të mund të shtegtojnë këmbë pastaj deri te Katedralja.
Nga këto pika preferohet që besimtarët të ecin këmbë, që në fakt, do të jetë një shtegtim simbolik deri te Katedralja. Kurse autobusët mund t’i parkojnë te Qendra Don Bosko, Stacioni Qendror i Autobusëve dhe Parkingu te Stadiumi.
Shtegtarët që do të udhëtojnë me makina do të kenë parkingje të ndryshme në qytet, në pika të cilat ata vet do të kujdesen t’i gjejnë.
Si mund të hyjë në Katedrale?
Për të marr pjesë në kremtim, secili shtegtarë, qytetarë duhet të pajiset me biletë, e cila jepet flas. Biletat janë mjetë, që vullnetarët dhe kujdestarët e Katedrales, do t’i ndihmojnë pjesëmarrësit për të orientuar dhe treguar vendin.
Kur fillon hyrja në Katedrale?
Hyrja në Katedrale do të fillojë nga ora 09:00 dhe do t’i ketë katër pika.
Ku janë pikat e hyrjes?
Hyrja në katedrale do t’i ketë këto 4 pika:
Hyrja 1 – R – Rezidenca: është hyrja në Rezidencë vetëm për kremtues të meshës, duke i përfshirë ministrantët dhe ceremonierët.
Hyrja 2 – P – Parkingu: është hyrja te parkingu i Katedrales që do të shërbejë për pjesëmarrësit që do të përcjellin kremtimin nga Monitori i vendosur jashtë. Nga kjo pjesë nuk ka hyrje në Katedrale, por vetëm në pjesën e jashtme ky do të përcillet mesha e shugurimit.
Hyrja 3 – V – VIP: është hyrja te këmbanarja, në pjesën anësore te Rruga Xhorxh Bush, e destinuar për institucionet shtetërore, korinë diplomatik, bashkësitë fetare, donatorët, përfaqësuesit e famullive, motrat e nderit/murgeshat, kori dhe të sëmurët. Këta kanë bileta me ngjyrë të kuqe, të kaltër dhe të bardhë.
Hyrja 4 – Sh – Sheshi: është hyrja nga sheshi i Katedrales, hyrja kryesore. Këtu do të hyjnë besimtarët që do të jenë të vendosur në Katedrale dhe ata që do të qëndrojnë në shesh, që është i caktuar për pjesëmarrje. Para katedrales do të jetë i vendosur një Monitor për të përcjellë kremtimin e shugurimit, për të gjithë ata që nuk do të ketë vend brenda.
Që çdo qytetarë vullnetmirë, besimtarë, që është i interesuar të merr pjesë në kremtim, duhet të pajiset me biletë përkatëse. Biletat mund të merren në të gjitha Kishat Katolike në Kosovë, dhe ato jepen falas.
Luten meshtarët dhe bashkëpunëtorët e Kishave të jenë të disponueshëm për të ndihmuar të gjithë të interesuarit që të mund të pajisen me bileta me kohë.
Shumë të dashur qytetarë e njerëz vullnetmirë, Ju presim me gëzim në kremtimin e shugurimit të Shenjtërores së Shën Nënë Tereza në Prishtinë!
Shën Nënë Tereza, ndërmjetësoftë te Zoti për të gjithë ne!
Vëllazërisht,
Këshilli Organizativ i Shugurimit të Katedrales