Prof.Dr.Roland Gjini/
Shumë shpejt, menjëherë pas vitit 1909, për Elbasanin dhe elbasanasit shkolla Normale u bë simboli i qytetit për lidhjet e tij me arsimin e shkollën shqipe. Elbasanasit e donin Normalen e krenoheshin me të, pasi ajo i njohu ata në të gjithë Shqipërinë e trojet shqiptare, prandaj ishin gati të sakrifikonin gjithçka për mbrojtjen e saj. Jo më kot, që në vitet e para të hapjes së saj, ky qytet filloi të quhet nga shqiptarët “Elbasani i Normales” ndërsa shkolla “Normalja e Elbasanit”. Kur themi Normalja e Elbasanit, nuk mohojmë kurrsesi karakterin kombëtar që mori kjo shkollë. Këtë karakter Normales ia dhanë jo vetëm misioni i saj, por edhe përbërja e nxënësve normalistë nga të katër anët e trojeve shqiptare, si dhe përzgjedhja e trupës pedagogjike nga ajka e inteligjencës shqiptare të kohës. Në këtë shkollë, që u bë tempulli i arsimit në Shqipëri, do të jepnin mësim apo do ta drejtonin figura të njohura kombëtare të trojeve mbarëshqiptare, si Qamil Bala nga Gjilani, Bajo Topulli nga Gjirokastra, Luigj Gurakuqi nga Shkodra, Aleksandër Xhuvani nga Elbasani, Soti Peci nga Korça, Salih Ceka nga Çamëria, Ahmet Gashi nga Prishtina, e të tjerë.
Që nga nisja e funksionimit të kësaj shkolle e në vijim, të paktën deri në vitit 1938, shkolla Normale nuk e kishte të lehtë vijimin e punës së saj pikërisht në Elbasan. Në historinë e vet shkolla Normale, për arsye të jashtme e të brendshme, mbyllet për t’u rihapur përsëri me qetësimin e situatave. Përveç mbylljeve provizore,në aspektin e brendshëm, më së tepërmi për arsye politike, disa herë është hedhur mendimi, apo më tej akoma, janë hartuar projekte për transferimin e saj në një qytet tjetër të Shqipërisë. Mbyllja e parë e saj u bë në Shtator të vitit 1910, kur drejtor ishte Luigj Gurakuqi, për shkak të ekspeditës ndëshkimore të Shevqet Turgut Pashës. Para se të mbyllej, patriotët shqiptarë shfaqen ide të ndryshme për mbijetesën e saj. Një ndër këto ide ishte ajo e Fan Nolit, i cili nga Bostoni i shkruante Lef Nosit në Elbasan që do të ishte mirë dhe njëkohësisht një goditje për qeverinë osmane që Normalja të transferohesh jashtë tokave shqiptare në ndonjë shtet të Europës: “Bisedojeni ketê çeshtje me miqt’ e atjeshme dhe shkruamëni që të di. Jam gatî dhe unë dhe z. Faik bej Konitza të vemi të gjithë në Svicerë dhe të bêhemi të gjithë profesore atje dhe të gatitim një racë te ré për Shqipërine e nesërme.” Lef Nosi dhe elbasanasit më mirë preferuan të mbyllej përkohësisht se të transferohej. Do të rihapet përsëri në shkurt të vitit 1911 në shtëpinë e Qemal Karaosmanit. Në vazhdim, në vitin 1914, kur shkollën e drejtonte Aleksandër Xhuvani, mbyllet për së dyti nga terrori që po ushtronte në Elbasan ushtria rebele e Haxhi Qamilit, në korrik të këtij viti. Nxënësit mbetën pa dhënë provimet e fundvitit. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, sidomos pas vitit 1915, për shkak të vendosjes në Elbasan të ushtrive ndërluftuese, Normalja më tepër ndenji e mbyllur se e hapur. Pas mbarimit të kësaj lufte, puna në Normalen e Elbasanit filloi të funksiononte rregullisht. Pas rihapjes në 22 nëntor të vitit1918, u shfaq një rrezik i ri: transferimi i saj për në një qytet tjetër të Shqipërisë. Projekti i parë për transferimin e Normales diku tjetër u hodh për diskutim nga Qeveria e Sulejman Delvinës në vitin 1920. Me një vendim të Kongresit të Lushnjes shkolla Normale u vu nën varësinë e Ministrisë së Arsimit. Kjo e fundit, për zbatimin e idesë së transferimit nuk mori mendimin e autoriteteve lokakale, madje as të mësuesve të Normales, as të popullit të Elbasanit. Qenë disa demonstrata të popullit të Elbasanit që detyruan Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit që të heqin dorë nga ky plan në vitin 1920.
