Prof. Dr. Romeo Gurakuqi
Patriotet “tradhetare” dhe Internacionalistet bashkepunetore ne shtypjen popullit te Kosoves.Kriteret politike të Europës Perëndimore të përcaktimit të kolaboracionizmit, për gjykimin politik të shqiptarëve, mund të përdorën vetëm me shumë rezerva. Kolaboracionizmi në rastin shqiptar, njëlloj si në vendet e tjera, ka qenë një kolaboracionizëm fluid, i paqëndrueshëm dhe i ndryshueshëm; ka pasur arsye të ndryshme, që nisin nga nevojat për mbijetesë dhe pragmatizmi, deri tek preferencat filo italiane, filo gjermane, por asnjëherë një prirje të mirëfilltë ideologjike fashiste dhe të mbarsur me nevojën e një mbështetjeje në realizimin e aspiratës kombëtare të një vendi të ndarë në pjesë në trungun e vet nacional.Studimin e Historise se Shqiperise nga 7 prilli 1939 deri me 11 janar 1946 e kam konceptuar te ndarë në tre pjesë, që korrespondojnë me tre regjime. Mes tre periudhave ka një vazhdimësi dhe ndërlidhje fenomenesh, që ndryshojnë kah dhe zhvillohen në mënyra të ndryshme në pjesët e ndryshme të “Shqipërisë së Vjetër” dhe të “Tokave të Lirueme”. Bëhet fjalë për tre regjime, që vinin përkundër prirjes normale të zhvillimit të Shqipërisë Tradicionale deri me datën 7 prill 1939, dhe për rrjedhojë në këto tre faza, shtresa të ndryshme të popullsisë, elitat, krahinat e vendit, reaguan, u sollën në mënyra të ndryshme, por gjithsesi brenda tre linjave kryesore: a.Akomodim me Ushtritë Pushtuese.b.Rezistencë që varion në kohë dhe në hapësirë brenda Shqipërisë.c.Bashkëpunim me pushtuesit.Bashkëpunimi shënon një marrëdhënie aktive me pushtuesin, ose me uzurpatorin e paligjshëm të pushtetit, ardhur jo përmes zgjedhjeve të lira, që prodhojnë pushtet sovran, në dëm të popullsive të pushtuara ose të shtypura; Akomodimi nënkupton një pajtim shumëfaqesh dhe të përshkallëzuar me pushtuesin, ose me uzurpatorin e pushtetit. Ky akomodim varet nga afërsia relative, si me bashkëpunëtorët, ashtu edhe me rezistencën. Me Rezistencë nënkuptojmë kundërshtimin aktiv ndaj pushtuesit fashist të vendit, ose uzurpatorit komunist të pushtetit.Koncepti i bashkëpunimit është njëkohësisht i kontestuar, por edhe një fenomen shumëdimensional. Në rrethanat e Shqipërisë së indoktrinuar për një përiudhë të gjatë nga pikëpamja politike dhe ideologjike në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, termi kolaboracionizëm ka fituar një konotacion pezhorativ dhe polemik, mbasi deri më tash, ky term ka nënkuptuar thjesht bashkëpunimin e forcave vendase politike me autoritetet ushtarake dhe politike të vendeve pushtuese të Boshtit Qendror, me Italinë Musoliniane, më pas me Gjermaninë Hitleriane, ndersa ne Tokat e Lirueme pas nentorit 1944, me UNCJ dhe autoritetin e ri shteteror Serb dhe Jugosllav.Në këtë mënyrë, termi është bërë sinonim i tradhtisë dhe adoptimit me pozicionet ideologjike të Fashizmit dhe Nazizmit, gjë që nuk është i saktë në rastin shqiptar.Kolaboracionizmin ne studimin tim “Shqiperia dhe Tokat e Lirueme, 1939-1946” eshte analizuar në këto dimensione: 1.përmasa e parë i referohet modaliteteve politike dhe legale të bashkëpunimit: A ka ndjekur kolaboracionizmi kornizat e një traktati formal ? Ato që nënshkruan këtë traktat bashkëpunimi, a përfaqësonin aktorët e ligjshëm politikë të vendit? Kjo është pyetja e parë, që duhet t’i jepet përgjigje kur të analizojmë vendimet e fshehta dhe ato të hapura, të ndërmarra nga aktorët politikë, të muajit prill të vitit 1939, të muajit shtator të vitit 1943 dhe të janarit të vitit 1946. 