Nga ALDO CAZZULLO/
Vdekja e saj u lajmërua me një tweet: mënyra e komunikimit të një kohe, sonës, në të cilën e shkuara nuk ekziston, dh e pardjeshmja vlen sa njëmijë vite më parë. Megjithatë hiri I Elizabetës ishte pikërisht në të qenurit një personazh – ndoshta I fundit – që na jepte lidhjen me një botë të shuar. Me historinë.
Elizabeta mësoi vdekjen e babait, mbreti Gjergji VI, ndërsa ishte në Kenia, në një kolibe të ndërtuar mbi një pemë (“një grua e re u ngjit princeshë dhe zbriti mbretëreshë”, u komentua atëherë, sikur t’ishte një përrallë). Ishte ende Perandoria britanike. Kryeministër ishte Winston Churchill. Ajo kishte njohur (si princeshë) Franklyn Delano Roosvelt. Ka varrosur nuse e motra të bezdisëshme. Ka mishëruar më së miri vese e virtute të popullit britanik: një farë largësie në cakun e rreptësisë, por edhe dhëmshuri, sqimti, kah detyre dhe pune të kryer mirë. Ka jetuar kohën e fundit të Perandorisë e të rënies së fuqisë angleze; por sot Londra është qyteti më kozmopolit e më pak racist në botë.
Nën diellin e saj kanë lindur e perënduar yje si Margareth Thatcher – që ajo nuk e donte – dhe Tony Blair, me të cilin ndërtoi një marrëdhënie të mirë në verën e vitit 1997, të shënuar nga vdekja e lady Diana, që për kurorën qe, së paku në fillim, një fatkeqësi mediatike. Por mbretërimi i pafund i Elizabetës, nëse ka shpëtuar mbretërinë, ka detyruar çmime të larta për t’u paguar. Djali i saj, Karli, m’i mirë se sa përshkruhet, ka kaluar jetën duke pritur që t’i vinte rradha. Djali tjetër, Andrea, u mbyt në mërzi e në ves. Motra e vogël, Margareth, ka vdekur prej njëzet vitesh: Elizabeta e ka kujtuar në fjalimin e saj të mrekullueshëm në fillim të pandemisë, gjatë së cilës Bbc ka inkuadruar fotografinë e bisedës radiofonike që principesha e atëherëshme mbajti, “helped by my sister” (e ndihmuar nga motra ime), gjatë luftës së dytë botërore, kur Wuindsorët nuk pranuan të linin Londrën e rrënuar nga bombardimet naziste. Gjynah që nuk tha asnjë fjalë për Brexit. Ndërsa u përpoq për të mbajtur kurorën e Skocisë: kur skocezët votuan për pavarësinë mjaftoi një fjali e saj – “mendohuni mirë” – për të zhvendosur pak por vota përcaktuese. Në këta vite ka shoqëruar evolucionin e atij që mbetet nga një Vënd i madh, që i ka dhënë botës gjuhën e saj të hapur dhe një pasuri të pamatur kulturore, letrare, muzikore. Hyrja e një gruaje të re me ngjyrë në familjen mbretërore mund të ishte një rast bashkëkohësimi, të pakapur për papërshtatshmërinë e dukëshme të personazhit, e të burrit të saj.
Nuk është e vërtetë që mbretëria vdes me të. Britanikëve një mbret u duhet. Duhet një figurë e paanëshme që të zbusë saktësinë deri në egërsi të një sistemi dypartiak, në të cilin kush ka një votë më shumë merr pothuajse gjithshka. E duhet një figurë që të mbajë së bashku popuj të ndryshëm: anglezë, uellsianë, skocezë, irlandezë, dhe milionë bij të Kommonwealth-it. Sigurisht një mbretëreshë si ajo është e pazëvendësueshme. Që këtu ndiesia e zbrazësirës, çasti i terrorit, që dje përshkoi Londrën dhe të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Mbretëresha Elizabeta kishte hyrë prej kohësh në fazën në të cilën jeta merr më shumë se sa jep. Është një proçes që përparon shkallë shkallë, të ndryshme simbas jetëshkrimeve: e kupton se nuk je i pavdekshëm; bie ajo perde ndërmjet teje e vdekjes që janë prindërit e tu; fillon të humbësh shokët e jetës tënde, në rastin e saj burri, Filipi; deri sa kupton se të zhdukurit janë më shumë se të shpëtuarit, dhe arrin – për fatlumët si ajo – çasti në të cilin mund të thotë: më i moshuari je ti. Vdekja erdhi e ngadaltë, por e pamëshirshme. Por Elizabeta del nga skena me hapin e aktualitetit, sigurisht të historisë. Edhe për të , si për meshtarët, mund të thohet se do të jetë mbretëreshë në përjetësi.
“Corriere della Sera”, 9 shtator 2022 E përktheu Eugjen Merlika