Në fundin e verës së vitit 1924 për Elbasanin, kur në fuqi sapo kishte ardhur Qeveria e Fan Nolit, doli përsëri problemi i shpërnguljes së Normales, tashmë nga Elbasani për në Shkodër. Arsyet e gjetura nga Ministria e Arsimit ishin paradoksale, deri te preteksi i sëmundjes së malarjes. Përsëri, ashtu si në vitin 1920, ka një reagim të ashpër nga autoritetet vendase, nga mësuesit e nxënësit e Normales si dhe nga populli i Elbasanit. Madje, në këto kushte, Lef Nosi mendoi edhe mundësinë e dorëheqjes nga detyra e kryetarit tw Bashkisë, pak ditë pasi e kishte pranuar atë vend. Në këtë çast të vështirë për simbolin kult të arsimit elbasanas, mes Lef Nosit dhe Aleksandër Xhuvanit është zhvilluar një letërkëmbim i dendur, që karakterizohej nga shqetësimi dhe gjetja e rrugëve përmes të cilave duhej vepruar. “Propaganda asht ba se Elbasani është me malarie – do t’i shkruante Aleksandër Xhuvani mikut të tij në Elbasan – dhe mësues e nxënës janë sëmunë dhe punë në shkollë s’bahet. Më ja kishin mbush mendjen njerzit edhe Gurakuqit e Vinjaut që të ngrihet Normalja nga Elbasani. Puna është me rrezik e çështja do bisedohet në kryeministri ndaj duhet të mbledhësh Këshillin e Belediesë (Bashkisë- R. Gj.) e t’i çoni delegatë kryeministrit e Ministrisë së Arsimit për të rrëzu fjalët që thuhen për Elbasanin e më pas të bëni edhe nji miting për të protestu”. Është për të ardhur keq që në projektin e transferimit u përfshi edhe Luigj Gurakuqi, asokohe ministër i financave. E themi këtë pasi ai kishte qenë një ndër themeluesit e Normales së Elbasanit të hapur në 1 dhjetor 1909, njëkohësisht edhe drejtori i saj i parë. Ai e kishte pranuar kërkesën për transferim bërë nga Ministria e Arsimit që drejtohej nga Stavro Vinjau, mbase, në këtë rast, ai është joshur nga fakti që kjo shkollë do të vendosej në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër.
Në 16 gusht Këshilli Bashkiak kundërshtoi përpjekjet e Qeverisë për transferimin e shkollës Normale, duke argumentuar historikisht domosdoshmërinë e qëndrimit të saj në qytetin e Elbasanit. Gjithashtu, u vendos të organizohej edhe një demostratë e madhe proteste. Në orën e caktuar tregu u mbyll dhe populli vërshoi nga të katër anët duke u grumbulluar në sheshin e Namazgjasë. Kjo ishte hera e dytë, pas ngjarjeve të vitit 1920, që populli i Elbasanit protestonte për të njëjtën çështje. Ishte hera e dytë që patriotët elbasanas, në krye të popullisë së qytetit e fshatrave përreth, ngrinin zërin për të mbrojtur ikonën e arsimit shqiptar, që ishte lindur dhe rritur, me shumë sakrifica, në Elbasan. Mbas mbarimit të mitingut, populli i revoltuar u nis drejt zyrave të PTT-së, duke e detyruar drejtorin e saj të thërriste urgjentisht në telefon zëvendëskryeministrin, Sulejman Delvinën, për t’i bërë të ditur vendosmërinë e tij për të mbrojtur, edhe me armë, Normalen në Elbasan. Pasi morën premtimin nga zv./kryeministri se: “Normalja do të mbetet aty ku u hap për herë të parë” demostruesit u shpërndanë dhe Normalja nuk u shpërngul në Shkodër. Në krye të Bashkisë së Elbasanit, Lef Nosi do të aprovojë kërkesën e drejtorit të Normales, Aleksandër Xhuvanit, për sistemimin e saj përkohësisht në shkollën “Kostandin Kristoforidhi”, në lagjen Kala, për aq kohë sa të përfundonte godina e re e Normales.
