
Rafaela Prifti/
Nëntorin e kaluar mora një përgjigje emejli për një ftesë zyrtare drejtuar një ambasade shqiptare në Amerikë. Aty shkruhej se Ambasadorja kishte angazhime, të cilat nuk e lejonin të merrte pjesë në aktivitet, “ama do të vijë konsullja.” Ishte hera e parë që lexoja në një përgjigje zyrtare fjalën “ama” dhe e pranoj se më gjeti shumë të papërgatitur. Mbase ishte shkruar nga një nëpunës në moshë të re (ky ishte mendimi i parë që më erdhi) ose dikush me sens humori, këtë nuk do ta dijë kurrë. Por gjithsesi letërshkruesi kishte legjitimuar hyrjen e një fjale bisedore në një letër zyrtare. Ishte një rast që më mbeti në mendje, ndërkohë që, përditshmëria ka normalizuar lëshime në format e shkruara në morinë e pafund të komunikimeve publike dhe në mediat sociale. Disa shqetësime mbi gjuhën dhe gramatikën, si dy fusha që po i paguajnë shtrenjtë transformimet teknologjike dhe sociale të viteve të fundit, nisa t’i radhit në një skicë, për të cilin i kërkova mendime Profesor Dr. Tomorr Plangarica, bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë. “Ka periudha ku përkujdesja ndaj “lëvizjeve” në gjuhë duhet të jetë edhe më e madhe, ato janë të lidhura me zhvillimet sociale dhe etapa e tanishme është e tillë,” ishte komenti i Dr. Plangaricës, autor i disa studimeve gjuhësore si edhe lektor pranë Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO) Paris.
Kur themi gjuha është organizëm i gjallë nënkuptojmë evolucionin dhe evoluimin e saj në kohë ku vetë rregullat e gramatikës nuk janë statike, por iu përshtaten rrjedhave të komunikimit në shoqëri. Me shpërthimin e internetit dhe mediave sociale u hodhën në qarkullim një seri me shkurtesa fjalësh, vërshime të emërtimeve që shoqërojnë komunikimin e shpejtë edhe hyrja e stileve të tjera joformale që sfidojnë normat e gramatikës tradicionale. Gramatika, megjithatë, ka treguar elasticitet dhe aftësi adaptimi duke manifestuar se nuk është thjesht një “grupim i rregullave të shkruara në gur” siç thotë shprehja, por një udhërrëfyes komunikimi në jetën e përditshme.
Fleksibiliteti gramatikor shfaqet edhe në varësinë e drejtpërdrejtë të gramatikës me kontekstin dhe të përdoruesit me audiencën që ka përpara. “Në aspektin stilistik, duhet pasur parasysh se dy realitetet e funksionimit të gjuhës (i folur dhe i shkruar) kanë qasje jo të njëjtë ndaj zbatimit me korrektësi ndaj “normës gjuhësore”: në të shkruar, ajo zbatohet/duhet të zbatohet me korrektësi sidomos në diskurset (a stilet) shkencore, administrative-shtetërore, juridike etj.,” vëren Profesor Dr. Plangarica.
Ndërkohë hendeku i krijuar në gramatikën e zbatuar dhe atë të mësuarën hapet për ditë e më shumë. Gramatika praktike është përdorimi i gjuhës nga folësit dhe shkruesit në situata të përditshme komunikimi. Gjuha trajtësohet dhe ruhet nga përdoruesit prandaj edhe rregullat evoluojnë krah “lëvizjeve” gjuhësore dhe jo në drejtim të kundërt, duke qenë se rregullat reflektojnë funksionimin e gjuhës në kontekst të gjerë. Një shembull ilustrues janë dialektet dhe nëndialektet ku fleksibiliteti i gramatikës në formën e shkruar të komunikimit sjell një formë pasurimi gjuhësor.
Teknologjia e epokës dixhitale ka transformuar perceptimin dhe aplikimin e rregullave të gramatikës dhe gjuhës së shkruar në përgjithësi. Tekstet, postimet, blogjet e kanë transformuar komunikimin tonë ku qartazi i jepet përparësi shpejtësisë dhe thuktësisë dhe jo gramatikës tradicionale. Përdorimi i shkurtimeve dhe lëshimeve gramatikore janë një realitet i shumëgjendur ndërsa korrektësia gramatikore e të shkruarit tkurret për ditë e më shumë në platformat mediale të komunikimit me audienca të mëdha. Këtu ndikon edhe prirja e “të qenit origjinal”, e lakmuar sot vetëm për hir të të qenit origjinal. Meqë gjuha është shprehje e individualitet dhe përzgjedhja e formave gramatikore, ajo është pjesë kyçe e profilit vetjak të secilit prej nesh. Ndërsa poetët dhe shkrimtarët e përdorin, për shembull, shkronjën e vogël kur duhet e madhja dhe sfidojnë rregullat tradicionale për efekte artistike, imitimi pa vend nga të tjerët ka efekt të kundërta me pasurimin e gjuhës dhe normave gramatikore. Kur gjithçka është në shërbim të komunikimit, qartësia e mesazhit merr përparësi ndaj normave të ngurta të gramatikës sepse shpeshherë, lexuesit dhe dëgjuesit janë më të interesuar të kuptojnë brendinë sesa të përqendrohen në detaje apo hollësi gramatikore.
Shkollimi jep bazat e të kuptuarit të gramatikës ku vendoset theksi tek nocionet e normave dhe rregullave. Por as gjuha, as gramatika nuk jetojnë në flluskë sepse janë forcë dinamike e shoqërisë. Profesor Dr. Plangarica vëren se “programet e sotme japin udhëzime jo të pakta për këto probleme të kulturës së gjuhës. Po ashtu, edhe “mendimi gjuhësor” i ndjek zhvillimet aktuale. Por zbatimi nga folësit (dukuri vetjake) jo pak herë lë për të dëshiruar. Po e krahasoj kalimthi përmes kësaj analogjie: edhe pse janë përcaktuar rregullat e qarkullimit rrugor, jo pak herë ato shkelen; në vijimësi ato rregulla edhe përshtaten; madje në nënvetëdije të vozitësit edhe plotësohen: nëse në autostradë duhet të ecësh me 120 km në orë, një “”rregull” i nënkuptuar të motivon që mund të ecësh edhe pak më shpejt, 10 km në orë më shumë, pra me 130 km, pavarësisht rregullit, tabelës, në rastin tonë “gramatikës”.
Hyrja e shprehjeve të reja dhe format elastike gramatikore janë pjesë e trungut të gjuhës në gjallje. Ndjekja e normave tradicionale nga njëra anë, dhe, përdorimet jo konvencionale të rregullave të gramatikës nga ana tjetër, jetojnë në realitetin e trysnisë kolosale të teknologjisë dixhitale që dominon përditë komunikimin ndër njerëzor. Përballë këtij presioni, elasticiteti dinamik i stilit të shkruar mund të jetë një mekanizëm i nevojshëm mbijetese dhe përshtatjeje.