2. Përmasa e dytë i referohet hapësirave politike, në të cilat u praktikua bashkëpunimi: a ishte një bashkëpunim politik, ushtarak, kulturor, ideologjik ose ekonomik? Ku qëndron diferenca ndërmjet procesit të përuljes së Shqipërisë në periudhën prill-qershor të vitit 1939 me Italinë dhe Musolinin? në periudhën shtator-nëntor të vitit 1943 me Wehrmacht-in? dhe në fund, me procesin e lënies së lirë të largimit të “Tokave të Lirueme” dhe pjesëmarrjes ushtarake në kthimin me dhunë të kësaj hapësire në harkun kohor të periudhës nëntor i vitit 1944 deri në qershor të vitit 1945 nga ana e Divizioneve të UNÇSH dhe procesin e bashkëpunimit me Jugosllavinë në implementimin e një regjimi shkatërrimtar mbi Shqipërinë e Veriut dhe për Elitën në përgjithësi? 3. Dimensioni i tretë bën dallimin ndërmjet bashkëpunimit politik dhe mbështetjes sociale dhe kulturore. Këtë dimension duhet ta kemi parasysh posaçërisht për bashkëpunimin masiv të elitës dhe popullsisë së “Tokave të Lirueme”, për nevojat të procesit ri-integrues në Shqipërinë andërr të tyre, dhe procesin e arsimimit dhe mbrojtjes fizike të popullsisë, në periudhën e okupacionit, që kjo popullsi e konceptoi si liri nga sundimi serb dhe jugosllav. 4 Dimensioni i katërt përfshin studimin e arsyeve për shtysën themelore drejt kolaboracionizmit dhe bërjen e dallimeve ndërmjet bashkëpunimit të sforcuar, bashkëpunimit të detyruar nga nevoja për mbijetesë (attentisme) dhe bashkëpunimit të mirëfilltë, si tradhëti ndaj interesave të vendit. Ky kolaboracionizëm, që lidhet sidomos me rrethanat e fillimit të luftës civile nga komunistët shqiptarë, pas urdhërit të Enver Hoxhës për luftë kundër BK, së paku nga muaji nëntor 1943, është krejtësisht i dallueshëm nga përcaktimi i kolaboracionizmit bazuar mbi identifikimin ideologjik, ose ai i bazuar mbi arsyetimin e nevojave shtetërore. Kjo lloj ndarjeje është krejt e qartë në rastin e një vendi të varfër dhe një shoqërie fisnore në Veri të vendit, posaçërisht aty ku njerëzit prireshin të merrnin/përqafonin qëndrimin e prijësit krahinor dhe rreshtimit, që vendosnin familjet e mëdha ose bajraktarët (Mirditë, Dibër, Lumë, Has, Malësitë e Veriut etj.). Në rastin e Shqipërisë po ashtu, një çështje kyçe është kuptimi i ndasive politike para-ekzistuese, e lidhur me ekzistencën e një opozite të rëndësishme nga ana e elitës liberale dhe intelektuale të Shqipërisë, me regjimin e Zogut, dhe me ekzistencën e disa krahinave në Veri, ndaj të cilave në kohë, Zogu kishte ushtruar dhunë dhe shtypje me forcën e armëve (Mirditë, Dukagjin). Elita liberale dhe demokratike do ta përjetojë rënien e Zogut si shpëtim nga autokracia dhe heqje e pengesës politike për europianizim të përshpejtuar nën kujdestarinë e Italisë. Krahinat e shtypura nga Zogu, me ardhjen e italianëve, do të përjetojnë një lehtësim nga regjimi pararëndës dhe po ashtu shanse më të mira e më të përshtatshme zhvillimi dhe shërbimesh ndaj popullsisë së zonave malore shqiptare. Pastaj, në rastin e Shqipërisë pas nëntorit të vitit 1943, si bashkëpunimi ashtu edhe rezistenca, nuk mund të kuptohen pa pasur parasysh situatën e Luftës Civile në mes LNÇ dhe BK fillimisht, dhe pas 28 qershorit 1944, ndërmjet LNÇ dhe gjithë shqiptarëve të tjerë që kishin luftuar madje edhe kundër okupatorit fashist. Në qoftë se përpiqemi të vlerësojmë drejtë bashkëpunimin ushtarak, ne duhet të shohim edhe dhunën e ushtruar në fshatra