
Nga Astrit Lulushi/
Kur një njeriu i kërkuan të punonte më shpejt, atij iu duk
sikur i thanë – “mos mendo shumë”. Të menduarit është punë e vështirë, ditë e
natë, papushim, përndryshe, të gjithë do ta bënin, njerëzimi nuk do të ishte i
përçarë dhe bota sot, më ndryshe.
Jeta e një bime është e thjeshtë; ajo synon vetëm ekzistencën
për kënaqësinë e vetes. Me kafshën është pak më ndryshe, dija në jetën e saj
është e kufizuar, që i shërben vetëm nevojave të çastit. Prandaj, të dyja, si
bima dhe kafsha. gjejnë kënaqësi në ekzistencën e thjeshtë; ato mund të kalojnë
kryesisht orë të tëra paluajtur, pandjerë, pakënaqësi, me durim, pamenduar,
thjesht duke parë.
Vetëm njeriu ka njohje të gjërave dhe për këto është i
vetëdijshëm. Si pasojë, jeta e tij është jo vetëm e thjeshtë, por edhe e
mbushur me dije, që e pajis njeriun me një ekzistence të dytë.
Tek disa, të menduarit është barrë; ata mendojnë aq sa është
e nevojëshme për të kryer një punë ose për të kaluar një kohë të lirë me
minimumin e të menduarit. Vetëm kur intelekti tejkalon masën e nevojëshme për
jetesë, dija bëhet qëllim mëvete apo e pakufizuar. Kjo shënoi lindjen e artit,
poezisë dhe filozofisë, fillimisht të krijuara thjesht si mënyra për shprehjen
e ndjenjave dhe mendimit.