Nga DANILO TAINO
Sa gjasë ka që Bashkimi Evropian do t’arrijë të na japë një politikë serioze të përbashkët të Mbrojtjes? Atë autonomi strategjike për të cilën flet Emmanuel Macron e që nga pak të gjithë e quajnë të domosdoshme? Mbas tërheqjes tronditëse të Joe Biden-it nga Afganistani, çështja ka brofur në krye të përparësive politike evropiane, sëpaku për çastin. Vështirësitë për të krijuar një Mbrojtje të përbashkët janë të shumta e të rrënjosura. Është njëra shpesh e nënvleftësuar: shumica e qytetarëve evropianë nuk don t’i a dijë. Të rritur në paqe e në demokraci, të mbrojtur nga shqyti i NATO-s, më së shumti amerikan, duket se nuk kanë kuptuar se bota ka ndryshuar, është bërë më e rrezikëshme. Që është kthyer shemëria agresive mes fuqive, e ngjajshme me atë të gjysmës së parë të Nëntëqindit, akoma më komplekse se ajo ndërmjet SHBA dhe BRSS gjatë luftës së ftohtë.
Një hulumtim serioz të opinionit më të fundit mbi qëndrimin e evropianëve sa i përket Mbrojtjes e ka kryer Pew Research Center në fillim të vitit 2020. Në përgjithësi kishte rënë besimi në NATO-n, më të shumtën për shkak të politikës së America First të Donald Trump-it: për shembull nga 60 në 49 % në Francë, nga 67 në 57 % në Gjermani nga 2017 në 2019 (ndërsa n’Itali ishte shtuar me 3 %, 60 % në të njëjtën periudhë). Por ajo që është interesante për të kuptuar nëse opinionet publikë evropianë janë të gatshëm për të marrë përsipër Mbrojtjen është e dhëna që ka të bëjë me Nenin Pesë të NATO-s, simbas të cilit antarët e konsiderojnë sulmin kundër një Vendi t’aleancës si sulm kundër vetë atyre, pra duhet të ndërhyjnë në anën e tij. Pyetjes nëse Vëndi tyre do të duhej të mbronte një aleat të NATO-s të sulmuar ushtarakisht nga Rusia, 66 % të italianëve i përgjigjej jo. Përgjigje johenike edhe nga 60 % e gjermanëve, nga 53 % e francezëve, nga 56 % e spanjollëve. Të vetmit evropianë, në shumicë në dobi të ndërhyrjes, ishin hollandezët, britanikët dhe lituanët. Por pelivançe 75 % e italianëve mendonin se në rastin e një sulmi rus Shtetet e Bashkuara do të kishin ndërhyrë. I njëjti mendim për 72 % të spanjollëve, 63 % të gjermanëve, 57 % të francezëve. Mundet që rasti i Afganistanit të sqarojë pak realitetin. Por përshtypja është që shumica e evropianëve kujton se jeton ende në botën e djeshme. E kuptueshme. Për fat të keq nuk është kështu.
“Corriere della Sera”, 8 shtator 2021 Përktheu Eugjen Merlika