dhe krahina të caktuara të Shqipërisë, nga forcat e LNÇ të komanduara nga PKSH (Kelmend, Shkrel, Kastrat, Mat, Dibër, Lumë, Dukagjin, Mirditë, Drenicë, por edhe në zona të caktuara të Jugut), si forca kolaboracioniste me shovinistët e PKJ. Në shtypjen e kryengritjes së Malësisë në shkurt 1945, trupat shqiptare bashkëpunuan me ushtrinë jugosllave, ndërkohë që për transportin e kosovarëve në muajt mars, prill, maj qershor të vitit 1945, ushtria jugosllave hyri në territorin e Shqipërisë në itinerarin Morinë, Kukës, Fushë Arrës, Shkodër, Muriqan. Bashkëpunimi nuk është vetëm fenomen shqiptar, por ka përfshirë shumë rajone në Gadishullin Ballkanik. Bashkëpunimi në dukje i forcave nacionaliste në Shqipërinë e Veriut dhe në “Tokat e Lirueme”, është i lidhur me një proces mbrojtjeje ndaj invadimit të Divizioneve I dhe II të UNÇSH në veri të Lumit Shkumbin, ose për shkak të invadimit të forcave nacionaliste partizane jugosllave dhe maqedonase në Kosovë, Dibër, Tetovë Gostivar, Malësi, në rrethanat e tërheqjes së forcave gjermane. Një shpjegim i kujdesshëm i duhet dhënë rezistencës së armatosur të popullsisë së Çamërisë përkundrejt forcave të EDES në rrethanat e zbrazëtirës së krijuar nga tërheqja gjermane. Rezistenca e popullsisë së Çamërisë ishte mbrojtje e popullsisë civile nga trupat e parregullta andarte. Po ashtu, faktorët ushtarakë krahinorë, nevoja e ruajtjes së krahinës së paprekur nga raprezaljet, si të forcave të ushtrive të huaja, ashtu edhe të forcave partizane që hynë në veri jo si çlirimtarë, por si uzurpatorë, ndikoi në keqpërdorimin e cilësimeve ndaj pjesëve të ndryshme të vendit.A mund të ndërtojmë një një tipologji të bashkëpunimit në rastin e Shqipërisë? Duke ndjekur modelin gjegjës të ofruar përgjithësisht nga studiuesi Davide Rodogno (Davide Rodogno, Il Nuovo Ordine Mediterraneo, Le politiche di occupazione dell’Italia fascista in Europa (1940-1943), Torino 2014) dhe në shqyrtimin e mundësive metodologjike që përfshihen në studimin e kolaboracionizmit (bashkëpunimit) jam perpjekur të përpiloj një skemë të adoptueshme në rastin shqiptar në tërësi.1. Kolaboracionistët profashistë: kanë qenë një grupim shumë i vogël dhe i papërfillshëm numerikisht, jo tërësisht i bindur në fashizmin e tyre, sa në nevojën e një ndërlidhjeje të së ardhmes së Shqipërisë me Italinë. Në këtë grupim bënin pjesë anëtarët më të lartë të Partisë Fashiste Shqiptare dhe një pjesë, por jo e gjitha, e anëtarëve të qeverive të para shqiptare nën Italinë. Dua të ndaj anëtarë të caktuar të qeverive kolaboracioniste, për faktin që një pjesë e tyre janë nisur nga ambicie personale, ose profesionale dhe kanë operuar jashtë linjave të tyre me një indipendencë në plotësimin e nevojave publike dhe nacionale shqiptare (hapja e shkollave në Kosovë, proceset e zhvillimit të reformave arsimore, botimet albanologjike, krijimi i institucioneve të mbrojtjes kombëtare, zhvillimi ekonomik i vendit nën sponsorizimin financiar italian, etj.). 