Për rreth 12 vjet Normalja do të vazhdojë e qetë punën e saj dhe do të përgatisë me qindra mësues, jo vetëm për Elbasanin por për tërë qytetet e trevat shqiptare. Problemi i shpërnguljes së saj rihapet në vitin 1936. Lajmi i hapur përsëri për shpërnguljen e kësaj shkolle kombëtare për në Shkodër ndodhi në një kohë kur drejtor i saj ishte sërish pedagogu, studiuesi, gjuhëtari dhe atdhetari i njohur elbasanas, Aleksandër Xhuvani. Në një shkrim të tij të botuar kohët e fundit në gazetë “Tema online” gazetari Dashnor Kaloçi shkruan se nuk kishte asnjë njoftim zyrtar në lidhje me atë lajm që qarkullonte ato ditë në të gjithë qytetin e Elbasanit, banorët e tij e besuan atë gjë dhe u ngritën në protesta masive, të cilat degjeneruan deri në konflikte fizike në mes qytetarëve dhe forcave të xhandarmërisë që ruanin rendin publik. Në këtë artikull ka edhe një pasaktësi kohore. Artikullshkruesi i përcakton ngjarjet e Elbasanit për shpërnguljen e Normales në vitin 1935, kur në fakt ato kanë ndodhur në vitin 1936. Më tej akoma, vërtet njoftim zyrtar nuk kishte, por burimet e tjera që përhapin lajme flasin ndryshe, le t’i shohim më poshtë.
Sinjalin e parë për rishfaqjen e idesë së shpërnguljes e jep një artikull në shtypin lokal të Korçës, dhe si kundërpërgjigje drejtuesit e Normales reagojnë ashpër në 24 shkurt të vitit 1936, po në shtyp: “E kënduat se çna shkruanin nga Korça? Në Elbasan pëshpëritet se Ministria e Arsimit do të ndajë qytetsen nga Normalja tashti në mes të vitit. Po përshpëritet edhe një gjë tjetër: të ngrihet Normalja nga Elbasani, sikurse desh të bëhesh më 1924, në kohën e Qeveris revolucionare … Kjo mburrje nuk mund t’i hiqet nga gjiri i Elbasanit. Edhe qeveria revolucionare e 1924-ës deshi t’ia heqë, por nuk mundi. Kur themi Normale na kujtohet Elbasani dhe kur themi Elbasani na vjen menjëherë në mendje Normalja. Janë dy emra të lidhura dhe të paçkëputura midis tyre.” Ministri i arsimit të asaj kohe, Nush Bushati, i cili erdhi në Elbasan më 11 prill të vitit 1936, u shpreh se shteti do të ndihmojë ndërtimin e shkollës së re Normale që ka mbetur përgjysmë, por nuk tha asnjë fjalë për shpërnguljen e kësaj shkolle, ndërkohë që opinioni i Elbasanit po ziente për këtë problem. Për mbi dhjetë muaj, nga shkurti deri në nëntor të vitit 1936, Ministria e Arsimit nuk nxori asnjë njoftim apo deklaratë përgënjeshtruese për këtë lajm. Vetëm në nëntor të vitit 1936, kur populli është ngritur në protesta e demostrata, gazeta lokale e Gjirokastrës njofton se Qeveria me anë të një komunikate e ka hedhur poshtë këtë lajm të përhapur, dhe shkruan se “… Normalja e Elbasanit ka një histori, ka tradita. Është një nga më të vjetrat shkolla shqipe të Atdheut. Pra, një vendim për transferimin e saj jo vetëm do të ishte një padrejtësi e madhe, por edhe një guxim i math. Dhe, në rast se Ministria e Arsimit e bën me gjithë mend një gjë të tillë, jo vetëm do të bënte një gafë, të pa shembullt, por edhe një krim”
