
Arben Iliazi/
Ndërsa liria është një e drejtë universale, vetëm njeriu i iluminuar mund të ndihet i tillë. Romani “Brenga” i Dr. Pashko R. Camaj, (botim i SHB Onufri), që u promovua sot në Akademinë e Shkencave arrin, në mënyrë befasuese, drejt këtij thelbi universal. Ai është shkruar sipas konceptit humanist të të lashtëve, ku Urtësia kishte tre sy: për të parë të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen.
Populli shqiptar ka treguar vitalitet të mrekullueshëm në luftën me jetën dhe rrethanat historike ku e ka hedhur fati. Historitë e kohës së komunizmit kanë pasur paradokset më të dhimbshme, që ende nuk janë shkruar siç duhet nga historianët dhe shkrimtarët, në përmasën e tyre fatale dhe në substancën e vërtetë, me pasoja traumatike, me qëllim që njerëzit të shpresojnë në rikonceptime të reja thelbësore, për të zhdukur përfundimisht gabimet e makthshme të së kaluarës. Botimi i romanit të Pashko R. Camajt, përkundër segregacionit antiartistik dhe antihistorik që sundon ende në Shqipëri, deri në kufijtë e absurdit, është një ngjarje e jashtëzakonshme letrare artistike, që sfidon hapur opinionin e mohuesve të mercenarizuar, mediokrit zilivuajtës dhe analfabetët e folklorit politik, që preferojnë surrealizmin, dhe kësisoj e kanë bërë pasiv opinion e gjerë publik.
Kjo është vendosur sub specie aeternitas, duke i parë gjërat jo të varura nga koha dhe hapësira ku ndodhemi, por nga jashtë kohe, siç mund të shprehej Spinoza. Historia është një kujtesë e tërëfuqishme dhe supreme. Komunizmi solli kundërthënie e tragjedi nga më të rëndat për shqiptarët, që janë të pranueshme për njeriun, por nuk është e pranueshme të mos jesh Njeri. Ndaj ky roman ka fuqi rrezatuese emblematike.
Në romanin “Brenga”, shkruar me një gjuhë të pastër dhe mjaft shprehëse, rrëfehet historia e dy miqve të ngushtë, Toninit nga familja e Mirakajve, që arratiset në Nju Jork dhe shokut të tij, Markut, një personazh fiksion, që vuan dënimin në burgjet komuniste dhe sillet si një person i vërtetë, me karakter, motive dhe veprime, që zhvillojnë ngjarjen. Tonini e përjeton lirinë e tij si një brengë.
Ai nuk e quan veten me të vërtet të lirë, duke menduar fatin mizor që ndoqi Markun, në një realitet të palëndët, të qënies pa qënie, ku shprehej urrejtje dhe përçmim, ku megalomania e delirit komunist i zhvishte njerëzit nga çdo ndjenjë njerëzore. Romani i ri i Dr. Pashko R. Camajt, shkrimtar i mirëfilltë shqiptar me banim në Nju Jork, sekretar i përgjithshëm i Federatës VATRA, është një kontribut me vlerë në trashëgiminë tonë letrare kombëtare për shmangien nga fantazmat metafizike, përtej mohimeve absurde dhe mitologjive politike, ku Njeriu të jetë i pandarë nga situata, ku të spikatë e Mira, Fisnikja, me një mision pretencioz në zhvillimin moral dhe humanist të shoqërisë së re shqiptare. Urime Miku im Pashko R. Camaj dhe faleminderit për këtë libër!