2. Bashkëpunëtorët politikë nga “Tokat e Lirueme” dhe nacionalistët shqiptarë nga gegnia dhe toskëria, shërbimi i të cilëve ishte i lidhur me një endërr nacionale për bashkim kombëtar, më shumë se sa si pasojë e ndonjë ndjeshmërie te veçantë ndaj italianëve/gjermaneve.3. Grupet ndihmuese shqiptare të Milicisë Fashiste, të bashkëpunëtorëve shqiptarë në procesin e shtypjes së kryengritjeve të armatosura, të cilët kryen krime ndaj kundërshtarëve politikë, shërbyen me vendosmëri pushtuesit në arritjen e objektivave të veta pushtuese në Ballkan (Milicia Fashiste dhe Divizioni SS “Skanderbeg”, ky i fundit me kufiza, autoret e masakres se 4 shkurtit 1944);4. Grupimet që i dhanë pushtuesit një bashkëpunim taktik dhe ushtarak autonom, pa bashkëpunuar në operacionet ushtarake, por veç duke dhënë forca të gatshme për ruajtjen e rendit në krahinat gjegjëse (Mirdita, Mati, Dibra, etj.).5. Grupimi tjetër ka të bëjë me përfaqësuesit e Regjencës nën pushtimin gjerman, të cilët, sipas analistëve të SOE britanike, nuk ishin figura pro-naziste, por ata më së shumti qenë nisur nga deshira për të shpëtuar vendin nga anarkia dhe morën përsipër ta shpëtojnë atë, pa kuptuar grackën gjermane dhe rrjedhën ndërkombëtare të ngjarjeve, ku ishte vendosur vendi ynë. Gracka politike dhe ushtarake në të cilën u vendos ky grupim i nacionalistëve të pakompromentuar me fashistët italianë, ka qenë i lidhur me skemën gjermane, e cila ka qenë e përqendruar në nxitjen e nacionalizmit dhe patriotizimit tradicional, përmes njohjes së pavarësisë dhe neutralitetit të shtetit shqiptar në kufijtë entikë. Ata kanë qenë një grupim i gjërë, që nuk mund të pajtohej me politikën ekstremiste të PKSH dhe LNÇ kundër shtresave sociale të Shqipërisë tradicionale dhe me objektivat e tyre shkatërrimtare jugosllavë. Projektimi që bënë gjermanët për zgjedhjen e të tillë njërëzve të shquar si Lef Nosi, Patër Anton Harapi, Mehdi Frashëri, kishte si qellim shkatërrimin potencial të dobishmërisë të të tilla figurave, duke i bërë ata të papërdorshëm për politikat Aleate, sikurse ndodhi në të vertetë. Vetë përsoni i zgjedhur nga gjermanët (Majori SS Schajer) për të kryer rekrutimet ndër detyrat shtetërore të shtetasve shqiptarë, është provë e një veprimtarie të paramenduar kurthi nga ana e pushtuesit të ri, për ajkën e nacionalizmit reformator dhe intelektual shqiptar. Gjermanët operonin në terma të përkohshme. Atyre u duhej shërbimi i njërezve të ditur dhe të ndershëm të këtij vendi vetëm për pak muaj dhe nuk u interesonte se cili do ishte fati i tyre i ardhshëm në Shqipëri, pasi ky tranzicion i operacioneve gjermane do të përfundonte.Studimi qe kam realizu nuk ka synuar ne asnje rast diskualifikimin e fitores partizane ndaj nazifashizmit, por shkrimin e një historie të drejtë, që priret të shpjegojë realitetin shqiptar në tërësi, edhe kolaboracionizmin në përmasën reale, në tipologjitë, në thelbet e veta dhe variacionet; procesin e tejkalimit kriminal të objektivave të rezistencës, që në kohën e luftës nga ana e LNÇ dhe përdorimin e luftës kryesisht për objektiva të pushtetit, eliminimin e elitës së vjetër dhe shkatërrimin e plotë të shoqërisë drejtuese të Shqipërisë së Veriut dhe kryeqendrave të saj tradicionale. Problemi tjetër, që synojmë t›i japim zgjidhje është ai që lidhet me përfundimin e vërtetë të luftës në Shqipëri dhe rezultatet që ai solli për vendin. A shkatërroi Lufta e Dytë Botërore dhe marrja e pushtetit nga komunistët, Shqipërinë e Vjetër, qytetarinë tradicionale shqiptare, lëvizjen patriotike, që themeloi shtetin, institucionet që ajo përiudhë e Shqipërisë prozaike prodhoi dhe inteligjencën shqiptare themelvënëse politike dhe juridike? Nga ana tjetër, a ishte fitorja e partizanëve dhe humbja e Ballit Kombëtar dhe e Nacionalistëve Indipendentë dhe Legalistë, një rreshtim i Shqipërisë në radhët e forcave fitimtare në Luftën e Dytë Botërore? Cilat janë përmasat e vërteta të këtij rreshtimi?