Viliem Kurtulaj/
Nëse për qenie të tjera në tokë liria është mundësia e gjallimit, jetesës ose e lulëzimit kudo, për njerëzit kuptimi i lirisë është diçka tjetër, më shumë se kaq. Liria për njeriun nuk është thjesht mundësia e plotësimit të dëshirave të veta, pasi dëshirat mund të jenë orekse dhe orekset janë të determinuara. Ajo çka është e determinuar, është e përcaktuar, dhe, për pasojë, nuk mund të jetë e lirë. Liria e njeriut është pikërisht dalja jashtë të determinuarës, jashtë orekseve.
Njeriu është qenie aktive në botë sepse është i lirë. Pra, është botëndërtues. Njeriu e krijon botën duke mohuar veten, shoqërinë, natyrën etj. Kur njeriu nuk ka çfarë të mohojë më, ai barazohet me veten. Njeriu i mohon të gjitha duke njohur gjithçka. Si pasojë e unikalitetit që ka liria te njeriu, ndryshe nga kafsha e cila përshtatet me botën, njeriu e krijon botën. Kafsha është pasive në botë, njeriu është aktiv në botë. Kur njeriu përshtatet me botën, ai rrezikon të mos jetë më subjekt.
Sipas Kojeve-it, mohimësia është vetë thelbi i lirisë. Fuqia prodhuese e mohimit është se çliron. Çdo përkufizim tjetër do të ishte “natyralist” dhe do të humbte dallimin e njeriut, qenie e lirë, dhe kafshës, qenie e përcaktuar. Kojeve-i në librin e tij Introduction a la lekture de Hegel, shkruan:
“Nëse liria është ontologjikisht mohimësi, kjo ndodh sepse ajo mund të jetë dhe të ekzistojë vetëm si mohim. Mirëpo, që të mund të mohohet duhet që të ketë diçka për t’u mohuar: një e dhënë ekzistuese. (…) Liria nuk qëndron në zgjedhjen mes dy të dhënave: ajo është mohimi i së dhënës, qoftë si e dhëna që jemi ne vetë (si kafshë ose si “traditë e mëshiruar”), qoftë si ajo që nuk jemi (dhe që është bota natyrore dhe shoqërore). (…) Liria që realizohet dhe shpallet si veprim dialektik ose mohues është për këtë arsye thellësisht krijim. Sepse të mohosh të dhënën pa përfunduar te hiçi, do të thotë të prodhosh diçka që nuk ekzistonte ende; por ajo çka quajmë ‘të krijosh’ është tamam kjo”.
Duke qenë se njeriu është qenie me mendim dhe nuk vepron vetëm instinktivisht, atë mund ta shohim si projekt në botë. Si projekt për të realizuar veten dhe botën. Si projekt që bën histori dhe jo që i përshtatet historisë. Pra, njeriun mund ta shohim si ide filozofike. Vetëm njerëzit konsiderohen mendimtarë. Mirëpo, ashtu siç thotë Kojeve-i, e vërteta e një ideje filozofike matet me realizimin e saj historik. Përveç të tjerave, është dështimi i realizimit historik ajo që hodhi poshtë të vërtetën e idesë filozofike të marksizmit. Në dallim nga të gjitha qeniet e tjera, njeriu nuk mund të bëjë dot pa mohimin për të qenë njeri. Nëse “gjëja”, për të qenë, ka nevojë vetëm të jetë, për njeriun, që të jetë, është e domosdoshme të mos jetë (këtu duhet të kuptojmë se për njeriun, “të jesh” = “të jesh diçka”). Liria ka për thellësi të vetën mohimësinë ose, siç thotë Sartre: fuqinë për të “asgjësuar”.
Që një njeri të jetë i tillë duhet të jetë i “lirë” në konceptin e lirisë që parashtruam më lart. Ky koncept lirie nuk mund të arrihet pa mohimësi nga njeriu. Pra, të jesh i lirë, është mundësia, guximi, vullneti të thuash “jo” dhe të veprosh në atë mënyrë, sigurisht atëherë kur duhet ose kur mendon ti se duhet. Njeriu i thotë “jo” (mohon) natyrës, objekteve dhe subjekteve që e rrethojnë, i thotë “jo” sistemeve politike dhe ekonomike, i thotë “jo” edhe vetes, dhe mund të arrijë deri te mohimi i vetes (vetëvrasja).
Njeriu, si modus, nuk përkufizohet vetëm me bashkimin dhe lidhjen e një fryme me një trup, ide e të cilit ai është, por edhe me fuqinë e shprehjes dhe prodhimit që përbën këtë modifikim. Pra, njeriu dallon nga njeriu tjetër me fuqinë me të cilën zhvillon format e shprehjes së veprimeve dhe mendimeve të veta, me mënyrat si i përjeton fenomenet e natyrës dhe ato të shoqërisë, me mënyrën si e shpreh atë që përjeton trupi dhe mendja e tij.
Nuk e di nëse njeriu është prodhim i lirisë apo liria prodhim i njeriut, por edhe nëse do ta shihnim nga një qasje etike, shtegu ku do të dilnim do të ishte i njëjtë. Mendimi në qasjen etike ngrihet jo në gjykimin e tjetrit, por mbi aftësinë tënde për të prodhuar, mbi fuqinë tënde. Mirëpo siç thamë më lart, njeriu kur prodhon ose krijon diçka në botë, ai mohon diçka. Kur prodhon një ide liberale, mohon një ide konservatore apo etatiste; kur prodhon një ide socialiste, mohon një ide kapitaliste, etj. Shpeshherë njeriu mohon edhe mosekzistencën e mendimit ose hapësirën boshe. Mendimi etik është fuqi për të prodhuar. Mënyra prodhuese e njeriut është e ndryshme nga ajo e kafshës. Njeriu, për të qenë i lirë, duhet të prodhojë në harmoni me natyrën e tij si njeri. Nga një qasje etike, njeriu prodhon ose merret me atë që është krijuar, për të prodhuar pa fund. Sipas John Locke, njeriu duhet ta mendojë veten dhe botën e vet si diçka që është kryekëput prodhim i natyrës së tij, prodhim artificial.