Lidhur me përhapjen e lajmit se Normalja e Elbasanit do të transferohet për në Shkodër, gazetari i njohur i saj kohe, Nebil Çika në gazetën “Arbënia” që botohej në Tiranë, shkruan se ky lajm është përhapur nga vetë drejtori i shkollës, Aleksandër Xhuvani. Në kundërshtim të kësaj akuze trupa pedagogjike e shkollës Normale, mes të tjerash, jep këtë përgjigje: “… Një seri botimesh të z. Çika nxjerr si shtytës krysor të manifestimeve të Elbasanit zotin Aleksandër Xhuvani. … Kolegu i Tiranës mund të ketë arsyet e tij, por neve na duket se z. Aleksandër Xhuvani, mësues i shqipes nga më të vjetrit, njeri që e ka dëftuar vetëhen dhe i ka falur vepra të sgjedhura shkollës shqipe, ka bërë për të kaq shërbime sa nuk e arrijmë as në bisht akoma dhe shumë të rinj që mbahen rëndë dhe s’po na nxjerrin gjë në shesh – meritonte jo goditje, por nderime dhe kënaqësime.” Në artikujt e Nebil Çikës shkruhej se fillimisht lajmi u përhap në pazarin e Elbasanit, ku u mbyllën 500 dyqane dhe tregtarët u grumbulluan para Prefekturës. Më tej shkruhet se “Në Prefekturë për shkak se ishte ditë pushimi, natyrisht nuk u gjend njeri. Atje zoti Xhafer Miraku, i mbajti popullit një fjalim me anë të së cilit theksoj se elbasanasit me asnjë mënyrë nuk mund të pranojnë shpërnguljen e Normales që projektohet prej Ministris s”Arsimit. Veç zotit Miraku, fjalime analoge mbajtën dhe zoti Shefki Kulla, tregtar, dhe avokat Shefqet Daiu. Populli natyrisht i priti fjalimet me brohoritje duke çfaqur me gjallëri dëshirën e tij për të mos shpërnguljen e Normales nga Elbasani” Sipas zotit Çika arësyet se përse Xhuvani e përhapi këtë lajm lidhen me faktin që ai nuk i honepste dot zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, të cilën po e katandisnin keq e më keq arsimin shqiptar.
Ka të ngjarë që lajmi për shpërnguljen e Normales nga Elbasani, në këtë kohë, mund të jetë i lidhur me një vendim të Qeverisë po në vitin 1936. Sipas këtij vendimi duhej ndarë veç shkolla qytetëse nga shkolla Normale. Shkolla qytetëse përfshinte katër vitet e para të studimit të shkollës Normale, quhej ndyshe “plotore”, pasi plotësonte njohuritë e marra nga arsimi fillor 5-vjeçar i asaj kohe, nga ku vinin nxënësit e Normales. Katër vitet e tjera të Normales ishin vite shkollimi profesionale, për t’u bërë mësues. Pra me vendimin e ri studimet në Normale nuk do të zgjasnin më 8 vite, por 4. Ky vendim mund të ketë shërbyer si dyshim për opinionin e Elbasanit, sepse pas këtij përgjysmimi të viteve të shkollimit në Normale, sipas këtij opinioni, do të vinte edhe largimi i saj nga ky qytet dhe ashtu si në vitin 1924, Normalja do të shkonte në Shkodër.
Megjithatë, duke parë protestat dhe manifestimet e popullit të Elbasanit, që ishin masive dhe këmbëngulëse, Qeveria u detyrua të dalë me një komunikatë ku premtonte se Normalja nuk do të transferohej. Nga ana tjetër, puna për përfundimin e ndërtimit të shkollës së re kishte mbetur në vend. Tri vjet pas këtyre protestave Qeveria akordon një fond shtesë për ndërtimin e plotë të kësaj shkolle, në janar të vitit 1939, fond i cili nuk u lëvrua për arsye të pushtimit të vendit nga Italia fashiste në 7 prilll të vitit 1939. Normalja e Ebasanit vijoi punën e vet edhe gjatë viteve të pushtimit italian e gjerman, duke diplomuar si mësues me qindra djem e vajza të tjera nga tërë trojet shqiptare.